(Ky shkrim mund të ish titulluar më gjatë, por më saktë si “Dilema e shkrimtarit të pavarur, lexuesi si qytetar i angazhuar dhe propozimi civil i Vehbiut”)
Shkrimtarët dhe artistët safi, sado qofshin qenie dhënë botës ideale pamëshirshëm e pa vetëmbrojtje, duan të hanë, të mbajnë shtëpinë, të çojnë kalamajtë nëpër shkolla e të paguajnë taksat. Idealistë janë edhe shumë shkencëtarë, prodhues e ndërtues, por ndryshe nga shkrimtarët dhe artistët, ata zakonisht tregu i vlerëson dhe i paguan herë aq sa vlejnë, herë edhe më shumë se vlejnë. Një kontribut i tyre shihet gjithnjë si një vlerë praktike për shoqërinë. Në këtë kuptim një inxhinier a menaxher, qoftë edhe i pavlerë a mediokër, shpesh ka një jetë shumë më të sigurtë e një shtrat më të rehatshëm se shumë artistë me sqimën, ndjeshmërinë dhe forcën e pak mendjeve të species sonë. Atëherë si i bëhet me artistët dhe shkrimtarët? Shoqëria edhe kur i lexon, i përfill dhe i përdor, u merr dhe nuk u kthen gjë ose u kthen shumë pak, sepse në fund të fundit ata nuk ia rregullojnë bravën, nuk ia çlirojnë VC-në e bllokuar, nuk i bëjnë një projekt për shtëpinë që duhet ndërtuar, nuk i zënë vrimat e çatisë që u pikon dhe as i mbushin një recetë për kalamanin që ka temperaturë. Pra ata nuk ia zgjidhin problemin imediat që i ulëret tek dera. Ideja e pathënë është kjo: shkrimtarët e artistët e kanë për detyrë të na ushqejnë shpirtin dhe idetë (në fund të fundit, edhe sikur të mos duam ne, ata nuk rrinë dot pa na ushqyer… thjesht vuajnë sëmundjen e llojit të vet), por për ata mendon perëndia, mëma e tyre e padeklaruar. Kur do, dihet se është gjithnjë e lehtë të lash duart.
Sidomos në rastin shqiptar, me shtet që ekziston tradicionalisht që të përfitojnë shtetarët, me konsumatorin masiv me nivel të lartë varfërie, dhe me pasanikun sipëror me nivel të lartë makutërie por të ulët përgjegjësie sociale, i është lënë pikërisht perëndisë pesha e mendimit dhe kujdesit për ushqyesit e mendjes dhe për krijuesit e njeriut të madh brenda njerëzve të vegjël. Shteti ynë socialist ka pasur një traditë të gjatë në mbështetjen e shkrimtarit dhe artistit të realizmit socialist, të aftë apo të paaftë, të ndershëm apo spiun njëlloj. E mbështeste aq sa ai të mund të mbijetonte e t’i shërbente më mirë shetit dhe propagandës së tij: i jepte një apartament pa bërë punën vullnetare, si dhe ndonjë pushim të paguar veror. Artistit të lirë i paguante edhe rrogën mujore, por pastaj ia maste me cantim kontributin në formimin e njeriut të ri. Ama, që të mos ia hamë hakun, ia njihte vlerën, sido që kur i dukej se i rrezikonte qenien, ia këpuste kokën.
Pas rënies së sistemit socialist idealisti që dikur kish një çapë bukë të sigurtë dhe komshinjtë e farefisi e vlerësonin për muzikën që krijonte, lehtësinë që kish me poezinë apo për gjuhët prej nga përkthente, e pa veten në mëshirën e pamëshirshme të fatit. Siç thashë, tregu i lirë për nga natyra e vet është krejt i palirë, madje ndëshkues mizor me lëvrues gjuhësh të vogla dhe pa peshë praktike në komunikimin botëror. Bota jonë e riorientuar brenda pak ditëve në shinat e një tregu të egër këmbimi mallrash me vlerë praktike dhe që synonte fitimin e shpejtë e me çdo kusht, u gdhi me ide krejt të reja ndaj idealistit: ai papritur ishte i paaftë të mbijetonte, i padenjë të bënte hije mbi dhe, humbameno që s’u përshtatej kohërave, dembel dhe i mësuar keq. Institucioni shtetëror që mund të kish rol mitigues në këtë moment ferri social të bazës, u bë shembulli më i përsosur i përdhosjes së idealistit dhe streha e ngrohtë e karrieristit të paskrupullt. Grupi i njerëzve me ëndrra u rrallua. Një pjesë u zhduk që në fillesë a u shndërrua në diçka tjetër; një pjesë shkrimtarësh e gazetarësh gjeti mënyra të tjera mbijetese që e lejonin të fitonte disi: kush u bë copë duke kryer dy-tri punë njëherësh, kush nisi të vjelë parà të lehtë televizionesh, kush u bë pronar e shkrimtar njëkohësisht, kush businessman dhe gazetar në vetë organet që zotëronte, e kush gazetar që paguhet bukur fare nga të tjerë pronarë, ideve të të cilëve u bën temena me hir a me pahir. Pak syresh sot janë të pavarur politikisht e ekonomikisht dhe i japin shoqërisë mjaltë që s’prodhohet në koshere fabrikuar prej njerëzish të fuqishëm. Ata që ruajtën ëndrrën dhe ende e ushqejnë atë, i numërojmë me gishta. Por vetëm prej tyre ne si publik kemi të garantuar afërsinë më të madhe të mundshme me të vërtetën e shkruar, ose thjesht me të vërtetën. Vetëm kjo pjesë shkrimtarësh na bën lexues me dinjitet dhe qytetarë të ndërgjegjshëm. Vetëm kjo pjesë na emancipon e çon përpara si shoqëri.
Ardian Vehbiu është njëri prej këtyre të paktëve, një shkrimtar, studiues dhe gazetar me banim në NYC, që publiku shqiptar sot e njeh mirë, e pret dhe e kërkon. Botimi i librave të tij është një rit i përvitshëm tashmë në Tiranë. Vetëm se, për nga cilësia, prodhimi i Vehbiut u rri larg punëve të një numri të madh shkrimtarësh që ngulmojnë të shkruajnë e të botojnë për vit e me çdo kusht edhe kur ideja dhe forma që ofrojnë lindin të vdekura. Por Vehbiun lexuesit e njohin edhe nëpërmjet blogut të tij të famshëm tashmë, Peizazhe të fjalës (PTF), si dhe formave të tjera të komunikimit online me të cilat autori ka qenë shumë i sukseshëm. Personalisht kam bindjen se vlera shoqërore e komunikimit të tij të përditshëm me publikun shqiptar nëpërmjet PTF është e jashtëzakonshme, së pari sepse në të publiku shqiptar i ekspozohet ideve alternative, vështrimeve kritike dhe çelësave analitikë që s’i gjen kund tjetër në mënyrë kaq sistematike dhe cilësore, si dhe në doza elefanti që s’i anashkalon dot; për më tepër, në këtë hapësirë i jepet vëmendje reale e serioze komunikuese çdo ideje, çdo gafe, idiotësie apo gjëje të mençur që lexuesi do të diskutojë në logun e ideve. Vehbiu pjell copa të reja kritike (shpesh perla gazetarie) që hedhin në diskutim publikun, me dendurinë dhe lehtësinë me të cilën një njeri i zakonshëm buzëqesh.
Por këtë Vehbiu e ka bërë për shtatë vjet rresht pa mbështetje financiare prej askujt; ka shkruar e u ka dhënë xhevap njerëzve në laboratorin apo shkollën e vet online ditën dhe natën, verë e dimër, javë pushimesh ose jo, në shtëpi eudhëtim, kur të afërmit e mbështesnin apo i nxeheshin… e ka bërë për ditë dhe me të vetmin interes që të avanconte një ide dhe të diskutonte një dukuri sociale që donte zgjidhje a ia vlente të diskutohej. Madje që të mund të merrej 100% me këtë punë që ai e vlerëson fort, Vehbiu la një punë të mirë e shumë të volitshme, por që i merrte kohën e nevojshme për blogun. Unë s’i duroj dot heronjtë të cilëve u falemi edhe pa ua ditur bëmat; ata përforcojnë vetëm trushpëlarje kolektive. Por heronjtë e vegjël të së përditshmes dua t’i flas e t’i tregoj. Se çfarë force johyjnore i jep Vehbiut energjinë dhe pasionin që të vërë talentin e vet në shërbim të njerëzve në mënyrën e aktivistit vetësakrifikues dhe të paepur, unë nuk mund ta shpjegoj veçse nën kornizën e një teorie për heroin e së përditshmes që shoqëritë pjellin rastësisht kur më shumë kanë nevojë.
Të gjithë këtë punë, pa marrë asnjë grosh institucional apo shoqëror si shpërblim pune! Si ia ka dalë Vehbiu të jetojë normalisht e të bëjë sa i takon për familjen e vet? Me ditë pune që i kalojnë kufijtë e normales, dhe kuptohet me një aftësi individuale që gjithashtu është e pazakontë. Jeta e tij me modestinë materiale të një amerikani të mesëm që jeton në NYC, financohet nga përkthimi në disa gjuhë, që ai herë e ka për zemër e, me siguri, herë të tjera e bën se i duhet; ndërsa blogu ku ai absolutisht ka zemrën, vetëm i merr e i merr, dhe i kthen vetëm kënaqësi, dhe ndonjë herë trazime e sherre që s’ia ka borxh kujt.
Dje, kur hapa faqen e PTF, pashë që po eksperimentohej me formën dhe paraqitjen e faqes online. Sot ishte rishtaz në formën fillestare, por Vehbiu, në mënyrë të përmbajtur por të qartë, i ftonte lexuesit që, sipas mundësisë dhe dëshirës, të kontribuonin financiarisht për blogun, nëse çka kishin lexuar u kish pëlqyer. Mbasi e kam lexuar Vehbiun për vjet me radhë, e di sa e ka matur propozimin e vet; di edhe se ajo që e kanë shtyrë të bëjë këtë propozim, është nevoja që të vërë në vend një parim të drejtë, dhe jo vetëm nevoja financiare që të riformojë interface-in e blogut. Unë personalisht kur e lexova ndjeva një lehtësim që më bëri të psherëtij. U lehtësova si lexuese që ka vjet që e ndjek, që kënaqem, revoltohem, marr pjesë me idetë e mia, dhe në total përfitoj prej blogut, pa dhënë asgjë në këmbim. Tani jam e lirë të mos ndihem si qenie që merr, por s’jep se… përse të japë. Alibia e përfitimit të pakushtëzuar rrëzohet me propozimin e Vehbiut, dhe lexuesi nuk mund të bjerë më në grackën e vet filistine sa edhe njerëzore. U lehtësova si qytetare, sepse kjo marrëdhënie direkte me individin lexues, ma mban shkrimtarin që shkruan për mua, të lirë nga mundësia e vazhdueshme e korruptimit, dhe më siguron marrëdhënie të lirë me të vërtetën pa u forcuar nga morsat e interesit të shkruesit të blerë. Shkrimtarët blihen edhe pa dashur, edhe pa e ditur. U lehtësova edhe si njeri që shkruan gjithashtu për t’u konsumuar badihava, sepse një koleg formëson qoftë edhe me të vetmin qëllim të formësimit, faktin që për të pasur një marrëdhënie dinjitoze njerëzore, puna e kryer meriton shpërblim. Ky formësim i një strukture drejtësie të munguar, u jep dinjitet dhe vlerë të re shkrimtarit dhe lexuesit njëkohësisht.
Vehbiu nuk do marrë atë që meriton. Por rruga që ai ndoqi duke u lidhur direkt me lexuesin edhe në kuptimin material, në një marrëdhënie të lirë mirëbesimi total, është një mënyrë që ve në vend dinjitetin e munguar të shkrimtarit dhe lexuesit në një ambient institucional lëngues. Ajo ndërgjegjëson si lexuesin ashtu edhe shkrimtarin vetë për rolet e secilit, madje edhe vetë hapësirën ku shtjellohen këto marrëdhënie, dhe i bën ata të dy pjesëmarrës që zotërojnë gjuhën dhe strukturën e nevojshme në lëmin e negociimit të vazhdueshëm të ideve për të mirën e shoqërisë. Së fundmi, propozimi i tij, nëse merr përgjigjen e duhur ose jo, është rinovues dhe çlirues edhe thjesht për faktin se u formësua, dhe u formësua si një hap qytetarie dhe respekti për institucionin e punës së shkrimtarit e gazetarit dhe të kulturës së lirë në hapësirën publike shqiptare.
*Ky shkrim u botua fillimisht tek ResPublica më 24 Dhjetor, 2013
[divider style=”single” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
Post Scriptum – 8 korrik, 2017
10 vjet Peizazhe jo aq të qeta
E lexova sot këtë copë përgatitur për ResPublica para gati 4 vjetësh dhe pashë se gjërat nuk kanë ndryshuar fort. As si analizoj pozitën e PTF-së në raport me mediat e tjera shqip, as çfarë diskutoj për gjendjen e pashpresë financiare të kujt shkruan shqip dhe i shërben hapësirave publike shqipfolëse, ka ndryshuar. Ftesa për kontribute prej lexuesve është po ashtu aktive si ditën e parë kur doli, çka më bëri atëherë të shkruaja artikullin më lart, por kontributet financiare janë simbolike, dhe PTF mbahet me energjinë dhe vullnetin e mirë të shumë pak personave. Peshën themelore në shkrime vazhdon ta mbajë Vehbiu, dhe atë të përkujdesjes së përminutshme, Pira. Pira shkruan rrallë e diskuton shpesh, por është e pranishme në drejtimin e revistës në mënyra shumë më të larmishme dhe intensive se ato që lexuesi sheh. Ai që e quanim blog e që erdhi në jetë nga puna dhe ëndrra e tre personave, por që ish gjithnjë një zhanër sui generis muret e të cilit vazhdimisht i prishte e i rindërtonte duke jetuar dinamikën e zhvillimit të vet, ka marrë sot formën e një reviste kulturore online, por u mbetet besnik të njëjtave parime themelore të etikës, përmbajtjes dhe formës si dikur.
Ja disa nga ndryshimet që unë si kontribuese dhe lexuese e PTF-së vë re në këto tre vjetët e fundit: denduria e shkrimeve është rritur, duke arritur edhe tri-katër shkrime në ditë; të vjetrit ndër ne që shkruanim që herët në blog, e kanë rralluar disi prurjen, por një grup i ri e i fuqishëm është shtuar; ka edhe të ftuar që nuk janë fare ndër penat e PTF-së që paraqesin shkrime të vetat; për pasojë, PTF ka një natyrë më pak elitiste (por jo më pak elitare), pa humbur kërkesat për cilësinë; disa miq të vjetër kanë humbur, herë se jeta u solli kënaqësi të tjera, herë se u bënë pjesë regjimesh institucionale që PTF nuk i shihte si pjesë të vetën – por kjo s’do të thotë që nuk e ndjekin diskutimin në të; ne që dikur shkruanim veç me pseudonime, shpesh dalim me emrat tanë tashmë – për këtë mua personalisht më vjen njëfarësoj keq, sepse i shoh të mira diskutimit pa emër, por kjo është për t’u diskutuar herë tjetër; një numër i madh të interesuarish të rinj e entuziastë u janë bashkuar lexuesve tradicionalë të PTF – kur thoja më parë që PTF nuk është më aq elitist, u referohesha kryesisht lexuesve – unë mahnitem kur shoh sa të ndryshëm (në të gjitha variablet sociologjike) janë grupet që e njohin PTF-në sot, në raport me ata të para 6-7 vjetëve, çfarë është shenjë realizimi e suksesi për çdo media; filli i diskutimeve për një shkrim të caktuar është përgjithësisht më i shkurtër (dikur kishim edhe qindra komente), por ama, në krahun pozitiv, është më civil dhe i frytshëm si diskutim, janë të pakëta zënkat; diskutues në hapësirat e PTF-së që dikur synonin të ishin të pranishëm thjesht për të sulmuar çfarëdo thuhej duke krijuar ndotje verbale, nuk janë më pjesë e tij, besoj nëpërmjet monitorimit të kujdesshëm; PTF është tashmë edhe në FB, por të mirat e të këqiat e këtij hapi, unë kam nevojë t’i ndjek e t’i analizoj më tej, para se të kem një ide të qartë – është e vërtetë se FB është një hapësirë ku “fitohen miq e ndjekës më të rinj në moshë”, sido që edhe FB po “vjetërohet” pakëz.
Çfarë vijon si më parë:
Vehbiu si person i letrave vazhdon të jetë qendror për revistën e vet; nuk mund ta imagjinosh PTF pa të. Ai, për nga identiteti i vet si publicist e shkrimtar, shkruan lehtësisht e qartë e ka një logjikë çeliku tipike dhe të dukshme në punët e tij, si dhe humor apo sarkazmë po aq të dallueshme në stilin e vet, shpesh paraqitur me emra/pseudonime për të cilët ai ka krijuar me kohë identitete letrare të ndara. Tri janë tiparet që unë i shoh si shoqëruese e përcaktuese në jetën e tij si shkrimtar: një punë sistematike dhe kujtesë e frikshme, zët biologjik ndaj shitjes së penës, respekt i thellë për dijen dhe argumentimin të botuar a transmetuar nga diskutimet, dhe bashkëndarjen e saj në grup. Është ndër publicistët e gazetarët më të hapur dhe dashamirës ndaj dijes dhe ndaj kolegëve të vet. Dhe PTF ka përfituar prej kësaj dhe është rritur në shumëllojshmëri kontribuesish, stilesh, përmbajtjeje e pikëpamjesh.
Diversiteti përmbajtësor i copave të botuara është i gjerë, por ka një bosht: shumica e shkrimeve sillen rreth fjalës si edhe teksteve joverbalë por që në fund të fundit formësohen dhe analizohen nëpërmjet fjalës – për nga tematika, është vështirë të ketë një temë ku shkon mendja, që të ketë ngelur pa u diskutuar në PTF, dhe për fat arkivi i admirueshëm të lejon të shfletosh e t’u kënaqesh gjithëfarësoj analizave, historive e vështrimeve; PTF s’ka qenë kurrë një hapësirë e specializuar në një tematikë të vetme, të themi politikë, shkencë, filozofi, kulturë a letërsi. Por ka disa kushte që përmbushen nga të gjitha shkrimet: vështrimi kritik dhe unik i ngjarjes apo temës, të qenët direkt a tërthorazi aktual, nevoja për argumentim e burimësi të plotë e të qartë, respekti i etikës dhe estetikës në komunikimin publik.
Po ashtu, të menduarit kritik është ftesa e pandryshuar për çdo vizitor të faqes – merre në pyetje njohjen, informacionin, përfundimet e copave të botuara, dhe reflekto mbi to me kokën tënde; pastaj diskuto idetë e tua; pozicionet që kontribuesit sjellin në faqet online të PTF-së janë po ashtu tejet kritike, gërmuese, të paqeta, të paepura prej frike apo interesi, aktuale dhe angazhuese; por gjykimet janë të balancuara e të prira ose nga logjika argumentative teorike, ose nga realitete të jetës dhe mediave.
PTF ka krijuar komunitetin e vet. Dhe fatmirësisht ai shtohet dhe fiton mendje e sy të rinj. Nuk është ekzagjerim të flitet sot për PTF nation, pjesëmarrës në një forum diskutimi të dijes e jetës shqip, që me përkushtim e devotshmëri e mban ndezur dritën dhe hapur derën për këdo që kërkon të dijë, të diskutojë e të shijojë një hapësirë ndryshe, pa llum, pa dorashka, pa interesa e shërbime të fshehura, që nuk paragjykon për asgjë njeriun. Dhe… me cilësinë më të mirë të gjendshme. Dhe… falas. Dhe… me entuziazëm. Dhe… me mirësi.
Unë vetë, pa PTF do ndihesha disi e humbur në një det mediash që më dalin zemre a më shohin si të huaj teksa koha kalon, e do kisha më pak a aspak dëshirë të shkruaja. Pa mohuar që është e vetmja faqe ku botoj pa merak e me eksitim rinor sa herë kam diçka të re që dua të them, në këtë 10-vjetor, i uroj PTF-së dhjetëvjeçarë të tjerë jete me edhe më shumë miq, me një konceptim mendjehapur e kritik dhe etikë shembullore. Uroj edhe që së shpejti të nisin punën me tema kërkimore studentët pas-universitarë që të përshkruajnë dhe analizojnë PTF si dukuri unike të mediave shqip, si më jetëgjatin, sistematikun, më të ndjekurin dhe të paqetin ndër botimet tona online.
Ky bllok ka tashme fizionomine e vet, (une e ndjek prej nja nje viti, ne mos gaboj). Nje fizionomi qe nuk i pergjigjet 100% interesave dhe deshirave te pjesmarresve ketu, por sidoqofte mire dhe aq! Ndaj pergezime!
Persa i perket anes financiare te Ardianit dhe te tjerve qe kujdesen per kete bllok, une nuk e di dhe as qe e kam mundesine te interesohem, pasi me rroge punetori, si pjatalares, pastrues, apo pleraxhi, mezi mbaj familjen time. Por ajo me krysore ne kete bllok, me duket se edhe komentuesit qe marrin pjese ketu nuk duken te renduar nga xhepat; pra, nese PTF ka nevoje per ndihme financiare, mendoj se duhet te vije nga ata me xhepa te renduar dhe qe (besoj) as edhe nuk e dine se ekziston nje PTF!
Dhe ajo me kryesorja -me duket mua- eshte jo aq ana financiare e Ardianit dhe PTF-s, (sepse udhetimet e Ardianit nga Amerika ne Albani nuk e besoj se jane badiava, pra ka aq leke sa te paguaje ate dreq bilete), por kryesorja eshte panvarsia e fjales ne PTF, guximi e kesaj fjale dhe argumentet e sjellura. Dhe keto zvetenohen kur ne mes afrohet paraja. E ka treguar pervoja!
Po nejse, ka dhe me keq! Mendoj se fati i PTF, Ardianit dhe ju te gjithve, (perfshi dhe anen financiare ketu, por jo vetem ate) eshte ne mos shkelqyeshem, prape per tu qetesuar! Urime!
Ftesa që i bëhet lexuesit të revistës sonë për të dhuruar, nëpërmjet butonit përkatës, nuk ka fare lidhje me financat e mia personale dhe të administratorëve të tjerë të faqes. Është tashmë praktikë e njohur, në Perëndim, që faqe të tilla si kjo jona, të medias alternative, të kërkojnë bashkëpunimin vullnetar e lexuesve, si alternativë jo vetëm ndaj modelit me pagesë, por edhe ndaj mbushjes së faqeve me reklama. Ne, si “Peizazhe të fjalës”, botojmë çdo vit me qindra ese, artikuj dhe shkrime të tjera praktikisht të gjitha origjinale, të një niveli që shpresojmë është i kënaqshëm për lexuesin dhe në krahasim me “konkurrencën”; lexuesi që vjen këtu, qoftë për ditë, qoftë herë pas here, dhe i pëlqen ato që lexon dhe e vlerëson punën e atyre që ia kanë sjellë, mund të qëllojë të ndihet “borxhli” dhe të ketë dëshirë të japë një dhuratë. Mirëmbajtja e një faqeje si jona – ose gjithë puna redaktoriale që bëhet, çdo ditë, për t’i bërë gati shkrimet për botim, kushton dhe këto janë orë të hequra çdo ditë nga punë të tjera. Po ashtu, “Peizazhe të fjalës” si revistë online ka shpenzime teknike të pashmangshme, ca të dukshme ca të padukshme, që lidhen me arkivin, sigurinë, shpejtësinë e aksesit dhe të tjera. Veç kësaj, kush u hedh një sy faqeve të ngjashme me tonën, do ta vërejë menjëherë ndryshimin: edhe një faqe shumë e mirë, si ResPublica, hapet me reklama nga Credins Bank, Union Bank dhe AlbTelecom: tre pesha të rënda. Ky është një model tjetër i financimit të faqes – as më i mirë as më i keq se yni, thjesht tjetër. Faqe të tjera, sërish teknikisht të ngjashme me tonën, jo vetëm i kopjojnë materiale njëra-tjetrës, por edhe botojnë shumë pornografi, budallallëqe dhe josha për klikime, për të tërhequr me çdo kusht vizitorët; se, bie fjala, nuk ma merr mendja që Artur Zhejit te 360 gradë t’i bëhet vonë se “çfarë operacioni plastik do të bëjë këtë radhë Çiljeta”, ose që Andi Bushati të gjykojë se lexuesit të vet i duhet dhënë informacion “për fustanin e Xhensilës.” Sërish, gjithsekush e prezanton veten si të dëshirojë; por te Peizazhet këto gjëra nuk do t’i gjeni. Nuk e them këtë për të insinuar se, meqë po ofrojmë një shërbim, atëherë duhet edhe të paguhemi për këtë; por vetëm për të shpjeguar se mundësitë tona për të shlyer sado pak prej kostove të revistës nëpërmjet revistës vetë janë zero, pa dashamirësinë dhe bashkëpunimin e lexuesve. (Me dhjetëra herë gjithfarë mediash online, të pasura dhe të papasura, kanë marrë pa leje materiale prej nesh, por kurrë nuk janë kujtuar të japin një kontribut vullnetar, sado simbolik, për revistën). E gjithë kjo mbi baza krejt vullnetare, ose të një ekonomie të dhuratës jo të kontratës. Përndryshe, askush nuk ka pse të ndihet me faj pse nuk po paguan, sa kohë që dhuratat mbeten konfidenciale.
Urime ne kete 10- vjetor! Ikin shpejt vitet, aq sa ditet marrin tjeter rendesi.
Personalisht me ka terhequr me shume formati i vjeter i PTF, ushqente me shume debatin(mes tij edhe sherrin), i cili tani qe koha ka bere te veten, vende vende i ngjan rrenojave ku mund te ulesh syte e te mendosh. Rrenojat nuk i krijojme dot vete, vetem koha i krijon, ndaj edhe ndoshta kane vlere.
Ne shume raste, diskutimi ka qene partizan dhe ai duhet hedhur pas. Riformatimi grafik them se erdhi kur duhej per t’i dhene tjeter rol dhe peshe shkrimeve kryesore te autoreve, ndonese prape mendoj se komentimi do te duhej te ishte me cilesor. Mendimi im si lexues.
Meqe kam punuar ca kohe ne media mund te them dy fjale per financimin e faqeve online ne Shqiperi. Eshte e vertete qe shfletimi i tyre te vendos perpara thuajse te njejtave logo te kompanive, por kjo nuk do kuptuar si financim. Nuk di qe ndonje faqe te mbahet thjesht permes ketij mekanizmi, ato sigurisht i shtojne buxheteve para me shume, por ne finale, vija editoriale mbetet ne dore te gazetareve, ne rastet kur jane edhe administratore te mediave online, ose te pronareve, ne rastet kur keto media posedohen jo nga gazetare.
Kjo per te sqaruar ndoshta nje moment qe mund te coje ne mendimin se mediat financohen nga kompanite te cilave u evidentojne logot. Ka edhe nje aspekt te kesaj marredhenieje qe eshte e komplikuar dhe ndoshta specifike per Shqiperine, por kjo nuk ka ndonje vlere.
Nga ana tjeter, nuk mendoj se qendron krahasimi mes PTF dhe mediave shqip online. Te tjera synime, te tjera interesa qendrojne nga pas, te tjera objektiva, tjeter menu dhe pse jo edhe tjeter shqipe. Karakteri tematik i nje diskutimi, imponon nje tjeter qasje, cilesi argumentimi dhe gjuhe. E perditshmja si trajtim informativ i ngjan atij varferimit dhe degradimit te nje toke mbi te cilen nuk ndalet kazma.
Praktika e shkrimeve me pagese eshte e mire, por per kete kerkohet me pare nje sistem i shendetshem vleresimi. Fatkeqesisht kjo mungon aq sa ne Shqiperi termi me i pershtashem per kete eshte Refene. Se edhe klikimi ne fund refene eshte dhe refeneja paska qene gje e madhe.
Ne rastin e PTF, si reviste online me jete relativisht te gjate ne internetin shqip mendoj se mund te ishte i dobishem nje botim fizik, i perdyvjetshem ndoshta, me shkrime te zgjedhura, apo polemika dhe vendosja e nje tarife per leximin e arkives elektronike.
Urim me te plote e me te qarte se urimi qe i ka bere Eda Derhemi punes cilesore te studiuesit, gazetarit, shkrimtarit dhe analistit Ardian Vehbiu dhe blogut te tij PtF ne kete 10-vjetor, nuk mendoj se mund t’ia beje tjeterkush.
Zotin Vehbiu e njoha dhe e simpatizova qe ne fillimet e tij gati 40 vjet me pare, kur ai filloi punen ne Institutin e Gjuhesise dhe te Letersise duke shpalosur shpejt aftesite e tij te spikatura si studiues. Ai me dha kenaqesine qe te jep njohja me nje person te mireformuar dhe te talentuar.
Prej shkrimeve te tij perfiton gjithnje ne disa drejtime.
Pergezime dhe suksese te tjera pas ketij dhjetevjecari!