DHUNA INSTALACION

Thanë se, gjatë sulmit terrorist në teatrin Bataclan në Paris, disa prej të pranishmëve kujtuan se të shtënat ishin pjesë e shfaqjes.

Duket sikur hapësira që kushtuar – në skenat dhe në galeritë – veprave të artit performativ, konceptual, instalacional, you name it, përkohësisht përjashtohet nga veprimi i ligjit, penal dhe moral.

Asgjë të re këtu: kur ishte hera e fundit që një aktor u arrestua në skenë, për një vrasje të inskenuar?

E megjithatë, diçka e ndryshme ndodh, kur publiku i një krimi priret ta konsumojë këtë si vepër arti.

CVbrsslWEAAFEa1Për shembull, një zënie e përgjakshme me thika, mes dy grave, në Art Basel Miami Beach, u përcoll prej të pranishmëve me interes dhe qetësi, kushedi edhe me duartrokitje, pse këta e kujtuan si instalacion.

Ka ndodhur edhe e kundërta: akte terrori, ndonjëherë masakra masive të mirëfillta, janë klasifikuar si art. Damien Hirst pat thënë, bie fjala, se autorët e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në ShBA “duheshin përgëzuar” sepse arritën “diçka që askush nuk do ta kish kujtuar si të arritshme”; dhe se sulmi kundër World Trade Center ishte “një lloj vepre arti në llojin e vet.”

Televizioni ka luajtur rolin e vet në këtë mes: një medium nga natyra e vet argëtues, ka marrë përsipër të përcjellë, ndonjëherë edhe live, aktet e terrorit, duke stimuluar voyeur-in te teleshikuesi.

Pa llogaritur paralizën mahnitëse që na kaplon të gjithëve, kur na qëllon të ndjekim, drejtpërsëdrejti, një skenë dhune; dhe që i ka rrënjët më thellë se vetëdija morale dhe arsyeja.

Prandaj tani nuk mbetet veçse që terroristët ose edhe vrasësit ordinerë, para se të kryejnë aktin përkatës, ta etiketojnë zonën si “galeri” ose “skenë” – ashtu edhe publiku do t’i ndjekë gjestet e tyre me interes, në vend që të përfshihet nga paniku.

Me përjashtim të atyre që do të lënë lëkurën, natyrisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin