Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

KË TË REHABILITOJMË, QYTETIN APO ARKITEKTIN?

Skenografi apo Rehabilitim?” (5 Prill 2016) (A.V.)

Ç’marrëdhënie ka skenografia me urbanistikën dhe arkitekturën?

Ndonëse nuk e përjashtojnë njëra tjetrën as skenografia nuk është arkitekturë, as arkitektura nuk është skenografi. Përndryshe mund të themi se arkitektura, nëse reduktohet në skenografi, zhvishet nga funksioni i saj utilitar (karakteristikë që arkitektura e ndan edhe me një tjetër art vizual tredimensional, skulpturën).

E megjithatë metamorfoza e arkitekturës në skenografi shpesh perceptohet si çlirim.

Arkitektura e reduktuar në skenografi dhe jashtë rolit të saj utilitar, është potencialisht imazh, formë, skulpturë, art, kanavacë, por është gjithashtu edhe një lloj “tabula rasa”. Në këtë kontekst (pun intended) arkitekti, vizionari, artisti, nuk janë më të kushtëzuar nga përdoruesi, as nga e shkuara e vetë, pavarësisht nga prejardhja e simboleve që përdorin. Është pikërisht kjo që i mundëson arkitektit të konkurrojë si i barabartë mes artistëve vizualë, dhe vetë arkitekturën me simotrat e saj, artet figurative, në hapësirën post-moderne të dominuar nga imazhi. Dhe nuk ka zhgënjyer.

Por a mund të çlirohet arkitektura përfundimisht nga utilitarizmi (apo edhe nga varësia fizike dhe psikologjike e së shkuarës) pa humbur diçka nga vetja? Akoma më shumë, a ka kuptim një arkitekturë pa utilitarizëm, pa ndërvarësinë, pa kushtëzimin? A është kjo liria që ajo ka nevojë?

Shpesh dëgjoj që Shqipëria është nga vendet më të mira dhe me më shumë liri për të bërë arkitekturë. Pjese e këtij vlerësimi (miti?), kësaj lirie të perceptuar, them se është edhe roli që përqasja skenografike (e zyrtarizuar) luan në projektimin urban dhe arkitektonik në atë vend.

Tiranës ka kohë që i ofrohet vetëm skenografi si zgjidhje. Mjafton të kujtosh projektin e ngjyrave, të mbështetur krejtësisht në efektet (e supozuara) anësore, sociale dhe fizike, të skenografisë. Gjithashtu, mjafton të kujtosh konkurset e panumërta të zhvilluara me starchitect-ë në një seri projektesh, të cilët jo rrallë dhe jo rastësisht janë edhe mjeshtër, ose vetëm mjeshtër, të skenografisë.

E megjithatë, Tiranës i ofrohen gjithnjë e më shumë vizione, dhe gjithnjë e më pak zgjidhje.

Tirana ndoshta ka nevojë për ujë, ka nevojë për kanalizime, ka nevojë për ngrohje,  parkime, transport publik. Por ndoshta ka nevojë edhe për më shumë shkolla, për më shumë hapësira sportive, teatro, kinema, galeri, muze, librari, parqe lodrash për fëmijë, hapësira tregtare.

Çfarë lidhje kanë këto problem me masterplanet, propozimet arkitektonike dhe urbanistike?

E vërteta është që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje. Sepse një arkitekt apo urbanist mund të zgjedhë fare mirë të merret vetëm me një ose disa nga këto probleme. Por mund të zgjedhë edhe që të mos merret me asnjë prej tyre. Mundet në fakt të zgjedhë të merret me biodiversitetin në qytet, ose të merret vetëm me këmbësorët, apo ta imagjinojë Tiranën si New York-u, Shanghai ose një shartim i të dyjave.

Në rastin e Tiranës, arkitekti është i kufizuar vetëm nga imagjinata.

Dhe ky them se është problemi i parë i madh që ka sot Tirana, të gjejë se me çfarë duhet të merren arkitektët? Një problem që preokupon publikun, politikanët, dhe ndoshta arkitektët vetë.

Skenografi apo Rehabilitim?”

Koncepti i rehabilitimit (që përbën pjesën e dytë të pyetjes së A.V. në shkrimin me të njëjtin titull) apo edhe të tjerë koncepte të ngjashme si ruajtja, restaurimi, ristrukturimi, rindërtimi, e nënkuptojnë arkitekturën dhe funksionalitetin, porse ia referojnë atë historisë. Shpesh kjo referencë perceptohet si një mangësi, kufizim, ndrydhje, apo handicap të cilit i duhet t’i nënshtrohet arkitektura. Asnjë nga këto nuk janë komode dhe as interesante për arkitektin.

Për të qenë të sinqertë, nuk është e lehtë të gjesh një ‘konsensus historik’, që më pas t’ia përshtatësh një procesi uniform të planifikimit urban dhe arkitektonik. Kush mund të thotë që në Tiranën e Vjetër nuk mund të ndërtosh dot si tek Tirana e Re, dhe si? Apo në Tiranën e Re nuk mund të ndërtosh dot si në Kombinat, dhe në Kombinat nuk mund të ndërtosh dot si në Laprakë?

Akoma më e vështirë është që të gjesh një gjuhë të përbashkët midis utilitarizmit dhe historicizmit – që ndonjëherë është e barasvershme me diferencën midis proceseve dinamike dhe statike. Në kësi rastesh, nuk mundet të theksosh njërën pa kufizuar tjetrën. Mjafton t’i referohesh rolit të automobilit në qytetin tradicional (historik) për të kuptuar se përse bëhet fjalë. Për shembull a mundet të përftosh njëherësh edhe gjelbërim edhe parkim në të njëjtën hapësirë? A mund ta kthesh një nyjë trafiku tradicionale, në një qendër pedonale, sado i mirë qëllimi?

Dhe në raste të veçanta situatat janë edhe kontradiktore, nga ato që quhen competing interests. Sepse shpesh çfarë i intereson privatit, biznesit, grupeve të interesit, nuk i intereson publikut dhe qytetarëve. Sepse të ruash dhe të rehabilitosh qytetin do të thotë të ruash dhe mbrosh disa nga monumentet dhe ndërtimet karakteristike të tij, pavarësisht se sa jofitimprurëse janë ato për privatin apo grupin. Dhe ky është një pozicion aspak komod për atë që duhet ta promovojë, arkitekti.

Megjithatë mëndja ta do që një zgjidhje racionale, apo e pranueshme, duhet të ekzistojë për secilin nga këto, dhe të tjera probleme. Sepse vetë qyteti është krijesë jona. Nëse humbasim besimin te qyteti në aspektin fizik, a nuk kemi humbur besimin edhe te një koncept më i gjerë i bashkëjetesës sonë në të?

Por për këtë kemi politikanët, që i pyesim dhe na pyesin, dhe në fund i marrim vendimet së bashku. Dhe këtu dalim te problemi i dytë akoma më i madh që kemi ne në Shqipëri, që është: në Shqipëri politikanët ne as i pyesim as na pyesin.

Sepse po t’i pyesnim edhe po të na pyesnin ndoshta do kishim arritur të kishim një listë me probleme që t’ua jepnim arkitektëve dhe t’u thoshim: kjo është lista e problemeve tona me të cilat duhet të merreni ju zotërinj.

Deri atëherë kam frikë se arkitektët do kenë vetëm liri, dhe ne do kemi vetëm skenografi.

5 Komente

  1. “Por ndoshta ka nevojë edhe për më shumë shkolla, për më shumë hapësira sportive, teatro, kinema, galeri, muze, librari, parqe lodrash për fëmijë, hapësira tregtare.
    Çfarë lidhje kanë këto problem me masterplanet, propozimet arkitektonike dhe urbanistike?…” – shkruan autori.

    Natyrisht që kanë doemos lidhje, se nëse hapësirat më sipër do të ndodhnin pa plane rregulluese, pa propozime arkitektonike dhe urbanistike (si ç’duhet e jo këto placebot që janë ofruar deri më tani) nuk do e merrte vesh qeni të zonë.

    Ndoshta duhej bërë së pari e qartë që rrokopuja dhe urbanizimi i pafre i kryeqytetit pas 90-ës nuk do të ishin këto që janë, plagë të hapura, nëse do të ishin bërë më parë ca “masterplane”, por që mua më pëlqen t’i quaj: “plane rregulluese” dhe “zgjidhje arkitektonike”.

    Gjithashtu nuk jam në një mendje me konceptin që përdor aq shpesh në artikull autori: “utilitar”. Ç’nënkuptohet me këtë: dobishmëria, apo funksionaliteti?

    Shkruan Agalliu: “Përndryshe mund të themi se arkitektura, nëse reduktohet në skenografi, zhvishet nga funksioni i saj utilitar (karakteristikë që arkitektura e ndan edhe me një tjetër art vizual tredimensional, skulpturën).”

    Qyshkur paskësh skulptura funksione “utilitare”?

    Një nga gjërat që më zhgënjeu më shumë në këtë shkrim është pikërisht mungesa e një koncepti të qartë se ç’është arkitektura. Për mua (e jo vetëm për mua,- mjafton të shfletohet për këtë) arkitektura nuk është ndërtimi i thjeshtë, porse arti i të ndërtuarit si i tillë.

    Që politika dhe vendimmarrësit, nisur nga injoranca apo motive të dyshimta vetëpasurimi, i hedhin hi syve publikut, për këtë nuk e ka fajin as “arkitektura” e as përmbushja e funksioneve të saj “utilitare” a jo. Pasi edhe vetë ana “skenografike” e mëtuar lë për të dëshiruar. Madje nuk mund të flitet kurrsesi në të tilla raste për “arkitekturë”, ashtu si nuk mund të flitet, bie fjala, për vëllimin e shumëpërfolur “Vrima” si letërsi.

    “Por a mund të çlirohet arkitektura përfundimisht nga utilitarizmi (apo edhe nga varësia fizike dhe psikologjike e së shkuarës) pa humbur diçka nga vetja?”. Natyrisht që mund të çlirohej: pasojat janë katastrofale (shembull: stalinizmi, Çaushesku, shembja e gjysmës së Tiranës dikur dikur në emër të “planeve”,Hiroshima, Nagasaki e me radhë).

    Zot na ruaj, vetëm kjo nuk duhej të ndodhte: “çlirimi nga e shkuara, varësia fizike dhe psikologjike prej saj”. Kjo do të ishte amnezi e pastër, pavarësisht se pyetja e shkruesit është retorike.

    Nga dobishmëria, çfarëdo të nënkuptohet këtu me “utilitarizëm”, sheshi Skënderbej ka gjithnjë i “çliruar”. pasi nuk mund të flitet për “dobishmëri” në rastin e një xhamie, një Pallati Kulture, një Muzeu Kombëtar e një skulpture, të cilat përbëjnë edhe brumin më të fortë të këtij sheshi (Banka është ca e mënjanuar e Hoteli 15-katësh nuk e ka atë ngarkesë historike që të luante ndonjë rol të pazëvëndësueshëm).

    1. Arb,
      Për ta bërë të qartë qysh në fillim, shkrimi është shkruar në kontekstin e asaj që ndodh në Tiranë, dhe aspak në ndonjë kontekst teorik abstrakt.
      Kur flitet për masterplanet flitet për ato konkrete me arkitektë konkretë, dhe jo për ndonjë koncept masterplani në Wikipedia. Flitet në kontekstin e 3 apo më shmë që janë formuluar ne këto 25 vjet. Jo vetëm që rezultatet e tyre flasin vetë, por edhe kur mendon se bullshit-i ka kapur majën me njërin, vjen tjetri që është akoma edhe më bullshit-er se parardhësi.
      Sa për për konceptin e arkitekturës, askund në shkrim nuk thuhet që arkitektura nuk është art. Thjesht thuhet që është reduktuar në art, dhe diferenca është e qartë për këdo që do ta kuptojë.
      Për paragrafin që felt per skulpturën ke të drejtë, sepse nuk është formuluar mirë. Përkundrazi desha të them se arkitektura zhvishet nga funksioni utilitar kur reduktohet në skulpturë sikurse ndodh edhe kur reduktohet në skenografi.
      Megjithatë faleminderit për komentin.

  2. Edhe fotoja qe keni perzgjedhur eshte e goditur. Ka disa ilustrime te sheshit te ardhshem por kjo foto tregon me se miri se Rama deshiron te ndertoje nje shesh te mbyllur qe nuk komunikon me qytetin, gati-gati pa funksion dhe ne fund absurd.

    1. Fotoja është kortezi e A.V.-së. Unë jam arkitekt po do i lija A.V.-së të bëntë zgjedhje grafike në vëndin tim sa herë të kisha mundësi.

      1. Fotoja eshte marre nga projekt propozimi fitues i konkursit per ridizajnin e Sheshit Skenderbej nga 51N4E ne bashkepunim me Anri Salen. Meqe projekti i sapo prezantuar nga Bashkia Veliaj ka shume ngjashmeri me kete te vitit 2008 u perzgjodh kjo foto per te shoqeruar shkrimin e mesiperm.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin