KULTURË APO KULT ELITASH?

Përfytyroni dikë që vjen t’ju thotë me të madhe se “Shekspiri është gjeni” ose “Dantja është i papërsëritshëm” ose “Michelangelo, një artist unik, sidomos te Cappella Sistina” ose “Ah, simfonia e 9-të e Beethoven-it, çfarë mrekullie, veçanërisht fundi”; vallë do të besonit se ky e bën këtë, ngaqë kërkon t’ju bindë se Shekspiri është gjeni, ose Dantja është poet i paarritshëm ose Michelangelo-ja është unik, e kështu me radhë?

Në fakt jo; figura të kalibrit të Dantes, Shekspirit dhe Beethoven-it janë tashmë të konsoliduara, në prestigjin dhe hijen e tyre brenda kulturës Perëndimore, në mos globale; njëlloj siç është i konsoliduar, të themi, prestigji i një Einstein-i në fizikën moderne; dhe atë që do të orvatej të na bindë se Einstein-i ka qenë vërtet fizikan i madh, do ta shihnim së paku me dyshim; dhe në rrethana të caktuara mund edhe t’i kërkonim – me mirësjellje – që të largohej.

Është tipike për kulturën parazitare që të riprodhojë dhe të riciklojë vlera të gatshme, jo të krijojë të reja dhe as të mbushë me kuptim të ri vlera ekzistuese ose të zbuluara rishtas. Këto vlera të gatshme, të cilat i kanë zbuluar dhe i kanë kultivuar të tjerët, kultura parazitare i përvetëson dhe i përdor pastaj për të riprodhuar veten dhe synimet e veta.

Me gjasë, ai që lëvdon Danten dhe Shekspirin, nuk e bën për të na bindur për vlerat e zbulimit që ka bërë, as për t’i ndarë me ne këto vlera dhe për të na afruar në majën ose “samitin” e kulturës elitare; por për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes, ose për t’u dukur ai vetë, në sytë tanë, si i rafinuar, me kulturë të hollë dhe i pajisur me instrumentet e nevojshme për t’u orientuar në majë të Olimpit.

Kjo nuk e përjashton, doemos, që shumë prej nesh të mahnitemi me vlerat e konsoliduara të artit botëror; dhe fakti që bukurinë e Romës dhe të Parisit nuk ka mbetur i larë dhe i palarë pa e shijuar, nuk i bën këto qytete më pak të bukura dhe më pak hyjnore për pelegrinin e sotëm të Perëndimit. E megjithatë, askush nuk mund të pretendojë, madje as më idioti prej nesh, se mund t’i lëvdojë me pafajësi vlera të tilla.

Këtë ves, kur e ndeshim te një qyqar çfarëdo, jemi të prirur ta falim; sepse të shumtë janë ata që tundohen për të thënë “edhe unë”, sidomos kur provojnë një kompleks inferioriteti ose edhe thjesht nevojën për të provuar veten; por vështirë se do ta toleronim, kur na vjen nga një figurë publike, dhe aq më tepër nga një figurë publike që merret me punët e kulturës.

Jetojmë në kohë të tilla kur, për shkak të teknologjisë së mediave, vepra arti deri edhe nga më të rafinuarat dhe të vështirat për t’u rrokur, janë në dispozicion të së gjithëve; dhe atje ku një pjesë prej nesh vërtet përfitojnë nga rasti që u jepet për të ndjekur ose shijuar diçka për të cilën më parë vetëm kishin dëgjuar, ka të tjerë që konsumojnë kulturë elitare jo sepse kjo i tërheq në vetvete, dhe as për t’u përmirësuar si njerëz, por për t’u ndier superiorë ose më të mirë; çfarë do të ishte edhe një formë e rëndomtë e snobizmit.

Qëllimet e njërit dhe të tjetrit nuk i gjykon dot; dikush mund të shkojë të shohë “Traviatën” për kostumet, dikush tjetër për të praktikuar italishten, një i tretë ngaqë ka rënë në dashuri me sopranon, një i katërt për të siguruar alibinë dhe kështu me radhë; por ka edhe një takëm njerëzish që gjenden në sallë që të tjerët t’i shohin se gjenden në sallë, dhe ta konsumojnë shfaqjen e operës reciprokisht. Njerëz të tillë nuk do t’i kapësh kurrë duke ndjekur, bie fjala, një kampionat të sumo-s ose një garë kanotazhi; edhe pse mes tyre mund të ketë të apasionuar pas këtyre sporteve. Njëlloj nuk i kap dot duke lexuar Harry Potter-in ose duke parë në kinema filmin “Independence Day” ose, xhanëm, duke porositur birrë në një restorant francez. Janë ajo lloj elite, e cila konsumin e artit dhe kulturës së konfirmuar e përdor për t’u riprodhuar dhe për t’i transferuar vlerat përkatëse nga vepra e konsumuar tek vetja.

Harry Frankfurt e pat përkufizuar bullshit-in si një lloj diskursi që tërheq vëmendjen e publikut jo tek argumenti i trajtuar, por tek personi që flet; çfarë do të vlente, mutatis mutandis, edhe për atë që konsumon art dhe kulturë elitare jo sepse gjen aty veten, por sepse dëshiron që të tjerët ta identifikojnë me çfarë konsumon ai publikisht. Prandaj unë do ta quaja këtë lloj “kulture” parazitare: sepse praktikuesit e saj parazitojnë mbi vlera të konfirmuara dhe i përdorin ato për ta zhvendosur konfirmimin drejt statusit të tyre – ose për të konfirmuar statusin e tyre si riprodhues dhe shqytarë të establishmentit kulturor.

Elitë është nga ato fjalë që mbulojnë realitete të ndryshme; ka mjedise ku asgjë nuk adhurohet më shumë e më me respekt se elita shahistike, sikurse ka mjedise ku riprodhohet elita e lojtarëve të bridge contract ose e rritësve të qenve të racës. Një shahist elitar është i tillë sepse luan më mirë se të tjerët; një rritës qensh është elitar, sepse rrit qen që pastaj shquhen dhe fitojnë çmime në panaire ose në dog shows. Ka edhe një elitë tjetërlloj, e cila e merr energjinë nga fosfori i eshtrave të varreve – ose elita e gjakut të kaltër, të cilën në disa qarqe ende e nderojnë dhe e njohin. Përkundrazi, ajo elitë që përftohet dhe riprodhohet duke konsumuar produkte me vlerë kulturore të konfirmuar nuk i përket as grupit të parë, as të dytit; sepse as është në gjendje të prodhojë vetë ndonjë vlerë rishtas, dhe as mund të pretendojë se i trashëgon këto vlera me rrugë gjenetike. Kjo elitë e tretë vlerat e veta, ose tiparet që e shquajnë nga “vulgu”, thjesht i përfton duke parazituar mbi vlera tashmë të konfirmuara botërisht si elitare.

Kriteri për ta shquar elitën kulturore parazitare është se këta nuk gabojnë; gjestet e tyre prej konsumatorësh të artit janë gjithnjë të studiuara dhe kurrë nuk mund të presësh prej tyre guxim – qoftë në përqafimin e një arti kontroversial ose antikonformist dhe gjithsesi jo-popullor; qoftë në refuzimin e një vlere tashmë të rrënjosur në sistem. Prandaj këta gjithnjë do të vijnë të të thonë se Shekspiri është i madh dhe Maria Callas kishte një zë hyjnor dhe Leonardo da Vinci ishte gjeni – meqë vetëdija e tyre për çfarë përfaqësojnë nuk mund të mbijetojë, pa konsensus-in tënd.

Karakteristikë e kësaj elite kulturore parazitare është shterpësia – meqë këta vërtet mund të riprodhojnë veten, si elitë, duke konsumuar vlera të krijuara dhe të mirëmbajtura nga të tjerët; por ata vetë nuk janë në gjendje të krijojnë agjë dhe as të njohin vlerën e re, atëherë kur kjo ka nevojë për vëmendje, ndihmë dhe njohje (recognition); dhe kjo nuk ndodh aq ngaqë këta kanë frikë nga e reja si e tillë, por vetëm ngaqë kanë frikë të rrezikojnë dhe nuk do të donin të përvetësonin diçka ende të pakonfirmuar. Për këtë arsye, mes shumë të këqiave që sjell, kjo elitë ia zë frymën kulturës, sepse e zëvendëson pulsin me daullen, qiellin me dheun dhe dinamizmin me stazën. Aq më tepër që, sa kohë që kjo elitë synon t’i transferojë vlerat nga kultura në politikë, çdo shmangie nga norma do të ishte për të fatale; meqë roli i saj në skenën publike është skriptuar deri në detajet, madje edhe sikur skriptin ta kenë shkruar protagonistët vetë.

Në biologji, parazitin e përkufizojnë si një organizëm që jeton në kurriz të një organizmi tjetër dhe përfiton duke u ushqyer me shpenzimet e bartësit. Për argumentin tonë, kjo do të thotë se një elitë kulturore parazitare jo vetëm është kallpe dhe vetëshërbyese, por edhe dëmton vetë kulturën mbi të cilën paraziton; duke ia hequr autenticitetin dhe duke e përdorur si indikator social. Për shembull, një veprimtari kulturore e promovuar me të madhe tani së fundi, si “koncerti i Vjenës në Tiranë”, jo vetëm i shërbeu establishmentit politik dhe kulturor për t’u riprodhuar dhe për t’u konfirmuar në sytë e publikut përkatës si bartës legjitim vlerash kulturore europiane tradicionale; por edhe haptazi ndërhyri në perceptimin dhe përvetësimin artistik, prej publikut shqiptar, të melodive përndryshe të mirënjohura të Strauss-it & Co. dhe, në përgjithësi, të asaj muzike që luhet në Koncertin e Vjenës; duke i bashkëlidhur asaj konotacionin e një mënyre tejet specifike të konsumit artistik të eventit muzikor, ku përzihet snobizmi, kitsch-i patriotik dhe dekontekstualizimi. Vështirë të thuash se muzika “klasike” përfitoi nga kjo ndonjë gjë, sa i përket statusit të saj në kulturën shqiptare sot; por e lehtë të thuash se kush përfitoi dhe pse – madje pa e sjellë fare në vëmendje anën ekonomike – nga kjo mega-selfie e establishmentit në Tiranë.

3 Komente

  1. Me nje fjale: snobizmi elitar, i cili ne fund te fundit snobizem mbetet, dhe nga i cili permbushen disa boshlleqe esenciale. Pa kete lloj snobizmi jeta do te ishte po ashtu mondane! Sepse thelbi pa levozhgen do te ishte pa kuptim! Pra ngelet te thuhet: rrofte snobizmi!

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: