Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

SHQIPTARE

Gjykoj si jam e çfarë jam. Peshorja e jetës është në një pikë që vjen veç një herë: 26 vjet të jetuara në Shqipëri, 26, jashtë saj. Çfarë jam? Moment ideal të lypësh etiketë. Jo atë që të venë të tjerët. Pse i them vetes shqiptare, sot si dje, pa as më të voglin ngurrim? Ngaqë jam mësuar?

Ngaqë kam nevojë të klasifikohem e “t’i përkas” një grupi kombëtar? Ngaqë i falem flamurit të vendit ku linda dhe bëj foto me duart kryqëzuar shqiponjë në gjoks? Ngaqë bëj tifo në stadium për kuqezinjtë? Ngaqë mendoj se shqiptarët janë kërthiza e botës dhe shqipja mëma e gjuhëve? Ngaqë di të kërcej Napolonin? Ngaqë festoj festën e Pavarësisë? Ngaqë di himnin kombëtar dhe njoh historinë? Ngaqë besoj në bashkësinë biologjike dhe në gjak shqiptari? Ngaqë njoh shqiptarinë si motor për lëvizjen e shoqërisë sime? Ngaqë ndihem afër me dikë që është shqiptar, dhe jo fjalavjen amerikan apo italian?

Të gjitha pyetjet më sipër prej meje marrin përgjigjen “jo”! Në fakt, të gjitha sjelljet grupuar më lart janë shpalosje të formave “të nxehta” të nacionalizmit. Ashtu siç është edhe e reja e këtyre ditëve se Nicola Tesla qenka shqiptar, sepse ka një foto rinie me kostum shqiptar dhe se nuk besonte në fe e Zot. Dhe unë nuk i praktikoj format “e nxehta”. Por i kuptoj, dhe, në kushte të caktuara, ua njoh vlerën. Kosova, pa ndjenjën nacionaliste, nuk do ishte. Pa nacionalizëm, nuk mund ta mbash gjuhën dhe as mëvetësinë për shekuj nëse ke në krah një fqinj që ka në pushtet ideologji shfarosëse ndaj teje. Mbijetesa kosovare, mëvetësia, përpjekjet vetëvendosëse dhe shteti kosovar (sido e paçin katandisur elitat e atjeshme atë shtet), patën kuptim vetëm në kuadrin e një nacionalizmi “të çmendur”, siç u duket shqiptarëve të Shqipërisë qëndrimi kosovar. Ndaj është normale që edhe sot kosovari vazhdon të jetë në thelb “i ngarkuar” nga pikëpamja e ideologjive nacionaliste. Dhe unë besoj se shtetformimi kosovar ende s’ka përfunduar, ashtu siç as nuk janë qetësuar fort ideologjitë anti-kosovare në zonë. Problemi i formave të nxehta të shpalosjes së nacionalizmit që eksitojnë turmën, është se ato presin nga të dy krahët, dhe mund t’i shërbejnë si karrema të kollajshëm manipulues edhe politikës së forcave aspak të interesuara për mbarëvajtje kombëtare apo paqe rajonale.

Por në rastin tim, edhe pa këtë pjesë “të nxehtë” nacionaliste, unë jam thellësisht shqiptare, sepse ashtu ndihem. Përcaktimin e “të ndjerit” të shqiptarisë sime, nuk mund ta kryej individualisht, sepse termi merr kuptim vetëm kur më takon mua si individ, aq sa edhe atyre me të cilët e ndaj këtë të qenë. Si individ e bazoj në akte të përditshme praktike të së shkuarës dhe të së sotmes, akte njohjeje dhe ushtrimi njohjesh, si memorie individuale dhe kolektive e përditësuar thellësisht brenda meje, e atyre 26 vjetëve të para që kanë rol të jashtëzakonshëm në bërjen e njeriut. Por jo vetëm e tyrja. Unë kam studiuar, punuar, dashuruar, qarë, udhëtuar, pjellë e rilindur, ngrënë, vuajtur, vrapuar, krijuar në hapësira të pamarkuara nga shqiptaria në 26 vjetët e dyta, por edhe çdo praktikë banale e së përditshmes sime gjatë këtyre vjetëve, ruan shenjën “+Shqipëri” në të.

Por a mund të jenë aktet e jetës së përditshme nacionaliste? Pa dyshim, në kuptimin e përgjithshëm me të cilin unë përdor këtë fjalë, janë! Mënyra sesi rris fëmijët, kujt i jap rëndësi, si ushqehem, çfarë mode më pëlqen në muzikë, rroba, mobilim, si i festoj festat, çfarë mendoj për farefisin, si lidhem me njerëzit përreth, si e konceptoj socializmin real, çfarë mendoj për Marksin, si lidhem me Enver Hoxhën apo Ismail Kadarenë, si e çfarë konsumoj, përse jam e obsesionuar me erën e këpucëve të mira italiane, pse më tërheq më shumë një serbe sesa një estoniane, një ruse sesa një braziliane, si i rris brenda vetes kujtimet për Kolonjën, Himarën apo Fierzën në raport me qytetin e Tallahassee-t, si ua ndërtoj kuptimin “zborit” apo “aksionit”, pse më pëlqen djathi i bardhë, pse nuk i them dot gjizës ricotta e anasjelltas, çfarë momentesh lidh me shprehjen “ora e punës me dru” apo “ora e punëdores”, çfarë kujtimesh më zgjojnë erërat e caktuara të Tiranës apo Durrësit, si më ngashënjen një stan me dele, pse e duroj pa dert fëlliqësinë e Lanës, si i ndërtoj marrëdhëniet me qentë, si e pse i kujtoj dy gjyshet e mia dhe si ma kanë ndikuar ato jetën, kujt i them shok ose shoqe dhe sa e si i zë shokët, si e përjetoj fjalën polic, jevg, gjirokastrit, plenum, pllajë, vllah, korçar, arixhi, zall, tironc, llacifac, malok, i deklasuar, zonjë, drenovar, zhurmues, king, nga i dalloj petat me të cilat luaj nga ato që tëhollen, pse shprehjen “erdhi mbas pilafit” e kuptoj ashtu si e kuptoj dhe pse mund t’i dedikoj një disertacion 500-faqësh, … ah, gjuha, gjuha, gjuha, shqipja, ku banoj unë me idetë, me ndjesitë, me kujtimet që ruaj dhe ndryshoj e krijoj për ditë, gjuha ku prehem më thellësisht se në çdo tjetër gjuhë që takova rrugës (për Janinë), gjuha, e fundit dhe e para, – ja, këto, jo veç e veç, por në tërësi, në format konkrete dhe aktuale në të cilat lëviz, më bëjnë shqiptare. Njohja, interesi, dashuria (të gjitha këto të veçanta), dhe mos epja në rikthimin pa fund drejt Shqipërisë, janë të gjitha të trupëzuara në eksperiencat e mia personale dhe vlerën e pathënshme të atyre 26 vjetëve të para.

Por, pa dyshim që të qenët shqiptare artikulohet paralelisht me të qenët njeri (e plot anë të tjera identitare si grua, mama, etj.), dhe, në këtë vështrim, ngjan me gjithë individët e tjerë njerëzorë; dallueshmëria e saj, si ajo individuale, si ajo e bashkëndarë me një kolektiv shqiptarësh, është se formësohet në dimensione historike hapësinore shqiptare. Por a është e thënë që ndihet shqiptar po si unë, cilido shqiptar tjetër me eksperienca të afërta me të miat? Kombi materializohet në praktikat e përditshme të njerëzve, dhe ato padyshim përkojnë por edhe dallojnë. Ne mund të ndajmë mes nesh “shqiptarinë”, por jam e sigurtë që atë e kuptimësojmë subjektivisht dhe lëvizshëm; nuk ka shqiptarì model, autentike apo me tipare të për/para-caktuara. Pika të përbashkëta kemi (ca më shumë e ca më pak), por shqiptar sot mund të jihet si do ti, madje edhe ku do ti.

Në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve gjenden jashtë Shqipërie, dhe vazhdojnë të rrjedhin bollshëm, kompleksiteti i të qenit shqiptar sot është edhe më i madh: i vështirë të kuptohet, edhe më i vështirë të artikulohet. Mendja dhe shpirti (binomi artificial përdoret si cliché këtu) nuk  jashtë-atdhesohen dhe as ri-atdhesohen; ato zhvillohen e pleksen rrjedhshëm. Kjo përkon plotësisht me të kuptuarit jomekanik të shqiptarisë. Unë nuk shkoj në festat e pavarësisë që kryhen kudo nëpër Amerikë dhe nuk i takoj asnjë komuniteti shqiptar të formalizuar e aktiv; nuk njoh emigrantë, veç atyre që qëllon që kam njohur që në Shqipëri. Por a jam më pak shqiptare se tjetërkush? Aspak jo!

Sidoqoftë, shqiptari tipik që ka lindur e është rritur në Shqipëri dhe tani nuk jeton më atje, normalisht kalcifikon atdhetarizmën e vet, shqiptaria e tij i nënshtrohet një procesi “hardening” me kohë. Nuk është kjo vetëm pasojë e një njohjeje të mangët apo raporti problematik me shqiptarinë. Është shpesh edhe reagim kompensues ndaj disavantazheve dhe problemeve që ka hasur në tokën e re, sidomos të të ndjerit pa rrënjë, pa njerëz, pa rëndësi, ose si pasojë e anonimizimit të menjëhershëm e të papritur që i ka ndodhur, që e ka bërë të shohë t’i reduktohen vlerat që është i bindur se ka pasur; rrjedhimisht, ka kaluar në shkallë të ndryshme një proces “dehumanizimi”. E kam parë këtë edhe në rastet e shqiptarëve “të suksesshëm”: mënyra se si krenohen për rëndësinë që kanë në një hierarki imagjinare internacionale gjuha e tyre, shqiptarë të shquar, si mburren me kulturën humaniste që kanë marrë nëpër shkollat socialiste shqiptare – që sipas tyre i dallon nga “injorantët” e vendit pritës, si rendin pas qendrorësisë së prindërve apo gjyshërve të famshëm, të shëtitur e modernë që në 1800, aq qendrorë në komunitetin e dikurshëm! T’i themi gjërat si janë: anonimiteti, ky dallues themelor i botës ku rivendoset emigranti shqiptar, i bezdis njerëzit, dhe janë të paktë ata që e durojnë, dhe, edhe më të paktë, ata që e shijojnë. Mjafton të parakalosh një mëngjes postimet në FB të shumë shqiptarëve, që ta ndjesh këtë prirje. Kjo prirje bashkëkohore për “vizibilitet” këtu merr ngjyra thellësisht shqiptare.

Ideja se emigracioni s’duhet parë më si problem, por si zgjidhje e natyrshme (huar nga elita shqiptare prej laboratorëve retorikë të Renzit), do ishte ideale… sikur të kishte gjësend të vërtetë në të veç ëndrrës. O burra, qytetarë të botës! Emigracioni s’duhet parë si nevojë dhe vuajtje, por si zgjedhje dhe zgjidhje, si liri lëvizjeje për begati! As nuk e di nëse kjo do të realizohet ndonjëherë, por e di që sot për sot është teori thjesht për të heshtur numra që flasin negativisht.  Dëmi individual real (apo ashtu si ndihet) që pëson shqiptari emigrant është i pamatshëm. Ai nuk e merr kurrë veten në këtë plan. Tamam rimodelimet ideologjike dhe emocionale të “shqiptarisë” së tij janë klithje të qarta për rinjohje e ripranim nga grupi. Shqiptari kërkon shqiptarët dhe vendin e vet, nga i cili nuk mund e as do të ndahet! Një ministri emigracioni që të ndihë për këtë, është domosdoshmëri për Shqipërinë. Sigurisht që ajo do jetë e zënë me votën më shumë se gjithçka tjetër, dhe për mua themelorja nuk është vota por një ndërhyrje sistematike për ristabilizimin e ndjesisë së të përkiturit në grupin ku emigranti ka dëshirë të përkasë. Por jam e sigurtë që edhe vota vetë mund ta kryejë këtë funksion, madje mund të ketë një ndikim progresiv si për shqiptarin jashtë, ashtu edhe për atë brenda. Të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ka shqiptarë emigrantë greqishtfolës që u janë bashkuar diasporave greke. Dhe nacionalizmi që një zgjedh të përçojë, është punë e atij që bën zgjedhjen. Vetëm se shkas për këtë nuk duhet të jetë se Shqipëria nuk i ofron emigrantit shinën e nevojshme ku të mund të lëvizë lirshëm në nevojat e veta të shqiptarisë, sidomos mundësinë t’u mësojë fëmijëve gjuhën e vet nëse do, ose atë të të qenit pjesë e “së përditshmes shqiptare”, qoftë ajo politikë, sport apo bakllava me arra dhe jo me fëstëkë.

5 Komente

  1. Duazimi, dualiteti, purgatorizmi, te ndjerit edhe-edhe por dhe as-as, etj, besoj se s’jane specifike per ne shqiptaret qe jemi rritur ne Shqiperi e jetojme me te shumten e moshes madhore ne nje vend te huaj (apo eshte Shqiperia vendi me i huaj tashme, e nese, kur u be pikerisht e tille, kur kaluam ylberin?), megjithate kjo s’i ben ndjenjat e ndjesite aspak me ordinere dhe te paperfillshme per secilin nga ne brenda vetes tone.

    Tani ne fakt vras mendjen se si ka mundesi qe s’e kam vrare mendjen per te lexuar dicka ‘formale’, ne anglisht, lidhur me keto fenomene, sa i perket njerzve qe si puna jone. Jam i sigurt qe ka plot materiale e shkrime, se p.sh. vetem ne SHBA jane me miliona ata qe kete vend e kane atdhe te dyte, si ne, dhe qe po si vijne nga vende e kultura prej te cilave s’dine nese me shume konfliktohen a krenohen per atributet e vecorite e bartura prej tyre, si ne cektesine e mbi-lekures dhe perditshmerise dhe ne thellesite e geneve te cilat surprizojne here pas here.

    Pavaresisht faktit te dykulturezimit, eshte e sigurt qe ne (njerzit) ndryshojme gjate jetes sa qe s’eshte fort e padrejte te na quash persona te tjere, pasardhes te vetes tone te dikurshme.

  2. Xhibi: para pak vjetesh revista Perpjekja botoi nje nr. te posacem per emigracionin shqiptar, te cilin e drejtova une (jo emigracionin, por numrin e posacem :)). Aty kam shkruar gjate per fenomenin qe permend ti me lart. Por ideja ime atje ishte me shume ajo e ndarjes, dycopezimit te paberballueshem ideor dhe emocional. Tani nuk e mendoj ashtu: e mendoj me shume si copezim ne copa pa fund dhe ringjizje ne materie te reja, ne levizje te vazhdueshme dhe te qene midis gjerave te ndryshme; ajo qe tani dikutohet si liminalitet.

  3. Xhibi: nje saktesim! Per diskutimin mbi emigrantin qe te fola me lart, duhet pare pikerisht ky numer (dynumersh) i Perpjekjes: 26-27. Por shkrimi qe sjell Parrulla me lart eshte vetem pershkrimi i punes per ndertimin e atij numri, dhe jo analiza per emigracionin vete.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin