Kohët e fundit më ra në dorë një studim rreth tipareve të dy revolucioneve të mëdha të fundshekullit XVIII të cilat kanë kushtëzuar fort krejt historinë e mëvonshme, pra amerikanit dhe francezit. E veçanta e studimit është afërsia e madhe me ngjarjet aktuale, sepse është botuar në vitin 1800 në Berlin, dhe ka për autor një analist të shquar politik gjerman (ose më mirë prusian), Friedrich von Gentz. Ndërsa publikut amerikan studimi i është dhënë në përkthimin e John Quincy Adams, biri i presidentit të dytë, dhe i cili do të bëhej vetë më vonë presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara.
Është një analizë e përqendruar në konceptet e ligjshmërisë e të së drejtës, një qasje disi e ndryshme nga ajo mbizotëruese në historiografinë lindore, pra edhe në atë me të cilën jemi mësuar ne shqiptarët, dhe e cila vinte në plan të parë ”rolin e masave”, përmbysjen në vetvete, pa u kujdesur për gjëra ”të vogla” si e drejta apo ligjshmëria. Sa për dhunën, gjakun e viktimat e shkaktuara, ato ishin kurdoherë në funksion të qëllimit të lartë.
Ngjashmëria në sipërfaqe ndërmjet dy revolucioneve duket në fakt krejt e vërtetë, sidomos po të nisemi nga parullat e francezit (liri, barazi, vëllazërim) të cilat të kujtonin automatikisht ato të amerikanit 13 vite të shkuara (”të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë…të drejtat themelore… jeta, liria e kërkimi i lumturisë”). Kjo nuk ishte e rastit për vetë faktin se të dy këto ngjarje madhore u frymëzuan nga ideologjia iluministe europiane, por duket se ngjashmëria nuk shtyhet dot më tutje. Kjo sepse revolucioni amerikan në të gjitha fazat e tij u mbështet tek e drejta, ndërsa francezi e shkeli atë hapur, duke sjellë me vete arbitraritet dhe dhunë të pashembullt. Ndryshimet midis tyre autori i analizon sidomos në tre aspekte: në origjinën dhe vijueshmërinë e secilit, në objektivat e vëna vetes, dhe në masën e rezistencës së ngjallur prej secilës përmbysje.
Së pari, karakteristikë e dukshme e revoltës së kolonive amerikane ishte gradualiteti, me kërkimin në çdo hap vetëm të ndryshimeve të vogla, aspak rrënjësore, të cilat, dhe kjo është më e rëndësishmja, ishin të bazuara në kuadrin ekzistues ligjor. Vetë tipi i organizimit të administratave koloniale e lehtësonte një gjë të tillë, sepse përveç një lidhjeje simbolike me kurorën britanike nëpërmjet guvernatorëve mbretërore, kolonistët gëzonin në praktikë një vetëqeverisje të plotë nëpërmjet asambleve përkatëse. Britania ishte e kënaqur me monopolin e tregtisë, pra me detyrimin e kolonive që të gjitha shkëmbimet tregtare t’i kryenin me tokën mëmë. Kjo gjendje doli nga pika e ekuilibrit vetëm nga fakti që parlamenti anglez donte të siguronte të ardhura shtesë për të mbushur arkat e zbrazura nga lufta 7 vjeçare me francezët dhe indianët vendas. Kriza financiare e shkaktuar nga ajo luftë (French and Indian War, e cila konsolidoi gjithashtu në një masë të madhe ndërgjegjen politike të kolonive) u bë kësisoj fillimi i spirales që çoi në shkëputjen e amerikanëve në krye të një dekade.
Vendimi i parlamentit më 1765 për të vjelë taksën mbi shtypshkrimet (stamp duty ose stamp tax) nuk mbështetej në ligjet apo praktikat e deriatëhershme, sepse kolonitë nuk i kishin paguar kurrë ndonjë kontribut Londrës. Kjo ishte në zbatim të vetë parimit kushtetues anglez se asnjë qytetar s’mund të detyrohej të paguante tatime e taksa, përveç atyre të miratuara nga përfaqësuesit e tij. Në këtë kuptim kolonistët ishin vërtet qytetarë të perandorisë, por nga ana tjetër ata s’kishin përfaqësues të tyre në parlament, dhe taksa rezultonte kësisoj e paligjshme. Për më tepër, monopoli tregtar që përmendëm përbënte në vetvete një kontribut tepër të rëndësishëm të kolonive për financat britanike, dhe një kontribut për të cilin askush s’kishte shprehur ndonjë pakënaqësi.
Prandaj edhe kundërshtimet e kolonistëve ndaj stamp tax e pastaj më vonë ndaj përpjekjeve të tjera të parlamentit për të imponuar vullnetin e tij, ishin të mbështetura në të drejtën e tyre si qytetarë britanikë, dhe në dispozitat ligjore egzistuese.
Në tërësi mund të thuhet se një sërë gabimesh e teprimesh, sidomos nga ana e parlamentit, çuan në situatën e pakthyeshme të korrikut 1776, dhe Kongresi i kolonive, me shpalljen e Deklaratës famëmadhe të Pavarësisë, vetëm sa formalizoi atë që Anglia e kishte bërë në fakt në praktikë, pra konsiderimin e kolonive si fuqi të huaja në gjendje lufte. Bile edhe në përpjekjen e fundit për pajtim kolonistët i kërkonin mbretit George III të ndreqte gabimet që kish bërë ndaj shtetasve të tij besnikë në bregun Perëndimor të Atlantikut, e të evitonte kësisoj ndarjen e tyre nga dheu mëmë.
Revolucioni amerikan rezulton kështu krejt mbrojtës, një revolucion i detyruar si të thuash ”nga halli”, dhe ishte vetëm arroganca angleze ajo që precipitoi ngjarjet ashtu si edhe rrodhën. Amerikanët kishin rezistuar në fakt për më se dhjetë vjet, jo ndaj Anglisë, por ndaj vetë revolucionit, ata nuk kërkonin ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre egzistuese, por vetëm parandalimin e keqësimit të saj siç dukej se do të ndodhte nga veprimet e parlamentit anglez.
Krejt i ndryshëm paraqitet në këtë aspekt revolucioni francez, i cili ishte një revolucion ofensiv në çdo fazë të tij, gjatë të cilit s’u diskutua kurrë nëse veprimet e revolucionarëve ishin të mbështetura në të drejtën apo në ligjshmërinë. Në fillim, kur Përfaqësitë e Përgjithshme u mblodhën në Versajë në maj 1789, deputetët ishin pa asnjë dyshim në të drejtën e tyre të ndërmerrnin reforma të thella në lidhje me organizimin politik të vendit, bile edhe në lidhje me vetë pozitën e monarkisë frënge. Por kjo e drejtë mund të kishte kuptim e të ushtrohej vetëm me tre kushte: 1. organizimi i tyre formal, pra i vetë Përfaqësive të Përgjithshme duhej ruajtur e respektuar me çdo kusht, derisa ai organizim të ndryshohej, apo edhe të shfuqizohej, me ligj; 2. vendimet e tyre duhej të hynin në fuqi vetëm me miratimin e mbretit; dhe 3. deputetët duhej të zbatonin udhëzimet e zgjedhësve të tyre, pra t’u qëndronin besnikë arsyeve se përse ata ishin zgjedhur e ishin dërguar në Versajë.
Për fat të keq, brenda gjashtë javëve të para të punimeve, të tre këto kushte ishin shkelur, dhe arbitrariteti kish filluar marshimin e tij të pandalshëm që do të përfundonte në një det gjaku. Kështu deputetët e rendit të tretë, pa as më të voglën të drejtë ligjore, shpallën veten e tyre asamble kombëtare, e pastaj, kur sovrani u përpoq t’i kthente nga rruga pa krye ku ishin futur, ata refuzuan t’i bindeshin, duke e detyruar më në fund të urdhëronte dy rendet e tjera të miratonin këtë uzurpim të hapur. Ata deklaruan edhe se udhëzimet e zgjedhësve s’do të kishin asnjë ndikim mbi ta, dhe shpallën se do të flisnin ”në emër të popullit” pavarësisht se askush s’i kishte autorizuar të vepronin ashtu. Dhe për t’i vënë vulën gjithë kësaj, e quajtura asamble nuk e dënoi aspak kryengritjen e dhunshme të 14 korrikut në Paris e më tej në gjithë vendin, përkundrazi e duartrokiti, e inkurajoi dhe i dha edhe mbështetje ligjore.
Nëse revolucioni amerikan përbënte pra një shembull të përmbajtjes e të maturisë, francezi u karakterizua nga dhuna e furia e paepur, dhe përballë rezistencës së dobët të kundërshtarëve, ai nuk e uli vrullin dhe agresivitetin e tij, përkundrazi erdhi duke e shtuar gjithmonë e më tepër. Duke përfituar nga personaliteti i mbretit Luigji XVI, nga vullneti i tij për të mos përdorur forcën, e për të mos u shndërruar në tiran, revolucionarët e bënë atë vetë viktimë të tiranisë së tyre, duke pasur ndershmërinë e tij si aleaten e tyre më të fortë.
Ky karakter agresiv i revolucionit u dëshmua edhe me mosndaljen e tij para çdo krimi, e pastaj kur s’pati më objekte ku ta përplaste furinë, me kthimin kundër vetvetes e kundër vendeve të tjera, duke zhytur në kaos të gjithë kontinentin.
Edhe kurorëzimet e të dy ngjarjeve ishin gjithaq të ndryshme, sepse revolucioni amerikan mbaroi në çastin kur kërcënimi ndaj tij, kërcënimi që e kish detyruar të fillonte, mori fund, por francezi vazhdoi e vazhdoi, sa kohë që kishte ende objekte për t’u sulmuar e për t’u bërë pre e atij vrulli të papërmbajtur.
Së dyti, një tipar tjetër themelor i revolucionit amerikan ishin objektivat e përcaktuara qartë në çdo fazë të tij, dhe vetë zhvillimi i ngjarjeve ishte pak a shumë një vijë e drejtë, me synimin tek ato objektiva. Në fazën e tij të parë, prej ligjit për stamp tax më 1765 deri në shpalljen e 4 korrikut 1776, mund të thuhet se objektivi i qytetarëve anembanë kolonive, e më vonë objektivi i Kongresit, s’ishte veçse ruajtja e statukuosë, pra e të drejtave dhe lirive të gëzuara deri atëherë, nga përpjekja antikushtetuese e parlamentit britanik për t’i uzurpuar ato.
Në fazën e dytë, prej shpalljes së pavarësisë deri në arritjen e paqes me Britaninë më 1783, vërtet kolonitë ishin ligjërisht të ndara nga perandoria, por kjo nuk u shoqërua me ndonjë rrëmujë apo anarki, sepse administrata e vazhdoi punën e saj. Guvernatorët e emëruar dikur nga mbreti vetëm sa u hoqën, duke u zëvendësuar me të tjerë të zgjedhur nga asambletë përkatëse të kolonive. Ky zëvendësim bëhej edhe më i lehtë po të mbajmë parasysh lidhjet e pakta të guvernatorëve mbretërorë, e të kolonive në përgjithësi, me Anglinë, dhe ashtu njerëzit nuk konstatuan ndryshime të mëdha në jetën e tyre të përditshme.
Merita më e konsiderueshme e udhëheqësve të revolucionit amerikan në këtë pikë ishte se, duke pasur objektiva të qarta, dhe siç thamë, mbrojtëse, ata u treguan të aftë t’i rezistonin tundimit më të rrezikshëm të çdo përmbysjeje revolucionare: pasionit vdekjeprurës për të bërë eksperimente politike me teori abstrakte, apo me sisteme të paprovuara në praktikë (provat e mëvonshme për këtë pas frëngut erdhën në format tragjike të rusit, kinezit e krejt episodit famëkeq të komunizmit lindor). Është e vërtetë që fjalët e përgjithshme për lirinë e barazinë në deklaratën e pavarësisë amerikane ishin të ngjashme me parullat e revolucionit francez, por ndryshimi ishte se amerikani s’i përdori kurrë ato për të shkelur të drejtat dhe liritë e ndokujt, siç ndodhi rëndom me sivëllain e tij në Botën e Vjetër. Në të njëjtën mënyrë edhe lufta revolucionare në Amerikë ishte e matur, në përgjithësi pa teprime, dhe dihej që fitorja e kujtdo pale qoftë, nuk do të sillte ndonjë përmbysje të madhe të raporteve në shoqërinë amerikane, aq më pak në Europë. Kësisoj pas luftës republika e re hyri menjëherë në marrëdhënie paqësore e me leverdi të ndërsjelltë me fuqitë europiane, bile edhe me vetë Anglinë, ashtu si u ka hije palëve të qytetëruara e fisnike.
Nga ana tjetër, si qëllimet ashtu edhe vijimi i francezit ishin një seri goditjesh të pandërprera ndaj çdo ligjshmërie, dhe e vërteta është se me hedhjen poshtë të rendit të vjetër kushtetues, revolucioni fitoi përkrahës të shumtë, të cilët të gjithë kërkonin ndryshime. Mirëpo në mes të asaj katrahure nuk gjendeshin dy veta që të ishin dakord se çfarë ndryshimesh pikërisht duheshin bërë, sa larg duhej të shkonin ato, nëse duhej ruajtur ndonjë aspekt i rendit të vjetër, e nëse po, në ç’masë. Kushtetuta e vitit 1791 ishte këtu një përpjekje për të pajtuar të papajtueshmet, prandaj ishte e destinuar të dështonte ashtu siç edhe dështoi. E vetmja parti që erdhi duke i forcuar pozitat në mënyrë të vazhdueshme, ishin ata që thoshin se s’kish asnjë kuptim t’i viheshin kufij revolucionit, apo të frenohej vrulli i përmbysjes. Ata arritën ta shpallin republikën, por askush nuk e kishte idenë se çfarë duhej të ishte ajo, e prandaj Franca u mbyt në gjak vetëm e vetëm për të vendosur nëse do të ishin federalistët, jakobinët, zhirondinët, dantonianët, hebertistët, apo dhjetërat e -istëve të tjerë ata që do të hartonin kushtetutën republikane.
Kjo u shfaq edhe në marrëdhëniet me fuqitë e tjera europiane, sepse kur plasi lufta me to, synimi francez ishte po aq i pacaktuar sa ai i vetë revolucionit të tyre. Disa, si p.sh. Robespieri, dëshironin thjesht të ruanin të drejtën për të masakruar vetëm vendin e tyre, pa u bërë shumë merak për të tjerët, pra t’ia shfarosnin gjysmën e popullsisë vetëm Francës fatkeqe. Një pjesë tjetër ishin ata që kërkonin të realizonin planet ambicioze të monarkisë së dikurshme të Luigjit XIV për sundim kontinental, vetëm se këtë herë nën flamurin e republikës. Të tjerë akoma ishin betuar të mos i lëshonin armët derisa parimet e revolucionit të mos ishin shtrirë në të gjithë botën e qytetëruar, e derisa të mos e kishin mbjellë të përgjakurën ”pemë të lirisë” prej Lisbonës në Dardanele, e prej Mesdheut deri në Detin e Veriut.
Duke lënë të hapur pyetjen se kush kishte të drejtë ta fillonte revolucionin, ata lanë po aq të hapur edhe atë se kush kishte të drejtë ta mbaronte, dhe këtë siç e dimë e bëri përsëri forca, me Napoleonin e më pas me Restaurimin.
Së treti, edhe nga masa e rezistencës së ndeshur, pra nga masa e pështjellimit të krijuar, të dy revolucionet s’mund të ishin më të ndryshme, me amerikanin që i pati këto shumë më të pakta se francezi, e prandaj mundi ta konsolidonte veten shumë më lehtë e shumë më thjesht. Frëngu nga ana e vet vuri në pikëpyetje dhe lëshoi pa kontroll çdo ndjenjë e çdo pasion njerëzor, e për rrjedhojë s’mund të përparonte përveç se me dhunë të skajshme. Po ritheksojmë këtu se kolonitë amerikane ishin organizime politike të stabilizuara dhe pothuaj të vetëqeverisura, me autoritetin britanik më tepër në rolin e një mbrojtësi të fuqishëm, se sa të një sundimtari të drejtpërdrejtë. Prandaj edhe revolucioni i tyre ngjante më tepër me një konflikt mes vendesh të ndryshme, se sa me një luftë civile.
Po ashtu popullsia e kolonive karakterizohej në përgjithësi edhe nga një ndjenjë e fortë besimi në drejtësinë e kauzës së tyre, ndërsa pala përballë, administrata mbretërore dhe trupat e pakta britanike, ishte e pafuqishme për një rezistencë të ashpër. Vetë ky fakt i paaftësisë për të qenë të rrezikshëm i mbrojti ata nga intoleranca e bashkatdhetarëve të tyre. Edhe ndryshimet ndërmjet shtresave të popullsisë koloniale thamë se s’ishin fort të theksuara asokohe, dhe vinin kryesisht për shkak të ushtrimit të detyrave publike, e në këtë aspekt revolucioni vetëm sa hoqi si të thuash anën shtypëse të sistemit të vjetër, duke ja lënë të paprekura anët pozitive. Merita e madhe e amerikanëve ishte pra ajo që ata mundën ta kufizonin veten edhe brenda kuadrit të së drejtës, edhe brenda vetë natyrës së gjërave.
E kundërt u paraqit pamja në Francë ku këto u shkelën fort e në mënyrë të hapur, dhe ku revolta nuk u mjaftua me shkatërrimin e rendit të vjetër kushtetues, por vuri në shënjestër (figurativisht e praktikisht) gjithkënd që kishte sadopak prona apo privilegje, gjithkënd që kishte diçka për të humbur. Kjo çoi detyrimisht në një masë rezistence mjaft të fuqishme, që s’mund të shtrohej me mjete të zakonshme, përveç se me funksionimin e pandërprerë të gijotinës, të shpatës e të pushkës. Krimi i vetëm i viktimave të një dhune të tillë ishte refuzimi për t’iu bashkuar ortekut që po i shtypte, për t’u entuziazmuar nga vrulli me të cilin ata vetë po shkatërroheshin. Kësisoj çdokush që nuk e përkrahu me gëzim stuhinë revolucionare, u trajtua sakaq si armik, e që s’mund të meritonte tjetër veç ndëshkimit suprem.
Për të gjitha këto autori konkludon se më tepër se ngjashmëri, krahasimi tregon një kontrast të thellë ndërmjet këtyre dy ngjarjeve madhore të shekullit zulmëmadh XVIII. Dhe tronditjet që pasuan më vonë, me dhunën kataklizmike të revolucioneve të frymëzuara prej francezit, i kanë dhënë plotësisht të drejtë një analize të tillë.
Nje pyetje per moderatoret:
Si ta kuptojme kete shkrim? Si humor nuk te ben te qeshesh, si shaka eshte fare pa kripe, si alegori nuk po ia gjej dot se ç’fshihet nen rrogoz. Se vetem seriozisht nuk mund te merret.
I nderuar zot (apo zonjë),
Pyetjen ua keni drejtuar moderatorëve, megjithatë po ju përgjigjem vetë si autor, meqë ishte shkrimi im që u bë shkas për komentin tuaj tejet të revoltuar.
Pikësëpari më lejoni t’ju them se mënyra se si flisni ju është padyshim gjëja më e lehtë, pra “shkrimi s’më pëlqen, bile ndjehem i ofenduar, por s’kam asnjë ide se përse, as jam në gjendje të argumentoj diçka, prandaj i fus një sharje e dal matanë”.
Kësisoj do të ishte mirë ta argumentonit kritikën tuaj ndaj atyre çka thuhen në artikull, sepse unë nga ana ime e kam sqaruar të paktën se ku jam mbështetur, kam rreshtuar një numër çështjesh, të gjitha të njohura nga historia, dhe, më e rëndësishmja, e kam nënshkruar me emrin tim. Ndërsa ju nënshkruani me një pseudonim i cili nuk përfaqëson absolutisht asgjë, e aq më pak një autoritet të fushës (veç në mos qofshit biografi personal i Friedrich von Gentz).
Në këtë kuptim mënyra më e mirë për të lexuar komentin tuaj është si një farë autoportreti, apo konfesioni, gjë që nuk besoj se mund t’i interesojë ndokujt, aq më pak lexuesve të një reviste cilësore si PTF.
Në të vërtetë llojet e komentimeve si i juaji hasen dendur në faqet e portaleve shqip, por unë e solla artikullin këtu me bindjen se lexuesit/komentuesit janë të një niveli tjetër, e jo thjesht “kjo më pëlqen” e “kjo s’më pëlqen” (tip “katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq”).
Pavarësisht nga këto, unë jam gati t’ju jap edhe një rast tjetër, e t’ju dëgjoj se çfarë keni për të thënë rreth çështjeve të analizuara, nëse vërtet keni diçka përtej “shakave pa kripë” apo “alegorive nën rrogoz”.
Mbetshi me të mira!
Shume e vertete. Revolucioni francez eshte nje nga pikat me te erreta dhe kontradiktore ne historine moderne te qyteterimit perendimor dhe padyshim pararendesi ideologjik dhe teknik i Revolucionit te Tetorit ne Rusi. Fatkeqesisht brezi yne ka qene dendur me studime historike te majta dhe komuniste ndaj, dhe habia kur i shikojme faktet nen nje drite tjeter. Po me mire vone se kurre.
Së pari, pyetja nuk ju drejtohej juve, por moderatorëve. Për ju nuk kisha asnjë pyetje. Më poshtë do të shpjegoj pse nuk jua drejtova juve pyetjen. Me fjalë të tjera, po flas me ju që të dëgjojnë moderatorët.
Së dyti, pyetja ime nuk përmban as ofendime e as sharje, por tërthorazi shpreh një gjykim për shkrimin.
Tani të vijmë tek thelbi i çështjes.
Në shkrimin tuaj ju bazoheni në një libër të një aristokrati prusian bashkëkohës me zhvillimin e ngjarjeve dhe jo vetëm që pajtoheni në mënyrë akritike me premisat dhe përfundimet e atij libri, por u shtoni atyre përfundime të tjera nga vetja duke injoruar totalisht rezultatet e më se dyqind vjet historiografie nga von Gentz-i deri më sot.
Dy ngjarjet që bëhen objekt analize dhe krahasimi, përveç frymës dhe truallit së përbashkët ideologjik që përbëhej nga idetë e iluminizmit dhe të enciklopedistëve francezë, janë pakrahasimisht të ndryshme mes tyre. Ato nuk kanë të përbashkët as shkaqet, as rrethanat e kushtet në të cilat u zhvilluan, as strukturat sociale përkatëse, as pasojat.
Këtë nuk është se e them unë. E ka thënë me plot të drejtë vetë Gentz-i dhe deri më sot askush nuk e ka vënë në diskutim. Prandaj edhe nuk shoh ndonjë arsye pse duhen përqasur sot këto dy ngjarje.
Në fakt ai i “amerikanit”, siç e quani ju, nuk ishte as revolucion në kuptimin e mirëfilltë historiografik të fjalës, por një revoltë që nisi me kërkesa fiskale dhe përfundoi në luftë për pavarësi politike. Ndërsa ai i “frëngut” historia na mëson se ishte Revolucioni me R të madhe, që ndryshoi dhe përmbysi gjithçka nga themelet dhe që i hapi dyert botës ashtu siç e njohim dhe e jetojmë ne sot. Nuk mund të trajtohet ashtu siç e ka trajtuar Gentz-i në kohën e tij, thjesht si një katrahurë e madhe ku nuk e merrte vesh i pari të dytin, apo si një gjakderdhje dhe ofendim për mbarë njerëzimin. Ishte shumë më tepër se kaq.
Ju mund të thoni se këto janë gjëra të ditura që mësohen qysh në bankat e shkollës dhe se shkrimi nuk synon të japë një gjykim historik mbi Revolucionin francez, sepse këtë e kanë bërë tashmë më së miri historianët, por vetëm të parashtrojë për lexuesit e PTF-së mendimin e Gentz-it mbi të.
Prandaj edhe pyetjen nuk jua drejtova juve, sepse ju si individ keni të drejtën të shkruani ç’të doni dhe si të doni. Ju keni të drejtën të lexoni një libër të botuar në vitin 1800, të bëni një përmbledhje të shkurtër të tij dhe të thoni se tek e fundit nuk jeni ju autori i atij libri.
Pyetjen ua drejtova moderatorëve apo redaktorëve të revistës, sepse ata kanë ca detyrime të tjera që autorët nuk i kanë medoemos.
E me kaq e mbyll përfundimisht me ju këtë diskutim, që nuk desha ta filloja fare.
Relapso, shkrimin e Nastos e lexova unë dhe e gjeta me shumë interes për faqen – edhe pse unë nuk kam kompetencën e duhur, për ta gjykuar si historian, dhe aq më pak si historian i revolucioneve përkatëse. Por kam besim tek autori, ia njoh personalisht seriozitetin dhe përgatitjen dhe jam i bindur se ka menduar dhjetë herë para se të shkruajë një herë, si për këtë temë, ashtu edhe për të tjerat që ka shkruar më parë. Kjo bindje imja vlen sa i përket publikimit të shkrimit, por nuk ia cenon gjë natyrën kontroversiale – kushdo është i lirë të polemizojë në komentet.
Mirë xhanëm, mirë, të kuptoj. Po ta lëmë mënjanë hë për hë revizionimin historik të revolucionit francez dhe të hidhemi te një çëshje tjetër:
Autori më kujton se nuk jemi në pozita të barabarta, pasi ai shkruan me emrin e tij të vërtetë ndërsa unë si komentues shkruaj me një pseudonim që, shton me të drejtë autori, nuk përfaqëson absolutisht asgjë.
Në fakt edhe fort keq nuk e ka. Dikur ishim të lirë të shprehnim energjikisht mospajtimin tonë me autorët, të cilët nuk kërcenin përpjetë kollaj, sepse edhe ata shkruanin me pseudonim. Diskutonim, rrihnim mendime, nxehej debati aq sa gati na merrte flakë monitori dhe nuk e çanim kryet se mos fyenim kënd, sepse pseudonimet tona nuk përfaqësonin absolutisht asgjë. Në qendër të debateve ishin mendimet dhe jo kush i shprehte ato, pasi përveç teje, autorët e tjerë ishin vërtet anonimë. Tani që autorët shkruajnë me emrin e tyre si i bëhet? Ne komentuesit e thjeshtë që u qëndrojmë ende besnikë pseudonimeve tona historike nuk kemi më të drejtë të hapim gojë, sepse autorët preken në sedër dhe na akuzojnë se fshihemi pas pseudonimeve.
Unë propozoj një nga këto dy alternativa: e para, në emër të barazisë të mos lejohen më shkrime dhe komente me pseudonim nga askush; e dyta, t’u kërkohet autorëve të mos e sjellin më faktin që shkruajnë me emrin e tyre si argument në mbrojtje të shkrimeve, sepse nuk është argument. Mendoj se duhet zgjedhur një nga të dyja.
Ke të drejtë, Relapso – për shqetësimin, por jo për mënyrën si e shtron, bardhezi. Edhe mua komenti yt m’u duk pak përtac – sepse the që shkrimi nuk ta kish mbushur mendjen, por duhej ta kishe argumentuar sado pak – dhe kjo nuk ka të bëjë me pseudonimin që përdor. Nga sa kuptova unë, problemi i pseudonimit lind (1) kur sulmohet autori ‘ad hominem’ dhe (2) kur invokohet, qoftë edhe tërthorazi, principi i autoritetit. Sepse të thuash që ky shkrim ‘nuk mund të merret seriozisht’ nuk më duket se mjafton. Ose do të mjaftonte, po të vinte nga ndonjë autoritet i historisë së revolucionit frëng ose amerikan – por jo nga një pseudonim. Prandaj, kjo puna e pseudonimit si argument në mbrojtje të shkrimit vlen – besoj unë – vetëm kur kritika që i bëhet shkrimit nuk është serioze. Dhe këtu autori ka të drejtë të pyesë: a do të flisje kështu, sikur të dilje me emrin tënd? Përndryshe, ti mund ta hedhësh poshtë krejt shkrimin me argumente historike dhe nuk besoj se mund të objektojë njeri që po e bën këtë me pseudonim.
Kështu e mendoj unë. Në përgjithësi, si administrator i faqes, unë jam i prirur të tuteloj më parë autorët, pastaj komentuesit; sepse autorët investojnë më shumë nga e vetja.
P.S. Për fat të keq, përdorimi i pseudonimit online është diskredituar tashmë, ngaqë kanë abuzuar me të. Unë vetë kam pasë shkruar shpesh me pseudonim, por më duhet ta pranoj që kohët kanë ndryshuar dhe të përshtatem. Jo se ka ndonjë problem me të shkruarit me pseudonim këtu në Peizazhet – por sepse klima ka ndërruar dhe shumë vetë po parapëlqejnë të dalin me emrin e tyre, çfarë e ndryshon disi edhe etikën e të komentuarit online, së paku në ato vende ku ende respektohet etika. Edhe në FB, kur dikush kërkon të miqësohet me mua, por me pseudonim, mendohem dy herë para se ta pranoj, dhe zakonisht e refuzoj.
Ardian, të falenderoj për konsideratën dhe fjalët e mira.
Relapso, të falenderoj për angazhimin në diskutim pavarësisht nga starti jo fort i paqmë.
Që shkrimi është kontroversial, kjo kuptohet, megjithëse kjo e bën atë edhe më tërheqës, si gjithmonë kur ndeshim diçka me të cilën s’jemi mësuar. Këtu hyn prapë, dhe vazhdimisht, konteksti, në rastin tonë konteksti i historiografisë së majtë, sepse për amerikanët (edhe kanadezët, do thoja anglo-saksonët në përgjithësi), me respektin e tyre legjendar për ligjin dhe të drejtën, ai studim nuk tingëllon aspak kontroversial. Bile ata janë të sigurtë jashtë çdo dyshimi se “i tyri” ishte ku e ku më lart se frëngu (këtë e them për të treguar bindjen e amerikanëve, nisur nga ata me të cilët e kam diskutuar, jo për të dhënë vlerësim absolut rreth zhvillimit të të dy ngjarjeve). Historia e tyre u ka mësuar se 1776-ta ishte viti që “i hapi dyert botës ashtu siç e njohim dhe e jetojmë ne sot” (vërtetim: emblema amerikane, Great Seal, te kartmonedha njëdollarëshe), dhe jo 1789-ta. Konteksti, konteksti, konteksti!
Pale pastaj po t’u thuash që s’ishte fare revolucion, se i tillë ishte frëngu, do të ofendoheshin pa masë (po anglezin ç’ta bëjmë në këtë mes?).
Me këtë rast po shtoj edhe se do parapëlqeja që kritikat të drejtoheshin ndaj aspekteve apo fakteve të rreshtuara në shkrim, e jo të mbeteshin në fjalë të përgjithshme, të cilave është e vështire t’u kundërvihesh.
Sa për punën e pseudonimeve, do parapëlqeja edhe unë të liheshin mënjanë. Duhen ca rregulla në debat në fakt, se pastaj s’dihet ku shkon, e nuk del gjëkundi, po edhe kjo në vetvete është një diskutim i gjatë.
I nderuar Ernest,
Po përpiqem të sqaroj arsyet e vërteta të ndërhyrjes sime, sepse kam përshtypjen se nuk janë kuptuar. Ndoshta duhej të isha më i qartë.
Së pari, nuk kam absolutisht asgjë kundër teje si person dhe nuk më ka shkuar ndërmend për asnjë çast se mund të të fyeja. Ndërhyrja ime kishte të bënte vetëm me shkrimin, madje as me të drejtpërdrejt, por me një çështje tjetër që shkon përtej shkrimit dhe ka të bëjë me natyrën e revistës PTF. Prandaj edhe nuk t’u drejtova ty, por iu drejtova redaktorëve.
Iu shmanga diskutimeve mbi objektin e shkrimit dhe kërkesës sate dhe të Ardianit për argumente për arsyen e thjeshtë sepse unë nuk jam specialist i asaj periudhe historike, madje nuk jam as historian. Jam thjesht një lexues që, kur kam kohë dhe nge, lexoj ndonjëherë për qejfin tim edhe libra historie. Me aq sa kam lexuar unë për ato dy ngjarje madhore historike më rezulton se historianët kanë mbërritur në përfundime të ndryshme nga ato të tuat. Por edhe mund ta kem gabim. Duke mos qenë specialist, nuk pretendoj të marr pjesë me kompetencë në një diskutim të tillë e aq më pak të pretendoj të them ndonjë gjë të re mbi to. Thjesht m’u duk ca si e guximshme përpjekja jote për të hedhur poshtë me një të renë të penës rezultatet e historiografisë së sotme, së paku asaj që kam lexuar unë.
Unë mendoj, e përsëris, unë mendoj, se për të trajtuar një objekt të tillë fillimisht duhet bërë një studim disa vjeçar, i ngjashëm së paku me një tezë doktorate, me referenca dhe një bibliografi minimalisht prej dhjetëra titujsh. Mbi bazën e një studimi të tillë, sipas meje, mund të nxirrej një shkrim i denjë për një revistë me sado pak pretendime si PTF. Si lexues i rregullt i PTF-së kam pasur fatin dhe kënaqësinë të lexoj plot shkrime të tilla këtu, që shpesh herë ia kanë kaluar edhe studimeve që botohen në revistat akademike shqiptare.
Prandaj edhe m’u bë qejfi shumë kur Ardiani njoftoi shndërrimin e PTF-së nga blog në revistë, çka paralajmëronte dhe nënkuptonte ngritjen e nivelit. M’u bë qejfi sepse kemi nevojë për revista të tilla, sidomos ne lexuesit që jemi larg Shqipërisë. Me fjalë të tjera, kur përmenda seriozitetin, nuk kisha parasysh personin tënd, por e kisha fjalën për seriozitetin shkencor që unë prisja nga një revistë si PTF.
E gjitha kjo më kujton një histori të vjetër që Ardiani do ta ketë dëgjuar kur punonte në Institut:
Aty nga vitet ’50-’60 në Tiranë u organizua një konferencë shkencore ku një gjuhëtar që quhej Mynyr (nuk po ia përmend mbiemrin) mbajti një kumtesë ku kritikoi veprën e Sosyrit nga pozita ideologjike, si vepër idealiste, formaliste, reaksionare etj. Ashtu ishte koha.
Tregojnë se të nesërmen Eqrem Çabej dhe Aleksandër Xhuvani shkëmbenin batuta të tipit:
– E dëgjove ç’u bë dje? Mynyri i ra Sosyrit!
– E dëgjova ore e dëgjova, i ra dhe e bëri copë.
Edhe sot e gjithë ditën në ato ambiente dëgjohet batuta “Mynyri i ra Sosyrit” sa herë që e sjell rasti.
Te kuptohemi, jo se Mynyri nuk kishte të drejtë t’i binte Sosyrit, po atëherë kishim ca detyra shtëpie më të ngutshme për të bërë, sepse nuk kishim ende gramatika dhe fjalorë. Nuk i takonte Mynyrit t’i binte Sosyrit.
Morali është se nuk u takon historianëve shqiptarë të zgjidhin problemet e Revolucionit francez, sepse ia kanë nxjerrë ujët e zi të tjerët. Shqiptarët duhet të punojnë kopshtin e tyre më parë.
Së fundi, meqë e fillova këtë diskutim me pseudonim, po e mbyll me pseudonim. Tash e tutje kam vendosur të respektoj kërkesën e të zotit të shtëpisë. Kur të më gënjejë mendja se do të kem diçka të mençur për të thënë, do ta nënshkruaj me emrin tim.
Gjithë të mirat!
Shkruan:
Relapso, ti je i lirë të bësh siç të do zemra dhe natyrisht kjo liri jotja nuk varet nga unë dhe (shpresoj) nga askush tjetër.
Por mos më vër në gojë fjalë që nuk i kam thënë gjëkundi, sepse nuk shkon. Jam përpjekur të jem absolutisht korrekt me ty dhe kam të drejtë të pretendoj, të paktën, një trajtim të ngjashëm.
Asnjëherë nuk të kam kërkuar të nënshkruash me emrin tënd. Kam kërkuar që, në qoftë se dëshiron të hedhësh poshtë një shkrim pa sjellë argumente, të paktën nënshkruaje komentin, që ta kuptojnë njerëzit se po përdor argumentin e autoritetit.
Po të kujtoj edhe një diçka tjetër që shkrove:
E përsërit për ta vënë në pah: “Në qendër të debateve ishin mendimet dhe jo kush i shprehte ato, pasi përveç teje, autorët e tjerë ishin vërtet anonimë.”
Edhe unë si administrator dhe moderator nuk kërkoj dhe as kam kërkuar ndonjëherë më tepër se kaq. Le t’i mbajmë mendimet në qendër të debateve, pra. Sepse ajo që shkrove ti në komentin tënd fillestar, dhe që u bë shkas për gjithë këtë diskutim këtu, nuk ishte “mendim në qendër të debatit”, por shprehje e një reagimi refuzues.
Po ta kujtoj:
Vërtet mendon se kështu mund të niset një debat, dhe aq më tepër një debat që ka në qendër “mendimet”? Si pret ti të reagojë një autor, kur e lexon këtë, aq më tepër kur i vjen me pseudonim? Vëre veten në vendin e tij, dhe më thuaj!
Përndryshe, po të flasim për kërkesa, ishe ti që dole me një “propozim” i pari (për dy alternativat).
Dhe për ta mbyllur: pseudonimet nuk përbëjnë ndonjë pengesë për këtë faqe, dhe as i është kërkuar kujt që të dalë me emrin e vet ndonjëherë. Ne haptazi pranojmë AUTORË që të shkruajnë me pseudonim, jo më komentues. Gjithsekush bën atë që dëshiron dhe që i përshtatet; e vetmja premisë e komunikimit tonë këtu është që të jemi në mirëbesim.
Ajo qe shkrova une ne fillim te debatit ishte edhe “mendim” edhe “refuzues”, pra ishte “mendim refuzues”. Besoj se e kam sqaruar tashme se pse nuk mora persiper edhe ta argumentoja ate mendim refuzues.
Sa per punen e pseudonimeve, nuk e kuptoj se ku eshte problemi ketu. Te them te drejten, qysh kur filluan te perdoren emrat e vertete une kam pasur veshtiresi te komentoj me pseudonim. Dikur u drejtohesha autoreve me “Xha xha”, ose “Pishak”, ose “Presje” dhe ndihesha ne rregull me veten kur nenshkruaja me pseudonim. Keto kohet e fundit kam qene vertet ne siklet t’u drejtohem autoreve me emer duke nenshkruar une me pseudonim. Kur Ernesti me kujtoi se une shkruaja me pseudonim mendova menjehere “ka te drejte” dhe e ndjeva veten keq.
Ndoshta ti nuk e ke kerkuar hapur, por ca reagimi i drejte i Ernestit dhe pergjigjja e tij ku thote se “sa per punen e pseudonimeve, do parapelqeja edhe une te liheshin menjane”; ca pergjigjja jote ndaj nje komenti te mesiperm ku thua se “klima ka nderruar dhe shume vete po parapelqejne te dalin me emrin e tyre, çfare e ndryshon disi edhe etiken e te komunikuarit online”; ca shkrimi yt “streha e fundit e autorit” te cilin e gjeta me vend, ca sikleti im per te perdorur pseudonimin perballe nje emri te vertete, te gjitha keto se bashku me bene te mendoj se ndoshta ka ardhur koha te heq dore nga pseudonimi. Ku dreqin eshte problemi ketu?
Mua me duket se qellimi i autorit nuk ishte te hidhte poshte “me nje te rene te penes rezultatet e historiografise se sotme” por vetem te sillte nje kendveshtrim disi te panjohur (per shqiptaret flas) dhe vetem ne aspekte te cilesuara mire pra ligjshmeria dhe e drejta. Po ashtu ai e shpjegon qarte se per to eshte mbeshtetur tek vepra e analistit gjerman Gentz. Persa u perket ketyre aspekteve, mua me duket se ato çka parashtrohen ne artikull qendrojne, te pakten s’jane hedhur poshte ne asnje nga postimet e deritanishme ne PTF.
Ndersa ajo qe thoni ju qe duhen studime disavjecare s’me duket e arsyeshme, sepse nuk duket te kete qene qellimi i autorit nje krahasim shterues i dy ngjarjeve.
Dhe me historine e Mynyrit duket se ua hiqni te drejten studiuesve shqiptare te merren me çfaredo teme qofte, sepse besoj se s’ka asnje fushe te ciles te mos ia kene nxjerre te tjeret ujin e zi. S’ka asnje shqiptar qe te mos jete Mynyr në krahasim me Sosyret e botes. Po t’i qendrojme tuajes, s’mund te diskutojme as nese psh eshte me i mire grupi i timonit te Fordit apo te Audit sepse duhet te futemi deri te ajo se kush e shpiku i pari motorin me djegje te brendshme, kush ka meritat ne zhvillimin e industrise se makinave sic e njohim sot, etj. etj. Besoj e kuptoni ku e kam fjalen.