Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

IPSO FACTO

Kur e fyen një herë rëndë korbin, ky tha: veç mos më kaloftë poshtë degës ai që ma bëri.

Dhe ashtu e mori në sy të rrinte tek dega e vet e preferuar mbi rrugë, derisa një herë armiku t’i kalonte poshtë dhe ky t’ia lëshonte glasën proverbiale mbi kokë.

Ditët u bënë javë, javët muaj, muajt vite. Më kot ndenji korbi aq durueshëm në pritë, që t’i vinte ora për të marrë shpagën – sepse armiku sikur ishte zhdukur pa nam e nishan.

Dhe të gjithë atyre miqve e të afërmve që i luteshin e i përgjëroheshin të hiqte dorë nga kjo marrëzi, të zbriste nga dega dhe t’u kushtohej punëve të holla që i kanë hije një korbi, ky u përgjigjej hidhur: nuk luaj që këtej, pa u vënë drejtësia në vend.

Por i erdhi edhe korbit njëditëzaj pleqëria dhe sythet e këmbëve mezi e mbanin, teksa veshët e lanë, sytë iu përujën e iu turbulluan dhe lustra iu shkoq prej puplave.

Për faj të Alzheimerit që nuk i kursen korbat në moshë, yni s’po e mbante mend më pse e çonte gjithë ditën në majë të degës, por veç dinte që ashtu duhej bërë sepse ashtu kish bërë; dhe nuk kish ndërmend ta ndërronte rutinën tani në pleqëri.

Rrinte edhe atë pasdite nëntori duke fërgëlluar në ftohmë, kur rasti fatlum e solli që vërtet e më në fund t’i përhihej poshtë degës armiku.

Korbi e shqoi këtë me bisht të syrit, por me siguri nuk e njohu; kohët e fundit kujtesa po i bënte shumë lodra.

E megjithatë, mu kur armiku iu gjend pingul nën prapanicën e fishkur, korbit iu shpif një baticë peristaltike e befasishme, një kontraktim i rrufeshëm dhe alarmant, i kurorëzuar sakaq me një spërkël të qelbët e të ujshme që i fluturoi përjashta trupit.

Fatale u var kjo glasë madhështore poshtë, duke u spërdredhur spirale si mijëra e mijëra krimbat që kish kullufitur në jetën e vet korbi, për t’iu zgërlaqur pastaj në çaçkën e shogët armikut.

Ah, ah, ah – obobo i ziu unë, të më falësh, o zotëri i mirë, i tha këtij korbi, i turpëruar për vdekje e duke folur gjithë zor, nga fryma që i merrej. Të më falësh e të ma bësh kabull mua plakut, se më shpëton e nuk e mbaj dot ndonjëherë!

Dhe këtu shpërthyen duartrokitjet.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading