BURRI QË NUK LU

Ja dhe pak dhe do të rikthehet, në Tiranë, sezoni televiziv dhe bashkë me të edhe netët e debateve – nga një për kanal.

Si edhe herë të tjera, në debate do të ulen burra e ndonjëherë edhe gra, për të shkëmbyer llafe të mëdha të tipit “unë nuk ju ndërpreva ju kur folët, tani ju pse më ndërprisni mua” dhe për të përfaqësuar, gjithësekush, nga një pikëpamje.

Do t’u kisha sugjeruar televizioneve, këtë vit, që të ndërmerrnin një hap të guximshëm: t’i jepnin një çmim të posaçëm atij të ftuari që do të ndërronte mendim, qoftë edhe një herë të vetme, gjatë një debati.

Atij të ftuari që, duke dëgjuar argumentin e tjetrit, të thoshte: po, ke të drejtë ti dhe unë e paskam pasur gabim; por tani u binda meqë logjika jote nuk ka të sharë.

Vendimi për këtë çmim do të duhej marrë në sekret të plotë, për të siguruar paanshmëri; meqë tanët, po ta dinin se ndërrimi i pozicionit a i pikëpamjes shoqërohej me shpërblim monetar, do ta bënin nga 3-4 herë në ditë, madje para pasqyrës ose në Facebook.

Por çmimi do të ishte vlerë edukative për të tjerët; sepse do të tregonte që debatet nuk bëhen vetëm për të ilustruar pozicionet e palëve; por ndonjëherë edhe për t’i ndryshuar ato.

Pa çka se, që të arrihet kjo në Shqipëri, duket shumë e vështirë.

Para së gjithash, ngaqë ne gjendjen e sotme të mendimit dhe të debatit publik ende e shohim si çlirim nga e djeshmja, ku me përkufizim gjithkush nuk mund të mbante veçse një pozicion të vetëm, për çdo çështje, dhe ku kundërshtimi ishte gjithnjë armiqësor.

Por ka edhe një arsye tjetër: njëlloj si ai personazhi i Sartre-it, edhe shumë nga tanët kanë kaq pak ide në kokë, sa janë skllevër të tyre.

Dhe për këta të fundit, çdo ndryshim mendimi do të sillte humbje e identitetit, depersonalizim, zhburrërim.

Këtë dukuri, filozofi amerikan Maximilian Alvarez (Cogito Zero Sum) e lidh me një aberracion të thënies së Dekartit: nga Mendoj pra jam, në Mendoj pra jam ajo që mendoj, ose me një shtrembërim të mendimit, që i trajton të gjitha opinionet si të barabarta në tregun e shkëmbimit të ideve.

Individët – qofshin këta intelektualë publikë, ekspertë, gazetarë ose politikanë – vijnë në debatet jo për t’iu afruar një pozicioni nëpërmjet dialogut, por gjithsekush për të riprodhuar esencën e vetes, si të ishte formulë algjebrike.

Dhe për shkak të parimit të rrejshëm të barazisë – sipas të cilit të gjitha opinionet kanë të drejtë përfaqësimi publik të barabartë – askush nuk e vë në dyshim drejtësinë e qëndrimit të vet.

Vetë debati përdoret si një instrument për të riprodhuar segmentimin e mendimit.

Në një rrafsh, kjo do të thotë se arsyeja politizohet; dhe tezat e kundërta nuk argumentohen më dhe as vihen në peshore, sepse kjo do të cenonte parimin e “barazisë.”

Në një rrafsh tjetër, kjo i jep licencën e afishimit publik çdo lloj idiotësie – meqë gjithsekush “është i titulluar të ketë opinionin e vet.”

Kështu, në debat mund të ftohet edhe një feministe që mbron të drejtën e gruas për të dalë në plazh topless, edhe një klerik që mendon se femrat që shkojnë në plazh janë prostituta: që të dy këta kanë të drejtë jo vetëm të kenë, por edhe ta shprehin opinionin e tyre në publik.

Një debat i ndërtuar kështu mbase mund t’i argëtojë disa, por nuk e pasuron me asgjë mendimin publik.

Çështja nuk është te mbrojtja e pozicioneve të skajshme, ose jo-popullore; dhe as te nevoja për të arritur ndonjë konsensus; por vetëm te shprehitë, madje kultura tashmë e kristalizuar e palëve, për të mos lëshuar pe, për të mos e vënë veten në pozicionin e tjetrit, për të mos argumentuar seriozisht.

Një gjë është të vish në debat për të shpjeguar pozicionin tënd (ose të shefit tënd), dhe një gjë tjetër është të vish në debat për të shpjeguar pse pozicioni yt është i vetmi i drejtë dhe nuk mund të ndryshojë.

Dhe më e keqja, në këtë mes, është se të gjitha palët e ftuara në debate njëfarësoj e pranojnë haptazi se ai tjetri – me të cilin debatojnë – ka të drejtë ta ketë opinionin e vet.

Po çdo të thotë kjo “ka të drejtë”? Sikurse e shpjegon Alvarez, në esenë e lartcituar, është e pamundur t’ia heqësh dikujt një opinion me zor; ose t’ia zëvendësosh me një tjetër. Ose më mirë, e vetmja mënyrë si mund të arrihet kjo, është nëpërmjet argumentimit.

Le ta pranojmë: disa opinione janë të gabuara, madje disa aq të gabuara sa nuk kanë as të drejtën e votës. Jo të gabuara për mua dhe të drejta për atë tjetrin, por thjesht të gabuara.

Kjo është e lehtë të provohet në shkencë, sepse shkenca i ka rafinuar teknikat për të provuar (për të falsifikuar) një hipotezë; por edhe në jetën e përditshme.

Le ta pranojmë edhe se ka njerëz që janë në gjendje të provojnë, para publikut, se ky ose ai opinion është i gabuar.

Çështja këtu është se sa gati është ai tjetri, zotëruesi i opinionit të gabuar, që të ndërrojë mendje? Sa gati është publiku? Sa gati është kundërshtuesi vetë, që të vërë në diskutim “demokracinë” e mendimit publik?

Pa çka se të përqafosh një ide të re, të ndryshme nga ajo që kishe dje, nuk është se të fundos në gjirizin e zvetënimit intelektual; përkundrazi. Madje Talleyrand-it i kujtojnë ndonjëherë thënien: “Vetëm budallenjtë nuk ndërrojnë kurrë mendje.”

Të gjithë ndërrojmë mendje: madje vetëm duke ndërruar mendje, mund të rritemi intelektualisht, t’i kuptojmë gjërat më mirë dhe të orientohemi më mirë në një botë që ndryshon gjithnjë.

Për këtë ekziston edhe metafora e “mendjes së hapur”, pa çka se edhe kjo ndonjëherë degjeneron në relativizëm, ose në gatishmëri për të pranuar gjithçka që nuk është jotja.

Më kujtohet si dikur Berisha, kur e pyetën shkarazi për martesat gay, tha diçka të tillë si “pse jo, le ta bëjmë edhe tek ne.” Një çështje që gjetiu ish debatuar me zjarr, madje kish prekur themelet e kontratës sociale, u kalua kështu me një batutë.

Gjetiu në Perëndim pranimi dhe normalizimi i martesave gay ka ardhur pas përpjekjesh titanike nga ana e komuniteteve të interesuara, të cilat ia arritën të bindin të tjerët, duke argumentuar.

Ja që ndodh edhe kështu, kur esencializmi individual, ose identifikimi i dikujt me opinionet e veta, të bashkëjetojë me relativizmin total, ose pranimin etik të çdo esencializmi tjetër, sado të kundërt, sado të përtejmë. I’m OK, you’re OK.

Çfarë nuk pranohet, përkundrazi, është ndërrimi i mendjes.

Sot është krijuar një klimë – e molepsur – ku ndërrimi i mendjes konsiderohet si shenjë dobësie, si dorëzim, si zbythje. Metaforën e dialogut si pasurim reciprok ose si lojë me shumë pozitive e ka zëvendësuar metafora e debatit, si betejë egosh; ose lojë me shumë zero.

Madje një pjesë e madhe e debateve publike themelohen mbi krahasimin e pohimeve të një politikani, një intelektuali publik, një publicisti a eksperti: “ju keni thënë dje se… ndërsa sot thoni se…”

Kushdo që ndërron mendje, i paraqitet publikut si në debat skizofrenik me veten, edhe kur nuk i paraqitet si mësallë me dy faqe.

Përkundrazi, burri që është burrë nuk lëviz nga e vetja dhe identifikohet me çfarë ka thënë, që nga fillimi i botës; duke premtuar njëkohësisht se atë do ta thotë deri në fund.

Muri lu burri s’lu.

5 Komente

  1. Po,por duhet te kemi parasysh qe shumica derrmuese e opinionisteve jane brezi i gazetareve te pare te viteve nentedhjete.
    Dhe,me shume se me kembengulje ne nje mosndryshim opinioni,ka te beje me ate te mosndryshimit te bindjeve.
    E kjo e fundit,ka lidhje me ideologjine sunduese te para viteve nentedhjete:marksizmi i deformuar nga leninizmi.Marksi i deformuar nga Lenini.Ishte i tmerrshem Lenini,kur fliste per konsekuencen ne bindje.Kryevepra e tij,me shume se per cdo gje tjeter,flet per konsekuencen.
    Te gjithe jane te ndotur njesoj nga nga kjo.Te majte dhe te djathte.
    Kam pare,jo pa zhgenjim,per shkak te nje simpatie per paanshmerine,nje opinionist te njohur te( majte) shume kritik me Ramen,qe i mbajti anen per deklaratat e famshme te bera nga ai ne Beograd, ne vitin 2014.
    Kozmopolit dhe internacionalist i shpallur,opinionisti i njohur,habiti edhe shume kolege te tij,me kete qendrim te papritur “nacionalist”,te atij lloji pra,me te cilet ishte tallur pa meshire me koleget e tij ne raste te tjera.
    Por,ajo qe me habiti me pas,ishte kembengulja ne qendrimin e tij,megjithese jam i bindur qe edhe vete eshte i vetedijshem qe ishte teper nacionalist per nje kozmopolit si ai.
    Dhe,arsyeja e vetme mendoj,eshte kjo qe thote zotni Vehbiu me lart.
    Ne anen tjeter,eshte nje opinionist po kaq i njohur (i djathte),qe edhe ndryshimet e pozicionimit politik,i justifikon me… konsekuencen!Dhe,ajo qe te le pamend,eshte kur perpiqet ta fisnikeroje “bishtperdredhjen” me argumentin e te qenit perhere ne opozite…kunder pushtetit!
    E gjitha kjo pra,ka te beje me formimin e tyre.Te gjithe jane bij te diktatures,ne kete aspekt.
    Eshte e kote te shpresosh se burra te tille do te luajne ndonjehere.Ata i perkasin nje brezi te djegur e perveluar nga konsekuenca.

  2. Kam pershtypjen se nuk eshte edhe aq filozofike e gjitha kjo. Shume pak prej debatuesve ne studiot televizive e vrasin mendjen per barazine e ideve ose per konseguence. Une mendoj se intelektualet shqiptare jane ne nje faze adoleshenciale, qe do te thote ata jane disi te interesuar tek idete por me shume jane te interesuar tek vetja. Ata jane aty per tu dukur duke treguar sa te zote jane. Te gjitha te tjerat jane ne funksion te kesaj. Debati ne Shqiperi eshte i formes “kush merr forma me te bukura”. Kjo fryme fatkeqesisht nuk le pa prekur asnje hapesire, madje edhe ketu. “Adoleshenti” qe do t’i tregoje te tjereve me cdo kusht se sa i zgjuar eshte nuk mund te ndryshoje kollaj mendim. Egoja e tij eshte shume e brishte per ta pranuar ne publik se ai po gabon.

  3. Shqiptarët u edukuan për gati 50 vjet prej nënës parti me mendimin se partia dhe shoku Enver nuk gabonin dhe se ndërrimi i mendimit / i qëndrimit ndaj një dukurie, ishte i dënueshëm. Këtë mentalitet e ushqeu dhe Partia Socialiste. e cila nuk bëri një analizë kritike ndaj periudhës së diktaturës komuniste, nuk i njohu dhe nuk i dënoi krimet e atij sistemi që dështoi me turp. Shqiptarët që përfituan prej PPSH-së dhe tani prej PS-së nuk duan të evoluojnë. Ata janë kthyer në fosile të mentalitetit komunist e socialist, kanë mbetur adoleshentë. Lëvdojnë cdo punë që u krye nën diktaturën komuniste. Atyre u vjen keq që dështoi ai sistem, ashtu si u vinte keq shqiptarëve turkoshakë pas vitit 1912 për shkatërrimin e Perandorisë Osmane…
    Ata që dikur nuk e dënuan dot sistemin e Perandorisë Osmane dhe ata që nuk e dënojnë dot sot sistemin e diktaturës komuniste, nuk mund të evoluojë, janë skllevër të një të kaluare të gabuar, që i ktheu në qenie inferiore…

  4. Problemi është se shumica e atyre që “debatojnë” përgjatë sezonit televiziv janë nga ata që në anglisht i quajnë “shill”. Nuk janë aty për të debatuar, por për të promovuar.

  5. Pak e habitshme kjo moslëvizje nga instikami i vet për punë mendimesh dhe idesh, sepse kur vjen puna te flamujtë partiak, politikanët dhe shumë prej opinionistëve shqiptarë i ndërrojnë këto sa herë ndryshon era e politikës…

    Ky fiksim u vjen ndoshta nga kapaciteti i munguar intelektual për të rrokur ide dhe mendime të reja (një e pjesë e të ftuarve në debate – politikanë dhe opinionistë – janë pa nivel dhe/ose thjesht propagandistë partie, që s’duhet të ishin fare as në politikë, as në debate në TV), ose nga frika e shefave, ose thjesht nga frika e zhburrërimit “live” në publik.

    Për këtë të fundit shkaku duhet kërkuar, besoj, edhe te mungesa e kulturës së debatit në publik dhe te mënyra e organizimit dhe drejtimit të debatit televiziv. Nga ndjekja e disa debateve në TV – shumicën i kam lënë përgjysëm nga neveria – përshtypja është që drejtuesit e tyre ose janë krejt pasivë dhe e lejojnë debatin të rrëshkas drejt sharjeve dhe fyerjeve personale, ose i hedhin benzinë zjarrit, duket ndërhyrë jo për të qetësuar diskutimin dhe ta orientuar drejt një debati konstruktiv, por për ta acaruar atë më tej, duke thumbuar dhe provokuar pjesëmarrësit.

    Nëse kjo mënyrë drejtimi i emisionit vjen nga pafuqia e drejtuesve përballë gjelave të mbledhur aty, ose është e qëllimshme, për të tërhequr më tepër teleshikues me sherrin televiziv se sa me një diskutim konstruktiv, apo vjen nga mospregatitja paraprake mbi temën e debatit dhe nga paaftësia profesionale e drejtuesve, kjo mund të diskutohet; me shumë gjasa është një kombinim i të gjithave. Por rezultati është ai që shihet: jo diskutim mes intelektualëve dhe njerëzve të pjekur, me fakte, ide, argumente, kundër-argumente, por kacafytje gjelash, emocione, acarim, kapërcim degë më degë, pa një rrjedhë logjike diskutimi e deri te fyerjet personale, të bërtitura, sharje, largim nga studioja etj.

    Kur diskutimi fillon – lejohet të filloj nga drejtuesi – me fyerje personale dhe me tone agresive ndaj të ftuarve të tjerë më pas i gjithë debati shkon për lesh. Fyerjet dhe sharjet nuk lenë asnjë hapësirë për një debat konstruktiv apo për “ndërrim mendjeje”, sepse secili që preket apo ndihet i prekur prej tyre, mendon vetëm si të marrë revansh dhe të rivendos “nderin e nëpërkëmbur” nga kundërshtari.

    Për të ngritur nivelin e dialogut televizionet, si fillim, mund të bien dakort për një kod strikt të komunikimit dhe etikës në debatet televizive, që ndalon fyerjet personale, sharjet, kërcënimet dhe të bërtiturat. Pastaj është detyra e drejtuesit të emisionit të kërkoj nga të ftuarit që ta respektojnë këtë kod – kush nuk i përmbahet, nuk ftohet më në emisione të tjera, po themi për gjashtë muaj apo më gjatë. Pregatitja paraprake e drejtuesit për temën, përzgjedhja e të ftuarve duke lënë jashtë tipa që njihen si sherrxhinj apo militant, numri i të ftuarve, autoriteti dhe toni i drejtuesit në emision, të gjitha këto, të bëra profesionalisht, ndihmojnë për një debat të civilizuar, ku kushedi, ndonjëherë, ndonjë natë, ndonjë burrrë i ftuar aty edhe të pranoj të ndërroj mendim… :d

    Burri vërtet s’lu, por mund të luhet. Edhe ai shqiptar.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: