Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Totalitarizëm

QYTETARË NË MËSYMJE (II)

Ajo e dimrit 1990 ishte edhe Tirana që ndiqte “Zërin e Amerikës” në shqip – për të dëgjuar atje, çdo natë, një numër reformistësh, intelektualësh dhe liberalësh të dilnin për të shpjeguar orientimin e ri të regjimit Alia. Deri atëherë, ta dëgjoje atë radio ishte konsideruar akt armiqësor, i dënueshëm deri me burg; krejt papritur, ndryshimi i qëndrimit zyrtar ndaj VoA sinjalizoi, ose u duk se sinjalizoi një “hapje” të regjimit Alia ndaj botës.

Dhe fjalën “hapje” këtu nuk e kam zgjedhur rastësisht; sepse, pavarësisht nga problemet e rënda ekonomike infrastrukturale dhe të kontrollit social, regjimi totalitar komunist i Tiranës po merrte, në sytë e qytetarëve të vet, trajtat e një force të përbindshme, që i mbante këta mbyllur në një burg madhështor. Gjithnjë jo rastësisht, përpjekjet e para të Alisë për ta zbutur regjimin policor të trashëguar prej Hoxhës, kishin të bënin edhe me qëndrimin e organeve të rendit, ndaj atyre që përpiqeshin të kalonin kufirin shtetëror, për t’u arratisur përtej.

Demalia i kushton mjaft faqe të librit mitit dhe psikozës së kufirit shtetëror, madje duke shtuar edhe nota dhe kujtime personale, që lidhen me dëshirën e tij, si të shumë të rinjve të tjerë dhe jo vetëm të rinjve anembanë Shqipërisë, për të ikur në Perëndim. Në fakt, kjo dëshirë për të ikur, e amplifikuar dhjetëra mijëra herë, vinte dhe e shndërronte aktin e arratisjes në diçka sublime; ose në një rite de passage herë-herë fatal, ku shumëkush mund të linte edhe kokën, i vrarë me plumb e me bajonetë ose i mbytur prej qenve të kufirit; ose më pas i pushkatuar a i dënuar me burg të gjatë. Autori ka të drejtë kur shpjegon, sidomos për lexuesit e sotëm, se arratisja ose kapërcimi i kufirit të shtetit ishte, për shumë qytetarë të asaj kohe, forma supreme e refuzimit të regjimit totalitar; çka shpjegon edhe pse ndëshkohej aq ashpër.

Por çfarë ndodh, kur përzien bashkë turmat rritëse të rrugëve urbane, produkt sa i xhiros tradicionale aq edhe i pritjes së ethshme për atë diçka që do të ndodhte, me dëshirën kolektive, gati ekstatike, për të dalë jashtë kufijve të territorit të shtetit totalitar? Ndodh, sikurse tani e kemi të lehtë ta parashikojmë, me hindsight, shpërthimi i mureve të ambasadave në Tiranë në fillim të korrikut 1990, si akti spektakular i arratisjes kolektive, ose i refuzimit të regjimit politik nëpërmjet daljes; dhe që pati për epilog gjunjëzimin e këtij regjimi dhe largimin nga Shqipëria të mijëra qytetarëve.

Nuk ishte hera e parë, që rrëzimi i regjimeve të Lindjes lajmërohej me arratisje të tilla masive; por pakkush e kish parashikuar që regjimi Alia do të zgjidhte rrugën e kompromisit, duke iu shmangur konfrontimit dhe shtypjes me gjak të turmave.

Demalia e rrëfen kronikën e krizës së ambasadave me cilësinë e pjesëmarrësit dhe ndonjëherë protagonistit – ai vetë ishte një prej mijëra qytetarëve të Tiranës që kërkuan strehë brenda mureve të ambasadës gjermane. Nga toni i rrëfimit të tij, nga etosi dhe nga patosi, lexuesi e kupton se, nga mënyra si po shtjelloheshin ngjarjet në Shqipërinë e 1990-ës, njerëz si Demalia, me orientim të fortë pro-perëndimor dhe energji të fortë subversive, por përndryshe krejt të zhgënjyer nga përpjekjet e organizuara për ta rrëzuar regjimin, nuk mund veçse ta finalizonin gjakimin e tyre duke tentuar largimin nga vendi. Sikurse do të tregonin ngjarjet edhe gjatë vitit 1991, ndoshta pikërisht këtë largim të vetvetishëm dhe kaotik e kishin dëshiruar dhe, në mënyrën e tyre, e kishin mirëpritur edhe ato forca të pushtetit okult, duke filluar nga Sigurimi i Shtetit, që kërkonin të konsolidonin pushtetin edhe pas ndërrimit të regjimeve. Në fakt, ikja e dykorriksave nuk ishte veçse preludi i një ikje tjetër, jashtëzakonisht masive dhe spektakulare, me anije drejt brigjeve italiane, në pranverë dhe në verë të vitit 1991; gjatë së cilës Shqipëria humbi një segment aktiv, të paepur dhe gjithnjë subversiv, të popullsisë së vet.

Megjithatë, në 2 korrik për herë të parë dhe ndoshta të fundit, kufiri për t’u kapërcyer gjendej i vizatuar mu në zemër të Tiranës: muret e ambasadave. Idenë e të arratisurit nëpërmjet futjes në një ambasadë e kishin eksploruar të parët vëllezërit Popa, të cilëve iu desh pastaj të kalonin disa vjet në ambasadën italiane, të ruajtur nga një ushtri idiote forcash të Sigurimit. Megjithatë, ai i Popajve kish mbetur një incident i izoluar, jo aq ngaqë muret e ambasadave ishin të pakapërcyeshëm, por më tepër për një “ves” të përfytyrimit, që vazhdonte ta konsideronte arratisjen si të lidhur me periferinë e territorit të shtetit, jo me qendrën e tij; dhe me konfigurimin e gjeografisë reale, jo të asaj politike. Në fakt, për shumë segmente të popullsisë, ekstra-territorialiteti i ambasadave në Tiranë ishte, dhe me siguri mbetet i pakapshëm si koncept.

Demalia sjell, në libër, një kronikë ngjethëse të ngjarjeve që menjëherë i paraprinë 2 korrikut dhe që pastaj vazhduan menjëherë më pas; dhe e bën këtë jo nga pozitat e historianit, as ato të politikanit a gazetarit, por të një pjesëmarrësi të mirinformuar. Ai arrin të tregojë, pa shumë retorikë, se shumica e atyre që kërkuan strehë në ambasadat ishin njerëz të zakonshëm, barëra të mbira anës rrugës, të cilët vepruan në mënyrë të vetvetishme, duke përfituar por edhe për të përfituar nga një moment krize i regjimit. Që këtej, edhe tensioni midis motiveve personale të atyre që ikën dhe kundërvënies së tyre ndaj regjimit Alia mbetet i pazgjidhur – dhe lexuesi nuk pret prej autorit që ta zgjidhë. Fakt është që intelektualët, artistët dhe liderët e opinionit publik në Tiranën e 1990-ës nuk iu bashkuan kësaj ikjeje, as shprehën ndonjë solidaritet të menjëhershëm me të ikurit – pas gjase ngaqë u druheshin provokimeve të krahut më radikal të pushtetit dhe të Sigurimit të Shtetit; ose ngaqë kishin zgjedhur tashmë t’i përkisnin krahut reformist dhe të mbështetnin Ramiz Alinë në një transformim të butë të shtetit diktatorial në Shqipëri. Kjo ftohtësi nga ana e “elitës” u shërbeu pastaj detraktorëve të dy-korriksave që t’i paraqitnin këta të fundit si gjithfarë rrugaçësh, delinkuentësh, parazitësh dhe njerëzish që u munduan të përfitojnë nga turbullimi i ujërave.

Sot e kësaj dite nuk janë sqaruar mirë, sikurse e vëren edhe Demalia në libër, arsyet pse regjimi Alia vendosi, pas një rezistence fillestare sa gjysmake aq edhe të dështuar, ta tërhiqte policinë dhe t’i linte turmat të lira për t’u futur në ambasadat. Autori ka shfletuar një numër librash me kujtime dhe refleksione, që janë botuar pas 1990-ës nga protagonistë të ndryshëm të asaj ngjarjeve; por shpjegimet e ofruara nuk e kanë bindur. Megjithatë, hipoteza se, duke lejuar këtë lloj ikjeje të elementit më të pabindur, rebel dhe subversiv, regjimi Alia u përpoq të shkarkonte disi tensionet sociale dhe të ulte gjasat për shkallëzim të protestës publike, tingëllon si më e besueshmja.

[vijon]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin