KAMERAMAN(IAK)

Kameramani është ai profesionist që regjistron programet zakonisht televizive me kamerë – fjalën shqipja e ka huazuar nga anglishtja cameraman, ku prapashtesa -man lidhet me anglishten man, “burrë, njeri”; ndryshe nga një prapashtesë homonimike, por gjithsesi e ndryshme, që del në fjalë si piroman, morfinoman, kokainoman, grafoman, megaloman, mitoman, dhe që lidhet, në analizë të fundit, me greqishten μαίνομαι, me të cilën ka të bëjë dhe fjala maní dhe fjala tjetër maniak. Shqipja ka edhe një prapashtesë të tretë, -man, që ndeshet në fjalë si çalaman, fjalaman, frikaman dhe që duhet ta ketë prejardhjen nga turqishtja.

Meqë kjo homonimi është e mirëqenë, po më pëlqen ta interpretoj fjalën kameraman si polisemike, dhe të ndërtoj një hyrje imagjinare të fjalorit të shqipes së sotme, ku kuptimi i parë të jetë ai i profesionistit televiziv, ndërsa i dyti t’i referohet një njeriu të apasionuar pas kamerës, ose një maniaku të kamerës; por jo në kuptimin që i pëlqen të përdorë kamerën, por në kuptimin tjetër, që i pëlqen të dalë para kamerës, duke konsideruar këtë regjistrim, riprodhim dhe transmetim të imazhit të vet si pjesë të pandashme të identitetit të vet publik.

Ky lloj kameraman(iaku) nuk arrin dot ta përjetojë veten pa u përfshirë në një ekran; madje edhe atëherë kur nuk e sheh emisionin ose regjistrimin përkatës. As mund të gjallojë publikisht, pa pasur një sy të kamerës dhe një mikrofon përbri, sepse është bartur tashmë ekzistencialisht në mediumin elektronik. Për këtë arsye, edhe publiku e identifikon me praninë dhe persona-n e tij në ekran, ose si banor të radiovalëve. Dhe ndryshe nga ekzibicionisti i rëndomtë (exhibitionista vulgaris), që e përdor imazhin e vet në ekran për të fuqizuar mbresën që lë drejtpërdrejt, kameraman(iaku) synon të kundërtën: me daljet e drejtpërdrejta publike kërkon të fuqizojë praninë e vet në median elektronike.

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: