Ngjarjet e ambasadave, kjo vorbull që filloi rrotullimin që në mes të qershorit, përkuan edhe me fazën finale të kampionatit botëror të futbollit, që atë vit zhvillohej në Itali. Në 1990-ën interesi i shqiptarëve për futbollin botëror ende nuk kish filluar të komercializohej, dhe as të shndërrohej në karikaturën groteske të basteve për ndeshjet, siç është katandisur tani; tifozllëku aso kohe ishte ende një pasion i rrëmbyer, verbues, rrëmbushës, dhe për shumë shqiptarë e vetmja valvul shkarkimi për tensionet dhe frustrimet e jetës së përditshme.
Dhe, në fakt, kur filluan trazirat rrugëve anësore të Tiranës dhe u shfaqën grupimet e para, fluide, të individëve që “nuk e kishin vendin aty”, shumë prej nesh që jetonim në rrugën e Kavajës por që nuk po e kuptonim mirë se çfarë po gatuhej, i kujtuam këto grupe për tifozë, që endeshin rrëmujshëm në pauzat midis ndeshjeve, ca festivë të tjerët të zemëruar, por gjithnjë kërcënues.
Demalia e ka kapur këtë bukur, kur kujdeset të ndjekë një farë sinkronizimi midis ritmit të ngjarjeve, baticave dhe zbaticave të turmave para ambasadave dhe në hyrje-daljet e oborreve nga njëra anë, dhe kalendarit të ndeshjeve të kampionatit botëror nga ana tjetër; aq sa ndonjëherë të duket sikur ka pasur një lidhje mirëfillimi mes këtyre dy eventeve, sado irracionale, sado të pashpjegueshme. Dhe të mendosh se, shumë nga të futurit në ambasada, njerëz të thjeshtë që Perëndimin e njihnin para së gjithash si vendin ku mundësoheshin ndeshje të tilla epike, edhe të ardhmen e tyre përtej detit e përfytyronin të ulur në stadiumet, për të parë Bayernin, Ajaxin, Juventusin, Barcelonën. Pa folur pastaj për një tjetër përkim, pothuajse poetik: një pjesë e mirë e ekipeve që ndesheshin për kupën e botës, në stadiumet italiane të asaj vere, kishin “përfaqësitë” e tyre në Tiranë – aq sa kur flisje për Gjermaninë, Italinë, Francën… jo gjithnjë ishte e lehtë të dallohej mes futbollit dhe ambasadës; dhe jo gjithnjë ky dallim ishte, në të vërtetë, i domosdoshëm.
Shkruan autori, duke iu referuar finales së Botërorit, mes Gjermanisë dhe Argjentinës:
Në këtë natë, të strehuarit prisnin në ankth ndeshjen finale ndërmjet Argjentinës dhe Gjermanisë për Kupën e Botës, a thua se nga kjo ndeshje “varej” edhe largimi i tyre drejt Gjermanisë.
Para se të fillonte ndeshja, ambasadori Werner Daum me personelin e ambasadës vendosën një TV në verandën mbrapa godinës kryesore, për të ndjekur ndeshjen. Ishte e pamundur të ndiqej në një TV normal ndeshja nga 3198 të strehuarit në ambasadë. Kjo kishte pak rëndësi, ajo çfarë ishte e rëndësishme ishte atmosfera. Pa dyshim, të gjithë të strehuarit ishin me Gjermaninë.[1] Ndeshja aty u ndoq në heshtje të plotë, jo vetëm nga të strehuarit, por edhe nga Tirana. Pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, penallti për Gjermaninë. Në moment, 3198 të strehuarit në ambasadë shpërthyen në një ekstazë fitoreje: Deutschland! Deutschland! Deutschland! Valë-valë oshëtiu Tirana… Të strehuarit nga oborri mbrapa u drejtuan në pjesën e përparme të ambasadës, duke vazhduar thirrjet: Deutschland! Deutschland! […]
Fitorja e Gjermanisë jo vetëm për ata që ishin në ambasadë, por për gjithë Tiranën ishte simbolikisht edhe një fitore kundër regjimit.
Vetëm një vit më pas, refugjatët sivëllezër të këtyre që rrëfen Demalia do ta përjetonin ndryshe takimin e tyre të parë, me një nga stadiumet italiane: të mbyllur aty, të ruajtur me polici, në pritje për t’u dërguar sërish andej nga kishin ardhur. Një vit është tepër i shkurtër, për këtë trajektore të trishtuar; dhe, sado mirë t’u ketë ecur të ikurve nga Shqipëria, në 1990-1991 dhe më pas, përplasja midis vizionit të tyre, vizionit tonë për Perëndimin dhe realitetit që e priste imigrantin në vendin pritës erdhi e u shndërrua në një nga dramat më të hidhura, edhe pse praktikisht të parrëfyera, të kombit shqiptar gjatë shekullit XX. Pasioni ynë për Europën, për artin dhe qytetet, autostradat dhe hekurudhat e atjeshme, sallat e koncerteve dhe stadiumet; dëshira jonë e sfilitur për muzikën, për sportin, për spektaklin e përtejdetit; njohuritë tona për emrat e këngëtarëve, akordet dhe tekstet e këngëve, emrat e politikanëve, rezultatet e ndeshjeve dhe gjithfarë triviash të tjera të kulturës pop, ishin era që na shtyu drejt Perëndimit, por që nuk luajti ndonjë rol, në qëndrimin e vetë Perëndimit ndaj nesh. Aq sa sot, një argument i tillë mund edhe të mos kuptohet më.
[vijon]
[1] Kjo vinte edhe ngaqë, shumë nga ata që kishin “zgjedhur” të futeshin në Ambasadën e Gjermanisë e kishin tashmë një preferencë për këtë vend, përfshi këtu edhe për skuadrën gjermane të futbollit.