Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

APOLOG PËR NDERSHMËRINË

nga Italo Calvino

Na ishte një herë një vend që mbahej në këmbë i mbështetur mbi paligjshmërinë. Jo se i mungonin ligjet, dhe as ngaqë nuk kish një sistem politik të ngritur mbi parime që të gjithë, pak a shumë, thoshin se i pranonin. Por ky sistem, i nyjëtuar përmes një numri të madh qendrash të pushtetit, kish nevojë për mjete financiare të pamasa (kish nevojë, sepse kur je mësuar të kesh shumë pará, nuk je më në gjendje ta konceptosh jetën ndryshe) dhe mjete të tilla mund të siguroheshin vetëm me rrugë të paligjshme, ose duke ia kërkuar atij që kishte, përkundrejt favoresh të paligjshme. Me fjalë të tjera, kush mund të jepte pará për të marrë favore, zakonisht i kish fituar këto pará duke bërë favore; për ç’arsye edhe përftohej një sistem ekonomik njëfarësoj rrethor dhe që e kish edhe ai një drejtpeshim të vetin.

Kur financohej me rrugë të paligjshme, asnjë qendër pushteti nuk përjetonte ndonjë ndjenjë faji, sepse për moralin e vet të brendshëm, çfarë bëhej për interesin e grupit ishte gjithsesi e ligjshme, madje e meritueshme: kjo ngaqë çdo grup e identifikonte pushtetin e vet me të mirën e përbashkët, aq sa paligjshmëria formale nuk e përjashtonte një ligjshmëri thelbësore të epërme. E vërteta është se për çdo transaksion të paligjshëm në favor të një entiteti kolektiv, ishte bërë zakon që një përqindje t’u mbetej në dorë individëve, si shpërblim i merituar për shërbimet e domosdoshme të ndërmjetësimit prej sekseri: prandaj ajo paligjshmëri që për moralin e brendshëm të grupit ishte e ligjshme, sillte me vete edhe pak paligjshmëri edhe në atë moral. Mirëpo po ta shohësh këtë gjë nga afër, privati që fuste në xhep llokmën e vet individuale duke e zbritur nga llokma kolektive, ishte i sigurtë se fitimi i tij individual vinte si pasojë e favorit ndaj përfitimit kolektiv; çka do të thotë se ky individ mund të bindej, pa hipokrizi, që sjellja e tij ishte jo vetëm e ligjshme, por edhe e meritueshme.

Në të njëjtën kohë, vendi kishte edhe një buxhet zyrtar të kushtueshëm, që ushqehej nga taksimi i çdo veprimtarie të ligjshme dhe që financonte, në mënyrë të ligjshme, të gjithë ata që me rrugë o të ligjshme, o të paligjshme, arrinin të siguronin financim. Meqë në atë vend askush nuk ishte gati jo më, të themi, për të falimentuar, por as për të sakrifikuar diçka nga e vetja (dhe nuk kuptohet se në emër të çfarë mund të pretendohej që dikush të sakrifikonte nga e vetja), financa publike shërbente për të kompensuar, në mënyrë të ligjshme dhe në emër të së mirës së përbashkët, deficitin e atyre veprimtarive që, gjithnjë në emër të së mirës së përbashkët, ishin shquar me rrugë të paligjshme. Vjelja e taksave, që në epoka e qytetërime të tjera mund të mëtonte të mbështetej në detyrën qytetare, kthehej tani në thelbin e vet shqeto si akt force (njëlloj sikurse, në disa treva, vjeljes nga ana e shtetit i shtohej ajo prej organizatave të gangsterëve ose mafioze); akt force të cilit taksapaguesi i nënshtrohej, për të shmangur telashe më të mëdha, gjithë duke përjetuar, në vend të lehtësimit për një gjest të drejtë që kish kryer, ndjesinë e pakëndshme të bashkëfajësisë pasive me administrimin e keq të pasurisë publike dhe me privilegjin e veprimtarive të paligjshme, që normalisht përjashtoheshin nga çdo lloj takse.

Herë pas here, mu kur më pak e prisje, dilte ndonjë gjykatë që vendoste të zbatonte ligjet, duke shkaktuar shkundullima të vogla në ndonjë qendër pushteti madje edhe duke kryer arrestime personash që, deri atëherë, kishin pasur arsye të besonin se ishin të pandëshkueshëm. Në ato raste, ndjenja mbizotëruese nuk ishte kënaqësia për fitoren e drejtësisë, por dyshimi se po bëhej fjalë për një larje hesapesh midis vetë qendrave të pushtetit. Prandaj ish e vështirë të kuptohej nëse ligjet tashmë mund të përdoreshin vetëm si armë taktike dhe strategjike në betejat e brendshme mes interesave të paligjshëm, apo nëse gjykatat, për të legjitimuar detyrat e tyre institucionale, duhej edhe ato të dëshmonin se ishin qendra pushteti dhe kishin gjithashtu interesa të paligjshëm për të mbrojtur, si gjithë të tjerët.

fishNatyrisht, një situatë e tillë u shkonte për shtat edhe grupeve kriminale të llojit tradicional, të cilat, nëpërmjet rrëmbimit të njerëzve dhe grabitjes së bankave (dhe shumë veprimtarive të tjera më modeste, deri te shkulja e zinxhirit të floririt nga qafa) përfshiheshin si faktor i paparashikueshëm në karuselin e miliardave, duke ua devijuar këtyre miliardave rrjedhën drejt shtigjesh të nëndheshme, prej nga herët a vonë do të riktheheshin në sipërfaqe në një mijë forma të papritura financimi të ligjshëm ose të paligjshëm.

Në kundërvënie me sistemin, fitonin terren organizatat terroriste, që, gjithë duke përdorur të njëjtat mënyra financimi si ato të traditës së jashtëligjshmërisë dhe nëpërmjet një kërdie të studiuar vrasjesh nga të gjitha kategoritë e qytetarëve, të shquar e të pashquar, ofroheshin si e vetmja alternativë globale ndaj sistemit. Mirëpo efekti i vetëm që këto akte terrori kishin ndaj sistemit ishin që ta forconin deri sa ky të shndërrohej në pikëmbështetje të domosdoshme për qytetarin, duke e konfirmuar bindjen se ky ishte sistemi më i mirë i mundshëm dhe se nuk i duhej të ndryshonte asgjë.

Kështu të gjitha format e paligjshmërisë, nga më finoket te më mizoret, ngjiznin së bashku një sistem, të cilit nuk i mungonte as stabiliteti, as kompaktësia as koherenca dhe brenda të cilit shumë njerëz mund të nxirrnin një farë përfitimi praktik pa e humbur avantazhin moral të së pasurit ndërgjegjen të qetë. Dhe kështu, banorët e këtij vendi do të mund të ndiheshin të gjithë të lumtur, sikur të mos kish pasur një kategori qytetarësh, të cilëve nuk dije se ç’rol t’u jepje: të ndershmit.

Këta ishin të ndershëm jo për ndonjë arsye të posaçme (nuk është se u faleshin parimeve të mëdha, as patriotike, as sociale dhe as fetare, të cilat nuk kishin më vlerë); por ishin të ndershëm nga zakoni mendor, kushtëzimi karakterial a ndonjë huq nervor. Me një fjalë, ishin të ndershëm sepse ishin të ndershëm dhe nuk kishin ç’të bënin, që ato gjëra që këta i kishin për zemër, nuk monetizoheshin dot; dhe që mendja e tyre e tyre funksiononte gjithnjë në bazë të ca mekanizmash të dala mode, të cilat e lidhin fitimin me punën, respektin me meritën, kënaqësinë vetjake me kënaqësinë e të tjerëve. Në atë dhé njerëzish me ndërgjegjen gjithnjë të qetë, këta ishin të vetmit që i kishin ruajtur skrupujt dhe që pyesnin veten, në çdo moment, se çfarë duhej bërë. E dinin se të moralizosh të tjerët, të indinjohesh, të predikosh virtytin janë nga ato gjëra që e fitojnë pak si tepër lehtë miratimin e të gjithëve, në mirëbesim a në keqbesim qoftë. Pushteti nuk u dukej dhe aq interesant sa ta dëshironin për vete (së paku ai pushtet që u interesonte të tjerëve); nuk ushqenin iluzione mos gjetiu të tilla paudhësi mungonin, edhe në ato raste kur nuk dukeshin kaq shkoqur sa në vendin e tyre; nuk shpresonin as në një shoqëri më të mirë, sepse e dinin që e keqja ka gjithnjë më shumë gjasë të ndodhë.

T’i dorëzoheshin vallë fatalitetit të zhdukjes? Aspak. Ngushëlloheshin me mendimin se, njëlloj sikurse në periferitë e të gjitha shoqërive ishte përvijuar, në rrjedhë të kohës, një kundërshoqëri brigandësh, kaçakësh, kusarësh dhe mashtruesish; një kundërshoqëri që kurrë nuk kish pretenduar t’ia zinte vendin asaj tjetrës, kryesore, por veç ish përpjekur të mbijetonte në skutat e shoqërisë sunduese dhe të afirmonte mënyrën e vet të ekzistencës në kundërshtim me parimet e konsakruara, duke krijuar kështu për veten një imazh lirie dhe jetësie (së paku kur nuk e këqyrje nga shumë afër), kështu edhe kundërshoqëria e të ndershmëve ndoshta do t’ia dilte të mbijetonte edhe për shumë kohë, në periferi të normalitetit ekzistues, pa pretenduar gjë tjetër përveçse që ta jetonte diversitetin e vet duke u ndier e pangjashme me pjesën tjetër dhe, në këtë mënyrë, kushedi të arrinte të përfaqësonte diçka thelbësore për të gjithë; duke u shndërruar në shëmbëlltyrën e diçkaje që fjalët nuk janë në gjendje ta shprehin, të diçkaje që ende nuk është thënë dhe ende nuk e dimë se ç’është.


 

Marrë nga Romanzi e racconti – volume 3°, Racconti e apologhi sparsi, i Meridiani, Arnoldo Mondadori editore. Botuar për herë të parë në gazetën La Repubblica, 15 maj 1980, me titullin “Apologo sull’onestà nel paese dei corrotti”.

[Përkthimi A.V.]

2 Komente

  1. Xhaxha, faleminderit per perkthimin e bere me shume kujdes, por nuk mund te mos vihet re pelqimi i “apologji” ne vend te “apolog” qe eshte titulli i origjinalit. E di qe nuk mund te te kete shpetuar kjo hollesi e dy fjaleve krejt te ndryshme ne perdorim ne italishte, (apologjia eshte nje shkrim per vetembrojtje, apologu nje rrefim me qellim moralizimi). Ne nje fare menyre, perzgjedhja e njeres fjale nga tjetra ndryshon edhe thelbin e titullit origjinal. Ndaj mbetem kureshtar ta njoh arsyen e perzgjedhjes.

    1. Për fat të keq, më ka shpëtuar; ose më mirë m’u duk sikur kuptimi “apologji” i shkonte këtij rrëfimi në mbrojtje të së ndershmëve dhe ndershmërisë. Dy gjëra për t’u pasur parasysh: këto përkthime pa pretendime antologjike janë kontribute të shpejta për faqen tonë, ku me siguri do të ketë edhe gabime të tjera; ndoshta duhet t’i shoqëroj me një shënim ku t’i kërkoj të falur paraprakisht lexuesit. Dhe po ashtu: unë sërish do ta lija apologjinë në titull, sepse apolog, në mendjen time, lidhet më shumë me fabulat, si ato të La Fontaine-it.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin