Për publikun e sotëm në Shqipëri, filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” do të cilësoheshin si filma historikë – meqë i referohen një periudhe kohore që tashmë i përket historisë.
Kështu, një film si “Gjeneral Gramafoni” (regjia Viktor Gjika, skenari Vath Koreshi), ku rrëfehen ngjarje të ambientuara në Shqipërinë e viteve 1930, do të konsumohet sot si një film historik për atë periudhë historike specifike.
Çfarë lehtësisht mund t’i shpëtojë spektatorit të këtij filmi, sikurse edhe të shumë filmave të tjerë të Realizmit Socialist, është data ose më mirë periudha – edhe ajo tanimë historike – se kur është krijuar filmi; për “Gjeneral Gramafonin”, viti 1978.
Filma të tillë janë sot dyfish “historikë”: ngaqë i referohen një periudhe në të shkuarën dhe ngaqë i përkasin një periudhe në të shkuarën. Edhe pse shpesh nuk përfillet, dallimi mes këtyre dy raporteve ngre peshë jo vetëm për ta vendosur filmin në kontekstin e duhur, por edhe për ta interpretuar.
Viti 1978 ishte veçanërisht i lumtur për kinematografinë në Shqipëri – meqë atë vit u prodhuan dhe iu dhanë publikut dy filma nga më të realizuarit artistikisht të periudhës: “Gjeneral Gramafoni” dhe “Koncert në vitin 1936” (regjia Saimir Kumbaro, skenari nga Kiço Blushi dhe Dhimitër Shuteriqi).
Nëse të dy filmat kanë për subjekt fatin e muzikës dhe të publikut të saj në vitet e monarkisë, “Gjeneral Gramafoni” fokusohet në dramën e modernizimit dhe të komercializimit të artit popullor (folklorik); ndërsa “Koncert në vitin 1936” e përqendron vëmendjen në përplasjen mes orientalizmit dhe oksidentalizmit, si formë e përplasjes mes prapambetjes dhe përparimit, injorancës dhe kulturës.
Sot e kësaj dite, filmat funksionojnë si “dëshmi” ose “dritare” drejt konsumit kulturor në vitet 1930 (po e lë pa përmendur salcën “revolucionare” që duhej shtuar me zor në çdo film).
E megjithatë, për nga ethosi ose pozicionimi moral dhe ideologjik i autorëve, këto dy vepra flasin më shumë për kulturën shqiptare në fundvitet 1970, sesa për po këtë kulturë, por në periudhën e Monarkisë.
Viti 1978 në fakt, jo vetëm shënjoi formalizimin e “prishjes” së Shqipërisë me Kinën Popullore për arsye mirëfilli ideologjike dhe i konsakrimit të autarkisë ekonomike dhe kulturore të vendit, por edhe një vit kur shoqëria shqiptare ende po i vuante plagët e spastrimeve të mëdha në art, kulturë, ushtri dhe ekonomi, të viteve 1973-1976.
Veçanërisht në sferën e letërsisë dhe të artit, pas Plenumit IV të vitit 1973, izolimi dhe paranoja do të shfaqeshin me refuzimin pothuajse të plotë të komunikimit me kulturën bashkëkohore botërore, përfshi këtu edhe muzikën pop.
“Gjeneral Gramafoni” i bën jehonë pikërisht këtij izolimi, duke vënë ballë për ballë muzikën popullore shqiptare me shijet dhe interesat komerciale të projektuara nga Italia – ku ndikimi kulturor italian paraqitet jo vetëm si në thelb korruptues i vlerave artistike, por edhe si pararendës i pushtimit fashist.
Kështu, filmi dashur pa dashur ilustron tezat e Plenumit IV dhe vijën politike të luftës kundër “shfaqjeve dhe ndikimeve të huaja”, e cila kish shkaktuar ndërkohë shumë dhimbje dhe viktima në fushën e letërsisë dhe të arteve.
Paralelisht, atje muzika popullore ose “folklorike” siç quhej në atë kohë, paraqitet si mishërimi muzikor i popullit si kategori mistike (e mira), në kundërvënie me shtypësit, shfrytëzuesit dhe spekulatorët gjithfarësh (e keqja).
Spektatorit të sotëm, që ndoshta edhe nuk e njeh mirë historinë e viteve 1970 në Shqipëri ose nuk e mban sa duhet parasysh (dhe nuk ka pse), do t’i shpëtojë kjo marrëdhënie – përndryshe flagrante – e filmit “Gjeneral Gramafoni” me Plenumin IV, glorifikimin e folklorit si shfaqje të anti-intelektualizmit brutal të regjimit dhe ksenofobinë që po përpunonte prej vitesh regjimi Hoxha, i izoluar nga mbarë bota; në një kohë që imazhet e historisë, të përcjella nëpërmjet filmit, nuk do t’i shpëtojnë.
Edhe te “Koncert në vitin 1936” kundërvënia midis kulturës dhe injorancës, oksidentit dhe orientit, qytetit dhe fshatit – e mbarsur me rreziqe ideologjike të papritura – arrin ta kalojë lumin, duke e paraqitur muzikën e luajtur nga Donika (këngëtare) dhe Eleni (pianiste) si të përpunuar sipas vlerave autentike folklorike kombëtare; ndryshe nga muzika orientale e çengive, që vjen si kolonë zanore e monarkisë së Zogut, me të cilën një “turkoshak” lokal kërkon t’ua prishë koncertin dy artisteve.
Nëse “Gjeneral Gramafoni” ua mbyllte derën marrëdhënieve kulturore me Perëndimin përballë, “Koncert në vitin 1936” tregonte, me mënyrën e vet, se e ardhmja kulturore e Shqipërisë do të kalonte nëpërmjet shfrytëzimit “mineral” intensiv të vlerave kombëtare të cilat në fakt ekzistonin.
Nga ana tjetër, falë edhe këtyre dy produkteve artistike masive të profilit të lartë dhe të realizuara me mjeshtëri, viti 1978 konstituohet edhe si ai moment, në kalendarin totalitar, kur historia kulturore dhe veçanërisht muzikore e viteve 1930 mori formë të kristalizuar; në kuptimin që tash e tutje këta dy filma, krahas me produkte të tjera të ngjashme, do të shërbenin, efektivisht, si pika referimi për të kuptuar periudhën historike të Monarkisë, nëpërmjet imazheve të normalizuara të asaj periudhe.
Nëpërmjet këtij procesi sa të detyruar aq edhe rutinor normalizimi, nën kontrollin e rreptë ideologjik të ofiçinave propagandistike të regjimit, historia kulturore dhe veçanërisht muzikore e viteve 1930 do të kornizohej dhe narrativizohej sipas orientimeve dhe direktivave të Plenumit IV të vitit 1973.
E veçanta këtu është se kjo datë, sado publike dhe lehtësisht e kontrollueshme, nuk merret më parasysh nga publiku që i ndjek dhe i vlerëson këta dy filma; në kuptimin që ndërmjetësimi ideologjik totalitar, në prodhimin e imazheve historike përkatëse, qark-shkurtohet krejtësisht, në emër të vendosjes së një lidhjeje jo vetëm diegjetike, por edhe konjitive midis së tashmes – ta zëmë vitit 2017 – dhe periudhës së Monarkisë.
Çfarë do të thotë jo doemos se publiku i sotëm, që ende i konsumon këta filma, e percepton periudhën e Monarkisë sipas filtrave të përgatitur në kontekstin totalitar; por më shumë se publiku i sotëm, që periudhën e Monarkisë e njeh jo vetëm nga filmat e Kinostudios, por edhe nga burime të tjera (shkolla, librat e botuara pas 1990-ës, dokumentet e botuara rishtas, etj.) merr informacion me natyrë kontradiktore, i cili nuk e lejon që të vendosë një raport konsistent me të shkuarën.
Për këtë arsye, filmat me temë historike të Realizmit Socialist nuk i këqyrim dot edhe si referime ndaj periudhës historike për të cilën ata filma flasin, edhe si dokumente të periudhës historike në të cilën ata filma janë prodhuar; e shumta, ata do të na ilustrojnë mënyrën si kërkonte ta rrëfente dhe ta paraqiste historinë regjimi totalitar; e pakta, ata do të shërbejnë si dëshmi të kohës kur iu dhanë publikut. Asnjë lexim tjetër, dhe aq më pak i pafajshëm, nuk duket i përligjur.
Analize e shkjelqyer qe jo vetem i kishte munguar debatit te hapur se fundi mbi trashegimine filmike te komunizmit, por edhe ngre aty ku duhet nivelin e ketij debati qe shume shpejt ishte shndërruar ne aneks te luftes aktuale politike.
Të falënderoj shumë.
Asokohe , nje nga direktivat e Partise , ishte qe arti, letersia, kinematografia ,krahas temave te aktualitetit, te trajtonin tema historike me tingullim aktual.
Ne kete linje ishte Gjenerali ushtrise se vdekur e, sidomos, Keshtjella e Kadarese.Keshtjella e mesjetes ishte aludim per Shqiperine-keshtjelle e socializmit, ne kushtet e rrethimit imperialisto revizionist, packa se sot , sipas nje “leximi” , interpretohet si lufta mes konservatoreve (rrethusit) dhe liberaleve (te rrethuarit)!
E kaluara ,paveresisht nga regjimet dhe sistemet politike, pashmangesisht kqyret me lentet e se tashmes dhe ne sherbim te saj. Qasja objektive,asnjanese, eshte pothuaj e pamundur,perderisa vete trupa krijuese (skenarist/regjizor/kompozitor/kostumier etj.) nuk mund te dali pertej horizontit kulturor te kohes kur krijohet vepra filmike.Ne kushtet e komunizmit, ky horizont kulturor bazohej ne qasjen ideologjike historiciste, teleologjike dhe te luftes se klasave (forcat perparimtare vs forcat reaksionare, konservatore ).
Keshtu qe , gjurmet e kerkesave ideologjike dhe propagandistike, do te mbeteshin mbi celuloid.
Meqe konteksti dhe kerkesat ideologjike te kohes kur filmat jane xhiruar, ndermjetsohen terthorazi, interesante do te ishte se si i “shikon” dhe gjykon keto dy filma brezi i ri, 20-25 vjecaret dhe, a do ta gjenin te drejte apo falcifikuese qasjen ndaj mjedisit kulturor ne kohen e Monarkise (Filmi Koncert..).?
A ka nje pamje tjeter, alternative, ndryshe nga “trukimi” qe i behet realitetit te Monarkise nga ky film?
Dmth , perballja mes orientalizmi kulturor dhe oksidentalizmit, ishte nje realitet i atmosferes ne vitet 30′ apo kemi te bejme me nje falsifikim te realitetit nga regjimi komunist? Nje film qe do te luhej sot, si do ta paraqiste realitetin kulturor te Monarkise? Natyrisht duke e pare Mbretin si oksidental, rrethuar nga paria e iluminuar e kohes, me ballot luksoze ne pallat, dekretet per heqjen e ferexhese dhe ndalimin e rrahjes se kafsheve, promovues te simbolikave kombetare dhe nxites i depertimit te kultures italiane .
Pikerisht ne vitin 1936, Mbreti Zog promovoi nje qeveri me liberale e cila u mireprit nga qarqet kulturore te kohes Krist Maloki vuri gishtin ne plage me shkrimin e tij : Orient apo Oksident?
Kesisoj, filmi ne fjale, i referohet kesaj atmosfere ,edhe pse korrniza ideologjike i ka meshuar ideve mbi rolin e masave dhe intelektualeve me prirje demokratiko-revolucionare, si pararendes te ideve komuniste.
Kurse filmi Gjeneral gramafoni, sikurse thote me te drejte A.V, i pergjigjej me “gjuhen” historike, propagandes histerike te kohes dhe ilustrtron tezen e Plenumit te IV se “agresioni ideologjik i paraprin agresionit ushtarak”.
Edhe per kete film , natyrshem shtrohet pyetja: pertej trajtimit te nje teme historike sipas filtrave dhe nevojave ideologjike te kohes, shikuesi sotem (brezi ri) si e shikon? Ndoshta, pa rene ne ksenofobi dhe purist, tematiken e filmit e aktualizon me shqetsimet e sotme per mbrojtjen e kuktures kombetare perballe valeve te globalizmit rrafshues , tallavase , ciljetizimit, noizyzimit dhe gjithe debilave dhe debileve qe kane zaptuar skenat dhe ekranet.
Perlë estetike
me ne fund, kemi analizen e dy filmave nga me te miret, qe ne fund te fundit bejne po ate gje si edhe jo te miret, vecse me mire e me rrezikshem: propagandojne ne menyre shume te rafinuar dhe, si rrjedhim, shume me efikase, ne interes te regjimit. Me vinte keq qe analistet dhe artistet kapeshin me te ziun film dokumentar apo me filmat e dobet te realizmit socialist! E verteta eshte se edhe me i miri nder ta eshte fuqishem propagandues. Madje me fort! Kjo s’do te thote aspak, sido qofte, qe te hiqen nga qarkullimi apo te shfaqen me paralajmerim per shikuesit qe te vene maskat kundragaz. Eshte vec shkolla dhe edukimi qe e zgjidh kete. Ndoshta plot kurse fantastike mund te krijoheshin nga mesues te te gjitha niveleve per t’u dhene njerezve metoda e vegla analize.
Duke parë konsensusin që ekziston në lidhje me vlerat artistike të këtyre dy filmave si dhe analizën e Ardianit mund të lindë pyetja; A ka ndonjë lidhje midis Plenumit IV dhe cilësisë që këta filma shfaqin?
Në se analiza e Ardianit për rolin e këtij plenumi në art e kulturë në përgjithësi dhe në kinematografi në veçanti është e saktë mund të bëhen disa hipoteza “sherlokholmeske” në lidhje me relacionin plenum – cilësi filmike
a- frika, lufta për mbijetesë, instinkti i vetëruajtjes – fenomene të cilat u “majosën” nga Plenumi bënë që të gjithë të angazhuarit të jepnin më shumë se sa maksimumin duke rezultuar në vepra cilësore.
b- devotshmëria, dëshira për të bërë vullnetin e Plenumit, qartësia ideologjike dhe kulturore që erdhi si pasojë e Plenumit bënë që të gjithë të angazhuarit të jepnin më shumë se sa maksimumin duke rezultuar në vepra cilësore.
c- një përzierje e a dhe b
Ma do mendja që mund të ketë gjenden edhe opsione të tjera…
Do të ishte interesant të kishim ndonjë qasje “origjinale” nga vetë pjesëmarrësit në këto ndërmarrje kinematografike.
Faleminderit për shkrimin,
Iliri
Dhe megjithate ata dy filma kane shume me teper se sa percjellja ideollogjike e kohes (1978), kane skenen e viteve ’30, etnografine e viteve ’30, mentalitetin e asaj kohe, muziken e asaj kohe, (edhe kenget e Tefta Tashkos jane gati ne origjinalin e saj te viteve ’30), mbi te gjitha, ato filma percjellin dicka tipike shqiptare, qe te bejne per vete. Sterhollime pastaj mund te behen sa te doj cdo kush, por keto me mire duhen per veprat dokumentare dhe jo per krijimet artstike, (si keto dy filma), qe kane te bejne me ndjenjat.
Jam dakord për ndjenjën që përcjellin filmat dhe frymën “shqiptare” ose “popullore.” Por këto u përdorën nga propaganda, për synime ideologjike – prandaj sa më i mirë filmi, aq edhe më mirë do të përcillej ideologjia. Mua gërneta te “Gjeneral Gramafoni” më sjell lot në sy, sa herë e dëgjoj – por loti nuk ma vesh syrin e nuk më pengon ta shoh se ku godet filmi. Nëse e mban mend: në fillim të filmit, rrëfehet dënimi me varje i dy kryengritësve kundër Zogut – një akt që shërben edhe si çelës për tonalitetin elegjiak të filmit vetë. Por kush e shihte këtë film në vitin 1978, nuk mund të mos mendonte për pushkatimet, burgimet dhe spastrimet e mëdha të viteve 1973-1976; të cilat madje kishin goditur rëndë edhe zonën naftëmbajtëse në Myzeqe (“komplotistët dhe sabotatorët e naftës”). Në krahasim me ato që u bëri naftëtarëve Enveri, pushkatimet e Zogut e humbnin vlerën shokuese. Shikuesi i filmit sot këtë mbase nuk e di, nuk e ka përjetuar ose nuk e mban mend më – por është detyrë e shoqërisë dhe e kulturës që t’ia kujtojnë. Siç e tha edhe Eda Derhemi, me këta filma mund të ndërtosh një lëndë të plotë, për t’u mësuar nxënësve totalitarizmin dhe efektet e tij në shoqërinë shqiptare. Edhe “Zonja nga qyteti” i bënte spektatorët të buzëqeshnin; por nuk buzëqeshnin dot të gjithë ata të sapo-diplomuar, që i degdisnin atje ku hante pula gurë (dhe jo në Tushemisht!) pa i pyetur fare, madje ndonjëherë me kërcënim; dhe ashtu u iknin vitet më të bukura të jetës, duke këmbyer përshëndetje me dhitë. Edhe këngët e Tefta Tashkos meritojnë admirim – por si të mos të shkojë mendja te ç’i punoi Enveri vëllait të saj? E kështu me radhë.
Me duket se perseri i gjithe ky debat -padashur- ua heq ngjyrat etapave (sistemeve) te ndryshme, duke dashur ti lere bardh e zi. Te njejten gje u perpoq te bente ideollogjia e kaluar “socialiste” ndaj atyre te kaluara, por nuk e arriti, e te njejten gje po perpiqet te behet sot me ate qe sapo lame, (vete termi “totalitarizmi” nuk ben me shume), e prape nuk ka per t’ia arritur. E qarte qe filmi “Zonja nga qyteti” nuk i bente te gajaseshin aq shume ata qe shkonin (i dergonin) ne fshatra per te mesuar femijet, por ai vend analfabet nuk do kishte bere ato perparime ne arsim pa ato sakrifica dhe detyrime; e qarte qe i vellai i Tefta Tashkos, Koco Tashko e ka mbajtur me leke Enverin dhe levizjen N.-Cl. (sic na tregonte edhe vete drejtori i uzines tone Traktori, Pilo Peristeri,) dhe si shperblim Enveri e coi tek shpia pa qira e Burrelit (ne mos gaboj), por kjo s’do te thoshte qe vete Enveri mos ta lavderonte te motren per kulturen dhe kenget e saja; e qarte qe spastrimet ne naften e Fierit ne 1975-77 do mbuloheshin me kenge e valle ne sheshin e Fierit per cdo mbremje apo fund-jave, dhe fieraket nuk kenaqeshin aq shume sa ne te tjeret qe shkonim nga Tirana qe kenaqeshim duke degjuar keng e valle, sepse nuk dinim aq shume per arrestimet e bera atje, por ja qe ajo muzike mbeti dhe do vazhdoje te mbese, (ato arrestime ne zonat e naftes nuk duken me lidhje me dy filmat e mesiperm)! Pra, ai sistem-muti qe lame e qe ankoheshim per dite, nuk ishte ashtu bardh e zi, por kishte dhe ngjyra. Nuk mohohen shume fenomene negative, te cilat ne i kemi perjetuar, me pak apo me shume. Por mos ta kerkojme shkakun kryesor tek filmat!