Diskursi i sotëm publik, veçanërisht në mass mediat, është dashuruar pas mbiemrit elitar[1] – që rrjedh nga elitë dhe i referohet kuptimisht këtij emri kolektiv për një grup njerëzish “të zgjedhur”, që shquhen prej të tjerëve pse më të përgatitur, më të zotët, më të fismë, më të pasur.
Këtë mbiemër e gjen, mes të tjerash, në togfjalëshin turizmi elitar, i cili nxjerr tani krye në gjithfarë dokumentesh, prezantimesh dhe “axhendash” zyrtare, programatike dhe promocionale – dhe që në thelb do të ishte turizmi që preferojnë elitat, si turistë në kërkim të së veçantës, emocionit të pashlyeshëm, shtegut së parrahur; dhe sidomos, që duan t’i rrinë larg turizmit masiv, çfarë i sjell detyrimisht në kontakt me snobët.
Turizmi elitar përmendet në kontekste ku nënkuptohet paraja e madhe, mundësisht e gatshme për t’u bërë rrush e kumbulla; shpesh në shoqëri të agroturizmit, produkteve biologjike, vajit të ullirit, virgjëreshave dhe të tjerave karreme të momentit. Këto kontekste kanë viktimat e tyre – turistët vetë, të cilëve u ikën shpejt dëshira për t’i ripërjetuar këto eksperienca.
Por turizmi elitar parakupton edhe hotele elitare, të cilat mund të jenë një elitë mes hoteleve, sikurse mund të jenë edhe hotele për elitat; dhe hotelet elitare kërkojnë, sipas rastit, edhe restorante elitare, qytete elitare, shërbime elitare dhe, doemos, prostituta elitare.
Mbiemri elitar të çon tek ideja e një pakice të zgjedhurish, që janë më të mirë se të tjerët, ngaqë zotërojnë një je ne sais quoi – që shpesh lidhet edhe me traditën, trashëgiminë dhe zakonin. Për shembull, lexoj të thuhet “Pogradeci, qyteti elitar i turizmit”[2] – edhe pse, në këtë shembull, kemi të bëjmë më shumë me një figurë retorike të quajtur hypallage, ose transferim epiteti, meqë elitar është turizmi, ndërsa qyteti destinacion i këtij turizmi.
Apo jo? Përndryshe si ta interpretojmë këtë “Vendbanimi elitar Gradina në Prilep?” (vend ku jetonin elitat ilire?); ose premtimin e Agim Aliut se “Ferizajn do ta bëjmë qytet elitar”? Para disa vjetësh, edhe presidenti Bamir Topi deklaroi: “Fieri, qytet elitar.” Dhe më tej: “Ta kthejmë Gjirokastrën në qytet elitar”; ose “Realizimi i një programi të tillë do ta kthente Krujën në një qytet elitar të turizmit”. Ndonjëherë, shembujt nuk lënë vend për dyshime: “Korça, qyteti më elitar shqiptar” (në një shembull tjetër: “Korça, qyteti më elitar i Shqipërisë sonë”) të gjithë mund të jenë elitarë, por disa do të jenë më elitarë se të tjerët.
Epiteti elitar e sjell ambiguitetin me vete: një qytet elitar është i zgjedhur mes qyteteve, apo është thjesht qytet elitash? (Kompromisi: është i zgjedhur mes qyteteve, meqë elitat nuk ia ka kush). Ambiguiteti bëhet problematik, kur është fjala për prostitucionin: çfarë të jenë këto “prostituta elitare serbe”? Prostituta që u shërbejnë elitave të Serbisë, apo elita e prostitucionit serb? Një media ofron shpjegimin përkatës: “Dallimi më i rëndësishëm mes prostitucionit në rrugë dhe prostitucionit elitar qëndron në statusin social dhe intelektual të punëtorëve seksualë” – më teknik se kaq, dhe nuk të kupton më kush, jashtë institucioneve të dijes elitare. Kjo na ndihmon të interpretojmë drejt edhe rrëfimin (tronditës) të një misi: “më ofruan prostitucion elitar”. Edhe këtu, tek-tuk mund të qëmtosh ndonjë zhvendosje epiteti, ose hypallage: “Zeljka Rolovic u arrestua disa herë nga policia për organizim elitar të prostitucionit në Mal të Zi.”
Pasioni i ethshëm pas elitave, përftimit të tyre dhe përkatësisë në to mund të ketë ardhur edhe si reaksion ndaj barazitizmit të regjimit të shkuar – kur fjala elitë nuk e hoqi dot kurrë qafe stigmën e biografisë së keqe. Prandaj edhe nga pasojat më të dëshiruara të shndërrimeve sociale pas 1990-ës duket se ishte liria për të krijuar elita.
Një nga mënyrat më efikase – dhe ekonomike – për ta arritur këtë, ka qenë dhe mbetet autocertifikimi. Bie fjala: “Rektori i thotë kryeministrit se Universiteti i Prishtinës është universitet elitar”. E pamë në fushën e turizmit elitar; por e ndeshim edhe në lëmin e arsimit, ku shpesh vëmendja përqendrohet te produkti elitar: “Nxënësit elitarë dhe edukimi i karrierës” – quhet një aktivitet për shkollat e mesme. Madje shpesh shteti nuk zotohet më të ofrojë arsim publik për të gjithë qytetarët, por vetëm të marrë pjesë, me përkushtim, në garat elitiste. Sa për universitetet private, këto janë me përkufizim “elitare”, si në shembullin “Universiteti Luarasi – simbol i edukimit elitar.” Jo gjithnjë ky objektiv realizohet – që këtej, “Shkolla e dështuar elitare e ministrit Buja.”
Synimi i arsimit elitar është të krijojë elita, të cilat pastaj të konsumojnë turizmin elitar. Në praktikë, kemi drejtues të arsimit, zyrtarë të lartë të fushës, pedagogë dhe investitorë, që kanë adoptuar – në mënyrë fare të paturpshme – gjuhën e reklamave të birrës dhe të barnave laksative.
Në të njëjtin kontekst kultivohet edhe “elitarizmi” në lëmin e sporteve – veçanërisht brenda rrënojave të sportit masiv që mbështetej me të madhe nga regjimi i kaluar. Sot çdo ekip futbolli, sa për të sjellë një shembull, kërkon të jetë elitar, dhe jo thjesht të marrë pjesë në “kampionatin elitar” ose “ligën elitare” ose “edicionin elitar.” Lexojmë të flitet për “sporte elitare, si skitë”, ose për “xhudistë elitarë”; madje deri edhe ministrja e Arsimit Nikolla i pat dhënë prioritet në buxhet “sportit elitar” (siç raportuan mediat). Kjo ndoshta lidhet disi me nevojën aspak elitare për ta shitur imazhin e vendit, ose në administrimin e kulturës, arsimit dhe të sportit sipas perspektivës dhe pragmatikës së eksportit, ku hyn edhe turizmi, madje edhe vetë turizmi elitar.
Nga ana tjetër, fusha si kërkimi shkencor – të cilat janë me përkufizim elitare – sillen si shembuj pedagogjikë të edukatës patriotike, brenda diskursit kombëtarist kitsch: kështu “Laura Mersini Houghton – një shkencëtare elitare e kozmosit”, ose (për prof. Shaban Demirajn) “Ai kishte një autoritet shkencor elitar, ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë.”
Me doza të rënda snobizmi vjen mbiemri elitar në lëmin e letërsisë dhe të arteve: “Musa Ramadani është autor elitar.” Sipas kontekstit, mbiemri këtu mund të dojë të thotë “i pakuptueshëm” ose “i palexueshëm” ose “i panjohur”, duke luajtur rol ngushëllues ose terapeutik në hapësirën midis “aq i vështirë sa nuk e lexon kush” te thjesht “nuk e lexon kush”. Shembuj: “Migjeni, si një poet elitar vjen mes nesh nё kёtё pёrvjetor tё lindjes sё tij me mesazhin kuptimplotë”; ose “Fatos Arapi, poeti elitar shqiptar”. Veç e përtej këtyre, si shkrimtarë elitarë” janë cilësuar herë-herë Ismail Kadareja, Dritero Agolli, Martin Camaj, Et’hem Haxhiademi; autorë që të përbashkët mes tyre kanë jo shumë më tepër se që shkruajnë ose kanë shkruar shqip.
Por zakonisht, në përfytyrimin e folësit a të shkruesit, autori elitar është një parvenu që e lidh shallin papagall në grykë, çaprashit për Bach-un dhe Goethe-n, impresionon të tjerët duke vlerësuar gjithçka që i pëlqen si “brilante” dhe të bombardon me emra (dhe mbiemra dhe tituj) aristokratësh të rënë nga vafti, me të cilët ka pirë ndonjëherë café au lait. Ose edhe thjesht fare: autori elitar është ai që të pëlqen ty përdoruesit të mbiemrit “elitar” – çfarë nënkupton që, duke përdorur këtë mbiemër, ti vetvetiu e ke numëruar veten në elitën që dëshiron (it takes one to know one). Dëshira jote për ekskluzivitet dhe privilegj të dënon me përkatësi në grupin e madh dhe heterogjen të parvenuve.
Sërish na duhet të negociojmë me ambiguitetin: autor elitar është ai që i përket elitës së autorëve, apo ai që shkruan për elitën (e lexuesve)? Opsioni i dytë intrigon, sepse i hap rrugë figurës së lexuesit elitar (p.sh. “publiku elitar” në Panairin e Frankfurtit). Ky lexues merr në dorë libra tejet të zgjedhur, të cilat sipas rastit ia rekomandojnë bibat, në emisione televizive të pasdites. Situata ndonjëherë degradon në paradoksale: “Censura më e mirë për librin është tregu, ballafaqimi me lexuesin elitar.” Në fakt, unë këtë figurë mitike të “lexuesit elitar” do ta kisha përfytyruar si dikush që lexon vetëm librat që ia dhurojnë autorët përkatës me autograf. Por ka edhe përjashtime: “Ky tip vjershash ‘konceptuale’ ku, për mendimin tim, përfshihen poezitë më të mira të Jetonit, kërkon një lexues elitar, të përgatitur mirë teorikisht, por edhe shkencërisht.” Ja ku e nxori kokën edhe shkenca.
Të gjithë tani duan të jenë pjesë e një elite: autorë dhe lexues, krijues dhe konsumatorë; e një klubi ekskluziv, ku eksitimi i përkatësisë të ushqehet edhe nga bindja se, ndërkohë, disa të tjerë, madje shumë të tjerë, janë përjashtuar. Prandaj lexojmë: “Pogradeci, qyteti elitar i turizmit me mbi 220 mijë vizitorë” – por 220 mijë vizitorë mund të jenë gjithçka veç turistëve elitarë; çfarë e vë në diskutim vetë statusin e sapofituar të qytetit.
Kjo dëshirë për të siguruar ekskluzivitet, në një atmosferë hiper-urbane ku individi ndihet i jetërsuar në skaj dhe pa rrënjë në komunitet, tradhton edhe një ankth statusi, ose pasiguri për pozicionin social – të cilën duhet ta largojë ose ta lehtësojë pastaj përkatësia. Pikënisja është gjithnjë meritokratike, por si pa dashje zhvendosemi pastaj drejt privilegjit; sepse ky i fundit përjetohet me familjaritet të madh e ngazëllim nga një shoqëri dhe kulturë të jetuari që ende s’e ka pastruar dot nga këpucët baltën e krahinizmit, feudalizmit dhe patriarkisë. Meritokracia përdoret si platformë për të arritur një aristokraci gjysmake, statusi i së cilës varet nga shkalla sa konsumohet prej publikut; një aristokraci që mbetet vetvetja vetëm para kamerave dhe mikrofonëve; por që faqeza synon privilegj madje të trashëguar (shihni edhe këtë trajtesë nga Elton Dusha). Nga një “edhe ne” kalohet rrjedhshëm te një “vetëm ne”; dhe krenarinë për arritjet vetjake nuk e ndan dot më nga krenaria që e ke lënë mbrapa tjetrin: rivalin, kërcënimin e statusit tënd, atë që deri dje e kujtoje për më të mirë se ty. Brenda diskursit në dukje të obsesionuar për elitat kristalizohen e konsolidohen tipare që me elitizmin nuk kanë fare, po fare lidhje.
Deri edhe shërbimet publike ose private, për të tërhequr atë kategori konsumatorësh që duan të spikatin si elitë madje duke investuar rëndshëm në këtë fushë, nguten ta shpallin veten si elitare – “Kardiokirurgjia – një shërbim elitar në QSUT” (ndoshta për zemrat e elitave, ndoshta për zemrat elitare); ose “Rritet tregu elitar i qirave – Ekspertja: Kërkesë e lartë për banesa luksi” (këtu është tregu që cilësohet papritur elitar, tjetër shembull banal hypallage-i); të tilla janë edhe shërbimet e syzeve: “Elite Optika këtë vit bën plot shtatë vite në treg, duke qenë në çdo moment pranë pacientëve tanë, për çdo shërbim elitar që ato kërkojnë”; ose “Specializohuni si Elitar pranë Akademisë Elita”; ja edhe reklama për një libër: “Brenda dhe jashtë parlamentit, një libër elitar për politikën ekonomike institucionale.”
Dhe nëse është kështu, atëherë përkatësia kërkon të konsumohet, çfarë na sjell të konsumi i spikatur. Vetëm një shoqëri tejet egalitare si jona, ose pa elita (e zhveshur prej elitave) mund të përjetojë gjakime të tilla “elitare”; të cilat në raste të skajshme manifestohen si përjargie për aristokracinë, gjakun blu dhe spikatjen për shkak të gjakut: “familjet e mëdha qytetare”, “familjet autoktone”, “çunat e Tironës”, “aristokratët” dhe të tjera profka. Ndryshe nga shoqëritë vertikalisht të shtresuara, mes shqiptarëve është praktikisht e pamundur të flasësh për kasta, pa sjellë në vështrim paranë. Që këtej, edhe pse krejt gabimisht, qenia elitare rregullisht i bashkëlidhet konsumit të spikatur – si në rastin e mëposhtëm: “Drejtuesi i emisionit Zonë e Lirë është bërë pjesë e rrjetit me një profil në Twitter. Lajmin, Çani e bëri vetë publik këtë të premte nga programi i tij Zonë e lirë: Tashmë jam në një rrjet relativisht elitar, jam në Twitter”; ose kur lajmërohet se “Ambasadorja e Kosovës në Washington është bërë pjesë e faqes së parë të revistës elitare Washington Life”; dhe më në fund: “Kasta elitare e diplomatëve, e vetmja që i mungon vendit”.
Kësisoj, elitat që duan të konsumohen si elita, e riprodhojnë veten në evente elitare: “Inagurohet SPITALI AMERIKAN 3, politikanë e VIP-a në eventin elitar”; ose “Ilda Bejleri dhe Elona Duro në eventin elitar më të veçantë në botë”. Këto elita që e kanë jetën po aq të gjatë sa edhe vëmendja e publikut ndaj tyre duhet të kujdesen për t’u dalluar jo vetëm nga “vulgu” ose “kokëpalarët”, por edhe nga konkurrenca e drejtpërdrejtë, që përfaqësohet nga V.I.P.-at, celebrities dhe “të fortët.” Përndryshe, në inaugurimin e spitalit amerikan 3 vajtën një tufë me politikanë – të cilët mund të jenë vërtet elitë në kuptimin “etimologjik” të fjalës, sepse janë të zgjedhur me votë; por ndoshta prandaj edhe janë më pak elitë mes elitës. Vetë shprehja “event elitar” e sjell cirkularitetin me vete: një event bëhet i tillë ngaqë tërheq elitat, por i tërheq elitat ngaqë paraqitet (promovohet) si elitar.
Është bërë e vështirë sot t’i dallosh politikanët nga “të fortët”, V.I.P.-at nga gangsterët dhe celebrities nga “prostitutat elitare”; ndoshta prandaj edhe ish-ministri Tahiri, në një fjalim antedeluvian, pat specifikuar nevojën për “luftë kundër korrupsionit elitar”, duke konfirmuar që mbiemrit i kish mbetur asokohe (dhe ende i ka mbetur) një farë force jetëdhënëse, një farë efekti kuptimor “elitist”, e famshmja dhe e bëra telef je ne sais quoi.
Por ky konsum i spikatur e ka edhe metaforën e vet – sepse u kërkon edhe figurave të shquara për arsye të tjera, që të fillojnë të konsumohen brenda këtyre diskurseve të statusit. Në një biopikë çfarëdo lexojmë: “Pjetri i urtë, i qeshur, i mirësjellshëm, elitar, ishte ‘kokëfortë’ me të gjitha llojet e burokracive si në Veri ashtu dhe në Jug”; dhe diku tjetër “Në shtatorin 2014, kur Papa Françesku ishte për vizitë në Shqipëri Dod Doçi ishte pjesmarrës i vlerësuar, elitar, në ceremonitë protokollare në Tiranë”; ose “Vizioni i Hasan Prishtinës ka qenë që çdo njeri të jetojë i lirë dhe të bëjë jetë të mirë dhe elitare, kështu që çdo banor i Lagjes ‘Hasan Prishtina’ do t’i gëzojë këto privilegje”; ose “Që nga dita e kthimit të tij në atdhe, në vitin 1899 i gjithё aktiviteti i Ndre Mjedёs si meshtar i ri intelektual elitar, ishte i pёrqendruar në fushën e arsimit të popullatës, të jetës fetare dhe asaj socialo-kulturore”; ose “Frashineto është djepi ku ka jetuar Domenico Belushi, Vincenco Dorsa, dhe shumë figura të tjera elitare” (vëreni edhe metaforën e katranosur të djepit për të rritur); ose “Balducci ishte pjesëtar i ‘Zotërinjve të Shenjtërisë së Tij’, një grup elitar punonjësish shërbimi që shërbejnë në Vatikan në raste të veçantë. Ehiem ishte një ish pjesëtar i një kori elitar në Vatikan”; dhe sidomos: “Komuniteti shqiptar në Austri është një komunitet elitar”.
Kjo përhapje detyrimisht ia hollon kuptimin mbiemrit, duke e reduktuar në një qokë të miratimit të folësit/shkruesit, ose edhe përqafimin e zellshëm prej këtij në mos të një hierarkizimi vertikal të shoqërisë, të paktën të nevojës për një diferencim të tillë; me “elitarët” që vendosen në katet e sipërme, duke e parë botën nga lart. Këta janë folësit që përkatësinë e tyre elitare e sigurojnë duke e identifikuar një elitë dhe pastaj duke iu bashkëlidhur asaj, qoftë edhe thjesht duke marrë pjesë në përftimin a riprodhimin e saj ose duke i shërbyer shampanjë në pritjet.
Manifestim i një diskursi dhe vizioni tipik shërbëtorësh dhe maxhordomësh, nëse do të na duhej ta karakterizonim.
(c) Peizazhe të fjalës, 2018.
[1] Për këtë shkrim u bë shkas “projekti elitar i të kënduarit” të cilin e qortonte Eda Zari në një shkrim të para pak ditëve këtu (Edukimi përmes çedukimit).
[2] Të gjithë shembujt e sjellë këtu në thonjëza janë marrë nga kërkimet në Google. Lexuesi mund t’i verifikojë lirisht.
Pjesërisht është kërkesa për “mall elitar” që prodhon ofertën e vet; zengjinët e rinj të tranzicionit nuk prekin gjë me dorë po nuk e pati etiketën “elitar”. Pjesa tjetër shkon në llogari të debilizmit kolektiv të mass-mediave të Tiranës.
Elitar/e me rezulton te jete barbarizem, as fjalori i shqipes nuk e permban, mbase botimet e fundit mund ta kene pranuar, por dyshoj fort. Eshte barbarizem sepse zevendeson i/e zgjedhur dhe perforcuesin i/e perzgjedhur dhe kryen funksion negativ duke qene se eliminon ne kuptime te ndryshme, fjalet i/e dalluar, i/e shquar, i/e veçante etj.
Kryen nje rrafshim te plote konceptual te nje sere konceptesh qe shqipja i ka nxjerre ne pah gjate shekujve.
Nje vere mund te jete e zgjedhur (ta zeme Barolo apo Bordo) dhe nje student i dalluar, cka e pasuron gjuhen dhe te foluren, por mund te kemi vere elitare dhe student elitar, duke e menderosur si veren, si studentin, si te foluren ashtu edhe shqipen.
Prandaj nuk me rezulton ta kem perdorur ndonjehere kete fjale e as besoj se do ta perdor ndonjehere, nje barbarizem, nje barishte e keqe qe nuk sjell asgje, thjesht eshte lakmues i nje shoqerie qe vuan nga semundja e elitizmit dhe qe nuk ka ne plan te kaloje drejt demokratizimit dhe demokracise.
Eshte koncept ideologjik dhe ideologjizues, kuptohet antidemokratik, qe ben te pranueshem konceptin paralel, per mua i njejti, ate te elitizmit. Kjo fjale hyn ne aradhen e atyre koncepteve qe ndihmojne legjitimimin e oligarkise si sistem politik.
Sot çdo qasje oligarkike eshte elitare dhe çdo qasje demokratike eshte populiste. Per fat te keq eshte vete media dhe njerezit e saj qe nepermjet ketij barbarizmi, legjitimojne edhe gjithe banditet, hajvanet dhe drogaxhinjte qe kane kapur Shqiperine nga çdo ane.
Tashme shtresa e pasur ka stabilizuar pasurine nepermjet pronave te patundshme dhe bizneseve te qendrueshme,si behej dikur nepermjet blerjes te tokave dhe ka nevoje qe te legjitimoje pozicionin nepermjet konceptit te me te mirit, nga edhe vjen inflacioni i barbarizmit ne fjale.
Ndersa proçesit ne fjale dhe oligarkise nuk kemi ç’tu bejme,se ka nje trend boteror antidemokratik, te pakten te ruajme shqipen nga barbarizma te tilla qe t’ua leme brezave qe vijne te pakten po aq te pasur / ose te varfer sa e gjetem, mos ta perkeqesojme me tej, se gjuha eshte nje kostante ndersa ideologjite e sistemet politike shkojne e vijne.