Po lexoja dje, mes komenteve të ndryshme që shoqëruan vdekjen e arkitektes Zaha Hadid, për një polemikë që pat nisur me të dikur Vittorio Sgarbi, pas përurimit të muzeut MAXXI në Romë, të projektuar prej saj dhe që u kushtoi 100 milion euro taksapaguesve italianë. Sgarbi, edhe pse e vlerësoi ndërtesën si ndoshta më të bukurën madje kryveprën e Hadid-it, vërejti atëherë se kjo e ofron veten si një hapësirë që nuk duhet trazuar nga veprat e artit ose si një skulpturë bashkëkohore; ose si ekzaltimi suprem i krijimtarisë së Hadid-it. “Nga të gjitha anët shoh mure të përkulura, objekte të varura, modulime të mrekullueshme prej betonarmeje, por kjo ndërtesë i refuzon veprat e artit, sikur të thoshte: vepër arti jam vetë.”
“Është mauzolé, jo muze,” pat përfunduar Sgarbi atëherë; dhe pasi e kish krahasuar ndërtesën me Centre Pompidou në Paris, ku sipas tij askush nuk vete për të parë veprat e artit, por sepse kjo centre është një makinë e jashtëzakonshme, një cirk.”
Për fat të keq, nuk e kam parë muzeun MAXXI dhe ndoshta, edhe sikur ta kisha parë, nuk do të mund të jepja ndonjë kontribut kushedi çfarë në vlerësimin e tij; por përmes fjalëve të Sgarbit – i cili prapa maskës së bufonit dhe të ngatërrestarit shpesh fsheh trishtimin dhe shqetësimin e dikujt që i dhimbset trashëgimia kulturore italiane dhe botërore dhe që, në kontekste të tjera, ka ngulur këmbë se veprat e artit bashkëkohor nuk duhet të futen në muze dhe galeri, por të ekspozohen në rrugë – edhe këtë herë kam frikë se përcillet një e vërtetë e hidhur: ambicia e starkitektëve në simbiozë me të megalomanëve që kanë miliona për të paguar, i shndërron këto pseudo-piramida në monumente të pushtetit, të arrogancës dhe të elitizmit.
Për starkitekturë, starkitektë dhe projekte futuristike po flitet pak si tepër shpesh sot në Tiranë, në kurriz edhe të problemeve të tjera që meritojnë më tepër vëmendje; çfarë nuk premton gjë të mirë për qytetarët e atjeshëm, të cilët asistojnë shpesh të lemerisur, si qytetin e tyre po ua zapton kryeqyteti, ky vend gjeometrik i elitave, që kërkojnë të përjetësojnë vetveten në gur. Tundime të tilla janë të vjetra sa vetë bota; por nuk kanë vend në një shoqëri të hapur, pluraliste dhe demokratike, si ajo që kërkojmë të ngremë në Shqipëri. Tirana ka trashëguar ulcera purulente nga regjimet e mëparshme, që nga kohët e iluzioneve dhe delireve fashiste, por veçanërisht nga periudha totalitare, kur ndodhën dhe transformimet më të mëdha, të cilat pas 1990-ës pjesërisht edhe u bojatisën, si për të mbuluar me graffiti qeveritare mjerimin dhe degradimin urban të pariparueshëm. Se çfarë mund të bëhet për ta shëruar Tiranën, këtë besoj duhet ta vendosin qytetarët vetë dhe shoqëria civile në mënyrën më demokratike të mundshme, por kurrsesi jo ata që janë zgjedhur për t’u shërbyer të parëve, sepse Tirana nuk është lodër, për të luajtur pushtetarët me të. [A.V.]