Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MORALIZIME

Shumë prej atyre që shprehën zemëratë ndaj votës së tanishme të Shqipërisë në OKB, e lidhën këtë votë me çlirimin e Kosovës prej sundimit serb, me ndihmën vendimtare të SHBA-ve, duke e akuzuar qeverinë e Ramës për “mosmirënjohje.” Dhe ky është qëndrim moral, ndryshe nga ai tjetri që kërkon prej qeverive shqiptare në përgjithësi, dhe kësaj të tanishmes në përgjithësi, që në raste të tilla të shohin interesat kombëtarë tanët, jo interesat kombëtarë të së tjerëve. Brenda këtij qëndrimi moral, virtyti i lakuar është mirënjohja, që përfaqësuesit e shqiptarëve, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, nuk kanë munguar ta ushtrojnë ndaj SHBA-ve, me sinqeritet a me të shtirur – madje duke e bërë pro-amerikanizmin parim strumbullar të politikës së jashtme. Dyshimi se ndonjë prej këtyre udhëheqësve politikë ia detyron pozitën e vet udhëheqëse pikërisht ndikimit të SHBA-ve në politikën e brendshme të vendit të vet nuk mjafton, për ta skualifikuar mirënjohjen, si reagim moral që meriton respekt.

Nga ana tjetër, po këta predikues të pro-amerikanizmit, kur flasin për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999 nga ana e NATO-s, me SHBA në krye, nuk para kanë dëshirë t’ia atribuojnë interesave strategjikë të NATO-s ose atyre specifikë të SHBA-ve, por e shohin si manifestim model të një lufte të drejtë, ose të një ndërhyrjeje të armatosur në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, kundër dhunës që po ushtronte ndaj tyre Beogradi dhe për të vendosur drejtësi. Ja ku del, në këtë kontekst, një virtyt tjetër, i ndryshëm: drejtësia. Tani, që në etikën e Aristotelit, ky virtyt zë vend mes katër virtyteve kryesore – krahas prudencës, vetë-kontrollit (temperancës) dhe guximit; pa folur për rolin e tij në politikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Të gjithë këta që predikojnë nevojën për të treguar mirënjohje ndaj “Amerikës”, sepse pa “Amerikën” nuk do të kish pasur drejtësi për “kosovarët”, dashur pa dashur vendosin hierarkitë e tyre mes virtyteve – duke nënkuptuar që drejtësia është virtyt i padronit, ndërsa mirënjohja virtyt i vasalit; ose duke ia deleguar një padroni ushtrimin e virtytit superior të drejtësisë, qoftë edhe me arsyen praktike se vetëm ky padron, ose “i fortë”, i ka mjetet për të vendosur drejtësi; dhe se të vegjëlve nuk u mbetet veç të gjejnë strehë në drejtësinë e projektuar nga tjetri. Ne na pëlqen drejtësia, thonë këta, aq më tepër që jemi të vegjël dhe nuk projektojmë dot forcë; por marrëdhëniet me të fortët duam t’i vendosim dhe t’i kultivojmë mbi bazën e një virtyti tjetër – mirënjohjes.

Është një arsyetim që përzien moralin me pragmatikën, por që nuk e fsheh dot deri në fund logjikën e xhunglës, që i nënvendoset. Aq më tepër që, virtyte minore si mirënjohja e humbin vlerën, në mos edhe kuptimin, të shkëputura nga konteksti i drejtësisë dhe i paanshmërisë (fairness). Për të sjellë një argument ad absurdum, edhe vetë i forti të cilin e njohim si të tillë ndaj nesh duke ia mirënjohur praninë, dhe prej të cilit presim të veprojë me drejtësi ndaj nesh dhe të tjerëve, nuk mund të jetë i drejtë me ne, dhe as të na respektojë si mirënjohës, në qoftë se nuk kërkon dhe nuk pret prej nesh të jemi njëlloj të drejtë. Asambleja e OKB-së do të ishte trualli ideal për ta vënë këtë në provë, si vendi gjeometrik i fairness-it në marrëdhëniet ndërkombëtare; ose vendi ku një i vogël mund t’i tregojë të madhit se ka aq kurajë (tjetër virtyt madhor) sa të meritojë mbrojtjen prej tij.

10 Komente

  1. Jo-jo, nuk duam te tilla teorizime ne! Na mjafton atavizmi mesjetaro-oriental i orientimit ne grup si kafshet e pyllit, dhe mezi po presim rastin me te pare per ti treguar perulsine tone Trampos, panvarsisht se ky, po si dhe parakaluesit e tjere te tij, do te kerkoje falje per shume nga veprimet e tij.

  2. Nuk eshte mirenjohja ne vetvete,ose te pakten keshtu sic e paraqitni ju dhe te gjithe ata qe mbrojne qendrimin Kryeministrit.As me moralin dhe moralizimet nuk ka te beje,ose te pakten, keshtu sic perseri e paraqitni ju.
    Ja nje kendveshtrim i qarte dhe i thjeshte i nje qytetari te pa infektuar ideologjikisht:
    – ShBA-ja vendosi “veton” per kufijte e Shqiperise me 1920;ishte kjo “veto” qe shpetoi Shqiperine e 1913 nga nje copetim perfundimtar;ky eshte nje fakt,i pranuar si i tille nga te gjithe studiuesit serioze;
    – ShBA-ja vendosi “veton” (ne NATO) per nderhyrjen ushtarake ne Kosove;ishte kjo “veto” qe shpetoi Kosoven nga spastrimi etnik,qe i dha fund sundimit serb dhe qe hapi rruge ne menyre te pakthyeshme pavaresise se Kosoves me pas.
    E leme “veton” per moscopetimin e Shqiperise ne fillim te shekullit kaluar.Sado qe nuk eshte edhe aq larg.
    “Veto” per nderhyrjen ne Kosove eshte kaq e afert,sa te gjithe kemi qene deshmitare,madje disa edhe mund te kene komentuar sic komentojne sot.
    Imagjinojme per nje cast,qe zoterinjte amerikane te ndiqnin te njejten logjike sic ndjekin sot anti-trumpistet shqiptare,politikane,gazetare dhe intelektuale,te gjithe PA PERJASHTIM te majte(edhe kur nuk jane me socialistat,jane me ideologjine e tyre,sic eshte rasti i Lubonjes prsh),imagjinojme pra qe keta zoterinj te mos u vinin “veton” zoterinjve europiane ne NATO,ku sic dihet shumica ishin kunder nje nderhyrje ne Kosove… pasi ta kemi imagjinuar kete,eshte shume e lehte te imagjinojme edhe nje Kosove perfundimisht te spastruar nga shqitparet,ose ne rastin me te mire nje province e mjere serbe!
    Te majtet,socialistat,nuk duan t’i marrin me mend keto gjera.Refuzojne.Dhe,kur ua kujton,acarohen dhe te sulmojne.Edhe intelektualet me mendjehapur (c’ironi!) nder ta refuzojne,c’ka nxjerr ne pah se deri ne c’grade mund te te percudnoje bindja ideologjike logjiken e thjeshte.
    Majtistet shqiptare vazhdojne te jene antiamerikane si ne kohen e diktatures.Antiamerikanizmin e tyre,e fshehin pas europianizmit(c’skutheri!) dhe tani se fundmi edhe pas … anti-trumpizmit(c’perversitet!)…
    Majtistet shqiptare ushtrojne nje logjike vecanerisht perverse kur rreken te bejne krahasime mes ish-BS dhe Stalinit e ShBA-se dhe Trump.Hileja e tyre fshihet pas adhurimit te padenje dhe qesharak te shqiptareve ndaj te fuqishmeve.
    Adhurimi i shqiptareve per BS-ne dhe Stalinin ishte fiktiv,i imponuar nga komunistet shqiptare ne pushtet.
    Adhurimi i shqiptareve per ShBA-ne,sado i tepruar,eshte racional,i paimponuar nga askush,vecse nga mirenjonja.
    Edhe qeni nuk e kafshon doren qe e ushqen;madje edhe bisha ,thone, nuk e kafshon doren qe e liron nga kurthi.
    Rasti i votes kunder ShBA-se,edhe pse e kerkuar ne ligjerate te drejte te mos e bente,tregoi se ka shqiptare qe dine te sillen edhe me keq se bishat.

  3. Ne jemi shtet satelit i Amerikes keshtu qe nuk ka shume per te filozofuar. Sateliti qe shkeputet o eshte bere vete fuqi e madhe o eshte duke nderruar qendren e rendeses rreth se ciles rrotullohet. Eshte shume e rrezikshme te votosh kunder Amerikes per ndonje entitet tjeter. Ne skemi asnje interes te asnje lloji ne Palestine. As izraeli as vendet arabe nuk e njohin Kosoven keshtu qe abstenimi eshte qendrimi default,as na plas fare i kujt eshte Jeruzalemi . Votimi kunder Amerikes eshte cmenduri. Jo Trumpi po edhe sikur gomari i xha Pilos te ishte president i Amerikes, votohet per gomarin e Shtepise se Bardhe. Ose merren disa miliarda euro investim per te votuar kunder Amerikes, ajo do na kuptonte ne kete rast. Po keshtu kot fare,per bythen e Rames, kjo ska bythe ku te rrije.

    1. Kryediplomati ynë i sqaroi dje në intervistë arsyet. Me takt e dilpomaci, ua that troç kundërshtarëve, përfshi edhe prsidentit kokëpuk të republikës, se janë diletantë në politikën e jashtmë.

      Oh, se për pak harrova edhe atë më kryesoren, që është laitmotivi i vetë Rilindjes: gjithë kundërshtarët e Rilindjes nuk dinë të lexojnë! Në rezolutën e OKB-së nuk është shkruajtur asnjë rresht kundër SHBA-së. Po ashtu Trump nuk përflitej gjëkundi. Troç!

      Quel grand diplomate!!!

      1. Kryediplomati yne eshte pa shkolle adeguate as ndonje cope masteri me leke,as ka shkruar ndonje gje ne lidhje me tematika qe lidhen me politiken e jashtme,as ka korrur ndonje sukses gjate ketyre 4 vjeteve ne detyre. Eshte totalisht i paautorizuar per te folur per kompetence e diletantizem. Motivi eshte i qarte fare, per te rekuperuar Rama ndonje pike me Europen meqe i ka dale boja me kanabisin u be nje votim prej te lajthituri. Po Europa e di shume mire se ca peme la kokrra dhe mashtruesi ordiner eshte Rama keshtu qe as besoj se la rekuperuar ndonje pike. Do e vertisin si legen qe e demostroi prape veten.

    2. Hyllin, ku e mbështet këtë që thua se “është shumë e rrezikshme të votosh kundër Amerikës…”? Më sjell dot ndonjë shembull për ndonjë shtet që ka votuar kundër SHBA-ve në asamblenë e OKB-së dhe pastaj e ka pësuar? Kam përshtypjen që respekti për Amerikën – në politikën e jashtme – do të thotë që edhe të votosh “kundër Amerikës”, sipas rastit, aq më tepër për një çështje që ka të bëjë me një palë të tretë (se nuk ishte fjala për të vendosur gjë sanksione kundër SHBA-ve xhanëm!).

      1. Eshte e rrezikshme jo se do na bombardoje po sepse nuk kemi asnjelloj mundesie apo back up door ne rast se sillemi si “te pavarur”. Europa mes nesh edhe serbeve do zgjedhe perhere serbet. Rrotullohemi rreth Amerikes ne radhe te pare nga halli.

      2. Argumentet moralizuese i sjellin(sidomos ne formen si i sjellin) ata qe mbeshtesin Ramen per voten kunder ShBA-se,me qellim deformimin e debatit.
        Ata qe jane kunder,dhe mesa kam pare une,jane edhe shumice derrmuese,argumentin kryesor kane obligimin qe ka shteti shqiptar,kombi shqiptar,qe le te duken sado patetike te formuluara keshtu,ndaj atij vendi,pa nderhyrjen ushtarake te te cilit,pavaresia e Kosoves as qe mund te imagjinohej;pa folur pastaj per “veton” kunder copetimit perfundimtar te Shqiperise me 1920.
        Shkurt fjala,ketu nuk hyjne sentimentalizmat,prandaj eshte edhe e kote te kapesh pas tyre per t’i perdorur si argumente zhvleresuese per kundershtarin dhe justifikuese per Ramen.
        Argumenti tjeter qe perdoret nga mbrojtesit e Rames, eshte vecanerisht patetik:nuk po i bejme gje te keqe ShBA-se!!!
        Domethene,qe nuk po bejme ndonje gje te mbrapshte si bie fjala,Irani apo Korea e Veriut,pse jo edhe Turqia,kunder ShBA-se…
        A thua te kemi mberritur deri ne kete pike?!
        Sidoqofte,nje logjike e tille tradheton dy gjera tek keta zoterinj: antiamerikanizmin dhe,po e them kete ne menyren me te bute te mundshme,pandjeshmerine totale ndaj gjithckaje qe ka lidhje me Kosoven.
        Une kam folur edhe me pare,pikerisht ne kete forum,per nje “grup te strukturuar intelektual”( ne fakt, “strukturimi” i tyre ka te beje me perkatesine ideologjike te majte dhe budallalleqet internacionaliste dhe kozmopolite te saj) qe jane kunder bashkimit te Shqiperise me Kosoven.
        Dhe,te gjithe ata qe jane pjese e ketij “grupi te strukturuar intelektual”,mbeshtesin edhe voten antiamerikane te Rames.

  4. Ardian,

    SHBA-të mund të jenë në politikën e jashtme ashtu si i portretizojnë dhe steriotipizojnë: “bull in the china shop”. Por ky nuk është problemi këtu. Shqipërisë nuk ia ka lënë kush çelsat të ruaj dyqanin e OKB-së. Përndryshe do na marrin për të çmëndur, dhe delirantë. Por edhe për faktin e thjeshtë sepse janë cështje që kërkojnë kapacitete morale, intelektuale dhe financiare që ne nuk i kemi. Pa këto kapacitete si u garantoka një qëndrim i drejtë “holier-than-thou” si ai që përçon kjo rezolutë?

    Në fakt me gjithë budallallëqet që po dëgjojmë duke nisur nga Kryediplomati, te Kryeministri, dhe Presidenti, bëjnë mirë të pranojnë fiaskon dhe t’i kërkojnë parlamentit ratifikimin për kalimin gradualisht në një politikë neutrale të jashtme (se të brendshmen e ndritën).

    Por këta duan ta përdorin politikën e jashtme për interesat e tyre, ashtu si kanë përdorur të brendshmen. Nuk iu intereson neutraliteti, se është pa “bukë”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin