Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Emigracion / Jurisprudencë / Politikë

ZGJEDHJE JO KUSHTETUESE NË BASHKINË HIMARË

nga Agron Alibali

Presidenti i Shqipërisë, më datën 5 korrik 2024 shpalli Dekretin nr.242 për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë Himarë 30 ditë më vonë, d.m.th. më datën 4 gusht 2024.[1]

Më datën 9 korrik PS-ja shpalli qytetarin Gjergj Mullaga si kandidatin e vet. Më datën 10 korrik PD + PBDNJ-ja shpallën shtetasin Hasan Hyseni si kandidatin e vet. Të dy kandidatët nuk janë banorë rezidentë të zonës ku do të zgjidhen. Për më tepër, kandidaturat e tyre janë shpallur më pak se 30 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve.

Mirëpo, Dekreti i Presidentit dhe propozimet partiake PS+PD+PBDNJ janë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën, pasi kufizojnë, në mos eliminojnë fare, të drejtën e kandidimit për kryetar të qytetarëve rezidentë të Himarës të propozuar nga vetë banorët rezidentë, p.sh. të Qeparoit, të Tërbaçit, Lukovës apo çfarëdo fshati tjetër të Lumit të Vlorës apo të Bregut.

Kushtetuta dhe ligji shqiptar nuk ua lënë monopol partive politike të drejtën për të caktuar kandidatin.

Kushtetuta parashikon se e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur i takon çdo shtetasi që ka mbushur 18 vjeç. [Neni 45.1]. Edhe Kodi Zgjedhor sanksionon parimin e barazisë në zgjedhje, që materializohet me dispozitën se “Çdo shtetas shqiptar…ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet…”. [Neni 3 i Kodit Zgedhor].

Po ashtu, neni 70.1 i Kodit Zgjedhor parashikon se një grup zgjedhësish me banim në zonën zgjedhore Himarë kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për kryetar të bashkisë ose një kandidat për këshillin vendor jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve.

Kështu, në rast se një grup zgjedhësish nga Qeparoi, Lukova, Fterra apo Lepenica duan të zgjedhin, ta zëmë Çobo Rrapushin apo Tare Bollanon si Kryetar Bashkie, atyre kjo e drejtë u mohohet nga Dekreti i Presidentit, por edhe nga stërngutja e PS+PD+PBDNJ-së, pasi kandidatura lokale duhet të regjistrohej të paktën brenda datës 15 qershor 2024.

Madje edhe për formimin e Komisioneve Nismëtare të kandidimit qytetar duhet si minimum një afat 70 ditor.  Në rastin hipotetik tonin, Komisionet Nismëtare për kandidimin jashtëpartiak do të duhej të ishin ngritur brenda datës 25 maj 2024.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore i Këshillit të Evropës është edhe vendbanimi, apo rezidenca e zakonshme në rastin e zgjedhjeve vendore [habitual residence]. Ky kriter vendos një periudhë kohore 6 mujore si periudha minimale për vendbanimin e zakonshëm. Moszbatimi i këtij kriteri ngre pikëpyetje të ligjshme nëse kandidatët e PS+PD+PBDNJ kualifikohen sipas standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve si dhe Kodit Zgjedhor shqiptar.

As Presidenti i Republikës, as partitë politike, dhe as ndonjë organizatë vendase apo e diasporës amerikano-greko-shqiptare nuk mund të prevalojnë përmbi vullnetin e lirë të banorëve të Bregut dhe të Lumit të Vlorës me vendbanim të zakonshëm aty për të zgjedhur kë të duan ata në krye të Bashkisë së sajuar të Himarës. Themi “e sajuar”, sepse Bashkia e vërtetë e Himarës është ajo brenda vijave të verdha të qytetit, me kufij qafën e Porto Palermos të Qeparoit në jugë, përroin e Jalit të Vunoit në veri, dhe kullotat e Pilurit në lindje.

Prandaj, nëse vërtet duam zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme në Himarë, le të hidhet poshtë monopoli i partive politike dhe le t’u mundësohet edhe banorëve rezidentë të Bregut dhe të Lumit të Vlorës që të zgjedhin lirisht kandidatin e tyre, jopartiak, dhe që e ka vendbanimin e zakonshëm në bashkinë ku kandidon. Kjo do të ishte në përputhje të plotë me të drejtën e barabartë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Mirëpo, kjo lyp anullimin e Dekretit të Presidentit dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve me një afat të paktën tremujor, në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe parimet e Kushtetutës.

© 2024 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Dekreti nr. 244, dt. 5 korrik 2024, botuar më datën 9 korrik 2024 në Fletoren Zyrtare 117/2024, f 14156.

P.S. Neni 70 i Kodit Zgjedhor bashkëngjitur.

P.P.S. Emrat e kandidatëve, etj. më sipër janë përgjithësues dhe krejt të rastit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin