Në lidhje me shkrimin tim të fundit për filmin shqiptar të Realizmit Socialist, pati ndonjë keqkuptim (besoj) që lidhej edhe me një tezë gjerësisht të qarkulluar në shtyp së voni, sipas së cilës ato filma “shtrembëronin realitetin”.
Tani, vetë vlerësimi klishé se ata filma “shtrembëronin realitetin” është i trashëguar nga periudha totalitare, kur një vepër arti gjykohej kryesisht sipas raportit që vendoste me “realitetin”; shqipja edhe këtu është treguar më besnike ndaj regjimit të shkuar sa përdoruesit e saj. Mirëpo të thuash se kjo apo ajo vepër arti, dhe veçanërisht ky apo ai film artistik “shtrembëron realitetin” dhe për këtë meriton të kritikohet, të stigmatizohet, të hidhet poshtë, të vihet me shpatulla për muri e kështu me radhë, do të thotë të parakuptosh se filmi artistik (po mjaftohem tash e tutje me këtë lloj arti) e ka për detyrë, në mos artistike të paktën etike, që ta përcjellë realitetin “ashtu siç është” (ose “ashtu siç ka qenë”); me fjalë të tjera, të ndjekë një estetikë në mos natyraliste, të paktën fotografike. Vetëm në këtë kontekst mund të qortohet një film se “ka shtrembëruar realitetin”!
E megjithatë, sikurse mund ta pranojmë të gjithë po të reflektojmë sadopak, marrëdhëniet e filmit me realitetin jashtëfilmik (ose botën e populluar nga spektatorët e filmit) janë shumë më të ndërlikuara se kaq; dhe se filmi jo vetëm që përfton realitetin e vet duke “e tërhequr” atje spektatorin; por edhe ai vetë, si film, bëhet pjesë e realitetit, duke e ndryshuar atë në atë masë që ndiqet nga publiku; dhe më në fund, filmi si i tillë nuk ka asnjë farë detyrimi, as estetik as etik, që të pasqyrojë realitetin ashtu siç e kuptojmë dhe e njohim ne spektatorët, jashtë marrëdhënieve me filmin.
Në periudhën totalitare, kritika se një vepër arti “shtrembëronte realitetin” i paraprinte linçimit simbolik dhe ndonjëherë edhe asgjësimit real të veprës dhe jo rrallë edhe të vetë autorit; dhe në atë kohë të thoje për një vepër se “shtrembëronte realitetin” kjo donte të thoshte se vepra nuk i përgjigjej vizionit zyrtar të propagandës totalitare, për këtë realitet, marrëdhëniet njerëzore, politikën, historinë e kështu me radhë; ose nuk i përgjigjej atij “realiteti” të sajuar dhe iluziv, që regjimi kërkonte të nguliste në mendjet e qytetarëve të vet.
Prandaj, filmat e periudhës totalitare nuk mund të qortohen aq se “shtrembërojnë realitetin” sesa që pretendojnë “të pasqyrojnë realitetin” (ja një klishé tjetër e kohës); pra, të maskuar pas fotografizmit, natyralizmit, metodës së tipizimit, etnografizmit dhe marifeteve të tjera të mirënjohura, synonin që t’i jepnin publikut një imazh kinse “real”, por në fakt të manipuluar deri në detajet, të filtruar nga gjithfarë komisionesh dhe kriteresh ideo-politike dhe të normalizuar sipas vijës së PPSh në lëmin e propagandës dhe të edukimit komunist “të masave punonjëse.”
Ironikisht, në vitet e regjimit totalitar, kritika për “shtrembërim realiteti” u bëhej atyre veprave – filma, romane, drama, piktura – në të cilat autorët bënin ndonjë përpjekje, sado të ndrojtur dhe të kompensuar, për të qenë së paku të sinqertë me veten dhe për ta thyer disiplinën pedagogjike të realizmit socialist, duke futur në vepra linja problematike, personazhe në konflikt me veten dhe me shoqërinë dhe narrativa që nuk përputheshin me skemat e metodës; me fjalë të tjera, atëherë kur autorët përpiqeshin të ishin realistë dhe t’i shmangeshin iluzionit.
Çfarë nuk e bën më pak artificial, formulaik dhe didaktik “realitetin” e përcjellë nga filmat që i shfaqeshin publikut, dhe që hynte në konflikt me perceptimet dhe përjetimet ende të pakorruptuara të paktën të një pjese të spektatorëve; duke u munduar që t’u mbivendosej.
Kjo historia e tanishme me filmat (e ndoshta edhe me të tjera gjëra) i ngjan punës së asaj gruas shterpë. E treta në radhë, ngaqë s’pillte dot vetë e i duhej të merrej tërë kohës me fëmijët e së dytës, në kokë i rrihte çekan mendimi si e si t’i hiqte qafe. Ngaqë s’donte të dukej shtrigë, thoshte lart e poshtë se s’ka gjë me fëmijët, se ata të së parës ishin të mirë. Këta “të mirët” e së parës, pasi ishin keqtrajtuar sa mundur nga gruaja e dytë, me t’u rritur pak ia kishin mbathur nga shtëpia e kishin krijuar jetën e tyre, duke lënë nëpër këmbë vetëm pjellat e së dytës, të parritur mirë ende. Këtyre u është qepur tani e treta, shterpa. Ndërsa burri, i lodhur nga puna e hallet, njësoj si shoqëria shqiptare, e mpirë që kur s’mbahet më mend, në vend që të merret me problemet e shtëpisë, të gjejë zgjidhje e t’u japë drejtim, nanuris idenë e një gruaje të katërt. Apo republike të katërt, si po thuhet lart e poshtë. Me iluzionin se ndoshta ajo do t’i pjellë ndonjë gjë për të qenë. Gjer të vijë koha e të përsëritet historia, ajo e panxëna kurrë.
E forte kjo! Shkonte dhe shkon gjithmone me njeriun!