Abbas Shouman, nëndrejtor i Shkollës Islamike prestigjioze Al-Azhar në Egjipt, i paska deklaruar agjencisë DPA se loja “Pokémon Go”, për telefona celularë, është ndaluar nga ligji islamik.
Sipas tij, të luash “Pokémon Go” është e barasvlershme me të pish alkool.
“Ajo ndikon keq në mendje dhe e lëndon lojtarin ose të tjerët, pa e kuptuar,” tha Shouman.
Ai shtoi se ta luash këtë lojë është mëkat dhe shpjegoi se arsyeja kryesore për ndalimin e saj ka të bëjë me obsesionin që shkakton te “viktimat.”
Këtë lajm e gjeje poshtë e lart në ueb; të popullarizuar sipas modelit “prapë këta islamistët…”.
Arsyet që sjell Shouman – në lidhje me obsesionin dhe ndikimin negativ të lojës edhe mund të qëndrojnë; madje edhe kur ai thotë se “teknologjia duhet përdorur vetëm kur na lejon të kursejmë kohë dhe fuqi, por jo për qejf; meqë, kur telefoni inteligjent bëhet obsesion, “kjo mund të na zhvendosë vëmendjen nga puna dhe nga lutjet.”
E kuptoj që disa edhe do ta besojnë këtë. Tek e fundit, marrëdhëniet e fesë me jetën e përditshme janë të ndërthurura me ndalime të tilla, të cilat laiku nuk i kupton dot, dhe as ka pse t’i kuptojë.
Pokémon Go nuk ka trazuar vetëm autoritetet islamike. Rick Wiles në SHBA, një pastor evangjelist, ka arritur deri atje sa të përsiatë që teknologjia e lojës mund të përdoret nga ISIS për të “gjeo-lokalizuar të krishterë” dhe për t’i vrarë ata.
Pa përmendur pastaj që, gjithnjë sipas pastorit, loja është “magnet për fuqi demoniake” dhe se po përdoret nga Satanai për të futur, në hapësirat e kishave, cyber-demonë dixhitalë.
Anembanë botës, autoritetet shekullare ndërkohë po konsiderojnë, për arsye praktike, ndalimin e lojës në mjedise të caktuara, për arsye sigurie ose respekti ndaj traditës.
Loja Pokémon Go kombinon, në ekranin e një pajisjeje smart, realitetin virtual me atë real, duke krijuar një realitet “të augmentuar”, ku krijesa virtuale interaktive, të quajtura Pokémon, duket sikur popullojnë botën reale.
E drejta e autoriteteve fetare për t’ua ndaluar këtë lojë besimtarëve mbase nuk ia vlen të vihet në diskutim – por çfarë habit, ose së paku çfarë habit qytetarin në Perëndim, është se disa nga këto autoritete fetare kërkojnë pastaj ta imponojnë vullnetin e tyre forcërisht – dhe jo rrallë edhe me ndihmën e shtetit.
Islami zakonisht paraqitet si i tillë nga mediat; dhe kjo i bën të paktën qesharake disa prej ndalimeve, sidomos ato që kanë lidhje me lojërat.
E megjithatë – njëlloj mund të arsyetohet se një qytetari, ta zëmë në Ohio ose në Poznan, as ka ç’i duhet një ndalim i shpallur nga një autoritet islamik për besimtarët e vet; në kuptimin që absurditeti që përjetohet në raste të tilla mund të jetë thjesht produkt i distancës kulturore, të cilën lajmi në mediat globale e maskon.
Ne në Perëndim vërtet jetojmë në një shoqëri ku ndalime të tilla shihen shtrembër; dhe ku – sa herë që autoritetet duan t’i mbajnë qytetarët larg diçkaje të konsideruar tabu – gjejnë zakonisht rrugë të tjera, të tërthorta, për ta imponuar këtë.
Ka edhe më keq: sepse mund të ndodhë, sikurse edhe ka ndodhur, që autoriteti islamik të kërkojë t’ua imponojë ndalimin edhe jo-besimtarëve.
Pa përmendur pastaj rastin e skajshëm të një terroristi, që mund ta vrasë dikë thjesht ngaqë po luante një lojë të ndaluar nga feja e tij.
Unë nuk kam luajtur ndonjëherë Pokémon Go; por edhe nuk jam gati që ta mbroj, deri në vdekje, të drejtën e dikujt për ta luajtur këtë lojë, përkundrejt kundërshtimit të rreptë prej autoritetit fetar.
Prandaj edhe e shoh më të arsyeshme që të vë në diskutim të drejtën e autoriteteve, për ta ndaluar këtë lojë në publik; sa kohë një ndalim i tillë mund të bëhet shkas, dikur diku, për dhunë.
Natyrisht, kur vjen puna për të ndaluar diçka, edhe e majta radikale nuk do të mbetej prapa: Sam Kriss, në një pamflet teorik në revistën Jacobin, u bën thirrje të vetëve për t’i rezistuar lojës (Resist Pokémon Go). Arsyet, sikurse mund të pritet, janë të komplikuara dhe kanë lidhje, mes të tjerash, me diçka që paska thënë Heidegger-i.
Sa për mua, po mjaftohem të shtoj vetëm kaq: të gjitha këto ndalime dhe paralajmërime të kobshme ende nuk më kanë bindur që të filloj të luaj.