Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

HAKMARRJA SHMITIANE E SKËNDERBEUT (I)

(ose si mund ta perceptojë një lexues i zakonshëm “Skënderbeun” e O. J. Schmitt-it)

nga Fatma

Botimi i veprës  “Skënderbeu” së autorit O. J. Schmitt, përfshirë edhe përkthimin e A.Klosit, i turbulloi keq ujrat e debatit mbi figurën e Heroit, që e kishin zanafillën që prej viteve ‘90.

Bindja ime ka qenë dhe mbetet se, pavarësisht kërkimeve e saktësimeve të natyrshme në rrjedhë të kohës në historiografinë e Gjergj Kastriotit, thelbi i figurës së tij mbetet i pandryshuar. Ky thelb qëndron në atë që, falë bëmave të tij në atë epokë, që mund ta quajmë pa frikë Epoka e Skënderbeut, arbërit dhe Arbëria pushuan së qeni një milet e një provincë e paidentifikuar e perandorisë dhe dolën në dritë në sytë e Europës si si nje ekzistencë më vete, për më tepër si një “një nga tanët”. Pa këtë shndërrim pasojat mund të ishin fatale, deri në ekzistimin e Arbërisë e më pas të Shqipërisë.

Në gjykimin tim Skënderbeu i ka kapërcyer tashmë kufijtë historikë. Nëpërmjet një procesi sublimimi kombëtar, ai është shndërruar në simbol ashtu si flamuri, si himni dhe si i tillë mbetet tepër refraktar ndaj përpjekjeve për ndryshime thelbësore.

Në librin e vet për Skënderbeun, zvicerani O.J. Schmitt krahas shumë pikëpamjeve jo të zakonshme në historiografinë e heroit, pretendon se kryengritja e tij antiturke e pati zanafillën në një motiv personal. Sipas Schmitt-it, Gjon Kastrioti, i ati Skënderbeut, nuk ka patur një vdekje të natyrshme, por është vrarë me urdhër të sulltan Muratit II. Ai e lidh një letër të zbuluar në arkivat e dukatit të Milanos me një ngjarje të ndodhur në Amasia të Anadollit, ku kishte gjetur vdekjen djali i madh i Muratit II, Alaeddin Ali Çelebia, së bashku me dy fëmijët e vet të mitur. Sipas Schmitt-it, këtë vrasje, e ka kryer Skënderbeu për t’u hakmarrë ndaj Muratit II për vrasjen e të atit në maj të vitit 1437. Schmitt-i vetë nuk jep ndonjë datë kur ka ndodhur kjo vrasje hakmarrëse por as nuk hyn në debat më autorë seriozë që datojnë ngjarjen në pranverë të vitit 1443.[1]

Megjithëse, siç duket qartë nga pranëvënia e datave të këtyre ngjarjeve, në vjeshtën e 1443-shit, kur Skënderbeu u ngrit kundër osmanëve, hakmarrja e tij personale, nëse do të kish pasur me të vërtetë, sipas skenarit të Schmitt-it, ishte përmbushur që në pranverë të po atij viti, autori i librit përsëri këmbëngul se kryengritja pati si shkak hakmarrjen e Skënderbeut.

Këtë pikëpamje autori e parashtron dhe e mbron që në faqet e para të veprës se vet dhe e përsërit si një lajtmotiv herë pas here deri në konkluzionet. Pikëpamjeve të mëhershme të ngritura nga disa intelektualë shqiptarë, që e shikonin Skënderbeun si një figure mitike, jo reale, të konstruktuar nga Rilindësit, që e akuzonin se me kryengritjen e tij antiturke e kishte dëmtuar rëndë vendin, se ai nuk ishte veçse një vasal i fuqive të huaja, se nuk pati bërë asgjë më vlerë për bashkimin e popullit dhe vendit, se nuk ishte fitimtar por humbës, etj., Schmitt-i u shton edhe se Skënderbeu në luftën e vet antiosmane ishte i frymëzuar nga motive të vogla personale. Kjo përbën të vetmin kontribut të tij origjinal, meqenëse pikëpamjet e tjera që ai zhvillon në veprën e vet ishin në treg prej kohësh. Por pikërisht këtu, në kontributin e vet origjinal, ai dështon më bujshëm se kudo. Gjithsesi, është vendi të shtoj këtu se për historinë vlerë kanë pasojat , jo motivet.

Ata që e pritën a priori librin e Schmitt-it si një kryevepër të padiskutueshme e që hidhte në kosh të plehrave gjithçka ishte shkruar më parë, duke e zhveshur Skënderbeun edhe nga motivet e luftës për liri, kujtuan se erdhi momenti për ta shkurorëzuar më në fund si një hero kombëtar. Por për lexuesin normal, që kërkon të shohë argumente në një vepër historike, libri i Schmitt-it nuk ngrihet më lart se një vepër propagandistike.

Pikëpamja e tij për motivin frymëzues të hakmarrjes së Skënderbeut, duke qenë një varg inkonsekuencash logjike dhe e pambështetur në argumente, është në vetvete pa vlerë dhe pa dyshim ndikon së tepërmi për ta konsideruar krejt punimin si vepër me vlera të diskutueshme.

(Po nënvizoj që në fillim se vazhdimisht jam ndier si para një romani historik më tepër se një teksti historie dhe herë pas here analiza e mëposhtme mund të tingëllojë si recension i një vepre letrare.)

***

Duke zbritur në terrenin konkret në lidhje me motivin frymëzues të fillimit të kryengritjes së Skënderbeut, po kujtoj se prova e vetme e Schmitt-it është letra e mëposhtme kurse gjithçka tjetër është interpretim i tij:

“Mbërriti këtu një kalorës i dërguar i një zoti që dikush thotë është nga Greqia e dikush nga Arbëria, zot i quajtur Xandrebech, është i pafe dhe i kërkon papës që t’i dërgojë 10.000 luftëtarë e ai do vërë të vetët të shumtë në numër për të sulmuar turqit e këtë jo për çështje feje pasi ai është i pafe por për arsye të urrejtjes personale që ka kundër turkut, se ky turk ka vënë t’i vrasin babanë e atij zotit e ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.”

Kjo letër i është dërguar dukës Francesco Sforza të dukatit të Milanos prej të dërguarve të vet në Romë, diplomatëve apo ambasadorëve Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio më 10 janar 1454. Letra është shkruar e dërguar shtatëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së supozuar të Gjon Kastriotit (1437) dhe njëmbëdhjetë vjet pas fillimit të kryengritjes së Skënderbeut kundër turqve (1443).

***

Po bëj më poshtë një përpjekje për të analizuar gjithë elementet e informacionit që ofron letra e mësipërme së bashku me interpretimet e Schmitt-it:

Përfundimi i parë që nxjerr Schmitt-i nga letra e ambasadorëve milanezë është që ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti është vrarë nga sulltan Murati II.

Që të mbështesë motivin e hakmarrjes së Skënderbeut, Schmitt-it së pari i nevojitet vrasja e Gjon Kastriotit.

Sipas Schmitt-it : “..Ivan Kastrioti pra, më 2 maj 1437 nuk pati vdekur nga një vdekje e natyrshme, por ishte vrarë me urdhër të Muratit II.”

Pak dihet si i ka mbyllur ditët Gjon Kastrioti. Schmitt-i sjell një të re, që Gjon Kastrioti nuk kishte vdekur siç pranohej gjerësisht, por ishte vrarë dhe vrasësi ishte Sulltan Murati II. Këtë datë Schmitt-i e vendos duke iu referuar një përfundimi të historianit bullgar I. Dujçev. Por edhe në dokumentet serbe të studiuara nga Dujçevi, si dhe të disa kronistëve turq, thjesht përmendet vdekja e Gjon Kastriotit, pa bërë fjalë për ndonjë vrasje. Schmitt-i e konfirmon përfundimisht vrasjen e Gjon Kastriotit duke sjellë si provë raportin e dy ambasadorëve milanezë zbuluar së fundmi prej tij. Ende pa i hyrë brenda përmbajtjes së raportit në fjalë është normale të shtrohet pyetja nëse versioni i vrasjes së Gjon Kastriotit ka ndonjë mbështetje tjetër. Si rregull në shkencën historike çdo e dhënë burimore kërkohet të jetë e mbështetur nga një burim tjetër, që të mund të jetë seriozisht e përdorshme. Për shembull, në rastin e Barletit, ka një opinion se të dhënat historike që ai jep mund të përdoren vetëm kur ato verifikohen nga burime të tjera direkte apo tërthorazi, përndryshe mbeten vetëm hipotetike në pritje për t’u provuar apo hedhur poshtë. Vetëkuptohet se po të kishte ndonjë të dhënë tjetër, Schmitt-i do ta kishte sjellë. Pra mbetet vetëm një e dhënë, letra e dy diplomatëve milanezë që bën fjalë për motivin e kryengritjes së Skënderbeut. Që këtu, ngrehina e Schmitt-it ndërtuar vetëm mbi këtë të dhënë, bëhet e brishtë në pikëpamje historike.

Një dyshim serioz vjen nga Gjon Muzaka, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Si i tillë, ai mund të konsiderohet një dëshmitar sypamës (okular) dhe çdo e dhënë e tij nuk mund të anashkalohet lehtë. Edhe për vetë Schmitt-in, Muzaka është dëshmitar i besueshëm, sipas tij “..nuk ka ndonjë arsye të mos besohen shtjellimet e tij për origjinën e Kastriotëve”, por dhe i rëndësishëm, sepse

“…[Muzaka].. pasqyron kujtesën e fisnikërisë arbëre, nuk ndjek pra rrëfimin disi zbukurues të Barletit që glorifikon Skënderbeun.”

Sipas përkthimit në anglisht të R. Elsie, Gjon Muzaka deklaron: “When his father died, he escaped from the sultan..” Pra Muzaka flet për vdekje, jo për vrasje. Këtu, së pari, mund të diskutohet se, ndonëse Muzaka përdor termin “vdekje” nuk mund të përjashtohet “vrasja” nisur nga një logjikë semantike. Pra mund të ketë qenë një vdekje shkaktuar nga një vrasje. Mund të thuhet që Muzaka i bie shkurt, thotë vdiq duke mos u marrë më shkakun e vdekjes, që mund të ketë qenë vrasja.

Formalisht është një logjikë që qëndron. Por në histori asnjë e dhënë sido që të jetë nuk mund të neglizhohet, sidomos në këtë rast konkret kur të dhënat janë minimale. Atëherë, pra, është fare me vend të shtrohet pyetja pse Muzaka flet kaq thatë dhe nuk jep asnjë detaj për vdekjen e Gjon Kastriotit, në kundërshtim me zakonin e tij për të dhënë hollësi pothuaj në të gjitha rastet që përmend, madje edhe për persona fort më pak të rëndësishëm se Gjon Kastrioti (“.. whose husbands had been slain in fighting”, “..his brother, was slain in warfare with the aforementioned sultan, “The sons died in Hungary, and the father, Lord Gjin, was slain by the Turks”, “The Turks captured all the five sons and murdered them by breaking their bones with hammers”, “murdered the two of them for what they had done..”, ”.. father died a little earlier, not only of old age, but also of suffering and despair, ”… who was slain in Persia” etj.)

Vetë Gjon Kastrioti ishte një nga personat më të rëndësishëm të kohës se vet në Arbëri, por ai u be akoma më i rëndësishëm më pas si i ati i Gjergj Kastriotit. Muzaka është fare i ndërgjegjshëm për këtë, e megjithatë flet fare shkurt për rrethanat e vdekjes se Gjon Kastriotit, këtij personi kaq të njohur. Ai thotë vetëm “pas vdekjes.”

Në këtë rast ka dy mundësi: ose Muzaka nuk e ka ditur kurrë se Gjon Kastrioti ishte vrarë nga sulltani, pra s’mund të shkruante gjë për vrasje, ose Gjon Kastrioti thjesht ka pasur një vdekje të natyrshme, nuk është vrarë, dhe Muzaka ka treguar atë që ka ndodhur besnikërisht duke folur shkurt, sepse vdekja natyrale e një plaku nuk është ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme.

Për rastin e parë duket vërtet e pamundur që Muzaka të mos kishte dijeni në rast se Gjon Kastrioti ishte vrarë nga sulltani. Ata ishin fqinj, “një vrap pele” i ndante kullat e tyre. Është e pamundur të supozosh se gjëma e vrasjes se Gjon Kastriotit të mos arrinte dot në oborrin e Muzakajve, që këta të mos merrnin pjesë në zinë e Kastriotëve e aty të dëgjonin ç’kishte ngjarë e si kishte ngjarë. Vrasja nga sulltani e Gjon Kastriotit do të kishte qenë një eveniment për gjithë hapësirën arbërore, jo vetëm për fqinjin Muzaka.

Por Muzakajt kishin edhe lidhje krushqie me Kastriotët. Gjon Muzaka sqaron se: “The said Scanderbeg married the daughter of Lord Arianiti Comnenus and this lord sent my father, Lord Gjin, as a matchmaker because the said Lord Arianiti was the brother in law of my father.” Donikën, gruan e Gjergj Kastriotit, vetë Gjon Muzaka e kishte vajzë halle. Duke qenë në lidhje farefisnore kaq të afërta është afërmendsh që Gj. Muzaka të dinte më tepër se ç’dihej zakonisht për Kastriotët. Dhe ai dinte jo vetëm për Gjon Kastriotin si zot i Matit, për marrëdhëniet e tij me sulltanin , por dinte edhe për gjyshin e Skënderbeut, Pal Kastriotin, që “He ruled over no more than two villages, called Signa (Sinja) and Gardi Ipostesi (Gardhi i poshtëm)”, dinte edhe që: “…how they were related to the Marquis of Tribalda. Let me inform you that they were related to them through his wife.” Ishte pra fort i informuar për familjen Kastrioti dhe nuk mund t’i shpëtonte një ngjarje e shënuar si ajo e vrasjes së Gjon Kastriotit, nëse vërtet kishte ndodhur. Por Muzaka flet vetëm për thjesht “vdekjen” e Gjon Kastriotit pa asnjë të dhënë tjetër.

E parë nga një kah tjetër, nëse vrasja e Gjon Kastriotit do të përbënte arsyen e parë të nisjes së kryengritjes së Skënderbeut kundër sulltanit, siç pretendon Schmitt-i, Muzaka nuk mund ta linte jashtë këtë arsye madhore kur tregon me saktësi marrjen e Krujës dhe fillimin e organizimit të kryengritjes. Fakti që nuk e përmend as tërthorazi, do të thotë se nuk ka qenë realisht në vargun e arsyeve madje as preteksteve për të nisur kryengritjen.

Muzaka ishte edhe pjesëmarrës në kryengritje, ishte bashkëluftëtar kundër sulltanit dhe do të ishte jashtëzakonisht e çuditshme të mos dinte se për ç’arsye kishte filluar kjo kryengritje. Dhe po aq e çuditshme është njëkohësisht të mos flasë në kujtimet e veta për këtë arsye madhore të fillimit të kryengritjes.

Si përfundim, është rrjedhojë logjike që për Gjon Muzakën vdekja e Gjon Kastriotit ka qenë një vdekje natyrale dhe jo një vrasje. Mirëpo Gjon Muzaka është një dëshmitar shumë i rëndësishëm i epokës dhe dëshmia e tij shkon përkundër tezës se Schmitt-it se Gjon Kastrioti u vra nga sulltan Murati II. Dëshmia e Muzakës në mos e rrëzon tezën e vrasjes të sjellë nga Schmitt-i, e vë atë në një pozitë shumë të vështirë, duke ia lëkundur seriozisht themelet. Duke qenë kështu, letra e dy ambasadorëve milanezë, nisur edhe nga përmbajtja e saj si një thashethem pazari, duket tepër e dyshimtë për të qenë një dokument historik me vlerë.

Përveç Muzakës mund të sjellim në vëmendje edhe një tjetër bashkëkohës, Papën Piu II, me shkrimin e vet “De Europa” , i cili sipas Schmitt-it “.. i njihte mirë rrethanat e familjes Kastrioti, kur tregon për t’anë e Skënderbeut dhe vëren se ky si mysliman kishte mbajtur emrin Camusa (Hamza)”  (f. 333) e megjithatë nuk përmend kund vrasjen e Gjon Kastriotit, megjithëse papati ishte njoftuar zyrtarisht nga diplomati i Skënderbeut, sipas letrës së ambasadorëve milanezë më 1454, siç i rezulton Schmitt-it.

Kjo heshtje e bashkëkohësve të shquar për një vrasje politike në Arbërinë e kohës përbën një argument serioz përkundër vlerës së letrës së diplomatëve milanezë dhe interpretimin e Schmitt-it.

Pasi ka “siguruar” vrasjen e Gjon Kastriotit nga Murati II, Schmitt-i nxjerr përfundimin e dytë, që Skënderbeu qenka hakmarrë për vrasjen e të atit.

Dhe që të mos i lërë asnjë shteg Skënderbeut për t’iu shmangur detyrës e nderit për t’u hakmarrë, si dhe për t’i dhënë besueshmëri motivit të hakmarrjes, Schmitt-i i drejtohet Kanunit:

Po të kemi parasysh se e drejta zakonore e Arbërve gjallonte qysh në mesjetë, ai [Skënderbeu] s’kishte tjetër rrugë përveç se të ruante nderin e tij. I duhej të merrte gjak nga ajo familje që kishte derdhur gjak: kjo ishte dera e osmanëve.”(f. 58)

Që një figurë e shquar në shumë fusha (siç e përshkruan edhe vetë Schmitt-i), si ajo e Skënderbeut të binte pre e Kanunit, kjo është në vetvete mjaft e dyshimtë. Schmitt-i nuk ndihet aspak i detyruar ta provojë këtë pohim të vetin, por atëherë duhet të presë që edhe lexuesi nuk është i detyruar ta besojë. Historinë në këtë mënyrë, duke ngjizur fraza pa sjellë prova, mund ta bëjë kushdo.

Kishte kaluar gjysmë shekulli që arbrit ishin në luftë me turqit, sulltanët kishin vrarë e prerë, por s’ka asnjë precedent që ndonjë fisnik arbër të kishte kërkuar hakmarrje sipas Kanunit ndaj sulltanit vrasës. Asgjëkund nuk ka ndonjë dëshmi që mund të na shtyjë të paktën të supozojmë se edhe me Skënderbeun mund të ndodhte që të hakmerrej “me Kanun”.

Se si e kupton kanunin Schmitt-i s’mund ta dimë, por edhe pa patur ndonjë njohje të veçantë, ka një logjike elementare që sugjeron se kanuni mund të zbatohet në një territor dhe popullatë që e njeh dhe e pranon atë. (Ajo që quhet personaliteti i ligjit njihet që nga kohët e romakëve.) Të kërkosh të zbatosh kanunin jashtë arealit të vet është po aq pa kuptim sa të kërkosh për shembull, të luash shah me një partner që nuk i di rregullat e lojës. Kështu, të pretendosh të zbatosh kanunin me një të huaj që as e njeh, as e pranon dhe as e zbaton, është jo thjesht absurditet, por vetëvrasje e sigurt. Dhe sado mungesë respekti të kemi për inteligjencën e Skënderbeut, deri në këtë pikë nuk mund të zbresim.

Po të kërkosh të shikosh pas perdes, nuk është e vështirë të kuptosh se elementi “kanun” i nevojitet Schmitt-it për ta shtrënguar personazhin e vet Skënderbe të kryejë hakmarrje ndaj sulltanit me çdo kusht. Pa qenë i detyruar nga kanuni. Skënderbeu edhe mund të mos e kryente hakmarrjen personale, por atëherë motivi vetjak i fillimit të kryengritjes nuk do të mund të formulohej dhe do të mbetej vetëm motivi i lirisë. Mirëpo kjo nuk do t’i shkonte për shtat Schmitt-it, sepse për të Skënderbeu nuk është luftëtar i lirisë por një feudal mesjetar ndonëse i talentuar, i motivuar nga interesa vetjake, që për një kombinim rrethanash përfundoi në udhëheqje të rebelimit arbëror kundër turqve. Për Schmitt-in kryengritja e 1443-shit duhet të mbetet patjetër një raison d’état.

Kujtojmë se sipas kanunit të Skënderbeut “gjaku shkon për gisht” që do të thotë se gjakmarrja bie vetëm mbi vrasësin dhe jo mbi farefisin e tij, në ndryshim nga kanuni i Leke Dukagjinit ku “gjaku shkon për fis”, që do të thotë se gjithë farefisi lejohet të preket nga hakmarrja. Ose sipas një formulimi tjetër “gjaku mbetet për faj” sipas L. Dukagjinit dhe “gjaku nuk ngelet për faj” sipas kanunit të Skënderbeut.

Në qoftë se në atë kohë zbatohej vërtet kanuni dhe Skënderbeu e nderonte dhe e zbatonte atë, atëherë ai ishte i shtrënguar prej kanunit të merrte hak vetëm ndaj vrasësit, d.m.th. vetëm ndaj Muratit II in persona dhe jo ndaj fisit apo familjes së tij. Atëherë pra Schmitt-i, duke kërkuar prej Skënderbeut të hakmerrej me kanun i jep automatikisht atij alibinë për vrasjen e Alaedinit dhe djemve të tij: Skënderbeut i ndalohej me kanun vrasja e kujtdo nga fisi Muratit II, përveç këtij vetë.

Por Schmitt-i këmbëngul çuditshëm kur, ndonëse e njeh dallimin midis dy kanuneve dhe pohon se tek “Kanuni i Skënderbeut numri i njerëzve që kërcënohen me gjakmarrje është shumë më i ulët” e megjithatë e “detyron” Skënderbeun, që të hakmerret ndaj tre personave për të marrë gjakun e një njeriu të vetëm ( të atit) dhe për më tepër të hakmerret jo ndaj vrasësit, por ndaj fisit, duke zbatuar kështu kanunin e Lekë Dukagjinit. Ky është një absurd i pastër, sepse të mendosh që Skënderbeu nderonte kanunin e Lekës dhe jo të vetin është jashtë çdo common sens-i, jashtë çdo logjike elementare, jo vetëm historike.

Rikujtojmë se Skënderbeu, gjithnjë sipas Schmitt-it, projekton dhe udhëheq një komplot të fshehtë më pjesëmarrjen e figurave kryesore të oborrit otoman dhe më 1443 realizon vrasjen e princit trashëgimtar Alaeddin Ali Çelebiut, birit të preferuar të Muratit II. Kështu për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit, Gjon Kastriotit, Skënderbeu kishte vrarë prej familjes së gjakësit, Muratit II, jo një por tre anëtarë, Alaeddinin dhe dy djemtë e tij të mitur, 6 dhe 18 muajsh, një vrasje makabre duke i mbytur në shtrat ndërsa flinin.

Duke qenë se Schmitt nuk jep ndonjë datë për vrasjen e Alaeddinit, as e kundërshton F.Babinger-in që e daton këtë në pranverë 1443, atëherë nuk kemi pse të mos e pranojmë këtë të fundit, të paktën për momentin. Pra, para se të fillonte kryengritja, Skënderbeu në vjeshtë të 1443-shit ishte hakmarrë tashmë. Ai jo vetëm ishte krejt në rregull me Kanunin (madje ishte hakmarrë jo një herë por disa herë), por edhe e kishte tejkaluar të drejtën kanunore. Gjakun e një plaku e kishte shpaguar me tre të rinj, midis të cilëve dy fëmijë, të gjithë të ekzekutuar në mënyrë të përbindshme. Kanuni ishte zbatuar dhe tejkaluar, hakmarrja vetjake ishte konsumuar dhe tashmë ishte Murati, jo më Skënderbeu që i lindte e drejta e hakmarrjes.

Atëherë për ç’hakmarrje Skënderbeu duhet të mobilizonte krejt principatën e vet, të mblidhte princat në kuvend në Lezhë e të mobilizonte pastaj krejt Arbërinë, kur hakmarrja e tij personale ishte realizuar më së miri, madje tejkaluar? S’do mend se jo për hakmarrje personale. Për të kuptuar kaq nuk është e nevojshme të jesh historian, jemi gjithnjë në fushën e logjikës.

Sidoqoftë, historiani Schmitt e ka nxjerrë përfundimin pa e quajtur fare të nevojshme të bëjë ndonjë farë analize të tekstit të dokumentit dhe as ndonjë përpjekje të veçantë për të arsyetuar interpretimet e veta: Skënderbeu e ka kryer aktin e hakmarrjes. Kaq.

[vijon]

(c) 2018, autori


[1] Kohë pas përfundimit të këtij shkrimi, O. J. Schmitt-i ka deklaruar, në një intervistë, se vrasja e Alaeddinit me të bijtë ka ndodhur në qershor 1443.

16 Komente

  1. Bëhet fjalë për raportin e diplomatëve Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio, drejtuar Francesco Sforza-s, dt. 10 janar 1454 (Archivio di Stato di Milano. Archivio visconteo-sforzesco, B. 41):
    “Qua è gionto uno cavalero ambasatore d’uno Signore chi dice de Grecia e chi de Albania chiamato quel Signor Xandrebech et è infidele … per hodio privato ha cum el Turcho, lo quale Turcho fece morire lo padre de quel tal Signor e questo tal Signore ha facto morire uno fratello del Turcho”.

  2. Kritika më duket e mbështetur. Veçanërisht, argumenti në lidhje me vrasjen e supozuar të Gjon Kastriotit nga sulltani: sa e konfirmuar është kjo vrasje? Në ç’burime e ka verifikuar Schmitt-i? Dhe më tej akoma, edhe sikur Gjergj Kastrioti të motivohej para së gjithash nga hakmarrja, vallë nuk do të quhej gjaku i shlyer, pas vrasjes (gjithnjë të supozuar) prej tij të djalit dhe nipave të sulltanit? Më në fund, edhe sikur Skënderbeu të kish ikur nga osmanët për t’i shpëtuar ndëshkimit për krimin, organizimi i një kryengritjeje anti-osmane nuk më duket mënyra më e thjeshtë për t’u shmangur. Fatma i ka vënë në dukje mirë këto, unë veç po i rimarr.

    Çfarë nuk më bind, në këtë pjesë të parë të kritikës, është pjesa ku flitet për kanunin – Kanunin e Lekës dhe të Skënderbeut. Sepse projeksioni mbi një periudhë 5 shekuj më parë i dallimit që kanë këto kanune sot më duket anakronik, dhe aq më tepër që lidhja mes Skënderbeut figurë historike dhe Kanunit të Skënderbeut më rezulton ende e paprovuar, sikurse më rezulton e paprovuar lidhja midis Kanunit të Lekës dhe Lekë Dukagjinit. Si motiv frymëzues i veprimeve dhe i politikave, hakmarrja është më e vjetër se kanunet; dhe mund ta përfytyroj një prijës mesjetar shqiptar të kërkojë hakmarrje pavarësisht nga nenet e kanuneve që njohim ne sot dhe që janë mbledhur e sistemuar relativisht vonë. Megjithatë, për Skënderbeun hakmarrja si motiv duhet provuar; sikurse duhet provuar edhe gatishmëria e tij për t’iu bindur një kodi të tillë relativisht primitiv. Të mos harrojmë që Skënderbeu ishte fisnik dhe prej fisnikëve në Ballkan pritej të ndiqnin dhe të respektonin kode të tjera.

    Unë edhe do të kisha rezervë ndaj një manierizmi që del në shkrimet për Skënderbeun, pa përjashtuar edhe të miat okazionalisht: prirja për ta quajtur këtë “hero”. Mjafton ky epitet për ta kushtëzuar diskursin përkatës në mënyrë të pakthyeshme, sepse heroi i sjell atributet me vete; edhe ato morale (trimëria, largpamësia, vetëmohimi, etj.) edhe ato narrative – madje këto të fundit i japin historiografisë për Skënderbeun nota të një rrëfimi epik, bardhezi, me kontraste të forta, ku dallimi mes të mirëve dhe të ligjve është gjithnjë i qartë, i padiskutueshëm. Nuk ka gjë të keqe në vetvete, të adoptosh regjistrin epik për të folur për Skënderbeun; vetëm se në kontekste të dijes historike, regjistri epik i përjashton disa lloj kritikash dhe kundër-argumentesh, me të cilat dijes sot i duhet përndryshe të përballohet.

    1. Per kanunin, nuk e perjashtoj asfare qe mund te kesh te drejte.
      Por, po e shtroj edhe si pyetje, kur krahina te ndryshme te Shqiperise, kane ruajtur deri ne ditet tona vecori karakteristike te dallueshme syresh si tradita, zakone, menyren e veshjes, te te kenduarit e vallzuarit,edhe gjuhen,etj,etj , pse te mos kene ruajtur edhe kodin e tyre te drejtesise, nje nga mjetet me te rendesishem te bashkejeteses? Sigurisht ,duke nenkuptuar evolucionin e seciles permes shekujve.

      As une nuk mendoj qe Leke Dukagjini e Skenderbeu kane qene kodifikuesit e kanuneve homonime.Besoj se jane emertime te mepasme, konvencione per te treguar zonat ku perdoreshin.
      Sipas Fishtes kanuni i Leke Dukagjinit nuk ka lidhje me personin por me zonen dhe pikerisht me Leke (Lekni), qe korespondon me Malesine e Mbishkodres dhe Dukagjinin( Shale, Shosh,Puke, Iballe,Mirdite , Kthelle,Selite e malesine e Lezhes) . Pra kanuni qe kishte vlere legale ne Lekni e Dukagjin, pra kanuni Leke-Dukagjin dhe jo kanuni i Leke Dukagjiit.
      Me duket me i mbeshtetur se cdo variant tjeter .
      Nderkaq kanuni i quajtur I Skenderbeut kishte vlere ne zonat e Matit, Dibres, Krujes,Kurbinit,Bendes, Martaneshit, pra ne ato zona ku ka ushtruar pushtet Skenderbeu, ndoshta dhe prej ketej emertimi..
      Pikerisht ashtu si kanuni i Laberise (Kurvelesh, Himare,Lumi Vlores, Rreza e Tepelenes) , qe nuk ka ndonje emer kodifikuesi por thjesht emertohet pas territorit.
      Por banoret e seciles prej ketyre zonave njihnin dhe zbatonin kanunin e zones se tyre..

      Per ceshtjen “hero” teknikisht ke te drejte.

  3. Ne intervisten me te fundit dhene gazetarit B.Andoni,Schmitt kembengul edhe me me force ne gjithe ato qe quhen teza te diskutueshme te tij.Perfshi edhe motivin e gjakmarrjes.
    Per fatin e tij te keq,e gjithe puna e tij disavjecare per studimin e figures se Skenderbeut (e ketu ankohet,sesi ka mundesi qe nje pune kaq e lodhshme disavjecare,te hidhet poshte me kaq lehtesi… a thua se vete fakti qe eshte disavjecare e imunizon ate nga cfaredolloj paskatesi,gabimi a lajthitjeje!) ,eshte perplot me klishe te njohura per shqiptaret:
    -Kanunor – motivi i gjakmarrjes;popull barinjsh – ushtaret e Skenderbeut;plackites – nje nga burimet kryesore te te ardhurave te Skenderbeut;popullsi qe nuk di te beje shtet – kembengulja e fiksuar ne zhlveresimin e Lidhjes se Lezhes;popull mercenaresh,qe mund te te braktisin dhe te te kundervihen,sipas interesit – Skenderbeun e luftuan shkodranet,dukagjinasit,shqiptaret myslimane (sesa shqiptare myslimane kishte atehere,qe te benin nje mase te tille te perfillshme,kete nuk e kuptoj),shqiptaret e Jugut( per te cilet Schmitt thote shqiptaret ortodokse te Jugut,cka tradheton nje lajthitje anakronike te tija,sepse,ne ate kohe shumica e shqiptareve,si ne Jug dhe ne Veri, ishin ortodokse);popull qe nuk i intereson liria – dhe ketu,kundervenesve te mesiperm shqiptare,per kontrast,i’u bashkon ata qe i qendruan besnike Skenderbut,sllavet e jugut dhe vllehet(ncncncncn,po vllehet c’hyjne ketu,qe te permenden specifikisht?!)….
    Ne nje debat te mirefillte shkencor,a cfaredolloji tjeter qofte ai,nje intelektual serioz debaton duke perzgjedhur me te fortet ne argumentat kundershtuese.Schmitt ben krejt te kunderten:zgjedh me te dobetit.Ai shmang kritiket serioze,dhe kapet me “historianet nacional-komuniste”.Ketyre te fundit i’u pergjigjet perhere kur jep intervista apo ne seminare.Por,me ane tjeter,kujdeset qe t’u ktheje pergjigje,edhe pse ne menyre jo te drejtperdrejte,kritikave serioze,qe i behen nga studiues serioze,sic eshte edhe rasti i financave te Skenderbeut( nje feudal,me nje zoterim kaq te vogel,i braktisur sipas tij nga shumica e shqiptareve dhe zoterve te tjere shqiptare,nga i gjeti te ardhurat per te bere nje rezistence aq te gjate dhe te suksesshme?! Ketyre,nuk u pergjigjet drejtperdrejt,ben sikur i injoron dhe i qendron besnike zgjedhjes se kundershtareve ,historianeve nacional-komuniste, si debatuesit e vetem te tij!
    Por,edhe kur ndodh qe t’u pergjigjet,kete e ben duke e zmadhuar kontestimin,duke e cuar ate ne skaj madje.
    Askush,pershembull,nuk e ka akuzuar Scmitt se ka thene qe Skenderbeu ka origjine te paster serbe.Mirepo,pergjigja e tij,dhene ne intervisten e lartpermendur,e nenkupton qarte: une,thote Schmitt,nuk kam thene kurre qe Skenderbeu ka origjine te paster serbe!
    E megjithare,edhe kur “sqarohet”,kembengul edhe me teper ne ate qe ka thene,duke e bere edhe me te dukshem nenkuptimin.E njejta gje edhe me motivin e gjakmarrjes: duke sqaruar kontekstin,per te keqkuptuarit,prape kembengul,madje edhe me me force se me pare,ne te njejten gje!
    Nje sjellje te tille mund te jete e natyrshme per nje diplomat a politikan;prsh,rendom diplomatet a politikanet hedhin nje provokim te mirellogaritur,te vetedijshem se do te kete reagim,dhe kur ky i fundit vjen,”terhiqen” duke folur per keqkuptime,per nxjerrje jashte konteksti etj,por,gjithe duke kembengulur edhe me me force,anipse ne menyre te terthorte,pikerisht ne ate qe gjoja eshte keqkuptuar!
    Kush e ka lexuar librin e Schmitt,dhe gjithe cka thene per te me pas,duhet te jete shume sylesh qe te mos vere re njelloj racizmi,qofte edhe te pafajshem,nese mund te thuhet keshtu.

    1. [Kërkesë administrative: Timur, kam një lutje për ty: përpiqu të vendosësh një hapësirë pas shenjave të pikësimit –presjeve, pikëpresjeve dhe pikave. Kur nuk ka hapësirë, paragrafi formatohet keq dhe nuk duket mirë në faqe. A.V.]

      1. Faleminderit per verejtjen. Do ta kem parasysh.
        Sa i perket qellimit te fshehur te saj (verejtjes), me lejoni t’ju bej me dijeni se nuk kompleksohem. E meqe eshte rasti, kam vene re se historiani i huaj Schmitt ka kompleksuar shume intelektuale shqiptare; si nga ata qe e mbeshtesin, ashtu edhe nga kundershtaret e tij. E citojne edhe atehere kur eshte e panevojshme; kuptohet, nga kompleksimi. Me vjen keq qe po e them, por edhe ju, i nderuar zoteri Vehbiu, jeni nder te kompleksuarit.
        Ju ftoj ta merrni ne konsiderate kete verejtje, megjithese jam i vetedijshem qe eshte e veshtire te pranohet per shkak te egos intelektuale.

        1. Timur, vërejtjen DUHET ta mbash parasysh, përndryshe komentet e tua nuk do të kalohen. Si administrator i faqes, më takon të kujdesem edhe për “layout” (strukturën) e faqes. Nuk kish nevojë që kërkesës sime fare rutinë t’i përgjigjeshe në mënyrë pasive-agresive (aq më tepër që, po arrite ta korrigjosh atë punën e shenjave të pikësimit, do të ma dish për nder gjithë jetën; gjithsesi, do të ta kisha kërkuar këtë privatisht, sikur të dija se cili je – por ke zgjedhur ti vetë të shkruash me pseudonim, prandaj të mbetet t’i përballosh pasojat pa u acaruar shumë). Ato që ke shtuar për Schmitt-in, etj. janë pa vend. Schmitt-in, Plasarin dhe Frashërin unë i citoj me përparësi sepse janë tre monografitë më të fundit për Skënderbeun, që mbështeten në dokumente. Të kujtoj me këtë rast edhe që të kërkova/t’u luta, pak ditë më parë, të sjellësh një citim a referencë të pasazhit ku Kadareja ka folur për dallimin midis -beg dhe -berg, siç e përmende vetë. Ke një detyrim moral për ta bërë këtë, sa kohë që e hape vetë si muhabet. Duhet ta kesh të qartë se ky i komenteve nuk është vend për të lëshuar bajga.

          1. Une e pranova me shume perulesi verejtjen tuaj dhe ju falenderova per kete. Por, dhe kete po e perseris ( me dashamiresi, natyrisht), nuk e kam ne natyren time re kompleksohem.
            Padyshim qe Schmitt ka kompleksuar intelektualet shqiptare. Por, kete une nuk mund ta provoj. Ka te beje me ndjesine; e ne te tilla raste prova e vetme eshte pranimi nga vete i kompleksuari, gje qe ndodh shume rralle ( vetem shpirtrat medhenj mund ta bejne nje gje te tille). Megjithate, meqe eshte nje gje qe ndjehet, qe une e ndjej, e them.Dhe, me besoni zoteri Vehbiu, sado e parendesishme te duket, kjo ju ben shume mire.
            Kadareja ka folur vertete per Scanderbergun, per Skenderin e Malit. Per dreq, nuk me kujtohet se ku pikerisht. Mbase ne ato esete e fundviteve tetedhjete a fillimviteve nentedhjete.
            Por, kjo nuk ka pse te jete e hidhet per ju. Te te mbesin ne mendje gjera qe i ka thene ai me pare, dhe t’i thuash me pas, ketu nuk ka asgje te keqe; aq me shume, kur kete e ben ne menyre origjinale. Per me teper, qe Kadare eshte shkrimtar i klasit boteror.
            Pastaj, ashtu si Schmitt, por ne nje aspekt tjeter, ka kompleksuar shume shkrimtare shqiptare; sidomos ata te brezave te rinj. Edhe tek ju, i nderuar zoteri Vehbiu, verej nje kompleks te tille; megjithese jeni nder me te rafinuarit ne fshehjen e ndikimit nga stili kadarean.
            [P.S : kam nje verejtje shume dashamirese, prej nje admiruesi te zoterise suaj, sic jam une. Kam vene re qe perdorni shpesh, edhe me komentues te tjere, shprehje qe permbajne togfjaleshin “leshon bajga”. Nuk do te kisha dashur te lexoja te shkruar nga ju fjale te ketilla; pikerisht, se ju admiroj. Faleminderit per mirekuptimin.]

            1. Timur, meqë jemi në një fazë shkëmbimi këshillash miqësore, po të lutem që tjetër herë mos akuzo tjetrin për plagjiaturë – sado me lezet që ta bësh këtë – pa e pasur provën në dorë. Është shumë e ulët. Ktheju dhe njëherë atyre që shkrove atëherë: nuk janë fjalë “admiruesi”, por fjalë të një njeriu që ka dalë në pritë. Siç të thashë, që kalimi nga Skënderbeg te Skënderberg i jep mbiemrit një aromë perëndimore, gjermanike a teutonike, kjo është kaq evidente, kaq e qartë sa nuk ka nevojë që ta ketë zbuluar kush – as unë dhe as Kadareja dhe as ndonjë tjetër para tij. Puna është se çfarë bën pastaj me këtë vëzhgim, si e komenton dhe në ç’kontekst e fut. (I njëjti pohim, që Italia gjendet në Perëndim të Shqipërisë, ka kuptime të ndryshme për një kulturolog dhe për një kapiten vapori dhe për një vizatues hartash.)
              P.S. Si moderues i kësaj hapësire dhe administrator i revistës, ruaj të drejtën të kërkoj prej komentuesve korrektesë dhe seriozitet në çfarë thonë. Sa për të tjerat, përfshi këtu dhe admirimin, nuk është ky vendi për t’i shprehur dhe mbase as nuk ka nevojë të shprehen gjëkundi ndonjëherë. Shumë prej jush dalin këtu me maska – çfarë e mirëkuptoj dhe e mbështet; por askush, përfshi edhe ty, nuk mund të kujtojë se unë, si Ardian Vehbiu, do të vendos ndonjëherë ndonjë raport me natyrë personale me ndonjë prej maskave, qoftë ky pozitiv a negativ.

  4. “Por për lexuesin normal, që kërkon të shohë argumente në një vepër historike, libri i Schmitt-it nuk ngrihet më lart se një vepër propagandistike.”

    cili eshte qellimi i propagandes?

    1. Po, kur mungojne argumentet c’mbetet tjeter vec propagandes, dmth per te te mbushur mendjen me fjale boshe..
      Kur te jete publikuar gjithe shkrimi mund ta rimarrim.

  5. Shtjellim teper i sakte,sa per Kanunin,si Fatma”Gjaku shkon per gisht” ka te drejte,kjo e drejte zakonore qe permendet,te pakten qe tek lLiada,Akili Mirmidonas merr gjak,duke vrare Paridin,kur Hektori vllai i tij,vret mikun e ngushte,te Akilit Patroklin,kufoma po sipas Kanunit nuk shperfytyrohet,i dorezohet babait Priamit,per ta vajtuar dhe varrosur,denjesisht,dhe kety shperfaqet fisnikeria e Akilit,sikurse thote A.Vehbiu qe Skenderbeu ishte fisnik,dhe veprohej sipas,statuseve qytetare,te Shkodres Lezhes etc,Kanuni apo e drejta zakonore,kishte fuqi vepriese,ne ne zonat e thella rurale,te veriut apo jugut,deri ne kohen e Mbreterise,se Zogut,dhe vetem pas renies se regjimit komunist u shperfytyrua,Kanuni,ku ne malesine e Mbishkodres kemi diku3000,femij e gra,te perjashtuar nga gjakmarrja,dhe te cilesuar,te paprekshem,nga Kanuni i koherave Homerike,deri vone mbas shembjes se mbreterive,ne Europe,i fyeri therriste ne duel kunndershtarin vetem,vete poeti i madh Rus Pushkini,qe ishte i fyeri vritet ne nje duel te tille,por nuk shohim pasoja vrastare,tek familja e kundershtarit.Pra ishte nje marreveshje e heshtur fisnikerie.

    1. “kufoma po sipas Kanunit nuk shperfytyrohet,i dorezohet babait Priamit”

      po jo or burr i dheut, e ke lexuar gabim iliaden. akili e morri kufomen e hektorit, e lidhi pas karroces dhe e hiqte zvarre rreth e rrotull trojes!!! qe nuk u shperfytyrua kufoma ishte fale nderhyrjeve te perendive thote homeri.

      per cfare kanuni e ke fjalen?

    2. Zoti Sulaj, edhe perse nuk e kuptoj perse ju nuk i jepni te drejten e egzistences nje hapesite te vockel pas shenjave te pikesimit, e drejte kjo ekskluzive e komentuesit te nderuar Timur, aty brenda frazes suaj te veshtire ka edhe diçka qe ia vlen ta shohesh me qarte. Ne pasion e siper ju permendni Akilin e Patroklin, Malesine e Mbishkodres, Kanunin e Maleseis, Kanunin e koherave Homerike dhe nuk harroni edhe vrasjen e Pushkinit ne duel dhe me sa duket nuk dyshoni ne lidhjen dhe barazvlefshmrine e tyre proceduriale.

      Por kam frike se diçka duhet shpjeguar. Kanuni i Malsise nuk ka asgje te perbashket me duele te tilla fisnikesh. Ai lejon dhe autorizon vrasjen pas ferre. Nuk njihet asnje rast qe dy persona qe jane ne gjak, te dalin e te bejne duel ne logjet e malesive tona. Vrasja behet rregullisht, pas shpine. I vetmi detyrim eshte qe ne çastin qe shtin, gjaksi te thote: Te fala filanit! (ky filani eshte ai qe i merret gjaku).

      Te fala Gjonit, p.sh.

  6. Shtojce:Statuset e Shkodres&Lezhes etc jane te permendura nga une,jo nga A.Vehbiu”Skerderbeu ishte fisnik vepronte sipas kodesh tjera”shprehet saktesish,3000femije&gra te ngujuar(fjalia e plote).Faleminderit.

  7. Tani, kjo “prova” e O. Shmidit per luftrat e Skenderbeut me osmanet, apo e ketyre te fundit me Skenderbeun, per gjakmarrje pra, si dhe gjithe diskutimi i mepasem per ta kundershtuar Shmidin, i ngjan -me duket mua, (pa dashur ta banalizoj temen)- asaj historise se gurit qe hodhi budallai ne lume dhe 20 shkencetarve qe vrasin mendjen: perse e hodhi gurin budallai ne lume. Ketu nuk duhet ta vendosim dhe parakuptojme Shmidin medeomos si budalla; ate ne mund ta vendosim kaq lehtesisht tek keta 20 shkencetare, por fakti i nje bisede mes dy zyrtarve milaneze, (apo kanadeze, apo cfardo qenkeshin), perpara 20 e ca betejave dhe dy rrethimeve te deshtuara te Krujes, perpara nje beslidhje (zakonore) prijsash ne Lezhe, dhe gjithe atij nami qw i doli qysh me ngjallje te tij, etj-etj., i perngjan asaj hedhjes se gurit ne lume nga budallai! Dhe ajd tani te rrime e te diskutojme! Atehere pse nuk diskuton Shmidi edhe per gjurmet e kalit te Skenderbeut ne Gur te bardhe, pasi Skenderbeu fluturoi me gjithe kale?! Shkrimtari fantazist Von Danike -bie fjala- do te bente me kete rast nje liber mbi sekretin e mposhtjes se gravitetit ne baze te disa ligjeve (te fshehta) te natyres, qe vetem pak veta i dine!
    Fakti qe keta dipllomate (kupto: servile, sic edhe sot e kesaj dite ne cdo vend te botes) e konsideronin Skenderbeun te pa fe, si mysliman pra, kuptohet se nuk do ti gjenin tjeter shkak kundervenie ndaj perandorise osmane, pervec se gjakmarrjen! Hi-hi-hi, sa per te qeshur, ta marresh kete si nje fakt me rendesi! Duhet te mos te te funksionoje teresisht truri i perparme!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin