Studentët aktivistë të cilët qëlluan kryeministrin Rama me vezë, janë dënuar nga Gjykata Penale me dy muaj burg për secilin (dënim i konvertuar në 60 orë pune të detyruar në komunitet). Ata gjithashtu janë të detyruar të paguajnë edhe shpenzimet e këtij gjyqi. Sipas nenit 237 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë[1], akuzat ndaj studentëve janë legjitime. Megjithatë, vendimi për dënimin e tyre është i diskutueshëm si në rrafshin ligjor ashtu dhe në atë politik.
Së pari, pala akuzuese dëshmohet të jetë trajtuar në mënyrë të favorizuar dhe në kundërshtim me ligjin brenda sallës së gjyqit. Kryeministri Rama i cili ishte subjekt kryesor për zhvillimin e këtij procesi pas ngritjes së akuzës, nuk rezulton të jetë paraqitur në asnjë nga seancat gjyqësore për të dëshmuar.
Së dyti, katër prej dëshmive të akuzës (nga efektivë të policisë së rendit) janë nënshkruar njëlloj.
Së treti, akti i studentëve është reduktuar në një rast të izoluar vulgariteti kur në fakt ajo ishte sjellja e fundit e mbetur për të tërhequr vëmendjen e organeve të pushtetit. Reagimi i aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin erdhi si pasojë e shpërfilljes së kërkesave të tyre ndaj reformës së arsimit të lartë, pas një periudhe dy vjeҫare protestash sistematike paqësore dhe ftesave për diskutim drejtuar kryeministrit të vendit dhe ministres së arsimit. Midis palëve jo vetëm që nuk pati kurrë bisedime por çdo tentativë e studentëve për komunikim është shoqëruar me indiferentizëm ose me kërcënime dhe dhunë në dhomat e paraburgimit të komisariatit nr.2 në Tiranë.
Së katërti, studentët i janë nënshtruar një kontrolli të paautorizuar të banesave nga forcat e policisë dhe sipas një akt-ekspertize, mbi disa prej tyre është ushtruar dhunë në ato ҫaste. Asnjëri prej këtyre fakteve nuk është marrë parasysh në gjyq.
Në ҫ’rrethana u godit kryeministri me vezë?
Më 2 nëntor të vitit 2015, kryeministri Rama vendosi të zhvillonte një takim mbi klimën e biznesit në Shqipëri në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, çka prej studentëve të cilët prej mbi dy vjetësh protestonin kundër rritjes së tarifave arsimore dhe shndërrimit të universitetit në oaz biznesi, u pa si sjellje arrogante dhe fyese që po ndodhte nën çatinë e tyre. Goditja me vezë ishte një organizim i menjëhershëm dhe i paplanifikuar.
Ҫfarë është neni 237 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë?
Neni 237
Goditjet për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Në një shkrim të publikuar në datën 26 nëntor 2016 në portalin Exit.al, publicisti dhe analisti Vincent van Gerven Oei, në konsultim me Dorian Matlinë, drejtorin e qendrës jofitimprurëse për ndihmë ligjore ResPublica, paraqet historikun e nenit 237 në Shqipëri[2]. Në shkrimin e tij, Vincent informon sesi neni 237 ka qenë i përfshirë edhe në Kodin Penal të regjimit totalitar në vitin 1977, në Kreun 8 “Krime kundër autoritetit të shtetit,” neni 119. Sipas Vincent, neni 237 është mbetje e sistemit totalitar shqiptar kur zyrtarët shtetërorë ishin të mbrojtur më mirë se sa njerëzit e zakonshëm. Me një fjalë, ky është një ligj që ndërsa supozohet të garantojë mbrojtje për njërën palë, përdoret qëllimisht për të goditur palën tjetër, këtu palën më të dobët, në rastin konkret studentët.
A mund ta konsiderojmë gjyqin ndaj studentëve politik?
Ky gjyq pasqyron qartë raportin e forcave në një vend të korruptuar si Shqipëria. Në peshoren e kapitalit ekonomik dhe politik, në një rast konflikti me përmasa gjyqësore, premisat janë që e drejta t’i garantohet palës më të fuqishme, jo palës që mund të ketë realisht të drejtë apo e cila zotëron të vërtetën dhe argumentet në favor të kësaj të fundit. Në kushte të këtilla, realiteti shndërrohet në monopol të më të fortit. Faktet zhvlerësohen haptazi, ato përҫudnohen, përqeshen dhe për pasojë, tjetërsohen. Gjyqe të këtilla kanë sidomos natyrë morale: duke i telendisur të akuzuarit, duke i paraqitur ata si persona pa integritet, infantilë; duke shfrytëzuar hapësirat e favorshme ligjore për të forcuar bindjen e publikut, punohet për zhvlerësimin jo vetëm personal të këtyre personave por sidomos të asaj që ato përfaqësojnë – pavarësisë politike dhe kërkimit të të drejtave si qytetarë.
Dhe në fund por jo për nga rëndësia, ekzekutimi i ligjit në shtetin tonë nuk i trajton qytetarët si të barabartë. Një gjykatë e cila nuk njeh vrasjet, vjedhjet, korrupsionin dhe thyerjen në tërësi të ligjit në nivelet më të larta të institucioneve shtetërore, është e paaftë ose e korruptuar. Ky gjyq duhet të shërbejë si një mësim i rëndësishëm për studentët dhe Lëvizjen. Ai është një leksion që nxit të rimendohet natyra e protestës si aktivitet politik në dakordësi me ligjin (deri në ndryshimin e këtij të fundit). Fundja, luftimi i sistemit rezulton të jetë më efektiv nëse përdoren me inteligjencë, durim dhe gjakftohtësi mjetet që ai vetë ofron.
[1] Kreu VIII: Krime Kundër Autoritetit Të Shtetit, Seksioni I Vepra Penale Kundër Veprimtarisë Shtetërore Të Kryera Nga Shtetasit, Neni 237. http://www.pp.gov.al/web/kodi_penal_2016_1033.pdf
Gresa, unë kam pasur gjithnjë një mendim tjetër për këtë çështje.
Dhe gjithë pa e vënë në diskutim faktin që kushdo që godet fizikisht dikë tjetër duhet dënuar me ligj; dhe faktin tjetër që personat që u ekspozohen këtyre goditjeve qoftë edhe simbolike duhen mbrojtur me përparësi nga ligji.
Bindja ime është se është në interes të studentëve ose të kujtdo tjetër që kryen akte të tilla proteste ose dhune simbolike, që të ndëshkohet njëfarësoj; sepse këto janë akte transgresive dhe ndëshkimi tregon se edhe pushteti i NJEH si të tilla dhe, duke reaguar, dëshmon se ato e kanë arritur synimin njëfarësoj.
Përkundrazi, do të ishte në interes të pushtetit, në mos edhe të palës së lënduar (kryeministrit në këtë rast) që ta shpërfillte çështjen penale ose të kërkonte një ndëshkim simbolik (p.sh. 1 lek) nga studentët, për t’u treguar se nuk tutet nga akte të tilla.
Prandaj i humburi në këtë mes del pushteti.
Studentët do të vuajnë dënimin natyrisht – me të dy kuptimet e foljes “vuaj”. Por besoj se goditësit e dinin këtë, kur vendosën të veprojnë. Përkundrazi, në qoftë se u vunë të godasin kreun e ekzekutivit në publik, me bindjen se nuk do t’u prekej as qimja, atëherë gjesti i tyre do të ishte fyl dhe nuk do të meritonte as vëmendje as respekt.
Sfida e tyre ndaj pushtetit ose e parakupton mundësinë e ndëshkimit sipas ligjit në fuqi, ose nuk është sfidë ndaj pushtetit, por një akt rrugaçërie çfarëdo.
Përndryshe, statusin e aktit e vendos ligji; duke i dënuar, gjykata u rreshtua në fakt me studentët.
Ardian, komenti yt më solli në kujtesë një shkrim të mëhershëm timin mbi të njëjtën çështje. Bëhet fjalë për rastin e spërkatjes së Ministres së Arsimit me salcë.
Kam shkruajtur asokohe: “Protestuesit nga ana tjetër nuk mund të pretendojnë të dalin mbi ligjin. Në rastin kur vendoset të thyhet ligji për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve, s’mund të anashkalohen pasojat që e shoqërojnë një veprim të tillë. Konfrontimi fizik është vepër penale dhe e dënueshme. Nuk mund të kryesh një vepër penale me ndërgjegjje të plotë dhe të pretendosh t’i ikësh dënimit apo ta zhbësh ligjin, vetëm pse mendon se kauza jote është e drejtë. Ligji në Shqipëri nuk funksionon në mënyrë të njëllojtë për të gjithë: ky është fakt. Sistemi është i korruptuar dhe i ngërthyer nga pushteti, çfarë do të thotë se vetëm duke i mëshuar ligjit, pushteti mund t’ia hedhë paq (siç edhe ka rezultuar). A është e drejtë kjo? Jo, nuk është.”
Shkrimin po e ndaj këtu meqë besoj se i vlen diskutimit të mësipërm: https://peizazhe.com/2016/11/19/medalja-ka-gjithmone-dy-ane/
Ndërkohë, jam dakord me ty dhe vazhdoj t’i qëndroj mendimit të mëparshëm timit mbi pasojat që e shoqërojnë aktin e dhunës ndaj dikujt (sidomos ndaj një autoriteti të lartë shtetëror), pak rëndësi ka mjeti i përdorur (vezë apo diçka më e rëndë). Megjithatë ligji nuk i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë. Studentët ashtu si shumëkush tjetër janë në dijeni të këtij fakti. Prandaj besoj që ky rast duhet parë si një mësim i mirë prej studentëve për të rikonceptuar natyrën e protestës si një aktivitet politik të ligjshëm, nëse ajo se çfarë duan vërtetë është të zgjidhin problemet e tyre.
Vendimi i Gjykatës Penale mund të kritikohet apo të diskutohet për mënyrën sesi është respektuar dhe ekzekutuar ligji brenda sallës ku është zhvilluar gjyqi por jo mbi natyrën e ligjshmërisë së këtij vendimi (sipas Kodit Penal, goditjet për shkak të detyrës dënohen). Pra,a ka qenë procesi gjyqësor i ligjshëm dhe i rregullt? Si është proceduar në sallën e gjyqit dhe si është arritur në këtë vendim?
Për sa i përket nenit 237 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë: mos vallë duhet rishikuar ky nen duke specifikuar konkretisht llojin e dënimit ndaj llojit të sulmit (për shembull, dikush që godet me vezë apo spërkat me salcë mund të dënohet njëlloj si dikush që godet me armë?) apo fundja rëndësi duhet të mbartë akti dhe jo mjeti apo forma e goditjes (nga ky aspekt ligji më tingëllon të jetë korrekt – rëndësi ka akti në vetvete, jo forma e tij). Mos nuk është problemi domosdoshmërisht me kopsitjen e ligjit (më sipër unë e kam ngritur në pikëpyetje atë) por thjesht me mënyrën e ushtrimit të ligjit në tërësi në Shqipëri (dhe këtu se kam fjalën vetëm për rastin e vezëve apo nenin 237 por në mungesën e të trajtuarit të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë përpara ligjit).
Paranoja apo frika që ka shkaktuar tek ne mosrespektimi i ligjit në Shqipëri, ka bërë që të jemi menjëherë dyshues ndaj çdo vendimi apo deri edhe ligji (edhe kur këta mund të jenë të saktë). Problemin nuk e paskemi me ligjin teorikisht atëherë por me të shfrytëzuarit e tij për të arritur qëllimet tona.