Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

POLITIKË NË SHUMËS

Kap një qytetar çfarëdo në rrugë dhe pyete se kush janë Edi Rama, Salë Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Bujar Nishani, Ben Blushi, Jozefina Topalli, Lul Basha… Gjasat janë që t’i njohë mirë, madje të shkoqitë edhe raportet e kundërtisë mes tyre, e jo rrallë edhe batutat që kanë lëshuar live. Për këtë, shqiptarët i detyrohen mediave, dhe veçanërisht televizionit.

Por vazhdojeni këtë anketë, dhe pyeteni qytetarin se për çfarë përplasen këta njerëz kaq shumë – çfarë i ndan mes tyre dhe çfarë i bashkon. Do të merrni si përgjigje, besoj, se Rama kërkon të fitojë zgjedhjet dhe të bëhet sërish kryeministër, se Ilir Meta kërkon të konsolidohet e të sofistikohet në rolin e vet si king maker, se Lul Basha kërkon të rrëzojë Ramën dhe Sala kërkon t’i rrëzojë të gjithë dhe kështu me radhë; me fjalë të tjera, do të merrni të njëjtën përgjigje si edhe herën e parë, kur pyetët se cilët janë këta personazhe.

Atëherë mund të doni ta korrigjoni pyetjen tuaj dhe t’i kërkoni viktimës të shpjegojë se ku dallojnë mes tyre partitë politike në Tiranë, çfarë i ka armiqësuar kaq shumë mes tyre, çfarë programesh kaq të kundërta dhe të papajtueshme kërkojnë të realizojnë, interesat e cilave shtresa mbrojnë e kështu me radhë. Gjasat janë që ky tipi të ngrejë supet dhe të thotë që programi i PS-së sot është që Rama të zgjidhet kryeministër sërish, ndërsa programi i PD-së është që Rama të rrëzohet dhe t’ia zërë vendin Basha.

Në fakt, edhe unë besoj se, përtej retorikës, zbukurimeve, ëndrrave në diell dhe gënjeshtrave, palët politike në Tiranë nuk luftojnë mes tyre pse kanë ide dhe synime të kundërta a të papajtueshme, por – sado paradoksale të tingëllojë kjo – luftojnë mes tyre sepse kanë ide dhe synime praktikisht të njëjta: nxitja e investimeve të huaja, stabilizimi i ekonomisë, stabilizimi i lëvizjeve të popullsisë, vënia nën kontroll e territoreve ku kultivohet droga, forcimi i lidhjeve me NATO-n, me BE-në dhe me SHBA-të, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët, e kështu me radhë. Në masë të madhe, këto synime vijnë të paketuara nga jashtë, në të njëjtat zarfe me çeqet e ndihmave, granteve, huave, financimeve dhe letrave mbështetëse.

Sikurse besoj edhe se, po të qëllojë që PS-ja t’i humbë zgjedhjet dhe vendin e Ramës ta zërë Basha ose Meta, pakçka do të ndryshojë në jetën e qytetarëve – me përjashtim të ndërrimit të aktorëve në rolet kryesore në skenë dhe të kanaleve të qarkullimit të parasë së nëndheshme.

Kur e pyetën Mussolini-n e hershëm se cili ishte programi politik i Partisë së tij u përgjigj: të marrim pushtetin. Kjo batutë nuk kërkon të provojë se politikanët e sotëm në Tiranë janë fashistë, por vetëm që një politikë e zhveshur nga idetë nuk mund të jetë veçse fashiste, ose e interesuar për pushtetin e kulluar, përtej planeve dhe programeve se ç’do të bëjë me këtë pushtet pasi ta ketë marrë.

Nuk është e thënë të jetë kështu; dhe nuk ka qenë gjithnjë kështu – mjaft të kthehesh mbrapa, në fillimvitet 1990, për të parë se PS-ja dhe PD-ja e atyre kohëve kishin programe mirëfilli të ndryshme, sa në lidhje me reformat ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore e kështu me radhë. Vendi aso kohe ishte në kaos, por vijat politike shquheshin më mirë, krahas protagonistëve që u kërkonin qytetarëve besimin.

Sot politika në Tiranë është varfëruar – dhe palëve, në thelb partive, nuk u ka mbetur të luftojnë mes tyre, përveçse për të shkatërruar njëra-tjetrën, nëpërmjet denoncimit, zbërthimit biografik, diskreditimit dhe deligjitimimit të liderëve përkatës. Në këtë agora të dominuar nga urrejtja – sado e shtirur, sado e stilizuar, sado manieriste – qytetarët e kanë të vështirë të vazhdojnë t’i besojnë këtij apo atij politikani, prandaj motivohen edhe ata nga instinktet primordiale, tropizmat, origjina, krahina gjeografike dhe karakteristika të tjera identitare të dorës së dytë; në një kohë që “ata atje lart” vazhdojnë duelet e koduara për Sorosin, hashashin, vetting-un, hackerat rusë, bllokmenët, bllokqenët dhe enverizmin.

Në një vend ku bëhet politikë normale do të priteshin kundërvënie, përplasje dhe konflikte në lidhje me, bie fjala, nevojën për të vendosur barriera doganore, ose dëmet e projekteve energjetike në mjedis, ose përparësitë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose statusi i arsimit të lartë privat, ose strategjitë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndalimin e hemorragjisë së emigracionit. Kundërvënie të tilla nuk është se mungojnë – çfarë mungon, është kristalizimi rreth tyre i programeve dhe projekteve politike të ndryshme mes tyre, në objektiva, në strategji dhe në instrumente.

Po të vazhdojmë kështu, së shpejti do t’i vijë radha për të votuar një brezi që nuk do ta dijë se partitë politike hyjnë në zgjedhje nëpërmjet programeve dhe vetëm më pas, nëpërmjet kandidatëve që do t’i zbatojnë ato programe; një brezi që do të kujtojë se vota që jep është thjesht kusht i një premtimi për një vend pune ose favor tjetër; dhe se partitë politike janë thjesht organizata në shërbim të liderëve përkatës dhe vullnetit të tyre për të marrë, për të mbajtur ose për të mos e lëshuar pushtetin.

1 Koment

  1. Kjo kohe dhe ky brez ekziston nderkohe sot, ku fjala “program” vetvetiu konfondohet me fjalen “marrje pushteti”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin