Kush është Hutini, pyeste sot një editorial në gazetën Dita, dhe befas të dukej vetja i kapur në një kinema të qëmotit, me një film të keq të Kinostudios para syve në ekran. Kush është, pra, Hutini?
Ka gjithnjë nota poetike, në mos shije të hollë, në pseudonimet e dala nga dosjet e Sigurimit të Shtetit: Cigarja, Dizenjatorja, Grepi, Sqepi, Çiftelia.
Aq më bukur tingëllojnë, këto nota, kur i dëgjon në bashkëlidhje me personat “realë” të cilëve u referohen – duket sikur emërtuesit, këtë herë anonimë, shpesh kanë arritur të kapin thelbin e të emërtuarve, ose t’i tipizojnë, në frymën e metodës realiste kritike.
Do të kishin merituar një çmim republike, për krijime të tilla si Qukapiku, Çorapja, Stilografi, Dragoi, Plepi, Serbi, Ushtari… pa folur për referencat nga fauna, të tilla si Gjeli, Tigri, Urithi, Pëllumbi, Kastori, të cilat u japin dosjeve të Sigurimit frymë jo aq zoologjike, sa mirëfilli pagane, parakristiane, mitologjike.
Kush është Hutini? Deri më sot, zhbirimet herë imagjinare e herë të mbështetura të tabloidëve dhe insinuatat e atyre që “dinë”, ose të informuarve profesionistë, kanë kërkuar të qëmtojnë emrin “real” pas një nofke: kush është Kitara, kush është Bozhuri, kush është Intelektuali, kush është Shishja e Qumështit…
Në fakt duhet ndjekur rruga e kundërt: duke u nisur nga një who’s who e shqiptarëve të sotëm që e kanë mbushur kriterin e moshës, për të pasur një pseudonim në vitet e Sigurimit dhe më pas, në vitet e Sigurimit Tjetër; duke u nisur, pra, nga kjo listë e mirënjohur dhe publike, të gjurmohen pseudonimet përkatëse.
Tek e fundit, një emër çfarëdo, Miftar Miftari, nuk thotë shumë për personin që e mban, sepse në fakt ia kanë dhënë të tjerët, pa e ditur se çdo të bëhej, ose pa u kristalizuar ky akoma në një stereotip; ndërsa pseudonimi, i vendosur nga një komision njerëzish që e kanë ditur se ç’bënin, i përgjigjet drejpërdrejt thelbit të këtij personi, rolit të tij në teatrin e ngjarjeve, madje fatit të tij.
Të marrim nofkën Medicina, për shembull; që është përfolur në shtyp – nuk di se në bashkëlidhje me kë dhe nuk më intereson; por vetë nofka, Medicina, të sjell në mendje një mjek të specializuar jashtë, diku në Perëndim; dhe që ka sjellë që andej jo vetëm ekspertizën, por edhe leksikun përkatës – që këtej edhe shpresa madje urimi i emërtuesve se do t’u hyjë në punë, për të zbuluar të gjithë ata që do të gjejnë, te Medicina, një mjekim a lehtësim për lektisjet e tyre të dhimbshme pas Europës…
Ose Malësori – një nofkë që menjëherë të çon tek origjina mbi nivelin e detit, por edhe te një lloj profili epik, me dritë-hije skulpturore; ose Financieri, që kushedi ka dhënë e ka marrë me paranë dhe që duart, madje tërë qenia i kutërbojnë si kartëmonedhë e stërpërdorur, diçka midis vaniljes dhe një biskote për qen; ose edhe ky Parafabrikati, më enigmatik se të tjerët, që do ta ketë pasur të pamundur të dalë nga modele të parafabrikuara të sjelljes dhe të menduarit.
Këta njerëz, emërtuesit – kushedi kanë pasur edhe ata nofkat e tyre, kushedi jo, kanë parapëlqyer të mbeten anonimë; jo në kuptimin “pa emra”, por në kuptimin “pa nofka” – edhe me kusht që ashtu të sakrifikohen në luftën për vazhdimësinë e pushtetit dhe mbrojtjen e privilegjeve. E megjithatë, çfarë pune e denjë, kjo e tipizimit gati shkencor të elitës, për sot dhe për nesër! Çfarë pune fisnike dhe me përgjegjësi!
Dhe jo në kuptimin se duhej të ishe dikushi, për të raportuar; por në kuptimin se, duke raportuar, do të bëheshe dikushi.
Një hap e ndan stereotipizimin, si metodë për gdhendje personalitetesh fiktive, nga teoria e formave ideale të Platonit, që janë esencat transcendentale të objekteve të botës “reale” – në kuptimin që i gjori Miftar Miftari mund të vijë e të ikë pa lënë kurrfarë gjurme në histori; por dikush si Luftëtari a Çiklisti, e ka rolin të garantuar, pse të imponuar nga domosdoshmëria që i qëndron në themel reales.
Të përfytyrojmë, pra, një komision tjetër – ose një kundërkomision, nëse duam – i cili, përballë çdo kandidature për post publik, qoftë kjo për deputet a ministër a drejtor drejtorie a gjykatës a gjeneral të NATO-s, të niset nga emri publik i kandidatit, dhe pastaj të ecë së prapthi, derisa të arrijë te pseudonimi: Dinamoviti, Hozrashoti, Vertebra, Radio Kukësi, Konfuci, Montekristo…
Pseudonimi do të ishte kështu pasaporta, për t’u pranuar në lounge-in e elitave; të cilën, për ta vazhduar këtë lojë, mund ta përfytyrojmë pastaj si ballo me maska, të denjë për shoqëritë sekrete, ku Intelektuali të vallëzojë me Stuhinë, Greku me Serbin, Raketa me Inxhinierin, e kështu me radhë, rotacion pas rotacioni të pushtetit.
Ose le të bëjmë të kundërtën – ose të përfytyrojmë një skenë cirku ose estrade, ku të gjitha këto esenca platonike, të vënë maskat e emrave të tyre realë, Miftar Miftari, Selim Selimi, Petro Pjetri, Isuf Josifi, Sandër Skënderi, dhe të luajnë para ne të tjerëve, që pseudonime nuk kemi pasur ose kemi pasur dhe ende nuk e dimë, komedinë e tyre aq sfilitëse.
nje Miftar Miftari nuk le gjurme, sikur gjyshi sipas te cilit emer e pagezuan, por Corapja, Cizmja apo Atleti lene gjurme te thella ne histori: marrin dike ne qafe, terheqin mallkime ose bekime sipas rastit dhe leshojne ate kundermimin per gjuetaret e bibliotekave apo kesi historish.