I PAPUNI

Kam disa orë që e shoh. Është gjithmonë aty. Thua të ketë zënë rrënjë. Sikur pema, në të cilën mbështetet. Unë endem nëpër shtëpi. Shkruaj diçka në Facebook. Ai është po aty. Lexoj. Shoh ndonjë film. Ha. Fle dy orë. Ha sërish. Shkoj në banjë. Ai ende aty.

E pikasa sot në mëngjes. E vëzhgova nga dritarja. Unë me tërshërë. Ai me byrek në dorë. Po e shoqëronte me dhallë. Unë me ujë. Dallohej që nga kati i pestë i pallatit tim. Ishte një Lufra. E imja ishte tërshërë gjermane. Ai vazhdon aty.

Veshur me të xhaketë të zezë. Ndonjëherë i mban duart në xhepa. Ndoshta rreket ti fshehë ato të papuna. Në xhepat e robe de chambre gjej një copëz gazete. Një artikull që kam dashur ta përkthej. Ishte shpëlarë nga larja, edhe nga aktualiteti. Tani filloi të ç’mpihet. Disa ecejake dhe qëndron sërish. I hutuar.

Në drekë lëvizi për një çast. Por erdhi prapë për disa minuta. Vjen vërdallë. Për një moment lëviza edhe unë. Thash të shkërmoq muskujt. Por tani jam sërish këtu. E vëzhgoj. Ai nuk e njeh ekzistencën time. Unë e filmoj. Tek sorollatet sa nga një kah i rrugës në tjetrin. Ndoshta mendohet. Kush e di ç’gjëra të kobshme i shkojnë ndër mend. Ndoshta edhe të këndshme. Tani nuk po lëviz.

Pasdite i erdhi një i njohur. I foli për pak çaste. Ai largohet. Vetëm përsëri. Me mua. Zbrita në kafenenë poshtë pallatit. Vazhdova ta vëzhgoj. Ai me një hurmë në dorë. Unë me një çaj. Në një moment m’u duk sikur u pamë. Bëri një rrotullim 306 gradësh sikur në një paradë ushtarake, dhe qëndroi sërish i mbështetur tek pema.

Nga ora 17:00 një furgon i ndaloi tek këmbët. Morri nga dyqani aty pranë matrapikën. E ngjeshi në sqetull dhe u largua. Në atë moment e kuptova që ishte punëtor me mëditje.

6 Komente

  1. I adhuroj keto copa jete që më flasin per Tiranen me shume se te gjitha gazetat e tv-te dites. Pa llogaritur ata tipat qe kuturisin aty ku nuk ka vija te bardha dhe hipokrizine e automobilisteve qe gjoja jane ne te drejten e tyre dhe as qe e ulin fare shpejtesine.
    Me te pambrojturit te braktisur ne anë te rruges dhe ata qe guxojne te bejne diçka, rrezikojne jeten… Nje metafore e mardhënieve të ndera të qytetit me veten, e egërsisë sociale dhe e dhunes se me te forteve ne te gjitha drejtimet!

  2. I papuni (ose punetori me meditje):
    “O ti q… temen, po ky lanet mua me shikon! Pa me rri aty prapa penxherese, maj katit t’peste e kujton ce fshihet pas perdes, ooo! Ce keta efendikonjte i kane dhe xhamat e lare…
    Khee, khee, khee, ptttu, ce gjesh ma zuri byrekne ne gryke, jeziti. Po temen o, i djeshem do jete ky mut; nuk u shtykerka as me dhalle!
    Po si s’u be njeri i gjalle sot? U be dy dite pa leka. As me vihet ne shtepi hic. Me mire rri ketu si peme.
    O po ky ore, gjende prapa penxherese! Po me filmon, ooo?! Mua, ooo?!
    Po jo, ooo. Kush merret me mua, ay filmon zockat.
    Ja te leviz te cpij kembet njehere. Temen gjesh me shtypi! S’te ben kush per njeri ketu, te marren per qen e te vene rroten.
    Po ky ne klubi cka qe shikon?! Nuk me del ay ne kat te peste, po edhe ky tashti! E paskan me mua si pallat. Ja tia ngul njehere syne. Qenka finke, e uli koken.
    Me griu per buke. Gjithe diten me nje byrek me dhalle. Me dha plaka nje mushmolle. Qenka gur. Pttuu, do le edhe keto dhembe qe me kane mbetur ketu.
    Ou! Gjende ky rehati me mua?! Qenkan te fiksuar keta! Po ce ooo, arusha Mira ne cirk jam une qe s’mi heq syte tine mooo?! Ja ti bej une nje rrotullim 306 grade qe te meket fare.
    Ia hoqa mendjen me duket.
    Opaa, doli buka per sonte. Ladi, ma nxirr pak ate matrapikun ce me ndriti fati ne te ngrysur. Hajde mirupafshim!”

    1. ndoshta dikush tjeter nga pallati perballe eshte duke shkruar per “shkrimtarin” e papune – qe rrutollohet me robdeshambrin si nje balerine neper shtepi, hap konserven e peshkut, rremon neper xhepa e nxjerr nje llulle pa duhan, vendos pa turp nje kamer ne dritare e vezhgon boten si ato plakat rojtare sociale neper ballkone

  3. Vetëm “Vallja e qyqit” mund t’i bëj konkurrencë “Të Papunit”. Funtastik.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: