Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë

EKSTREMISTË DHE TË MODERUAR

U duk sikur debatet, kundërvëniet, shkëmbimet, polemikat që shoqëruan përpjekjet e tanishme për një vlerësim të trashëgimisë letrare (dhe politike) të Dritëro Agollit edhe një herë u orientuan sipas aksit “komunistë” nga njëra anë, “anti-komunistë” nga ana tjetër, i cili gjithnjë ka shoqëruar konfliktin politik në Shqipëri pas vitit 1990. U duk edhe sikur “antikomunistët” më shumë se e vlerësuan Agollin, e përdorën atë si tabelë qitjeje për mëkatet e regjimit totalitar; në një kohë që “komunistët” mbrojtën tek Agolli edhe parime, qëndrime dhe opinione që ai vetë i kish mohuar ose braktisur më vonë. Natyrisht, në jetën politike dhe kulturore të Shqipërisë nuk ka as komunistë as antikomunistë, por ka njerëz që identifikohen ende me klasën që ishte në pushtet para 1990-ës, dhe të tjerë njerëz që mendojnë se të parët e kanë humbur tashmë të drejtën morale për pushtet, pasi janë “përmbysur” – përtej klaneve, pra, gjen vetëm poza dhe pozicionime, por jo bindje ideologjike dhe aq më pak pasione pozitive. I parë kështu, konflikti i ngjan një gërricjeje midis dy katundeve, për vijën e ujit – luftë që jo vetëm nuk shpie asgjëkundi, por edhe që vetë katundet duan ta mbajnë gjallë, sepse reciprokisht u lejon të ruajnë dhe të riprodhojnë identitetet dhe hierarkitë e brendshme. Përndryshe, gjithë zallahia dhe rrahjet e gjoksit dhe viktimizimet dhe akuzat dhe evokimet e së shkuarës dhe përbetimet në fakt mbulojnë një tjetër konflikt themelor, që ecën paralelisht me të parin, por që është më substancial dhe nuk lidhet aq me identitetet, sa me karakteret e protagonistëve: konflikti mes ekstremistëve dhe të moderuarve, të cilët mund të luftojnë mes tyre brenda palëve të ndryshme në konfliktin tjetër, por edhe brenda një pale të vetme. Pa dashur që të tingëlloj edhe unë i tillë në përkufizimin tim, po them se ekstremistët duan ta fitojnë luftën duke e shfarosur kundërshtarin, ndërsa të moderuarit, kur luftojnë, e bëjnë këtë me qëllim që ekuilibrin e vjetër ta zëvendësojnë me një ekuilibër të ri. Për fatin tonë të keq, si shoqëri ku politika ka humbur kontaktet me intelektin, moralin dhe vetëdijen e përgjegjësisë publike, të moderuarit përgjithësisht nuk kanë shans të dalin të fituar përballë ekstremistëve, pa çka se këta të fundit janë më të zotët për të shkatërruar, se për të ndërtuar. Veç kësaj, ekstremistët e të gjitha ngjyrave motivohen dhe energjizohen jo aq nga nevoja për t’i përmirësuar gjërat dhe për t’u gjetur zgjidhje probleve, sa nga dëshira për të ilustruar, me gjithçka që bëjnë, drejtësinë e ideologjisë a të mitologjisë që i frymëzon; veprimet dhe pozicionimet e tyre janë gjithnjë ekzemplare, çfarë edhe shpjegon pse nuk ndërrojnë kurrë mendim. Kjo u ndodh edhe ngaqë, për ta thënë me Sartre-in, kanë kaq pak ide në kokë, sa janë skllevër të tyre. Dhe këtu nuk e kam fjalën aq për militantët e rëndomtë, që 24 orë në ditë merren me mirëmbajtjen dhe riprodhimin e dikotomisë politike totale, prej së cilës Shqipërisë dhe qytetarëve të saj nuk e vjen asnjë e mirë; sa ç’e kam për njerëz prej të cilëve pritej të dilnin nga llogoret dhe ta kuptonin se për shumë prej nesh të tjerëve lufta tashmë ka mbaruar. Përndryshe, nuk mund të pritet prej këtyre zelltarëve që të çojnë përpara ndonjë diskurs mirëfilli kulturor dhe të ndërtojnë mbi arritjet e para-ardhësve të tyre, qoftë edhe bashkëkohësve të tyre; sepse qëllimi i tyre sa madhor aq edhe suprem është thjesht ta mbajnë konfliktin të gjallë – pikërisht atë konflikt që i përfton si palë dhe që u jep arsye për t’u organizuar dhe për të vepruar.

4 Komente

  1. Shkëmbimet e polemikat që përmendni, kanë ndodhur pse – ashtu si edhe ju – një pjesë ka dashur, si kovaçi, ta rrahë hekurin në të nxehtë. Se ajo lloj pune ashtu bëhet më lehtë e shkon më mbroth për kovaçin. Veç njerëzit s’janë hekur. E në të nxehtë vetëm emocionet do të shpërfaqen me tepri, ato emocione që kanë qenë aty e janë krijuar për shkaqe nga më të ndryshmet, shpesh krejt pa lidhje me subjektin e diskutimit, por që janë lidhur me të për një arsye a një tjetër, siç ndodh në ato proceset e errëta të mendjes. Kanë qenë aty e s’është dashur tjetër veç një e kruar, sa për t’u hequr pak zmërçin që u kish veshur koha, për të shndritur në sipërfaqe. Ndryshe nga emocionet, idetë duan pak kohë të kthjellohen, dhe duan mendje të ftohta që t’i pjellin. Jo më kot qarkullon ajo shprehja: për të vdekurin o fol mirë, o mos fol fare. Se vdekjet në Ballkan s’janë si ato dasmat në Perëndim, ku para se t’u japë lejën e mirë të interesuarve, prifti u drejtohet njerëzve të tjerë: kush ka gjë për të thënë, ta thotë tani o të heshtë përgjithmonë. Këtej jeta gjaknxehtë prej ballkanasish i ka mësuar njerëzit se është më mirë t’i lesh nja 40 ditë rehat të ikurit asaj ane, ata të zënë vend mirë në varr e të mbeturit kësaj ane të zënë vend mirë në postiqe. Kohë për të folur ka më vonë, me bollëk. Me mendje më të kthjelluar. Në rast se dëshira është të tregtohen ide e jo ndonjë gjë tjetër.

  2. Giovanni Giolitti mbizoteroi per 20 vjet ne Italine e fillimshek XX me teorine e rrobaqepesit.
    Sipas tij Italia ishte si nje gungaç dhe gungaçit e vetmja gje qe mund t’i behet eshte t’i priten rrobat duke marre parasysh gungen, eshte e kote te perpiqesh ta fusesh ne rroba normale apo t’i rregullosh gungen. Keshtu, sipas tij ai ishte rrobaqepesi i Italise gungaçe, prandaj edhe mbizoteroi ne skene per 20 vjet.
    Giolitti ishte nga ata qe mund te quhet pa frike i moderuar.

    Ne kete kuptim edhe politikanet tane jane te moderuar, madje edhe populli eshte i moderuar. Populli eshte aq i moderuar sa s’ka ku te veje me, popujt e Europes kane shume me teper se ne dhe jane shume me agresive me klasat e tyre politike sesa ne, çdo lloj ngjyre politike.

    Agolli eshte thjesht simbol i historike politike. Politika jone eshte tashme vetem histori e politikes; perballja politike nuk ka me karburant, ka vdekur me kohe, qeverisja e Rames e varrosi. Populli ka nevoje per politike, prandaj rri rreshtuar tek identiteti historik. Mungon ushqimi politik dhe populli behet anemik, por jane politikanet bashke me mediat qe stisin konflikte, pompojne ca gjak tek anemiku. Sikur te ishim ne epoken e radios apo me heret nuk do te kishte asnje nga keto partite.

    Jane te gjithe rrobaqepes te Shqiperise gungaçe nga ato ane, pari e popull, jane teper te moderuar, edhe ne 21 Janar palet shkuan ne ekstrem por ishin te gjithe rrobaqepes te irrituar, edhe te moderuarit i lejohet te irritohet.Neser rrobaqepesit e gunges perballen prape, te shohim nese do jene te irrituar apo do thjesht do te rrisin nivelin e azotit ne qendren e Tiranes ( nga wiki ita : L’essere umano rilascia mediamente da 0,5 a 1,5 litri di gas al giorno suddivisi in 11-25 flatulenze circa. ) .

    1. Kam frikë se kur thua, Hyllin, që “politikanët tanë janë të moderuar, madje edhe populli është i moderuar”, ti nuk merr parasysh një gjë tjetër: që për të qenë në gjendje t’i realizosh synimet e tua, nuk mjafton që këto të jenë ekstreme: duhet të jesh edhe i zoti, i aftë, të kesh kapacitet për t’i çuar gjërat deri në fund, duke i planifikuar mirë dhe duke e organizuar punën si duhet; por duke u mbështetur edhe në premtimet që të janë bërë, në besnikërinë e aleatëve dhe në gatishmërinë e ndjekësve për t’u sakrifikuar për ty. Politikanëve tanë kjo zotësi – si kombinim i IQ-së me forcën e karakterit dhe pasionin por edhe virtytin – u mungon; kanë idera, por nuk i realizojnë dot, sepse janë të pazotët. “Populli”, nga ana tjetër, nuk është i moderuar por indiferent, sepse ende nuk e kupton si mund të marrë pjesë në politikë; por po të pyesësh njerëzit në rrugë, shumica do të thonë “varini në litar”. Dhe të gjitha këto pa filluar akoma të flasim për besimin tek tjetri, që është në themel të çdo lëvizjeje politike radikale.

      1. Jam dakort ne shume aspekte, por nuk kuptoj vleren e te moderuarve brenda kampeve ekzistuese. Keto parti mund te ekzistojne tashme vetem brenda nje perplasjeje verbale, si puna e shume kengetareve rap e hip-hop, qe po nuk shane njeri-tjetrin neper kenge nuk arrijne dot te jene ne treg. Rama me Berishen jane si Noizy me Cozman.
        Vlera e te moderuarve mund te jete qe bejne te mundur shperberjen e ketyre partive, sepse parti te tilla pa kurrfare substance politike, dalin nga tregu nese nuk shahen dhe nuk i mbushin mendjen te veteve se sharjet i kane seriozisht. Dmth jam dakort kur thua se qellimi i ekstremisteve eshte te mbajne konfliktin gjalle e te organizohen, por nuk e kuptoj se cila do te ishte vlera e te moderuarve brenda kampeve.

        Nqs vlera e te moderuarve brenda kampeve ekzistuese ka nje pikepyetje te madhe funksionale, vlera e tyre jashte kampeve dmth jo per partine, por per Shqiperine ka nje pikepyetje edhe me te madhe, aty s’kane ke apo çfare te moderojne, sepse Shqiperia s’ka asnje forme ekstremizmi apo radikalizmi politik. Ne kete kendveshtrim vjen edhe teoria e rrobaqepesit dhe gunges.
        ”Varini ne litar” nuk ka ndonje vlere politike, eshte produkt etik çasti,qe konsumohet brenda nje nevoje per drejtesi ( fast food apo byrek etik), po te njejtet qe e thone jane te paret qe pa gdhire mire zene radhen per te votuar. Vleren politike do ta kishte sikur te mos shkonin te votonin. A e bejne dot ? Jo nuk e bejne, atehere byreku etik eshte gaz me rigon.

        Shqiptaret njohin ekstremin e dhunes per pushtet por nuk dine, s’duan apo s’munden te radikalizohen politikisht si pergjigje ndaj padrejtesive, shfrytezimit, varferise apo si te duam t’i quajme fenomenet te cilat duan pergjigje radikale. Ne kete kuptim populli eshte i moderuar dhe shume me i moderuar se popujt perendimore. Mund te vriten per pushtetin e beut dhe bajraktarit, por nuk radikalizohen politikisht ne lidhje me problemet apo shqetesimet e tyre kryesore. Nuk e kam fjalen thjesht per te varferit, se probleme me domosdoshmeri radikalizimi ka çdo shtrese qofte ekonomike qofte sociale apo kulturore.

        Vendin e radikalizimit politik i cili do te detyronte mandej partite ekzistuese apo te rejat te merreshin me problemet e votuesve, e ka tradita e autoritetit, dmth nuk ka nevoje te radikalizohemi, mjafton te mbeshtesim nje dore te forte qe di te beje shtet, dmth koncepti piramidal, ku piramida shoqerore kerkon pa dyshim ekzistencen e majes, nje njeriu qe perfaqeson majen e kompleton piramiden, Lulzim Basha sot u propozua per here te pare si ”dore e forte”, ne varesi te suksesit do shihet edhe serioziteti , deri me tash i vene ne dyshim, i nje Luli si maja e piramides.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin