Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

LIBRA LIRSHËM LEXUAR

Edhe sivjet kam lexuar plot libra. Ja një listë e tyre, që gjithsesi nuk mëton të jetë shterruese:

– Geraldine Shields, Ecja e maces nëpër natë (titulli origjinal: Catwalk in the dark, përktheu nga anglishtja: Mimoza McAdams), roman, Sh. B. Rilindja (1996), fq. 385, blerë mijëvjeçarin e kaluar, s’më kujtohet mirë se ku;

– Venemin Kodra, Pesha e padukshme e reve, roman policesk, Sh. B. Nëntori (2014), fq. 188, marrë hua nga biblioteka e mikut tim A.V. (nuk ia ktheva më kurrë);

– Bleri Kondi, Rënoja të reja, tre poema, Sh. B. Naim Frashëri (1989), fq. 215, blerë nën plepin e parafundit të qoshes verilindore të bordurës te Parku Rinia;

– Ilion Spiro dhe Halit Nallbani, Roli i germës ‘ë’ në Lidhjen e Prizrenit, esé historike, Shtëpia e Librit Mësonjëtorja (2015), fq. 512, blerë në Shkodër, libraria Elidon;

Lirikat e gurit. Transkriptime nga muret e burgut 313, përgatiti dhe përzgjodhi Dominik Pali, antologji poetike, Sh. B. Kanuni i Lekës (2013), fq. 338, gjetur nën derën e apartamentit;

– Zenun Bishtuku, Ku je nënë? Ku je bashkëshorte? Antropologjia e mërkoshit, parathënia nga Halil Matraku, studim, Sh. B. Dija Enciklopedike (2012), fq. 702, blerë në Tiranë, tregu i trotuarëve (rilexim);

– Pende Zijai, Motive qendismash të vajzave partizane, pasthënia nga Trim Morina, studim historik, Sh. B. Bellovoda (2009), fq. 112 + 16 fotografi me ngjyra, blerë s’di se ku;

– Katuli, Poezia erotike, përktheu klasa e 3D e gjimnazit “Sami Frashëri” nën kujdesin e pedagoges Pranvera Marko, Sh. B. Pika pa sipërfaqe (2017), fq. 88, homazh nga botuesi;

– Guximtar Shkreli, Gjolet e turbullta të kujtesës, poezi, Sh. B. Fidani (2016), fq. 98, dhuratë me autograf nga autori;

– B. J. James, Nën peshën e dhimbjes (titulli origjinal: Shifting under), përktheu nga anglishtja Irida F. Beluli, redaktoi Fatmir Beluli, roman distopik, Sh. B. Koha (2002), fq. 1666, blerë në plazhin e Durrësit (lexim vertikal);

– Sefedin Beshaj, E bija e piratit, roman, Sh. B. e panjohur (viti i botimit: ?), fq. 420, e-book, shkarkim pirat;

– Haxhi Dede Alban Topalli, Ëndrrat e mia, studim fetaro-psikanalitik, Sh. B. Ardhmëria (2001), fq. 334, marrë te biblioteka e lagjes (lënë përgjysëm);

– Jaho Shemo Hito, Unë, Ana Bolena – vajzë vlonjate, roman historik, botuar në Amazon (2011), fq. 492, blerë në Amazon;

Fjalor i Filozofisë Shqiptare, përgatitur nga Artan Guga dhe Fatosh Pano, vëllimi III (dalë gabimisht përpara vëllimit I dhe II), Sh. B. Dija Enciklopedike (2008), fq. 927, blerë te Libri Universitar;

– Hasan (Kristo) Lëshenja, Vragshëm zbet loti ose Mallkimi i bushtrës, poezi të mërgimit, Sh. B. Shqiponja (2012), fq. 271, dhuratë nga e ëma e autorit;

– Leonard Kromi, Biznesi ynë në Tiranë: një histori suksesi, libër motivues, Sh. B. D&S (2015), fq. 375, shpërndarë falas te kioskat për kë blen gazetën Sporti Popullor (lexuar vetëm ballina);

– Omer Buda, Nga Toskëria në Toskanë: jetëshkrimi i një falltari, autobiografi, Sh. B. Besëlidhja (2017), fq. 357, blerë në librarinë Adrion (duke e lexuar, jam te faqja 112).

Po ju?


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading