Biseda fillon natyrshëm, sa për të vrarë kohën, gjatë rrugës për në jug të Shqipërisë. Shoferi duket djalë i mirë dhe i qetë. Nuk i tërhiqet bashkëbisedimit. Përkundrazi, tregon me të gjitha mënyrat se ka dëshirë të rrëfejë. Shkëmbimet e para janë pothuajse formale. Ke fëmijë? Të të rrojë. Sa vjeç është? Ah, qenka i vogël. Ke kohë që e bën këtë punë? Nuk paske shumë. Çfarë bëje më parë? Ah, paske qenë në emigracion. Po ku? Në Kurdistan?
Antenat parabolike të vëmendjes tani janë të gjitha në drejtim të tij. Pyetjet bëhen më të dendura e më kureshtare. Mësoj se shoferi i sjellshëm 32 vjeçar ishte nisur për në Kurdistan në vitin 2014. Saktësisht në qytetin Sulejmanì (Sulaymaniyah). Edhe pas saktësimit se bëhet fjalë për shtetin e Irakut, në krahinën veriore, pra në Kurdistanin irakian, ai vijon ta quajë thjesht Kurdistan. Kishte punuar mbi një vit si supervisor security në një hotel/restorant.
Kishte emigruar për arsye ekonomike e familjare, sa për të mbuluar disa shpenzime për shëndetin. Me një rrogë shqiptare nuk i dilej. Ishte nisur se kishte të vëllanë që jetonte prej vitesh në Sulejmani. Madje i vëllai ishte lidhur me një vajzë irakiane nga Bagdadi. Rroga i kalonte një mijë eurot, po të llogarisje edhe bakshishet që i jepnin klientët.
Përveç ushqimit, që ishte i keq, djegës dhe i rënduar me erëza, në Sulejmani nuk jetohej keq. Qyteti ishte i zhvilluar, me një popullsi mbi një milion e gjysmë banorë. Kishte tolerancë fetare. Familjet ishin patriarkale dhe ato vendosnin për martesat e vajzave. Ndërsa burrat, që duhet të martoheshin, kishin si detyrim t’u dhuronin flori grave dhe familjeve të tyre.
Asnjë nga shqiptarët që flisnin me të, nëpërmjet mjeteve të reja të komunikimit, nuk e besonin që jetonte në Kurdistan. Ik, se tallesh, i thoshin. Por ai ua shpjegonte me qetësi, madje duke ua theksuar se jetonte më mirë se në Shqipëri.
Në atë qytet të largët nuk jetonte i vetëm. Kishte plot shqiptarë të tjerë. Vetëm në hotelin ku punonte kishte nja dhjetë bashkëkombës. Kryesisht beqarë, të rinj, ose të martuar, por me familjen në atdhe. Në Erbil, një qytet tjetër, gjithnjë në Kurdistanin e Irakut, jetonte një familje e tërë shqiptarësh: burrë, grua e fëmijë. Në fillim kishte shkuar burri, pastaj kishte tërhequr bashkëshorten e fëmijët.
Për shqiptarët, vendasit kishin përgjithësisht mendim të mirë. Kurse emigrantët kurdë, që jetonin në vendet perëndimore dhe ktheheshin në qytet për pushime, kishin paragjykime.
Nga ana ekonomike emigracioni në Sulejmani kishte qenë fitimprurës. Me paratë e fituara mundësoi mobilimin e shtëpisë dhe pagesën e shpenzimeve shëndetësore familjare. Por nga ana tjetër kishte ndjerë stres të madh për shkak të largësisë nga familja. Për fat ekzistonte Skype, se të flisje në telefon më Shqipërinë ishte jashtëzakonisht e kushtueshme.
Nëse dëshironte të shkonte sërish? Patjetër, me 30.000 lekë që merren në Shqipëri është e vështirë të ecësh përpara kur ke familje. Pastaj nuk ishte hera e parë që shkonte në emigracion. Në vitin 2005 kishte qenë në Greqi, ku kishte punuar për gjashtë muaj. Në 2008-n kishte qenë në Gjermani për 3 muaj, gjithnjë për punë. Pastaj gjashtë muaj në jug të Italisë, ku kishte punuar në bujqësi, por pa dokumente.
Tani kishte ndër mend të shkonte në Gjermani tek disa kushërinj për tre muaj, kështu që mund t’i bënte fëmijës një festë të vogël e t’i blinte ca gjëra. Megjithatë, emigracioni i dukej i vështirë, sidomos që kur ishte bërë me familje.
Biseda e këndshme mbaroi natyrshëm sikundër filloi. Disa fjalë për rrugën, kohën e vendmbërritjen.
Nga përgjigjet që mora më lindën pyetje të tjera, sikurse m’u rrit dëshira për njohjen e statistikave të shqiptarëve në botë. Megjithatë disa gjëra m’u qartësuan më mirë. Si në rastin e trajektoreve për flukset e reja të emigrantëve shqiptarë, të cilat konceptohen ende si rreze në drejtim ekskluziv të vendeve perëndimore, ndërkohë që emigrantët shqiptarë kanë filluar të eksperimentojnë rrugë të parrahura më parë. Në këtë pikë ndikon edhe imazhi që kanë përgjithësisht shqiptarët për vendet e zhvilluara, ku synojnë të emigrojnë. Natyrisht edhe mundësitë reale dhe pengesat për të shkuar atje.
Modeli klasik i migrimeve nuk i shpjegon dot të gjitha lëvizjet në botën globale. Motivi kryesor mbetet ai ekonomik dhe familjar. Kushtëzimi i rrjetit familjar e farefisnor është ende i fortë, edhe për flukset migratore. Caktimi i vendeve dhe i kontinenteve si objektiv migrimi varet nga gjetja e një të afërmi ose miku, që banon në vendin e pritjes.
Interesante gjithashtu çështja e paragjykimeve. Nga një anë ato përbrendësohen nga të huajt për të huajt, që jetojnë jashtë shtetit, dhe pastaj barten në vendet e origjinës, duke hyrë në kundërshtim me imazhin tradicional. Në këtë rast shqiptarët janë viktima, por nesër rolet mund të ndërrohen, në vartësi të kohës e të vendit.
Edhe pse heshtja është e vështirë për t’u lexuar, mospërmendja e rolit të politikës për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për të shmangur ecejaket nëpër botë, mund të interpretohet si shenjë rasenjimi. Një pjesë e shqiptarëve nuk presin shumë nga klasa politike dhe e shohin zgjidhjen vetëm tek aftësitë e përpjekjet individuale.
Nga të gjitha këto ndryshore dallohet qartë një konstante: malli për familjen, qendra gravitacionale për emigrantin.
Ndërsa konstantja e padukshme ka të bëjë me vuajtjen shpirtërore të migrantit, atë që bashkëbiseduesi im i sinqertë e quante stres, që nuk matet lehtë, as me modele teorike e as me përqindje statistikore.