Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

ME VRAP DREJT EUROPËS

Më poshtë disa përshtypje të miat, pasi ndoqa intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me Tim Sebastian në emisionin Conflict Zone të Deutsche Welle.

Pjesë të intervistës janë përkthyer shqip dhe botuar në mediat edhe online.

Ka shumë për të diskutuar, në lidhje me këtë intervistë; duke filluar nga fakti që shumë vëzhgues në Europë dhe jo vetëm, kërkesën këmbëngulëse e Ramës për ta pranuar sa më shpejt Shqipërinë në BE or else e kanë perceptuar si kërcënim.

I pyetur se çfarë rreziku i kërcënohet – Shqipërisë ose Europës – në rast se kjo nuk ndodh në një të ardhme të afërt; ose çfarë parakuptohet me këtë or else, Rama gjithnjë iu referua një entiteti të paqartë, të cilin ai e quajti ghosts from the past.

Edhe kur Sebastian e nxiti të japë më tej shpjegime se çfarë janë këta ghosts from the past, Rama nuk iu largua skriptit që kish në mendje, dhe përmendi turbull të kaluarën komuniste të Ballkanit ose konfliktin nacionalist; por pa tingëlluar bindës.

Ç’të jenë këto fantazma të së shkuarës, pra? Dhe pse ngurroi Rama që t’i përmendte me emër, ose t’i konkretizonte?

Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, le të mbajmë parasysh vështirësitë e grupit rreth Ramës që ka sot pushtetin në Tiranë – dhe që jo doemos identifikohet me bazën e PS-së (diçka e ngjashme më duket se përvijohet edhe me Vuçiçin në Beograd).

Ky grup i edukuar në masë të madhe jashtë dhe që ka qenë rregullisht në kontakt të ngushtë me të huajt, është haptazi dhe bindshëm i orientuar ndaj Europës dhe Perëndimit, por nuk mund ta mbajë gjatë pushtetin, pa një injeksion të rëndësishëm parash dhe kapitali nga jashtë, për t’i dhënë pak jetë ekonomisë në vend dhe për të normalizuar jetën publike (duke përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit dhe për shëndoshjen e drejtësisë).

Orientimi i tyre më duket i drejtë, në kuptimin që edhe unë do të kisha vepruar njëlloj; dhe po ashtu, më duket se Rama strategjikisht nuk ka rrugë tjetër, përveçse që të bëjë presion, me çdo mjet, që prania e Shqipërisë në BE të sanksionohet edhe me pranimin formal.

Veçse unë nuk do ta dëgjoja si kërcënim arsyetimin e tij – por më tepër si kërkesë të dëshpëruar për ndihmë.

Nëse kjo ndihmë përfytyrohet prej tij si ndihmë për qytetarin shqiptar, apo thjesht si ndihmë për grupin e tij që të qëndrojë në pushtet, këtë unë nuk e di.

wile-e-coyote2Gjithsesi, kur dua ta vizualizoj situatën e pakëndshme ku ndodhet sot elita në pushtet në Tiranë, dhe veçanërisht grupi që mbështet dhe mbështetet prej Ramës, më vjen në mend Wile E. Coyote, i një serie të mirënjohur filmash të animuar, që në vrull e sipër nuk e vë re se rruga i ka mbaruar dhe se tani po e vazhdon vrapimin në boshllëk.

Rama dhe të vetët, kushedi të shtyrë nga idealizmi, kushedi nga dëshira për të kënaqur “ndërkombëtarët”, kushedi me shpresë se ashtu do të mbeten më gjatë në pushtet, e shohin veten tani, edhe ata, të varur pezull mbi humnerë; ose të kapur peng në para-rrokullisje.

Le ta përfytyrojmë vrullin që e shtyn Wile-in përtej buzës së rrugës si prirje ose tejzgjatje, ndoshta të tepruar, të elitës tiranase në pushtet ndaj Europës a Perëndimit – për shkak të një kulti kargosh të papërgjegjshëm, që i ka rrënjët në adoptimin jokritik të legjislacionit europian dhe të modeleve sociale të përpunuara në kultura krejt të huaja nga jona.

Problemi është ky: sa po e ndjek qytetari Ramën dhe grupin e tij sot në këtë trajektore kaq të guximshme?

Rama mund të thotë se “nuk ka alternativë tjetër ndaj Europës” – duke iu referuar me siguri grupit të vet; por në realitet alternativat nuk mungojnë; çështja është vetëm sa të pranueshme janë.

Duke pasur këtë parasysh, besoj se “fantazmat” të cilave u referohet kryeministri shqiptar në thirrjen e tij të dëshpëruar për ndihmë nuk janë veçse ato të shtrirjes së ndikimit politik, në Ballkan, nga vende të lidhura në mënyra të ndryshme me Islamin – që nga Turqia, te Emiratet Arabe, Arabia Saudite, Irani dhe më tej.

Grupi ku bën pjesë edhe Rama, dhe që e ka katapultuar atë në pushtet me ndihmën edhe të një faktori ndërkombëtar specifik, herë pas here ka dalë publikisht me deklarime të forta orientaliste – madje edhe duke u identifikuar haptazi si kundërshtar i “anadollakëve” në Shqipëri; dhe duke e denoncuar trashëgiminë osmane të shqiptarëve si faktor pengues të përparimit dhe të modernizimit dhe të afrimit ndaj Europës.

Mes tyre ka edhe nga ata që janë përpjekur dëshpërimisht të kalërojnë kalin surrogato të kinse luftës kundër Islamit fondamentalist dhe ISIS-it ose Al Qaeda-s, për të vënë poshtë kundërshtarët e tyre politikë dhe për t’u paraqitur si e vetmja interface e mundshme e shqiptarëve në komunikimet me Perëndimin.

Çka nuk ka penguar njeri, nga e njëjta elitë, për t’i mbajtur marrëdhëniet mjaltë e qumësht me qeverinë e sotme në Ankara; ose për të pranuar ndihma bujare, në para, nga vende të ndryshme arabe; dhe këtu nuk e kam fjalën për ndërtimet e xhamive.

Megjithatë, Rama e ka të qartë – sikurse shumë të tjerë – se, nga pikëpamja strategjike, çdo vend mysliman i Lindjes që ndihet sot aq i fuqishëm sa të synojë ekspansion politik dhe ekonomik në Ballkan, do të mbështetet te popullsia myslimane e gadishullit; përfshi këtu edhe shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Dhe ndoshta pikërisht kësaj i druhet keqazi Rama dhe grupi i vet: gjallërimit të përshpejtuar të Islamit shqiptar me injeksione jo vetëm në cash por edhe në ide dhe energji politike nga vende si Turqia, Emiratet Arabe, Kuvajti, Arabia Saudite, Irani.

Skenari që trojet shqiptare në Ballkan të shndërrohen, në afat të mesëm, në një terren ku feja islame të kombinohet gjallërisht me politikën, nuk është kaq fantashkencor sa ç’mund të ishte 25 vjet më parë; dhe nëse është kështu, atëherë ata shqiptarë të cilëve u dhimbset vendi i tyre dhe qetësia dhe paqja sociale, duhet të paktën ta kuptojnë se ku i rreh Ramës; si dhe çfarë nuk ka marrë vesh, ose bën sikur nuk ka marrë vesh Brukseli.

Dhe nëse është kështu, atëherë këta “ghosts from the past” kaq të mistershëm, për të cilët foli në intervistë kryeministri i Shqipërisë, janë – të paktën dhe in the best case scenario – modelet politike dhe sociale të Perandorisë Osmane; ose rivendosja e kufirit mes Perëndimit dhe Lindjes mu përmes trojeve shqiptare në Ballkan.

Grupit të Ramës tani do t’i ketë dalë edhe pija e kultit të kargove; dhe, duke i përjetuar fillimet ngjethëse të panikut njëlloj si Wile E. Coyote i ngrirë pezull mbi hon, do ta ketë kuptuar se qytetari shqiptar, taksapaguesi, njeriu i rrugës, ai që tanimë është gati të marrë me kuç e me maç rrugët e mërgimit, sepse nuk ka gjë që ta mbajë të lidhur pas tokës; ky qytetar pra, po e humb përfundimisht iluzionin për Shqipërinë “europiane”, sikurse po e humb iluzionin për të drejtat e njeriut, pluralizmin politik, lirinë e fjalës, të drejtat gjinore dhe të tjera monedha frikshëm të zhvlerësuara, në tregun e diskursit politik të brendshëm.

Qytetari kërkon drejtësi, punësim, qetësi, siguri sociale, arsim publik dhe shëndetësi të përballueshme nga të gjithë; dhe këto kanë nevojë për investime, të cilat Ramës dhe grupit të Ramës i duhet që t’i gjejë diku. Një pranim i përshpejtuar i Shqipërisë në BE kushedi do t’i sillte edhe investimet e shumëpritura, nga të cilat BE-ja sigurisht do të përfitonte; dhe bashkë me to edhe më shumë vende pune dhe të tjera të mira publike për Shqipërinë.

Por nëse Europa nuk e çan kryet, ose fut kokën në rërë, atëherë Shqipëria do të detyrohet që ta gjejë mbështetjen gjetiu, pa çka se me haraç të hidhur politik; duke filluar që nga rënia prej pushtetit jo vetëm e Ramës, por edhe e krejt elitës kryeqytetase filo-europiane dhe pro-perëndimore që përfaqëson Rama (madje edhe para se në Shqipëri të harrohet krejt Adriano Celentano-ja). Dhe gjithsesi, kësaj Shqipërie “europiane” të mbetur në tentativë, me këtë kapacitet kaq të mjerë moral që i ka mbetur jetës publike atje, rrezikohet të mos i besojnë më as hartat gjeografike.


 

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi në media pa autorizimin e autorit ose një administratori të blogut.

Pa Komente

  1. E kuptoj, xhaxhi Enver qe u hodh nga Kina, sepse sic na thote Paskal Milo, ShBA refuzoi ta pranonte. Vetem se me fal, se ndoshta ja fusim edhe kot, se aq dime, po xhaxhi Enver ndertoi kapitalizem shteteror, e. Uk i thoshe dot shko mor hajdut, mos na bej leksione. Me aq sa degjojme, kot llafe, keta jane aksionere ne Shqiperi. Kane qe nga deti, deri te guret. Edhe Edi. Keshtu qe me shume ngjajne me bejleret me frak e llustrafine sesa me europiane te fundit. Ndaj kur te vije osmania ketu, do ta gjeje vetene mes Nesh.

  2. Xhaxha te paska shpetuar edhe fakti qe keto fantazma po perdoren per shantazh ndaj Evropes… nje Evrope qe po perballet me mijera emigrante sot, e miliona neser, mysliman, arab apo afrikano veriore… dmth. kjo pune nuk pi uje, dhe prandaj Sebastian pyet: me cfare e shantazhon evropen? nga vjen ky kercenim? cfare potenciali ka shqiperia ne raport me hordhite e miliona emigranteve? dhe e pyeti ashiqare: cfare e do evropa shqiperine?

    Rama u treguar disi i zgjuar duke e lidhur me rajonin dhe te kaluaren – por e ardhmja eshte me e zymte, kete nuk ka kuptuar ky njeri qe lufton me fantazma, per ti shqetesuar (stir – Sebastian) dhe jo per ti pergjumur apo larguar.

    Me tej – zhvillimet demografike po tregojne se shqiperia eshte drejt plakjes.. skenari kercenues i Rames mund te cilesohet shqetesues nese ata 40 000 sirianet qe ka premtuar ti marre do te behen 100 000 … e megjtihate per mua ky nuk eshte kercenim .. shqiptaret jane popull i perbere nga qindra kultura ..

    1. Shkrimi më lart nuk synonte fare të mbulonte, me analizë, krejt analizën e Ramës. Vetëm shprehjen “ghosts from the past” – sepse ajo më intereson veçanërisht.

      Unë kur e përfytyroj Shqipërinë në një kontekst gjeopolitik, më vjen ndër mend Libani. A ka rrezik që ajo çfarë ndodhi në Liban, të përsëritet disi edhe në Shqipëri?

      Dhe nëse ekziston qoftë edhe një 10% rrezik, a nuk duhet që Europa të alarmohet për këtë, së bashku me Ramën – që mbase ka edhe 3-4 synime të tjera të fshehta, pas thirrjes së dëshpëruar për ndihmë?

      1. perse duhet te behet si Libani? kete pyet Sebastian: nese ju i trazoni fantazmat dhe nuk jeni ne gjendje te kontrollin friken perse kercenoni Evropen me fantazma?

        Por eshte pikerisht ajo qe thoni ju – keta tipat e OJQ-ve kane filluar te qeverisin shqiperine si OJQ. Kerkojne fonde nga EU thjeshte duke raportuar problematikat, edhe pse lista e detyrave vazhdon te jete e gjate (i permendi Sebastian dhe i beri dredhi Rama me reformen ne drejtesi qe nuk ka koke e bisht sa kohe ne parlament vendosin kriminelet).

  3. Sigurisht që “Qytetari kërkon drejtësi, punësim, qetësi, siguri sociale, arsim publik dhe shëndetësi të përballueshme nga të gjithë; dhe këto kanë nevojë për investime, të cilat Ramës dhe grupit të Ramës i duhet që t’i gjejë diku.” Ama shtrohen dy pyetje, njëra për rolin e BE dhe tjetra për devotshmërinë publike të qeverisë shqiptare. A ka vend të shpresohet në BE e sotme e cila çdo vit e më shumë po karakterizohet nga mungesa e solidaritetit apo politikave ekonomike mëkëmbëse dhe rishpërndarëse? Shihni trajtimin e Greqisë! Apo po ashtu në një BE në të cilën konkurrenca neoliberale i fuqizon partikularizmat etno-nacionaliste, apo edhe fetare? Dhe të përfytyrosh që sot pjesë e BE janë vende ku e ku më problematike se Shqipëria në këto fusha, si Hungaria. Të kthehemi në Shqipëri: Vërtet që një vend i çindustrializuar (jo rastësisht) ka nevojë për investime produktive, ose për para në përgjithësi. Po ç’kuptim ka, bie fjala, që në mungesë të parave të mjaftueshme shtetërore për arsimin e lartë publik të shpikësh një skemë financimi, të cilës i bie era klientelizëm që larg, ku të futësh në vallen e përfitimit të fondeve shtetërore dhe universitetet private?!

    1. Arsyetimi ishte ky – që ato vlera për të cilat ka luftuar, qoftë edhe sa për sy e faqe, dhe me të cilat është identifikuar grupi i Ramës në pushtet – me prejardhje kryesisht nga shoqëria civile që është mbajtur në këmbë me para të ardhura nga jashtë – ato vlera, pra, ky grup nuk i bashkëndan më me qytetarin, me zgjedhësin, i cili tashmë ka prioritete të tjera. Në fakt, pushteti i pas 1990-s në Shqipëri nuk ua plotësoi shqiptarëve të rrugës as edhe atë të vetmen dëshirë primordiale, e cila i nxori në protestë: lirinë për të ikur nga Shqipëria. Sot e kësaj dite, shqiptarët janë të rrethuar – edhe kur i hapën ata kufijtë, ua mbyllën të tjerët. Dhe këta qytetarë, këta zgjedhës, nesër nuk do të votojnë më për Ramën, por kushedi për kë tjetër; që me siguri nuk do të jetë kaq i lektisur pas Perëndimit sa Rama. Përndryshe unë nuk kam ndonjë iluzion; dhe ngaqë nuk jetoj në Shqipëri, përpiqem të marr vesh nga mediat se çfarë po ndodh atje pikërisht – por mediat më lajmërojnë veçse për shfaqje, panem et circenses, çka më bën të mendoj se vërtet nuk ka fare para. Ka edhe më: Ramën me siguri e këshillon dikush që i njeh punët mirë; dhe që e di se europianët dhe Brukselin nuk do t’i vërë në lëvizje shtysa për solidaritet, por më tepër rreziku i shpenzimeve të mëdha, pakrahasimisht të mëdha, të sigurisë, që do t’u duhet të përballojnë, sikur të dalë Ballkani perëndimor nga kontrolli (edhe i OJQ-ve).

  4. Kriza shqiptare eshte me teper pasoje e paaftesive te medha te qeverive e elitave te saj te cilat dhe sot e kesaj dite nuk kane nje vizion te qarte ekonomik. Qe keto elita kane pasur integrimin europian si alibi per pushtetin e tyre eshte fakt margjinal ne deshtimin e tyre. Akoma me teper, ato nuk po deshtojne nga vrulli i madh proeuropian por nga paaftesia per ndyshim te qenesishem ekonomik, megjithese infuzionet ne leke qe gjate gjithe ketyre viteve qe nuk eshte se kane munguar nga Europa. Tani, shprehja “ghosts of the past” eshte me mire sesa “rreziku islamist” si mesazh ndaj Europes, por serish e pastisur mire. Mesazhi i cdo qeverie shqiptare ndaj Europes duhet te jete pozitiv, i tipit, “infuzinet qe beni ketu jane investim i mire per kete dhe ate aresye”. Nje Europe konfuze e ne krize si kjo, pa nje strategji te qarte per te ardhmen e vet, aq me pak akoma strategji ekspansioni nuk reagon ndaj kercenimeve boshe. Ajo ne fakt mezi po reagon ndaj krizes shume reale te azilanteve sot, krize kjo qe po gatuhej me vite.

    Shqiperia dhe kjo qeveri kane tashme fatin e keq te vuajne pasojat e zhvillimeve jashte kontrollit te tyre, si krizes ekonomike e politike ne Europe. Por megjithe krizen, qeverite shqiptare mund te bejne permiresime te ndjeshme e te shpejta thjesht duke terhequr aktivisht investitore te huaj per turizem e sherbime. Ne vend te fryjne syte neper panaire turizmi byrokratet shqiptare te flasin e terheqin direkt firmat me te medha turistike Europiane duke i ofruar lehtesime nga me te mundshmet pasi vetem ato e njohin konsumatorin europian. Te mos bejne pra reklama sporadike kot neper CNN dhe pastaj te japin toka bregdeti Koco Kokedhimeve apo deputeteve me 8 klase fillore qe as gomarin nuk dine te terheqin e jo me konsumatorin europian. Poashtu nje bilete avioni per te shkuar ne Shqiperi kushton prej te pakten nje dekade e pakta dyfishi i nje bilete per ne Greqi apo Kroaci. Qeveria le te shohe ate kontrate skandaloze te lidhur me Aeroportin e Tiranes, perpara se te kercenoje me “ghosts of the past”. Lista eshte e gjate.

    E thene shkurt, krize europiane apo jo, Shqiperia ka shume ineficienca ne ingranazh qe jane “built in” e me pak levizje te menduara mund te arrihen fitore te shpejta ekonomike te cilat te japin legjitimitet e kohe per te marre fryme dhe per te bere ndryshime me afatgjata ne arsim e strategji ekonomike. Flluska e ndertimeve pa fre e viteve 2000-2009 nuk eshte model ekonomik e cdo qeveri qe nuk ofron vizion ekonomik te ndryshem nuk ka se si te kete kredibilitet qofte me qytetaret e vet ashtu dhe me te huajt.

  5. …Rama strategjikisht nuk ka rrugë tjetër, përveçse që të bëjë presion, me çdo mjet, që prania e Shqipërisë në BE të sanksionohet edhe me pranimin formal.

    Strategjikisht rruga e drejtë, padyshim. Po përse kjo urgjencë tani, madje këmbëngulje, e Ramës, që nga të huajt interpretohet si kërcënim? Dhe pse në këtë formë, duke ngritur si argument fantazma të së shkuarës, nën të cilat shumë nënkuptojnë rrezikun islamist për Shqipërinë?

    Mua nuk më duket se Shqipërisë ia kanë mbyllur ose po ia mbyllin derën për të hyrë në Evropë (edhe pse Shqipëria për Evropën nuk ka qënë asnjëherë “në krye të listës”). Jo më shumë se 15 muaj me pare, Evropa ia dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, në Qershor 2014. Përveç të tjera, kjo ishte dhe një njohje dhe vlerësim i EU-së për Ramën dhe për qeverinë e tij (qeverisë së mëparshme iu refuzua ky nder për vite të tëra, dhe me të drejtë!).
    Edhe vizita e Merkel në Tiranë më tepër simbolike ishte, për të treguar këtë mbështetje për qeverinë Rama dhe për rrugën drejt EU-së, por dhe duke vënë kushte për këtë (në fakt, vetëm një kusht: reformën në drejtësi dhe, lidhur ngushtë me këtë, dekriminalizimin e politikës dhe shtetit).

    Prej këtej, sjellja e tanishme Ramës lë tek të huajt, por dhe para publikut shqiptar, më shumë përshtypjen e taktikës se sa të strategjisë, të paktën sa kohë që Rama nuk thotë arsyen e vërtet të urgjencës; duket sikur kërkon që t’i bie rrugës shkurt, si të thuash “me e marrë klasën, pa hyrë në provim”. Ky provim sot për Ramën dhe Bashën është distancimi nga kriminelët në politikë, në partitë dhe në ekonomi, dhe vënia e tyre para përgjegjësisë ligjore. Refuzimi për ta bërë këtë hapur dhe plotësisht, si nga Rama ashtu dhe nga shefi i opozitës, është sa maskarallëk kundrejt qytetarëve shqiptarë, aq dhe karshillëk kundrejtë partnerëve ndërkombëtar në Perëndim.

    Arsyeja e vërtet e ngutjes së Ramës për hyrë dhe formalisht në Evropë, siç e përmendet dhe në shkrim, është me shumë probablitet e natyrës ekonomike: financat e vendit po dalin jashtë kontrollit dhe Ramës po i rrëshket nga duart ekonomia, strumbullari mbi të cilin është ngritur dhe rreth të cilit rrotullohet strategjia e deritanishme e qeverisë Rama: “pranoni reformat dhe masat shtrënguese të ‘të bërit shtet’, në shkëmbim të zhvillimit dhe mirëqënies ekonomike dhe të perspektivës së hyrjes në BE”.

    Në momentin që pjesa e dytë e këtij premtimi kundrejt qytetarëve rrezikon që të mos realizohet, elektorati ka shumë mundësi që t’i kthej kurrizin Ramës dhe grupit të tij, dhe të orientohet drejt atij/atyre që ofrojnë këtë mirëqënie, pavarësisht se nga cila “qoshe” e botës ata vijnë.

    Shkaqet se pse (pseudo-)ekonomia shqiptare po rrokulliset, janë të njohura dhe pjesërisht jashtë kontrollit të Ramës: shkaqe të trashëguara – Rama e mori pushtetin në një moment kur shteti shqiptar ishte në prag falimentimi dhe vetëm futja e shpejtë e FMN-së dhe kontrolli me dorë të hekurt i shpenzimeve fiskale e shmangën falimentimin, gabime të politikave aktuale ekonomike, pasoja anësore të reformave administrative dhe të masave anti-krim (të kërkuara me ngulm dhe nga vetë partnerët evropianë), por në pjesë të konsiderueshme janë dhe shkaqe të jashtme, të konjukturave ekonomike ndërkombëtare, sidomos ato të vendeve në zhvillim, tashmë në kontraktim e sipër.

    Por nëse kjo është arsyeja reale pas këmbënguljes së Ramës, atëherë a nuk është më mirë që kjo të thuhet hapur, të pranohet kriza dhe vështirësitë financiare, duke mundësuar kështu dhe diskutimin hapur të problemeve dhe të zgjidhjeve të mundshme me partnerët perëndimor? Në vend që të “tundim” menjëherë fantazmat e së kaluarës duke rrezikuar kështu që të krijojmë efektin e kundërt te partnerët?

    [Vizita e Angela Merkel në Tiranë ishte një rast i mirë ku Rama mund të fliste direkt dhe hapur për vështirësitë ekonomike që ndesh vendi dhe qeveria e tij dhe të kërkonte ndihmën/ndërhyrjen e saj pranë Brukselit për asistencë ekonomike, financiare dhe investime përtej atyre që janë ofruar deri më sot (por që nuk mjaftojnë as për Shqipërinë as për Ballkanin Perëndimor!) Shpresoj që Rama ta ketë bërë këtë, por në Samitin e Vjenës pak javë më vonë Shqipërisë iu miratua vetëm një projekt, nga 24 projektet që u dhanë për rajonin.. Përse?]

    1. Shkruani:

      Në Samitin e Vjenës pak javë më vonë Shqipërisë iu miratua vetëm një projekt, nga 24 projektet që u dhanë për rajonin.. Përse?

      Kushedi ka ndikuar, në këtë vendim, edhe bindja që do të jetë krijuar në Europë se paratë që i jepen Shqipërisë për projekte – si investime a si donacione – shpesh përfundojnë në xhepat e politikanëve të korruptuar.

      Kushedi ka ndikuar edhe fakti që Shqipëria nuk ka as infrastrukturë, as fuqi punëtore të kualifikuar, as sistem arsimor në gjendje që ta përftojë këtë fuqi punëtore në afat të shkurtër; sikurse nuk ka as dëshirën që ta reformojë këtë sistem arsimor në drejtimin e duhur.

      Me një fjalë, pyetjes së përsëritur të Tim Sebastian, se çfarë i ofron Shqipëria Europës, unë do t’i përgjigjesha: “telashe negative”; d.m.th., në momentin e tanishëm, gjëja më e mirë që mund t’i ofrojë, është një mungesë relative telashesh.

  6. Meqënëse Lyss arriti ta shkrifosi këtë muhabetin e Kryeministrit me shumë zgjuarsi në shrimin tjetër, në pritje të letrës po i kthehemi intervistës.

    Pak dimë se si komunikon Kryeministri ynë me partnerët ndërkombëtar, por nëse është aq konfuz sa ç’u paraqit në intervistë, nuk duket t’i ketë punët mirë. Sepse në të njëjtën intervistë nuk mund të flasësh për ‘ghost of the past’ si diçka e mirëqënë dhe imanente, si shtylla e politikës europiane kundrejt Shqipërisë, kurse krimin ta trajtosh si efemer, për t’ia faturuar Europës me një lehtësi dhe siguri për t’u patur zizli (Nuk e di se sa leshko i kujton ky europianët, por kjo është çështjë tjëtër).

    Ajo që i rëndon xhepin shqiptarëve është ekonomia dhe jo llafet e Ramës. E vetmja mundësi shpëtimi që ka ekonomia Shqipëtare, bashkë me Ramën dhe këdo që dëshiron pushtetin, janë investimet. Duke mbledhur taksa, ndihma, e pare borxh, nuk jetohet.

    Dy janë rrugët nga vijnë investimet: të jashtme dhe të brendshme. Të huajt kanë nevojë për besim (shtet ligjor); vendasit për mundësi. Deri tani, Rama nuk ka krijuar as besim dhe as mundësi. Deri atëherë, të presim dhe të shohim.

    1. Ka dicka qe duhej te merrej parasysh ne arsyetim. Rama trajtohet si shume naiv nqs shkon ne Europe per te kerkuar gjera te menjehershme e praktike me ane te hipotezave per kercenime te mundshme islamike ne te ardhmen e larget. Serbia e ka kosoven nen kercenim te drejtperdrejte e s’ po merr ndonje gje te madhe. Nqs nuk do e konsiderojme Ramen si llomotites por si kryeminister, atehere kjo histori del te jete nje shantazh i vogel, hajde lypim me dinjitet se nuk humbasim gje.

      1. Alexis Tsipras, provokatori dhe shantazhuesi par-excellent i Evropës nga Ballkani, nuk la kartë pa luajtur – atë ruse, atë kineze, euron, emigrantët, Naton – derisa në fund i ngelën letrat në dorë dhe doli bllof para botës.

        Pse mendon se Rama me “fantazmat nga e kaluara” apo Vučić me kartën e Kosovës mund të kenë ndonjë shans më të madh në Bruksel, se sa pati Tsipras me shantazhet e tij?

        Në sytë e Evropës ne dukemi si pehlivanë Ballkani, që kërkojmë trajtim special nga mësuesi, edhe pse kemi harruar që të bëjmë detyrat e shtëpisë.

      2. Hyllin,

        Shpresoj që fjalën “naiv” ta keni përdorur me ironi, duke qënë se kuptimi i fjalës presupozon edhe një lloj pafajsie. Ndoshta padija, injoranca dhe fodullëku u shkon më për shtat politikanëve shqiptar, por jo të qënit të pafajshëm.

        Për t’u kthyer tek thelbi i komentit tuaj, që sugjeron se Rama paska shkuar për të kërkuar “gjëra të menjëhershme dhe praktike”.  E vetmja gjë “praktike” që shoh unë është kërkesa e Ramës për t’u pranuar sa më shpejt në EU.  Kjo mund t’iu duket zgjidhje e shpejtë dhe praktike disave në Shqipëri, por dyshoj se iu duket e tillë europianëve.

        Dhe meqënëse edhe ju e pranoni që ne jemi në rangun e lypsarit, kjo është njësoj si historia e atij që ndonëse me barkun bosh, në vënd se të lypë për qindarka dhe bukën e gojës, lyp për miliona. Kjo mund edhe t’ia ngrejë Ramës klasin (përtej një lypsari të rëndomtë) në nivelin e një “con-artist”, çka mund ti krijojë edhe shumë fansa në Shqipëri. Por do kërkonte si kusht të domosdoshëm që edhe europianët të ishin naivë dhe budallenj. Gjasat janë që europianët të mos jenë as budallenj dhe as naivë. Por të na shohin ashtu siç jemi: lypsar, bark-bosh, dhe con-artists.

        Nëse Rama do kërkonte vërtet ndihmë për gjëndjen që jemi, dhe për ekonominë vecanërisht duhet të parashtronte para Europës:

        Synimet tona të listuara me pika (1,2,3,4…)
        Masat që duhen marrë për t’i arritur synimet (a,b,c,d…)
        Ndihma që synohet për të marrë masat, dhe
        Garancitë që jepen për këto ndihma

        Por këto synime, masa, dhe garanci as ne nuk i shohim dhe as europianve nuk duket se iu janë ofruar.

        I pyetur së fundmi se çfarë garancie do kenë kreditorët në shlyerjen e Eurobondit për të cilin qëvëria Shqiptare synon të lëshoj, duke ditur edhe nivelin e mbledhjes së taksave, Kryeministri iu përgjigj se:

        “This should be a concern of the government and the people of Albania, not of investors because for investors this doesn’t make any difference,” (Kjo duhet të jetë shqetësimi I qeverisë dhe popullit Shqiptar, dhe jo i investitorëve, sepse për investitorët kjo nuk ngre peshë.)

        Vërtet!!!

        Ndoshta ata kreditorët e Greqisë duhet të kishin konsultuar Ramën, sesa harxhonin kohën me Merkel-in dhe Hollande-in.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin