Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Totalitarizëm

QYTETARË NË MËSYMJE (III)

Kronika e ditëve të kaluara në oborrin e ambasadës gjermane merr një pjesë të madhe të librit: Demalia ka qenë atje vetë dhe tregon ngjarje që i ka përjetuar në vetë të parë. Hareja e fillimit, dhe kremtimi i një lirie të fituar si me magji, ia lënë vendin, dita-ditës, ankthit për zgjatjen e qëllimshme të krizës dhe shqetësimit për gjendjen e rënduar:

regjimi nga njëra anë i lejoi këta mijëra qytetarë të futeshin lirisht në ambasadat; por pastaj ua preu ujin dhe nuk lejoi që njerëzve të ngujuar t’u ofroheshin deri edhe shërbimet më elementare. Asnjë logjikë nuk kish në këto veprime, veç asaj të dëshpërimit – dukej se askush nuk kish kontroll të plotë ndaj situatës.

Pamjet që Demalia i xhiron me kamera dore, të njerëzve të grumbulluar kuturu në oborret e ambasadave, të uritur dhe të palarë, pa shërbime sanitare dhe shëndetësore dhe të detyruar për të ndarë atë pak hapësirë që kishin me të panjohur, teksa prisnin me ankth një vendim që do të merrej tjetërkund për të ardhmen e tyre; këto pamje, pra, do të përsëriteshin më pas me shqiptarët, si në kalatat e porteve, në Durrës dhe në Bari, gjatë ekzodeve të marsit dhe të gushtit 1991; dhe më pas, kur refugjatët e gushtit i mbyllën në stadiumin e vjetër të Barit, për t’u hedhur bukë nga helikopterët dhe për t’i freskuar me ujë me presion nga makinat zjarrfikëse, si të ishin kafshë të mbyllura në thark; dhe më tej akoma, të shqiptarëve tashmë të “sistemuar” në kampet e refugjatëve në territorin italian. Turmat e mëdha në lëvizje kishin vënë në veprim mekanizma në thelb autoritare, në mos fashiste, për kontrollin e turmave – dhe shumë prej atyre që kapërcimin e kufirit e kishin konsideruar si hap drejt lirisë, u traumatizuan sakaq, kur panë se nuk gjenin dot rrugëdalje nga zonat e kontrolluara, kampet dhe qendrat e trajtimit të refugjatëve.

Turma sa vjen e bëhet protagoniste, në faqet e librit – jo aq si bashkësi e organizuar njerëzish, sa si një valë njësuese vullnetesh, që i bën individët të ndiejnë dhe të veprojnë në unison. Këto turma, për të cilat flet Demalia, ishin përftuar në mënyra krejt rastësore; njerëzit nuk e njihnin njëri-tjetrin, as kishin dëshirë të rrinin së bashku – ishte territori, ose më mirë ekstra-territori që i shndërronte në bashkësi dhe që i detyronte të bashkëjetonin. E kam përjetuar vetë këtë lloj jetërsimi, të turmave të përkohshme dhe të imponuara nga rrethanat, kur shkoja për të punuar, si mësues i italishtes, në kampin e refugjatëve në Capua, afër Napolit, në pranverën dhe verën e vitit 1991: e vetmja hapësirë, me të cilën mund ta krahasoja atë kamp, ishte burgu.

Ata që arratiseshin përmes kufirit shtetëror, duke ndjekur shtigje të dhive në mal a duke përshkuar liqenin me not, i ndihmonte edhe natyra, ose përjetimi i gjeografisë, për ta realizuar kalimin nga një botë në tjetrën: kishin kohë të mësoheshin me këtë zhvendosje kaq metafizike. Distanca fizike, mundimet, djersa dhe ankthi, i përgatisnin hap pas hapi për distancën tjetër, sociale dhe politike, që do t’i ndante më pas nga mëmëdheu.

Kapërcimi i një muri a i një gardhi prej hekuri, që e ndante territorin e ambasadës nga qyteti përbri, nuk ta ofronte këtë “luks”. Pak çaste, dhe e shihje veten të teleportuar gjetiu, në një botë të qeverisur nga ligje të tjera, pa çka se Tirana mbetej aty përtej, me po ato zhurma dhe po ato aroma që të ngacmonin ende hundët. E megjithatë, për refugjatët e 2 korrikut, kjo Tiranë që e quanin të tyren dhe e kishin jetuar deri dje mbarë e mbrapsht, madje edhe për ta bërë ashtu siç ishte, do të shndërrohej tash e tutje në tokë të ndaluar. Dhe kjo jo vetëm për shkak të ndëshkimit që i priste, burgut dhe kushedi rrahjeve, torturave dhe poshtërimeve – por edhe vetëm për hir të vendimit që kishin marrë, për t’i ikur. A thua se, çfarë të ikurit i druheshin më tepër, ishte zgavra që kishin lënë pas, ose Tirana – dhe Shqipëria – që njëfarësoj do të vazhdonin edhe pa praninë e tyre. Ky kthim imagjinar, ose edhe i kërcënuar sa kohë që fati i të strehuarve në ambasada ende nuk dihej, bartte në vete gjithë tmerrin e të vdekurit që ngrihet nga varri, për t’u kthyer në botën e të gjallëve.

Arratisja prej Shqipërisë totalitare ka pasur gjithnjë diçka të përbashkët me vetëvrasjen – që nga vendimi për t’u larguar dhe për të mos u kthyer më te ndarja me botën. Ky krahasim ndoshta ndihmon për të kuptuar sa e rëndë ishte për dikë që të largohej, por edhe për mjedisin që i larguari linte pas. Edhe dykorriksat, në masë të madhe, e dinin se, duke vendosur të kalojnë kufirin imagjinar, midis jetës në Shqipëri dhe jetës larg Shqipërisë, po ndërmerrnin një hap dramatik, për veten dhe të tjerët. Prandaj edhe shumëve u duhej një arsye sublime për ta përligjur, të cilën e gjetën te liria. LIRI-DEMOKRACI – e kam dëgjuar edhe unë, nga ballkoni i shtëpisë sime rreth një km larg rrugës Skënderbej, këtë brohorimë drithëruese, ku mpleksej dëshpërimi me entuziazmin.

Pa çka se, në oborret e ambasadave, liria aq e dëshiruar mbetej akoma premtim. Përkundrazi, realiteti ishte krejt tjetër: një hapësirë e mbyllur dhe e kufizuar, e ruajtur edhe nga brenda, por edhe sidomos nga jashtë; pamundësia për të qenë vetja; përvoja halucinante e të qenit i rrethuar nga të tjerë në vuajtje. Këto oborre, ku të ikurit jetuan derisa u erdhi dita për t’u larguar, ishin në fakt zona të posaçme, për trajtimin e turmës; dhe ku individët e gjetën veten të zhveshur nga çdo agency. Ata që kishin rrezikuar kokën, për hir të lirisë, u gjendën të rrethuar nga burokracia dhe të kalonin përmes një kalvari procedurash identifikimi, katalogimi, dokumentimi, fotografimi… Të dyja palët, edhe ambasadat edhe shteti shqiptar që rrinte në pritë përjashta, rrekeshin t’i normalizonin dhe t’i disiplinonin turmat, duke u dhënë të gjithëve emra, numra dhe dokumente.

Të njëjtat procedura u zbatuan, këtë herë në anën tjetër të Adriatikut, me refugjatët e marsit 1991. Edhe atëherë, të ikurit në emër të lirisë, e panë veten të qarkuar nga telat me gjemba të burokracisë: lista, emra, kontakte, numra telefoni, profesione, adresa. Dukej sikur shteti pritës, që i kish pranuar turmat në territorin e vet, tashmë po përpiqej t’i “shtronte”, nëpërmjet numërimit, renditjes dhe transformimit të tyre në individë. Pa çka se këtyre individëve gjithnjë u mohohej, për arsye ndoshta edhe thjesht praktike, e vetmja e drejtë për të cilën kishin rrezikuar deri edhe me kokë, që të vinin atje: liria.

Në kampin e refugjatëve, në Kapua, të strehuarit madje nuk i ruanin: mund të largoheshin nëse dëshironin. Por për të shkuar ku? Të paktën kampi u ofronte një shtrat për të fjetur dhe një pjatë çorbë të ngrohtë në mensë dhe një xhaketë të përdorur, për të mbuluar supet e mardhura; ndërsa Italia përtej sa vinte dhe u largohej, u tëhuajzohej, u bëhej e paarritshme. Aq sa të dukej sikur të gjitha këto procedura të regjistrimit të turmave synonin – mbase edhe pa dashur – zbutjen e të ikurve, dekushtëzimin ose distancimin e tyre prej atij akti fillestar rebel, në kufi të vetëvrasjes simbolike, që ishte vendimi për arratisje.

Në momentin e zbarkimit në portin e Barit, refugjatët e marsit dhe të gushtit 1991 do të kishin qenë gati të degdiseshin sypatrembur, në xhunglat urbane të një shteti të huaj, një shoqërie të huaj dhe një gjeografie të huaj. Pak ditë karantine dhe trajtimi të mbikëqyrur, do të mjaftonin që t’ua topitnin këtë dëshirë për ta vazhduar ikjen. Edhe pak ditë akoma, dhe shumë prej refugjatëve në kampet do ta shihnin murin rrethues si një tjetër kufi, të vështirë për t’u kapërcyer; dhe Italinë, që më parë e kishin synuar aq fort, si një hapësirë të jetërsimit. Një pjesë e refugjatëve në Kapua refuzonin të iknin që andej, madje edhe pasi u kuptua se askush nuk do të kujdesej për sistemimin e tyre – duke qenë mësuar, ndërkohë, me kafazin e padukshëm e gjithsesi aq real…

[vijon]

1 Koment

  1. Xhaxha, ketu te pjesa e trete kam deshire te te pyes nese edhe libri eshte po aq interesant sa edhe refleksionet e tua…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin