Një javë pasi Shqipëria u pushtua nga trupat e Musolinit, revista e njohur parisiane Match i kushtoi një numër të tërë viktimës së vogël ballkanike. Duke mos pasur gjësendi më afër atij realiteti të trishtuar, ajo botoi në mbulesën e saj të parë një portret të mbretëreshës Gjeraldinë.
Ishte tamam ky portret i bukur e pak mistik që pothuaj njëzet vjet më parë më shtyu ta blej këtë numër të 13 prillit, 1939, te një bukinist i bulevardit Saint Michel. Veçse duhet të kenë kaluar disa muaj para se t’i vinte radha ta shfletoj me nge dhe të zbuloja se në faqet e tij të brendshme qe fshehur një thesar i vogël. Bashkë me disa fotografi të natyrës historike dhe një reportazhi për rrethanat ndërkombëtare të pushtimit të Shqipërisë, aty gjenden edhe pesë fotografi ku janë fiksuar skena të “gjamës së burrave”, qarjes rituale të të vdekurve në malësitë shqiptare. Një përkitshmëri simbolike e habitshme me çastin historik të botimit të atij numri.
Për shumë kohë, përpjekjet e mia për të gjetur autorin e fotografive të “Gjamës së burrave” nuk dhanë asnjë rezultat. Revista vetë nuk jepte shenja se nga duhej kërkuar. Fotografitë qenë botuar pa emër autori dhe pa asnjë info nga mund të ishin marrë. Kohët e fundit këtë problem mundi ta zgjidhë studiuesi i njohur Robert Elsie. Ai thotë se ato fotografi i përkasin antropologut gjerman Reimer Schulz, i cili në kuadër të një ekspedite gjermano italiane, kreu studime në Theth të Dukagjinit në emër të Entit Rajonal të Tyringisë për Çështjet Racore.
Elsie përmend po ashtu, se mbi dyqind foto të nxënësve të shkollave të Dukagjinit, të realizuara gjatë kësaj ekspedite, iu dhuruan një arkivi në Halle. Sipas gjasave, ato u zhdukën të gjitha gjatë L2B. Përkundrazi, fotografitë që trajtojnë “gjamën” Reimer Schulz i botoi në revistën e Lajpcigut Atlantis (vëll. 10, 1938, f. 257-259). E tepërt të themi se ky ishte një fat i madh për antropologjinë shqiptare. Dua të besoj se Match i Parisit i ka marrë ato foto pikërisht nga Atlantis i Lajpcigut.
Me shpërthimin e luftës, vetë Reimer Schulz do të mobilizohet si ushtar në frontin rus, ku edhe do të vritet më 1941.
Fotografitë në fjalë, janë të gjitha të një bukurie të rrallë, por midis tyre zgjodhëm vetëm njërën për të shprehur disa vlerësime të punës së R. Schulz-it dhe të kontekstit të realizimit të tyre. Veçse, më parë më duhet të pranoj se informacioni për ato pothuaj dyqind fotografi të tjera, që sipas z. Elsie iu ofruan atij arkivit në Halle, më intrigon së tepërmi.
Ideja e parë që më shkon ndërmend është se ardhja e ekspeditës në malet e Shqipërisë duhet të lidhet pikërisht me ato portrete të zhdukura. Dhe këtu fjala “portret” nuk është tamam në vendin e vet (të paktën sa i përket ngarkesës së tij estetike), ka mundësi të jetë fjala për kërkime e analiza antropologjike, në një kontekst të caktuar politik jo fare pa lidhje me idetë eugjeniste të kohës.
Një ndërmarrje e tillë ka të ngjarë të jetë ndikuar nga punimet e Hans F. K. Günther-it (nëse ju pranoni me mua se mungesa e provës nuk është provë e mungesës), i cilësuar si “raciologu më i madh i Rajhut të III-të”. E kam të vështirë të mendoj se Enti Rajonal i Tyringisë (landi ku nacional socialistët erdhën për herë të parë në poste drejtuese dhe ku Günther-it iu afrua një katedër universitare), pra, e kam të vështirë të besoj se ky land do të financonte një ekspeditë të tillë nisur nga motive të ndonjë nostalgjie ekzotike apo thjesht si një replikë e vonuar gjermane e udhëtimeve të romantikëve të mëdhenj të shekullit të shkuar nëpër Ballkanin Perëndimor. Por, megjithatë, do të qe fort e kollajshme po ta thjeshtonin gjithçka dhe të thonim se ajo ndoshta ishte shprehje e disa cilësimeve të përfolura gjermane (në fakt naziste) për shqiptarët, të flisnim për raca të “pastra”, për gjak të papërzier, për mite arianësh e për të tjera histori që janë pëshpëritur aq shumë në rrjedhë të shekullit të shkuar, veçanërisht e çuditërisht, nën diktaturë.
E vërteta është se vetë koncepti nazist për problemet racore nuk ka qenë unik dhe i palëvizshëm në vite. Edhe pse teoritë eugjeniste e madje higjeniste nuk janë krijesë e nazizmit (njohën suksesin e parë ne Ameriken e fundshekullit XIX-të), teoritë për origjinën ariane të racës gjermane, me kohë edhe një krah dijetarësh dhe dinjitarësh nazistë nisin t’i shohin si të diskutueshme. Dhe në këtë mes, rol të madh ka luajtur vetë Hans F. K. Günther, i cili nuk duhet harruar se versionin e parë të punimit të tij më të njohur, Raciologjia e popullit gjerman, e ka botur që më 1922 (në Francë u përkthye më 2006).
Thuhet se ai u ndikua nga A. Gobineau. Në të vërtetë të gjjthë raciologët e atij shekulli u ndikuan nga Gobineau, por për mendimin tim Günther-i u ndikua më pak apo më saktë u ndikua vetëm në fillimet e veta. Natyrisht, gjermanët morën atë që deshën prej tij, sepse Gobineau vetëm sa krijoi një lloj mastërskeme raciale. Pasi punoi për shumë vite si diplomat në Iran ku mësoi gjuhën vendase dhe u bë më pers se persët, Gobineau solli në Evropë mitin e racës ariane nëpërmjet librit të tij të shumënjohur Essai sur l’inégalité des races humaines (1853). Megjithatë ai nuk u ul në nivelin e qëndrimeve konkrete ndaj popullsive të ndryshme dhe madje u prish keq me mikun e tij, Rikard Vagner, sepse nuk e duronte mesianizmin dhe antisemitizmin e tij. Gjithsesi, ai, duke folur për superioritetin e racës së bardhë ndaj asaj të zezë e aziatike, vë racën ariane si pjesën më të shkëlqyer të racës së bardhë, por pa bërë asnjë lidhje me strukturat nacionale evropiane të kohës së tij. Këtu i kalojmë anash faktit se elitat shkencore frënge të asaj kohe (madje edhe sot), nuk i kushtuan rëndësi teorisë së tij.
Janë një numër eugjenistësh të tjerë fillimisht anglezë dhe pastaj janë ideologët e Rajhut të Tretë ata që e shohin popullin gjerman si pasardhës të elitave ariane, por kam përshtypjen (nuk jam specialist racash dhe njoh vetëm një racë, atë njerzore) se, duke lënë mënjanë fillimet e tij, Hans F. K. Günther, mbajti qëndrim më të matur për gjithçka që lidhej me pozicionimin e racës ariane. Por idetë e tij nisën të “zyrtarizohen” andej nga viti 1935 dhe veçanërisht pas rënies së ndikimit të SA-ve. Janë SS-ët ata që nisin ta mbështesin Günther-in, i cili duke u bazuar te një historian i madh i popujve gotë, Jordanes (shek.VI-të) i mëshon teorisë se është raca nordike dhe jo ariane trashëgimtare e kulturës dhe spiritualitetit indo-gjerman të prehistorisë.
Konceptin e tij nordik ai gjeografikisht e orienton në Evropën paloelitike të pambuluar nga akullnajat (brezi që kalon nga Skandinavia e rrotull detit Baltik). Me këtë Günther shpreh pozicionin e tij në një debat të rëndësishëm të kohës duke u ngritur kundër hipotezës se një migracioni të elitave ariane nga Azia drejt Evropës. Që një ide e tillë ka marë formën e një qendrimi zyrtar këtë e tregon fakti se në shkurt 1935, gazeta e SS-ëve Das Schwarze Korps, përqafon idenë e Gunter-it dhe bën Polin e Veriut vend-origjinën e racës nordike. Po arianët ku janë ? Aty janë edhe ata, për ta do të flitet deri në fund, por megjithatë, kur flitet për shtratformimin e popujve veriorë, në librin e tij herë përmendet gadishulli i Krimesë dhe herë Jutlandi (gadishulli i Danimarkës). Pra, siç shihet, arianët u ruajtën formalisht, por atyre ua ndryshuan fletë-udhëtimin.
Pas kësaj thuhet se rekrutimet e antarve të tyre të rinj, ss-ët nisën t’i bëjnë sipas kritereve të Günther-i dhe kjo, natyrisht, duhet t’i ketë nxjerrë nga ndonjë siklet i madh. Se kush do t’u lëshonte rekrutëve të tyre certifikata të prejardhjes ariane, sa kohë që këta shiheshin të ardhur thellësitë e Azisë!
Ndryshe nga të tjerët (dhe me këtë më tërheq fort vëmendjen) Günther është i mendimit se nuk mund të ekzistojë asnjë racë e pastër, as ajo gjermane. Në opinionin e tij, në rrjedhë të mijravjeçarve racat janë përzier dhe kanë hyrë në një të tatëpjetë zvjerdhjeje. Edhe vetë popujt veriorë kanë nisur të çveriorizohen (denordifikohen, entnordung ). E për t’i bërë ballë një procesi të tillë degjenerues ai propozon veriorizimin e popullit gjerman (Aufnordung ) nëpërmjet një seleksioni strikt racial që ka për qëllim të shtojë pjesën e gjakut nordik midis popullit gjerman. Vetë jep shembullin duke u martuar me një norvegjeze.
Por në rrjedhë të ribotimeve të librit të tij Raciologjia e popullit gjerman, Günther zhvillon disa « shtesa » teorike, ku pasi ka shpjeguar se në gjakun gjerman gjen pjesë të racës nordike (në masën 50%), ndërkohë që pjesa tjetër është gjak i racës mesdhetare, alpin, baltolindor, ai nuk mungon të flasë edhe për racën dinarike, që gjeografikisht e sheh të shtrihet nga Tiroli e deri në Ballkanin Perëndimor. Këtu shtrëngohemi të themi se ka një lloj paqartësie (të paktën për mua) se kush ishte i pari që nisi të flasë për një versant racor dinarik, se një formulim i tillë, i njihet edhe C. Coon-it, që edhe ai tregoi interes për ballkanin, por edhe të tjerëve më parë. Megjithatë, idenë e pranuar nga të gjithë se çfarë përfaqëson kjo race dinarike e jep polaku Jan Czekanovski që mbetet edhe raciologu im i parapërqyer (është ai, që me autoritetin shkencor që kishte shpëtoi nga furra degën polako-lituane të popullit karaim, duke bindur eugjenisët nazistë se këta të fundit ishin me origjinë turke, megjithë konfesionin dhe gjuhën çifute që përdornin), pra, në formulimin e Czekanovski-t raca dinarike është një përzierje e racës nordike dhe asaj armenoide, gjë për të cilën ai sjell prova të kërkimeve të tij antropologjike, të indekseve qefalikë dhe karakteristika të tjera raciale.
Atëherë, ku është interesi i ekspeditës gjermane në Shqipëri, se këtu e nisëm?
Duhet thënë se libri i Günther-it tij paraqet probleme të rëndësishme kriteresh shkencorë. Ndonëse është i ilustruar me 564 fotografi të përfaqësuesve të tipologjie racore që i interesojnë (një pjesë të të cilëve ia kanë dhënë kolegë të ndryshëm universitarë, koleksionistë apo edhe muzeume të mëdha si ai i Vjenës), kur është fjala për analizat e tipit dinarik, Günther thotë se ka njohur individë të tillë në mënyrë krejt rastësore. Ai ka “studiuar” vetëm robërit “dinarikë” që shpinin në Gjermani, e që kishin bërë pjesë në radhët e forcave aleate gjatë L1B.
Qoftë edhe për një shkencë të tillë të si raciologjia, të nisësh nga elementë kaq rastësorë në përcaktimin e rregullsive tipologjike, është një punë më shumë se e dyshimtë. Në formulimin e vetë Günther-it: “Raca është tërësia e dispozicioneve të trashëguara e kolektive, të rendit trupor dhe psikologjik”. Atëherë çfarë ka kuptuar ai nga robërit rastësorë të luftës që ka observuar, pa përmendur faktin se Shqipëria mbajti një qëndrim asnjanës në atë konflikt, gjë që do të thotë se Günther-i nuk ka patur rast të njohë asnjë rob “dinarik” shqiptar.
Dua të besoj, se ndërkohë që ai po vishte funksionet e raciologut zyrtar të Rajhut të Tretë, struktura të tjera shtetërore u vunë në shërbim të pasurimit e kompletimit të botimeve të tij. Dhe nuk është fort absurde të besohet se duke realizuar një numër aq të madh portretesh të malësorëve shqiptarë, ekspedita e Reimer Schulz-it synonte të plotësonte një boshllëk të ndjeshëm duke ofruar material ilustrues për karakteristikat e tipareve dinarike dhe të kësaj nahije të Ballkanit si edhe të mjedisit antropologjik. E gjitha kjo si mbështetje e përpjekjeve të Gunther-it që ishte gjithnjë në kërkim të formulës magjike që do ndikonte në shtimin e përqindjes së gjakut nordik në mesin e popullit gjerman.
Vijon