Siç ju kemi lajmëruar tashmë, nesër të shtunën 18 nëntor 2017 do të mblidhemi tek Instituti Çabej në Tiranë (rruga Qemal Stafa, no. 315), më parë për të prezantuar librin e ri “Fjalë për fjalë” (në orën 19:00) dhe më pas (në orën 20:30) për të kremtuar 10-vjetorin e revistës “Peizazhe të fjalës”. Janë dy ngjarje të ndryshme, me sinergji të shumta dhe pika të përbashkëta – autorin, tematikat dhe sidomos lexuesit. Për festën e dytë, të revistës, kemi përgatitur posaçërisht libërtha të vegjël, nga një për çdo vit të revistës, me tekste – ese, analiza, artikuj – përfaqësuese nga shumë prej autorëve që kanë shkruar tek ne. Është botim përkujtimor, unik dhe me tirazh të kufizuar, që kërkon të simbolizojë edhe lidhjen e faqes sonë me tekstin e shkruar dhe botën e librit.