FEJA QYTETARE DHE KULTURA

Një temë që po kthehet në vëmendje për shkak të problematikave kulturore aktuale në Shqipëri: marrëdhëniet midis “fesë qytetare” dhe kulturës.

Me “fe qytetare” (angl. civil religion, it. religione civile) kam parasysh një ideologji dhe një praktikë sociale e cila mbështet dhe kultivon masivisht vlerat e kombit, të racës, të klasës ose të tjera vlera laike, nëpërmjet politikave, ceremonive dhe riteve publike.

Ka një traditë të fortë të kësaj feje qytetare në Shqipëri, e cila gjatë gjysmë shekulli totalitarizëm u kombinua me kultin e shtetit totalitar dhe të udhëheqësit suprem, duke çuar në një sakralizim të jetës publike (Emilio Gentile) dhe u përpjekur të zëvendësojë, në thelb, praktikat fetare tradicionale.

Kam parasysh paradat, statujat dhe përmendoret, lapidarët, paradat, vizitat në vendet me rëndësi historike dhe këmbëngulja për t’i paraqitur narrativat e fesë qytetare në art, si të ishin shkrime të shenjta.

Sot përmbajtja e këtyre narrativave ka ndryshuar disi, për t’u përshtatur me diskursin kombëtarist si diskurs dominant në jetën publike; por praktikat jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por edhe janë kamufluar edhe më mirë si kulturë.

Kamuflimi ka të bëjë (1) me përpunimin dhe promovimin e vlerave kombëtare si të ishin vetvetiu kulturore dhe (2) me rekrutimin e trashëgimisë kulturore në përpjekjet për të hegjemonizuar diskursin kombëtarist.

Vetë feja qytetare, në format që ka marrë sot, që nga tekstet shkollore në politikat zyrtare për kulturën, i kushton vëmendje të shpërpjesëtuar praktikave nekrologjike dhe nekrofilike; duke u themeluar mbi balsamimin e vlerave të njohura si kombëtare.

Shumë veprimtari të rëndësishme kulturore vitet e fundit, që kanë gëzuar mbështetjen me përparësi të institucioneve publike, janë shtjelluar, në fakt, si rite të fesë qytetare, duke synuar riprodhimin e hierarkive, popullarizimin e “shenjtorëve” të kësaj feje dhe vetë matjen e kontributeve kulturore, të vjetra dhe të reja, në bazë të shërbimit që mendohet se këto i kanë bërë kombit dhe kombëtarizmit.

Si kult i së mirës së përbashkët, feja qytetare mund të përligjet në vetvete; dhe ajo merr veçanërisht rëndësi, në rrethanat kur ne shqiptarët nuk kemi një fe mirëfilli kombëtare që të na bashkojë. Megjithatë, në qoftë se nuk ruhet drejtpeshimi i nevojshëm midis ritualeve të kësaj “feje” dhe praktikave mirëfilli kulturore, atëherë kjo fe qytetare ia zë frymën kulturës, siç edhe ia ka zënë.

Aq më serioz bëhet ky deformim, kur veprimtaritë fetare-qytetare, ose adhurimi i shenjtorëve të kombit, të vjetër dhe të rinj, të vdekur dhe të gjallë, synojnë të paraqiten ato vetë si forma më e lartë e kulturës, duke e lënë kulturën vetë në hije.

Iluzioni këtu i referohet drejtpërdrejt faktit që si feja qytetare, ashtu edhe kultura, shpesh organizohen rreth të njëjtave figura të rëndësishme; pa çka se e para synon balsamimin e tyre dhe ekzibicionin në institucione të mirëmbajtjes së kombëtarizmit; ndërsa e dyta përvetësimin e tyre kritik dhe riprodhimin e tyre si traditë.

Ashtu siç po praktikohet sot e kësaj dite, feja qytetare në Shqipëri vuan seriozisht nga mitizimi, manipulimi, ideologjizimi, sentimentalizmi dhe intoleranca e pluralizmit dhe e frymës kritike. Këto karakteristika, të cilat nuk habitin shumë sa kohë i mbeten të brendashkruara një feje, bëhen toksike, kur i transferohen kulturës; dhe aq më tepër kulturës të promovuar në nivel institucional.

Klerikëve të paguar dhe vullnetarë të kësaj feje, të cilët kanë zaptuar edhe institucionet edhe mediat, u duhet shpjeguar se ajo çfarë bëjnë nuk është në vetvete për t’u qortuar, dhe shpesh mund të ndihmojë për t’ia dhënë kohezionin praktikave sociale; por vetëm në atë masë që respekton kufirin me kulturën. Vlerat kulturore nuk janë të tilla thjesht ngaqë i shërbejnë promovimit të kombit; dhe promovimi i kombit, edhe kur ndodh përnjëmend, nuk i shndërron gjë promovuesit në heronj të kulturës.

2 Komente

  1. Koncepti i “fese civle” i referohet raporteve te politikes me religjionin si narrative dhe ceremonial , ose , me sakte, praktikave permes te cilave referencat religjioze artikulohen ne dikursin politik dhe, me tej, sesi tradita patriotike sakralizohet permes ceremonive dhe ritualeve publike , te ngjashme me ceremonite dhe ritualet religjioze. Te gjitha keto kqyren sociologjikisht si manifestime kulturore, si fenomene te antropologjise kulturore.
    Kurse Xha Xhait “fene qytetare” (praktikat , ceremonite festive, venerimin e monumenteve, shenjterimin e traditave patriotike, mitizimin e se shkuares, adhurimi shenjtoreve te kombit etj.) e shikon si nje pol (kultura nekrofile, trashegimnia kulturore) i cili po eklipson polin tjeter- kulturen e mirefillte,(kulturen e “gjalle”, prodhimin e ri kulturor) , kulturen pertej shenjave kombetariste, qofte edhe si kulture e cila ka nje qasje kritike ndaj trashegimnise, historise,artit dhe letersise te trasheguar. Me terma te tjera, kete raport Xha Xhai e ka shqyrtuar ne nje shkrim tjeter, ku fliste per politikat e Ministrise se Kultures ndaj trashegimnise kulturore.
    Do me dukej me interesante qasja konform konceptit ” civil religion” per te pare si si eshte aplikuar dhe aplokohet kjo kulture ne shoqerine shqiptare, posacerisht nga elitat politike, dje, ne komunizem, dhe sot, ne kapitalizem.
    Manifestimet e “fese qytetare” ne komunizem (ne qasjen ndaj te kaluares, Rilindjes Kombetare, LNCL, traditave dhe ikonografise kombetariste)jane pothuaj te njeta me praktikat e shqyrtuara nga Bellah dhe sociologe te tjere, ne USA.Ndryshimi qendron vetem ne faktin se , nese lideret amerikane i referohen Zotit, vlerave morale kristiane, ne komunizem liturgjia e fese qytetare/politike, u zhvillua ne nje kontekst ateist.Ideologjia m-l u kthye ne fene zyrtare dhe feja civile e masave u unifikua me fene politike te elites.
    Shqiptaria u shpall si “feja” zyrtare e kombit ne Rilindje dhe Komunizem.
    Ne kontekstin postkomunist , nga te gjithe liderat, vetem Berisha (dhe ndonje lider i partive minore) ne retoriken e tij perfshin diskursin religjioz dhe i referohet Zotit, sikurse benin e bejne presidentet amerikane( Zoti e bekofte Shqiperine!).
    Nje aspekt interesant i periudhes postkomuniste eshte menyra se si galvanizohen masat me frymen kombetariste permes te ashtuquajturit ” nacionalizem banal”, ku nje vend te spikatur ze teknologjia e manipulimit nacionalist te qytetareve permes aktiviteteve sportive dhe vecanerisht futbollit. Ose perdorimi masiv i flamurit si tabu kombetariste nga gjeneratat e reja, dikur nje fenomen aspak i njohur, edhe pse edukimi patriotik ne shkolla zinte nje vend te rendesishem.
    Citoj: Ashtu siç po praktikohet sot e kësaj dite, feja qytetare në Shqipëri vuan seriozisht nga mitizimi, manipulimi, ideologjizimi, sentimentalizmi dhe intoleranca e pluralizmit dhe e frymës kritike…”
    Mendoj se sot , ne kushtet e pluralizmit politik dhe lirise se fjales, “feja qytetare” nuk eshte me nje fenomen kulturor homogjen dhe i unifikuar. Krahas politikave dhe metimeve zyrtare per te “hegjemonizuar diskursin kombetarist” ka lindur dhe hedhur shtat edhe kultura e dekonstruktimit te historise, miteve kombetariste, figurave kombetare, artit dhe letersise se trasheguar, te Rilindjes dhe komunizmit. Psh nese kritika letrare ne komunizem Naimin e shikonte si profet te kombit dhe bash per kete edhe si kryepoetin kombetar, sot eshte rikthyer teza e Konices dhe Cabejt , duke relativizuar dhe rrudhur vlerat e tij si poet. Ne kete linje, LNCL po kqyret edhe si lufte civile , lapidaret dhe permendoret jane braktisur, rrenuar dhe desakralizuar. Po keshtu qendrimi ndaj standardit te gjuhes shqipe.
    Jam dakort se krahas kesaj rryme kritike , eshte pervijuar edhe nje lloj ideologjizimi ri ne emer te te parit te gjerave “pertej ideologjise” . Si, bie fjala, fabrikimi disidenteve te rreme ne art e letersi, aq sa te flitet per “disidentet e heshtur” !-nje oksimoron i paster. Eshte rilexuar dhe “ridimensionuar” Migjeni, eshte desakralizuar hierarkia letrare e komunizmit dhe jane rishenjteruar Koliqi, Konica, Fishta, Camaj, dikur te debuar nga panteoni kombetar. Kete fryme manipulimi e shikoj ne studime doktoraturash ku figura me kontribute modeste letrare , fryhen dhe zmadhohen permes qasjes kombetariste, sepse kane qene te perndjekur apo kane dhene kontribut ne ceshtjen kombetare.
    Nje fenomen po interesant eshte miksimi “kultures” pop / rap dhe performancave muzikore gjysem nudiste, me shenjat kombetariste , ku keto te fundit sherbejne si ambalazh sugjestionues per turmat e eksituara per “shqiptari”.
    A ka jete kulturore, prodhim te mirefillte kulturor, pertej shenjave te kombetares? Sigurisht qe ka por ne raport me manifestimet kulturore me shenja kombetariste, te celebruara masivisht, keto evente eklipsohen, kane jehone te kufizuar dhe ndodh te mbeten edhe anonime.

    1. Falemnderit, Shpend, për këtë koment. Tema është me interes edhe teorik, sepse Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë, ku feja qytetare dhe feja politike u detyruan t’u rrinë larg referimeve eksplicite ndaj Krishterimit – për shkak të heterogjenitetit fetar në vend. Për të njëjtën arsye, diskursi “hierofantik” i përpunuar që nga Rilindja por kryesisht gjatë viteve të totalitarizmit nuk e kapërceu kurrë nivelin e kitsch-it dhe të sentimentalizmit banal, ngaqë shqipja – sidomos pas 1944-ës – e refuzoi trashëgiminë e diskursit religjioz të përpunuar kryesisht në mjediset katolike.

      Megjithatë, shkas për shkrimin e mësipërm u bënë një varg ngjarjesh të këtyre javëve të fundit, të cilat e ekzacerbuan kontrastin midis praktikave kulturore dhe ritualit fetar qytetar, i cili në thelb e rekruton çdo dukuri kulturore për ta përdorur për synime “fetare” – për shembull, në ato raste kur arritjet artistike vlerësohen sipas prizmit se sa “i kanë shërbyer kombit” dhe jo brenda komunikimit artistik dhe kulturor në vetvete. Kjo vënie e kulturës në shërbim të një feje të ngjitur me pështymë po e shkatërron kulturën – sepse i nxjerr produktet nga qarkullimi, për t’i monumentalizuar; sikurse i nxjerr protagonistët nga komunikimi, për t’i balsamosur.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: