SHPIFJA GRUA E NDERSHME

“Nessuno tocchi Caino”, ka qenë titulluar një fushatë e njohur, e radikalëve italianë, për të hequr dënimin me vdekje; andej po e huazoj temën e këtij shkrimi edhe unë. Askush të mos na e prekë shpifjen – dhe aq më pak drejtësia.

A nuk jetojmë vallë në një shoqëri pluraliste, ku kultivimi i vlerave, dhe jo vetëm atyre monetare, nuk ka pse të ruajë ndonjë farë lidhjeje me moralin dhe aq më pak me kodin penal?

Le t’ua njohim pra, shpifësve, lirinë për të shpifur, të cilën ata vetë e gëzojnë si të drejtën e tyre “të pajetërsueshme.” Ashtu, duke e ushtruar këtë të drejtë në foltoret, në ekranet, në faqet e gazetave dhe kudo ku gjenden sy palësh të treta, këta mund të realizojnë potencialin e tyre si shpifës.

Dhe ashtu të na ndihmojmë edhe ne t’i shquajmë dhe t’i kemi parasysh dhe t’u shmangemi në rrugë.

Mendoni ç’do të ndodhte, ç’apokalips i mendimit të lirë dhe i aspiratave thjesht europiane, sikur të gjithë këta shpifës të trembeshin dhe t’i mbanin shpifjet e tyre përbrenda, në vend që t’ia dhuronin publikut!

Ja, pra, një e mirë e papritur e shpifjes – funksioni i saj identifikues, që na lejon të përzgjedhim. Se edhe përzgjedhja është vlerë qytetare në demokraci, apo jo?

shockedPa folur pastaj për efektin thjesht argëtues të shpifjes, sidomos për ata që bëjnë sehir nga gjysmerrësira: të paemrit, të pafuqishmit, të pagojët, të papërzierit, të patrazuarit – ose krejt masa e heshtur apo “la maggioranza silenziosa” e cila me kalimin e kohës vjen dhe ia gjen lezetin të jetuarit te pështyma që mbulon Tjetrin, qoftë ky fytyrë në ekran, statujë apo pllakat.

Shpifja, kur është “tamam” shpifje, ka edhe meritën që e shumëfishon botën, si pasqyra; por ndryshe nga pasqyra, i shton kësaj variacion – këtej nderi, andej turpi; këtej virtyti andej vesi; këtej modestia, andej vaniteti. Ose edhe më mirë akoma, këtej vesi A, andej vesi B, e kështu me radhë.

E njëjta viktimë mund të luajë bixhoz në universin A, të shkojë me kunatën në universin B, të korruptohet në universin C, të korruptojë në universin D, të merret me drogë në universin E dhe kështu me radhë derisa të mbarojnë shkronjat e alfabetit.

Çfarë edhe do të shërbejë, nëse do të jetë kurrë nevoja, si ilustrim i thënies së lashtë ilire “nuk ka tym pa zjarr.”

Se shpifjen e ndjek prapa edhe një meritë e papritur: ndihma që ajo na jep, për të ruajtur, sado në një cep të humbur, nocionin e së vërtetës.

Nuk është e vërtetë, thotë viktima e shpifjes – duke na kujtuar se ekziston në këtë botë edhe e vërteta, pa çka se nuk ka mbetur agjenci dhe agjenturë, pa komplotuar kundër saj, pa e relativizuar dhe pa e mbuluar me pasqyra gjithfarësh.

Shpifja u jep të gjithëve mundësinë për të debatuar të vërtetën, në një shoqëri që, përndryshe, parapëlqen të jetojë në fantazitë e përgjumura dhe argëtuese të mediave.

Njëlloj si infeksionet, që tani na thonë se ia forcojnë e kalitin trupit sistemin imunitar, edhe shpifjet që dëgjojmë poshtë e lart, pa çka se jo për ne, dhe kushedi as tonat, na e stërvitin thellë në mendje shqisën e së vërtetës.

Sepse në këtë botë të sunduar nga spektakli, ku na ka rënë hisja të jetojmë, më shumë se shpifja është BULLSHIT-i që i kërcënohet komunikimit publik për vdekje; ose ai farë diskursi që, në vend që ta sfidojë ballazi të vërtetën, si shpifja, në fakt zgjedh ta shpërfillë atë krejt, ta lërë mënjanë, ta hedhë tutje si të panevojshme.

Shpifje është: aksh prift ia ka futur duart Karmelinës. Bullshit është: harmoninë fetare na e ka zili bota mbarë. Zgjidhni dhe merrni.

Shpifje është: Kryetari i Parlamentit është kriptokristian. Bullshit është: homologu i tij nga Vendet e Ulëta vlerësoi arritjet e Shqipërisë në lëmin e përpjekjeve për integrim në strukturat kontinentale. Sërish: zgjidhni e merrni.

Nuk dua të them me këtë se BULLSHIT-i duhet dënuar me vdekje; por vetëm që, sikur të vijë dita që ca prej BULLSHITTER-ëve më produktivë të kalonin ca kohë pas hekurave të burgut, të gjithë do të dilnim të fituar.

Pa folur pastaj që disa shpifje janë më afër realitetit se e vërteta, sepse – në rrethanat kur shqiptarët lexojnë pak, ngaqë kafenetë nuk janë të ndriçuara mirë, ose edhe ngaqë çmimet e librave janë më të larta edhe se në Finlandë – shpifja, krahas gënjeshtrës thjesht artistike ose konceptuale, është i vetmi akt diskursiv që ua mban të trajnuar shqisën letrare.

Pa folur edhe për të gjithë ata që i sjell në qendër të vëmendjes shpifja për çfarë në të vërtetë nuk e kanë bërë; dhe ata të tjerët, që e kanë shndërruar shpifjen në profesion, duke e ushtruar deri në kufi të BULLSHIT-it, në pamundësi për ta ushtruar deri në kufi të letërsisë narrative të mirëfilltë…

Pa folur edhe për ata të tjerët, të cilëve – njëlloj siç u dilte fjala të urtëve dikur – tani “u del shpifja,” aq sa të meritojnë mirënjohje prej të gjithëve ne, që ende na intereson e ardhmja, përtej asaj së ardhmeje që e kanë kapur dhe po e bëjnë telef BULLSHITTER-ët.

Të mos na e prekë kush shpifjen, pra.

Përndryshe e pret burgu.

4 Comments

  1. Shpifje: Edi Rama eshte artist i deshtuar dhe po perdor postin e tij zyrtar per te promovuar aktivitetin artistik

    Bullshit: Fate Velaj, këshilltari i kryeministrit për Diplomacinë dhe Kulturën Europiane, tha për BIRN se pavarësisht se është kryeministër, Rama merr rregullisht ftesa për të prezantuar punën e tij jashtë shtetit.
    “Nuk duhet të harrojmë se Rama është një artist dhe në thellësi të ndërgjegjjes së tij ai do të mbetet i tillë dhe të zgjidhë problemet në mënyrën më artistike të mundshme,” tha ai.

  2. Nje sqarim kontekstualizues per kete shkrim te Xha Xhait, sepse kur te lexohet pas shume kohesh mund te mos kapet konteksti politik dhe shtysat e jashtme nen te cilat u shkrua:

    Kodi penal i Republikes se Shqiperise, me sakte neni 120, e konsideron shpifjen kundervajtje penale dhe e denon me gjobe nga 50 mije leke deri ne tre milion leke.

    Çeshtja qe po diskutohet sot ne Tirane eshte tjeter. Kryeministri propozoi nje ndryshim ne ligj duke parashikuar shpifjen ndaj politikaneve më vete nga ajo ndaj qytetareve te zakonshem, dhe, ndryshe nga keta te fundit qe denohen me gjobe, parashikon denime me burg per shpifjen ndaj politikaneve dhe qeveritareve.

    Me fjale te tjera, nese dikush do te guxoje te shkruaje e te thote akoma se, fjala vjen, ministri Beqja eshte i korruptuar sepse ne nje vit i dha dhjete tendera firmes se tij private, me nje vlere prej disa dhjetera miliona leke gjithsej, atehere ne baze te ligjit te ri do te arrestohet dhe do te denohet me burg per shpifje, sepse gjykata do te vertetoje se firma e ministrit e meritonte t’i fitonte ata tendera.
    Ne kete menyre gazetaret do te mendohen mire para se t’i akuzojne politikanet si hajdute dhe te korruptuar sepse mund te perfundojne ne burg.

    Shpifja eshte pa dyshim nje akt i ulet dhe i denueshem, por propozimi i kryeministrit nuk synon te denoje shpifjen si te tille. Ai synon t’i mbylle gojen shtypit dhe opozites. Dhe kjo eshte shume here me e rende se shpifja.

    1. Duhet adhuruar Kryeministri për lehtësinë me të cilën u jep zgjidhje problemeve .

      Bile, meriton çmimin Nobël në Politikë!

      Po. E di që nuk ka një të tillë, por në këtë rast duhet ta krijojnë.

      Se pse e them këtë, po e ilustroj me një shembull.

      Ja c’thotë Monitor.al: “Alarmohen tatimet: Bizneset shkurtojnë 73 mijë vende pune në shtator-tetor”

      Imagjinoni për një moment mundësinë që ky lajm të mos jetë i vërtet. Të gjithë do lehtësoheshin, sidomos ato 73 mijë familje që do humbisnin nga një të ardhur për bukën e tyre të gojës vetëm nga ky lajm.

      Nëse të vërteta, lajme të tilla, me kësi shifrash, janë goditje të forta edhe për ekonomitë më të mëdha të botës, deri edhe Shtetet e Bashkuara të cilat prodhuan ekuivalenten e 271 mijë vende pune për të njëjtën periudhe.

      Por a ka takat Shqipëria t’i përballoj kësi lajmesh? Sigurisht që jo.

      Nëse do kishim mundësinë ta klasifikonim këtë lajm si shpifje, do ishte gjëja më e mirë jo vetëm për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik, bashkimin kombëtar, paqen sociale, e kështu me radhë, por edhe gjëja më e mirë që do u kishte ndodhur atyre 73 mijë familjeve dhe individëve. Ndonëse për momentin ato ndoshta nuk e dinë.

      Të krijosh 73 mijë vënde pune, thonë që është shumë e vështirë. Por ndërkohë ndoshta nuk është shumë e vështirë ta klasifikosh lajmin e Monitor.al si shpifje. Dhe përsëri të arrish të njëjtat rezultatet silur të kesh krijuar 73 mijë vënde pune. Që do të thotë: siguri, stabilitet, paqe, dhashuri. Dhe nëse këto vënde pune nuk krijohen në Shqipëri, ato fare mirë mund të krijohen në Gjermani, Itali, Amerikë, etj.

      Por le të jemi të drejtë! A është i vërtet numri 73 mijë që jep Monitori? Por sikur të jetë vetëm 72 mijë, apo 72.2 mijë, apo 72.1 mijë?

      Kështu fillon e zbehet e vërteta. Kështu fillon shpifja.

      Shpifja nuk mund të jetë pjesë e kodit qytetar. Ajo duhet të jetë vetëm pjesë e kodit penal.

      Rama për Nobel!

Comments are closed.