Pjesa e tretë e ciklit: Atje ku vdes e rron Arvanitika
Arvanitja katërzet e një vjeçare që kish kohë që më kallëzonte hallet e veta, dhe gjithsesi buzëqeshte sa herë mundej, rimerrte vrull narrativ kur i bëja një pyetje. Pastaj u shpërqendrua dhe nisi të ndjekë burrin zeshkan që po afrohej në krahun e kundërt të rrugës dredhëse nga bënte hije një mur i lartë.
Donte të vazhdonte tregimin, por bënte pauza, se ndërkaq shpërqëndrohej nga burri që afrohej. Kur ai ishte përkundruall nesh, plaka i foli me zë të lartë dhe shpalosi një buzëqeshje të madhe në fytyrë nga ato që plakat japin kur rastësisht ndiejnë se janë bërë të rëndësishme krejt papritur. Nani kjo nga ish… mua më piet këtu… arvanjite ish? – i shpjegon atij me duar që lëvizin me energji. Burri ndalon këmbët dhe bën një hap të shkurtër për t’u afruar sikur dikush e mban nga pas. “Çfarë jeni? Çfarë po bëni?”- më thotë mua në greqishte distancuese formale. Por plaka që e njihte, i flet në arvanitika, dhe jo vetëm nga inercia e të folurit me mua. Ftesa që ajo i bëri bashkëfshatarit të cilin ndoshta e kish parë të sapolerë, ishte shumë e natyrshme. E pyeta burrin nëse fliste arvanitika. Më hodhi dy sy dyshues dhe rezistues. Më bëri një shenjë të përzier të “jo-së” së pari me ngritje të mjekrës dhe më pas me lëvizjen normale negative të kokës majtas-djathtas. Pastaj më tha që nuk kuptonte arvanjitika dhe bëri shenjën e moskuptimit me buzët që priren pak në qendër ndërsa cepat ulen poshtë. I thashë si quhesha dhe që vija nga Amerika dhe doja të flisja me njerëzit në arvanjitika. Vazhdoj t’i flas shqipen time që e thyej për t’iu qasur arvanitishtes. Nga mënyra si reagon, e di që kupton gjithçka. Aty ai nis të fërkojë mjekrën, ul sytë. Më shikon vrëngët, pastaj armiqësisht. Ikën. Unë që nuk kuptoj reagimin e tij, e pyes plakën: ai nuk flet arvanitika? Plaka më sheh e turbulluar si njeri që nuk di nga t’ia mbajë. Bën shenjë në fytyrë që nuk e di, dhe më thotë në greqisht “Edhe mundet që nuk nuk flet.” Burri nis të flasë në greqisht teksa largohet pa e kthyer kryet nga ne. “Ti nuk e di cila është ajo!”… Plaka e ndjek me sy tashmë të frikësuar. Sheh nga unë. Buzëqeshja i ka vdekur krejt. “Lëri ata”, vazhdon burri duke përdorur një përemër dyfish grek (vetor + dëftor) që jep konotacione negative për referentin[i], në këtë rast në shumës. Plaka ndërkaq kish bërë hapin e parë për t’u larguar. Më la sikur sa i thanë se kisha murtajën. Pastaj butë, me sytë plot frikë, më tha si me pëshpërimë “Ja su!” kur ish dy hapa larg meje, por pa kthyer kokën. Kisha ngelur vetëm në rrugë duke pyetur çfarë tha, çfarë ndodhi. Por arvanitishtja nuk hynte më në punë: ishte indeksuar gjuhë e dyshimtë.
Iki thellësisht e trishtuar. Zbres shkallët e muzeut qesharak të kyçur prej muajsh a më gjatë ku më parë kisha hasur plakën e ëmbël, dhe nisem për nga sheshi origjinal tashmë i vjetëruar i fshatit. Këndej rrapet janë më imponues, të bukur, të bukur. Nën to, kafene e kafene pleqsh e pleqsh, jo nga mosha sa nga sjellja dhe të vetëndjerit. Gjithçka lëviz, por aq pak e aq ngadalë, sa të bën të besosh se asgjë nuk lëviz. Autobusi që duhej të nisej në orën dy të drekës për në Livadhia, niset nga ky shesh. Dua të imagjinoj nga çfarë pike tamam do nisej. Kuptohet që nuk pres të gjej tabelë autobusi gjëkundi. Jam duke u sjellë nëpër shesh. Nuk ka tavolina të lira nëpër kafene. Përdoren pak a shumë si stola parku me hije në vapë. Vetëm pak janë duke pirë diçka. Shumica bëjnë sehir. Shoh në një krah të sheshit një klub pa tryeza jashtë, por që kish shenjën “Taksi” në krye. Më kanë thënë që ka pak shanse të lëvizë autobus në një ditë feste si e sotmja, ndaj simboli i taksisë më mobilizon sensin vetëmbrojtës. E di që nuk kam hotel këtu; e di që duhet të kthehem në Livadhia ku kam hotel të rezervuar dhe valixhen; e di që këtu mund të ngelem pa autobus; e di që nuk jam në një vend mik. Hyj në klubin me shenjën e taksisë. Është krejt bosh: i madh, mbushur me tryeza e karrige pa asgjë të veçantë. Nje banak i shkretë. Një burrë i dobët, rreth 60 vjeç, me syze del në banak. E pyes nëse flet arvanjitika. Më thotë po. I tregoj që jam shqiptare dhe punoj në një universitet amerikan dhe interesohem për arvanjitikan si gjuhëtare. Pohon pas çdo gjëje që them me një buzëqeshje të matur. Pastaj i flas për lokalin që s’ka njerëz. I them se ndoshta në verë duhen tryeza jashtë, sepse njerëzit duhet të kenë qejf të rrinë jashtë e jo brenda. Më thotë se sa halle kanë me ekonominë në fshat. Blej një lëng portokalli të shtydhur dhe një shishe ujë. Flet një shqipe aq të bukur e të pastër, sa më bën të ndihem në shtëpi. Por është gjithnjë distant. Ngaqë jetoj larg dhe rrallë ndesh shqiptarë atje ku jam, mua më prek edhe shqipja që has rrugës kur vij në Tiranë. Imagjino në Kiriaki pastaj! E pyes për taksinë. Më thotë se në fakt biznesi është i të birit, por në ditë festash dhe weekende punon veç babai. Unë buzëqesh. Më thotë se donte 30 a 35 Euro për taksinë, nuk më kujtohet tamam. I them se jam dakord, dhe se do dal të bëj një shëtitje nëpër fshat dhe do kthehem para orës dy, e nëse autobusi nuk vjen, atëherë do kem nevojë për taksinë e tij. Më vjen keq që nuk regjistroj dot shqipen e tij. Intervistat me plakat e Kiriakit më kanë tretur gjithë baterinë. Ky udhëtim është për të njohur vendin dhe jo për të mbledhur të dhëna, por kam gjetur edhe plot copa kritike gjuhe. E di që ky folës do regjistrohet domosdo herën tjetër kur të vij.
Sa hedh këmbën jashtë klubit e dal në shesh, më vjen nga kafeneja përballë burri zeshkan që më kish frikësuar plakën e mirë. Ecën drejt meje sikur po bëhej gati për kërcim së gjati. Bëj sikur nuk e vë re, sido që të gjithë e ndjekin nga vrulli i dukshëm. Fillon të më ulërasë me sa ka në kokë. Pastaj kthehet dhe i flet fshatit. Njerëzia nuk pipëtijnë. Unë e di që flet shqip, ndaj i them në shqip se jam profesoreshë shqiptare dhe punoj në një universitet amerikan e vij për të studiuar gjuhën e arvanitëve. I them se merrem me vdekjen e gjuhëve, sepse them me vete se ky tipar i punës sime mund ta qetësojë. Ia them të gjitha edhe në greqisht sepse formulimet e prezantimit tim i kisha mësuar, pastaj në anglisht. Ulëret. Jo. Tani shkumon. E dëgjoj që më shan dhe mes çdo dy fjalësh thotë “shqiptar”. Pastaj thotë amerikan. Më thotë ik, dhe zgjat krahun e gishtin tregues për të më dhënë udhët! Pasi mban fjalim për njerëzit ulur nëpër kafene, kthehet prapë nga unë. Më çirret mu në fytyrë. Ngre krahun sikur do më binte. Më prekin copra pështyme. Bëj si trime dhe filloj t’i ulëras mbrapsh në anglisht, por në fakt kam frikë. Më duket sikur jam para një qeni të tërbuar. Jam e bllokuar në një qoshe mes tij dhe klubit ku isha. Taksisti me syze është tri hapa larg meje dhe dera e barit të tij ende është e hapur. Ndjek gjithçka nga brenda, por nuk luan vendit. Kam rreth 50 burra në kafenenë përballë. Ka një a dy gra gjithsej atje. Para tyre po jepet një shfaqje, por bëjnë të gjithë sikur nuk shohin. Janë tre hapa larg. Ndoshta, dy. Askush nuk i flet zeshkanit që vazhdon të më ulërasë e të më thotë “Ik në Shqipëri!” e “Ik në Amerikë!”. Duhet të dal nga vrima ku më ka futur duke m’u afruar që sa s’më prek fytyrën. Më vjen aq keq që nuk e filmoj dot. Por bëj sikur. I them në anglisht se kjo sjellje është e shëmtuar. I bërtas që të largohet. Nuk e prek, se kam frikë mos më gjuan. Do të më kapë telefonin. Gjej një çast dhe rrëshkas në krah. Eci drejt së parës rrugicë që më del përpara dhe parakaloj tufën pa fund të burrave ulur në kafene. Ishte sikur të isha e padukshme. Kam vazhdimisht ndjesinë se më shumë më ruhen sesa më urrejnë. Por jam e inatosur që një tufë e madhe njerëzish bëjnë sikur nuk e vënë re që një prej bashkëfshatarëve të vet gati sa nuk rreh një grua të panjohur në mes të sheshit, dhe nuk pipëtijnë. Thua t’u ketë dhënë arsyetim të mjaftueshëm zeshkani kur ulërinte kundër meje?!
Por ai më ndjek. Unë eci ngadalë, sepse e di se po të shpreh sadopak frikë, më bie. E ka ngritur krahun disa herë. Sillem siç më kish mësuar im atë të sillesha nëse isha vetëm dhe më sulmonte një qen stani verës në Kolonjë. Madje bëj edhe sikur kërkoj pa teklif diçka në celular. Vetëm një herë ka ndodhur në të shkuarën të jem dhjerë (tekstualisht) nga frika. Nuk dija tamam as si isha e as çfarë të bëja, se s’më linte kush kohë të studioja veten. Ai vazhdon të ulërasë dhe të më afrohet si gjel me gjoksin përpara sikur do të më shtyjë jashtë fshatit të vet. Në fakt rruga që kam marrë më çon vërtet në një monopat që zbret në një lumë jashtë fshati. Ndaloj e kthehem me vrull në rrugën që merr për nga fshati. Ai ndalon hapat dhe vetëm bërtet nga pas. Me sa duket u lodh. Gjej rrugën për në kafenenë e lezeçme në qendrën e re të fshatit ku kisha lënë çantën dhe laptopin. Hyra. Tufa e vajzave dhe djemve me të cilët kisha ndërkaq një njohje të lehtë që prej mëngjesit më pritën mirë. Kur kamerierja (që ishte edhe banakiere) erdhi të më pyeste, unë i tregova ç’më kish ndodhur. Kisha dhe një copë të shkurtër filmi kur zeshkani iu afrua plakës sime, që para se të më mbaronte bateria. Ajo u prek dhe thirri disa shoqe. Plaka ime e frikësuar ishte gjyshja e njërës prej vajzave. Burri zeshkan që më kish shkaktuar kaq siklete orën e fundit, marr vesh se qenka polici i fshatit, polici që i takonte Kiriakit. Me vajzat flas në anglisht. Arvanitika tek to është joekzistuese. Njohin gjithsej dy-tre shprehje gallate, që m’i kanë thënë, dhe kaq.
Ka ardhur koha të pres nëse vjen autobusi, për të cilin në fakt i kam hequr shpresat. Nëse s’vjen, më duhet t’i kërkoj ndihmë për taksinë e premtuar burrit në klubin ku më kishin ulëritur. Nuk e di nëse do pranojë më të më çojë. Pra duhet të kthehem rishtaz në qendrën e pleqve, atje ku kisha hequr picirrin. Kam vërtet frikë mos më del rishtas polici. Autobusi nuk vjen, dhe unë hyj në barin ku nuk më flet kush. E pyes pronarin me taksi dhe me arvanitishten e pastër: mundeni të më çoni në Livadhia me taksi siç patëm rënë dakord. Më tha “po” me kokë, dhe u nis pa fjalë për tek makina e vet në anë të rrugës. E ndoqa dhe hyra. U nisëm menjëherë. Për pak minuta i bëra një muhabet kot, moti dhe peizazhi. Pastaj ai më tha: “ti ke qenë edhe para disa vjetësh në fshatin tonë”, dhe më pa e picërroi sytë. U çudita pa masë. I thashë “po”, “për pak orë, dhe bëra vetëm një shëtitje të shkurtër”. Më mbante mend; mbante mend edhe në ç’bar pata ndaluar e intervistuar atëherë. Unë gjeta rast të pyes se çfarë ndodhi me policin e fshatit dhe pse më kish ulëritur ashtu. Doja të dija çfarë thoshte për mua në ligjëratën e vet të inatosur dhe urrejtëse. Taksisti më tha se polici u kish thënë fshatarëve të mos më afroheshin e të më përzinin, sepse isha e padëshiruar dhe e rrezikshme. Akoma nuk kuptoja pse. Por taksisti ma shpjegon, dhe sa më shumë flet, aq më shumë nxehet edhe ai me mua që isha e tillë. Beson çdo fjalë që polici pat thënë për mua, dhe nuk e fsheh dot bezdinë që i jap dhe dyshimet që ka. “Përse duhet të vijë një grua nga Amerika në majë të malit?! Madje edhe vetëm! Ke burrë ti në Amerikë? Si të lë ai të vish vetëm në majë të malit?! Dhe punon në universitet?! Universitetit amerikan i duhet arvanitika që s’e do kush! Arvanitika nuk është as gjuhë!” E pyes nëse këto i tha polici, apo po i thoshte ai. Më pa i nervozuar dhe më tha: “I tha polici këto, por edhe unë tamam ashtu mendoj! Të gjithë ne ashtu mendojmë! Ç’do ti këtu? Përse ke ardhur? Që të prishësh Greqinë! Ti je spiune amerikane dhe shqiptare, se s’ka pse të vish këtu! Ty nuk duhet të të linin që kur hyre në kufi! Ku hyre në kufi, më thuaj, ku! Si të lanë të vije kur i the që vjen për gjuhën? Aty duhet të të kthenin që mos turbulloje Greqinë. Dhe po t’u kishe thënë, nuk do të linin të hyje. Arvanitika?! Ne nuk na duhet arvanitika! Të duhet ty? Po pse të duhet? Hë? Pse?” Zëri i ishte bërë tepër i lartë në këtë pikë, dhe më fliste me vështirësi nga nervat. I thashë se jam studiuese dhe jo spiune, dhe se gjuhët janë pasuri e gjithë njerëzve dhe studiuesit që merren me to i duan dhe i respektojnë gjuhët, dhe duhet të jenë të lirë t’i studiojnë. “Jo, por ti nuk e do Greqinë! Pse pak të këqia i kanë bërë Greqisë njerëz si ti? Dhe Shqipëria? Dhe Amerika? Ti ke qëllime të këqia! Unë jam i sigurtë që S. nuk do kishte bërë atë që bëri, sikur të mos i kishin thënë nga lart se ti do vije sot në fshat! Ai sigurisht ka marrë urdhër, dhe po të priste që të të ndalonte.” Nuk dija çfarë t’i thoja. Është e qartë që, për taksistin, S.-ja që më ndaloi mua, qartësisht paskësh shpëtuar Greqinë. Trishtohem për të gjithë ata që ishin në shesh kur polici më bërtiste, që e kishin menduar njëlloj si ky punën time. Më vinte edhe keq për taksistin që ishte i rrethuar nga një botë me spiunë e armiq që nuk ia donin Greqinë mëmë, dhe bënin plane t’ia prishnin. I flas për arvanitishten e tij, dhe i them se flet një arvanitishte të pasur e të bukur.
Kur arrita në hotel në Livadhia u përpoqa të shkruaj bisedën. Kuptohet që nuk shkruajta në taksi dhe nuk e riprodhoja dot në arvanitisht. U mendova gjatë për sa ndodhi. Më pat ndodhur diçka e ngjashme në Thiva para disa vjetësh. Por ai që m’u vërsul e desh më vrau në Thiva, ishte ca i dehur. Ndërsa ky i këtushmi ishte vetëm ca polic. Isha e bindur që për të kuptuar ç’kish ndodhur duhet të nisja arsyetimin nga fakti që S. përfaqësonte shtetin në fshat. Ai shihej në sy nga burrat dhe gratë si shteti. Ai ishte ideologu, ekzekutuesi dhe mbrojtësi i shtetit. E çuditshme që rreth 100 burra e morën aq seriozisht rolin krejt natyral që luajti polici në shesh kur më tregonte mua me gisht si armike! Më shqetëson fakti që frika nga shteti dhe indoktrinimi se bota i ka halë në sy dhe atdheu duhet ruajtur nga infiltruesit shkatërrimtarë, të jetë pjesë kaq e natyrshme e këtyre burrave të pjekur e me jetë pas krahëve. Ç’u ndodhi në histori? Kur i zhvilluan paranoia të tilla agresive atdhe-mbrojtëse e gjuhë-mbrojtëse? Këta s’kanë pasur as komunizmën si puna jonë?!
Reagimi dyshues dhe agresiv në Greqi ndaj studimit të minoriteteve është raportuar në akademi nga disa studiues; disa prej tyre kanë qenë madje arvanitas (siç është rasti i sociolinguistit të mprehtë Lukas Tsitsipis kur punonte mes arvanitësh për disertacionin e vet në 1980 kur e morën për agjent të CIA-s). V. Friedman më herët, dhe N. Gogonas e S. Magliveras së fundmi, raportojnë histori të ngjashme. Pjesërisht ndërtimi i dyshimeve si pararojë e mendimit, lidhet me izolimin në provincë, dhe frika se tjetri po përfiton prej teje (si në rastin e njerëzve që të pyesin sa para do marrësh nga përgjigja ime, para se të të japin përgjigje) lidhet me një histori të gjatë shfrytëzimi dhe varfërie të popullsive në këto zona. Por reagime si ky që përshkrova lart, i takojnë shovinizmit tribalist dhe duhet t’i shqetësojnë shoqëritë që i prodhojnë. Në fund të fundit, mes këtyre qëndrimeve dhe mospranimit agresiv të minoriteteve, apo dëshirës për ta bërë tjetrin si veten para se ta lejosh të bëhet pjesë e grupit, nuk ka ndryshim të madh.
Kjo pëlhurë, siç e kam thënë edhe në shkrime të tjera, është endur gjatë nga institucionet greke dhe e ka fillesën që në dekadat e para të 1800-ës së largët kur Greqia duhej të krijonte me çdo kusht (ia kish vënë detyrë Europa) imazhin fiktiv të popullsisë njëetnike e njëgjuhëshe që rridhte direkt nga një agora e rafinuar ngritur mbi Olimp. Aty nisi vrapi i egërsuar i një shteti-komb që ndërtohej duke mohuar veten, dhe e tirrte historinë dhe politikën hegjemonike me kut vetëgënjeshtrimi. Kjo kulturë institucionale aq sa dëmton lidhjet me të tjerët, dëmton edhe vetë vendasit se i bën të shtypin sa mundin tjetrin brenda vetes, të mohojnë grupin real për një komunitet fals në emër të një “esprit de corps” të injektuar me forcë nga shteti dhe institucionet; të jetojnë në një botë me lugetër, rrethuar nga armiq që i kanë halë në sy, dhe të riprodhojnë kultura të mbyllura rrethimi e mbrojtjeje. Periudha të egra krize demokratike dhe krize lirie mendimi në përgjithësi janë përsëritur në Greqi, si ajo e regjimit të Metaxa-së, lufta e egër civile pas Luftës së Dytë Botërore, e më pas Regjimi i Kolonelëve. Thyerje të tilla të jetesës dhe edukimit në liri, kanë përforcuar një frymë ndasish armiqësore, frike dhe terrori, aqsa janë edhe vetë pasojë e injektimit të vazhdueshëm në popull të një politike shoviniste institucionale të manipuluar e forcuar nga lart.
Ankthet puriste që ende shoqërojnë shumë grekë (por edhe të tjera popullsi ballkanase) i takojnë një tjetër epoke e mendësie; prodhimi i armiqve të jashtëm që ditë e natë duan të dëmtojnë Greqinë u shfaq si paranojë e fuqishme edhe gjatë krizës së fundit financiare greke. Sidoqoftë, konstrukte të kalcifikuara kulturore si ajo e të parit të armikut tek tjetri, duhet të evitohen së paku në rastet kur bëhet fjalë për të studiuar copa të dijes njerëzore gjuhësore që po vdesin në Greqi. Por, siç thotë gjuhëtari V. Friedman (“The Balkan languages and Balkan linguistics”, 2011: 291), “për fat të keq, klima e frikës e krijuar nga fashistët dhe policia në atë vend janë një problem për të dy palët, folësit dhe studiuesit.”
[i] Interpretimi i bisedës është bërë me ndihmë në përkthimin nga greqishtja të specialistes në pragmatikë, M. Terkourafi.
(fund: për pjesën e parë kliko këtu; për pjesën e dytë këtu)
(C) Autorja
Nuk besoj se do te jem ne gjendje te gjykoj perfundimet e ardheshme shkencore te presjes ne kete ekspedite, por ne kontekste te kesaj natyre nuk kam qene ne gjendje as te gjykoj konsideratat gjeologjike e stratigrafike te baronit F. Nopca, gje qe nuk me ka penguar te vleresoj se tepermi shenimet e tij per takimet ne malet e Shqiperise, gjendjen sociale dhe jeten e perditeshme te shqiptarve, qe e ruajne vleren njohese edhe sot e kesaj dite, nderkohe qe mbase konsideratat e tij shkencore mund edhe te jene kapercyer.
Me punimet e saj, presja eshte ne gjurmet e nje tradite te druajtur, por edhe te nje nje epoke interesante te studimeve tona, eshte nga te rrallat studiuese shqiptare qe hedh veshtrimin kerkues e shkencor pertej trojeve shteterore, me rezerven e vogel qe nuk jane institucionet shqiptare e aq me pak akademia shqiptare e shkencave ato qe jane ne origjine te punes se saj, ose qe u drejtohet puna e saj, gje qe nuk ndikon aspak ne vleren e saj.
Edhe pse fusha konkrete e kerkimit kalon neper fshtra ku flitet gjuha arvanite, pra ku ne parim as ajo nuk eshte aq e huaj per mjedisin dhe as mjedisi per te, nuk e prisja qe nje gje e tille te ishte kaq e veshtire dhe madje tronditese. Eshte mungese tolerance (nuk behet fjale per mikpritje) njerzore apo institucionale? Hec e gjeje. Nuk do ta besoja se ka ende popuj ne Evrope qe kane frike te flasin me nje te huaj.
Ner keto kushte, nuk me mbetet veçse te kujtoj me kenaqesi fjalet e mira per fshataret shqiptare qe degjoj nga goja e dr. J.G. Hahn, e plot konsuj e udhetare te tjere me mend, qe iu fut tej e tej maleve te Shqiperise njeqind e pesedhjte vjet para se presja te shfaqej para teriaqive te kafes ne Kiriaki. Dhe, nuk druhem te them, edhe sundimtarve turq te kohes, te cilet ne asnje rast nuk ka shenja qe t’i kene pare udhetaret qe vinin nga “Evropi” si agjente a qe i donin te keqen perendorise, sikunder mesojme ketu se kjo ndodh edhe sot e kesaj dite ne nje vend antar te natos, si Greqia.
Shkurt, keto shenime dhe pershkrime te ketij cikli shkrimesh te presjes marrin vlere te veçante sepse me shume se evolucioni i guturaleve, kapercimet e shndrimet ekzotike te palataleve, vetevrasjet e fjaleve nepermjet metatezave, seksi i fshehur i disa fjalve, mungesa shqetesuese e silapseve, modifikacionet fonetike te familjes se metaplazmave, lakuriqesia e peremrave, trishtimet e fonemeve te braktisuara, patologjite e elokucioneve dhe prehja e perjetshme e aspiranteve, keto shenime te dhena me perkorje e realizem te pashoq, thuaj me fryme “raporuese nga terreni”, nga dikush per te cilin prania ne ate terren nuk eshte fare pa rrezik, ato pra, presin ne kohe dhe na japin nje pamje in vitro te patologjive te pashprehura te fqinjve tane.
Kurre nuk me kane kenaqur a gezuar me problemet e te tjereve, por kjo nuk me pengon te jem me realist e te relativizoj te metat e “te mijve”.
Urime, pra!
Lyss, kam përshtypjen se egërsia, difidenca dhe paranoja me të cilën u prit autorja në fshat ka të bëjë sidomos me atë që ajo shkoi atje e pashoqëruar dhe, disi më pak, edhe me atë që ishte femër e pashoqëruar.
Meqë përmende udhëtarët europianë në viset shqiptare të shekullit XIX, këta kurrë nuk kuturiseshin në zona larg qyteteve pa pasur njeri që t’u dilte zot dhe t’i prezantonte në vendet ku shkonin. Përndryshe nuk do të kishin mbijetuar as gjysmë ore.
Mjaft të lexosh Durham-in, për të parë sa i ndërlikuar ishte rituali i shoqërimit dhe protokolli i lejeve dhe kortezive me vendësit, për të garantuar thjesht sigurinë personale.
Shoqëruesi, që ndonjëherë luan edhe rolin e përkthyesit, ndërmjetëson edhe nga pikëpamja sociale midis mysafirit të panjohur dhe vendësve, të cilët janë “zotër” jo vetëm të hapësirës së banimit dhe të tokave, por edhe të hapësirës sociale dhe të komunikimit.
Unë mbaj mend që, edhe në vitet 1980, kur shkonim në ekspedita për llogari të Institutit të Gjuhësisë, gjithnjë siguroheshim që të na shoqëronte, të paktën ditët e para, një vendës, ose të paktën një mësues i shkollës së fshatit. Kjo bëhej jo se na rrezikohej koka, por për të shmangur armiqësinë instinktive të vendësve, ndaj të panjohurve që nuk ua ka prezantuar kush.
Prezantimi vlen si një lloj dorëzanie për tjetrin, duke ndihmuar në kalimin nga i panjohuri në të njohur. Ka mundësi që për shumë vendës, një person që vjen i paprezantuar, dhe kërkon të komunikojë për çështje pak enigmatike si ajo e gjuhës, e bën këtë ose ngaqë nuk dëshiron që ta prezantojnë, ose ngaqë askush nuk ka pranuar.
Shto pastaj edhe se prezantimin vendësit menjëherë do ta interpretojnë edhe si shenjë respekti ose begenisjeje.
Kam përshtypjen që në gjithë Ballkanin praktika e shoqërimit ka qenë rutinë. Kështu rastësisht po më kujtohen tani ca faqe të “Kronikave të Travnikut” të Andriçit, ku lexojmë se ç’rol kapital luante shoqëruesi, në çdo moment dhe në çdo situatë – pa çka se ngjarjet atje zhvillohen në qytet.
Shoqëruesi është përkthyes – por jo vetëm i gjuhës; por edhe e para së gjithash i kodeve të komunikimit dhe i kulturës; sikurse edhe shmangës (inhibitor) i dhunës që përftohet spontanisht, nga konflikti mes kodeve.
Nuk i them të gjitha këto për të qortuar Presjen; jam i bindur se ajo e kish marrë këtë parasysh madje e kish preferuar ndaj qasjes tradicionale ose vizitës së ndërmjetësuar në një fshat arvanitasish. Ashtu mësuam edhe ne, antropologët e kolltukut, gjëra që nuk do t’i kishim ditur kurrë.
Eshte e vertete qe nje ndermjetes eshte i domosdoshem qe te evitohen situata anormale. Nga sa kam lexuar e degjuar kjo nuk eshte keshtu vetem per Ballkanet. Une dua te di cfare ndodh pa ndermjetes. Pjesa e reagimit instinktiv dhe e vetembrojtjes nga nje njeri qe kurrsesi nuk mund te te rrezikoje fizikisht, eshte shume domethenese per ate qe une dua te gjej. Mbaj mend ne nje bisede te gjate me me Eric Hamp qe me tha: Perse duhet ta dime cfare problemesh politike dalin ne siperfaqe nga marredheniet me arvanitet? Gjithe sa na duhet eshte fakti gjuhesor. Si thone ate qe thone ne gjuhen e vet.” Kjo per mua ka gjithashtu rendesi dhe nuk e zhvleresoj aspak ate qe thote Hamp. Por une dua te di me shume se aq. Ate qe “thone” arvanitet ne menyre te fosilizuar e gjej kollaj; ate qe thone ne realitet dhe menyren se si jetohet si arvanitas, eshte e veshtire ta gjesh. Mua kjo pjese me intereson thellesisht. Dhe nuk eshte thjesht nje trill. Duke kuptuar kete, kupton se si jetojne Ballkanet.
Pervec kesaj, arvanitasit flasin greqisht po te shkosh me nje njohes te greqishtes. E kam provuar vetem nje here dhe ka qene eksperienca me joinformuese qe kam pasur. M’u shkaterrua gjithe plani, m’u dhje krejt dita e punes. Nuk mblodha asnje te dhene te pa manipuluar. Te gjithe studiuesit qe njoh ose per te cilet kam lexuar, ose kane qene greke, ose kane shkuar me shoqerues. Cuditerisht, edhe pse kemi qene ekspozuar situatash krejt te ndryshme, konkluzionet tona nuk kane qene fort te ndryshme. Kjo ka vlere te vecante per mua.
Lyss; me vjen mire qe e vlereson udhetimin tim mes arvaniteve. Dua te theksoj qe rasti i Kristos eshte po ashtu i pranishem mes grekesh. Po ashtu grupi i te rinjve ne barin e qendres se re te Kiriakit ishin shume mbeshtetes. Gjithsesi, nuk e di nese kjo lidhej disi me anglishten dhe me faktin qe une vija nga nje universitet amerikan. Per etike pune une duhet t’i them saktesisht se kush jam, cfare origjine kam dhe nga vij cdo folesi. Nuk mund te pretendoj qe jam dikush tjeter. Ajo mund ta bente punen time me te thjeshte. Shqiptaret dhe amerikanet ne shtresa e grup-mosha te caktuara ne Greqi kane konotacione negative. Por kryesorja eshte qe diskutimi i MINORITETEVE mbetet ne Greqi nje problem themelor. Dhe kjo eshte krejt kunder cdo fryme liberale e moderne te botes se lire.