Problemi i budallenjve të internetit, siç i quajti Umberto Eco, është se nuk duan të dëgjojnë e të lexojnë gjëra të tjera përveçse gjepurave që pëlqejnë e u besojnë paraprakisht.
Gjepura e budallallëqe gjenden me shumicë në rrjetet sociale, ku edhe hapen në mënyrë virale. Para ca kohësh u fol për një femër që kishte vënë një gji të tretë për t’u bërë më tërheqëse për meshkujt, por paska qenë gënjeshtër e pastër. Ka raste që gjepurat lindin vetvetiu, ndoshta nga një keqinformim, ose shaka, ka të tjera që janë të menduara në tryeze si hoax.
Unë vetë kam hasur të tilla, por nuk e di si t’i klasifikoj, sepse ekziston edhe kategoria e legjendave urbane ose e thashethemeve. P.sh. para pak kohësh, gjatë një bisede me disa prindër italianë, m’u tha se shërbimi ushtarak është rivendosur me ligj. Ishte fjala për shërbimin e detyruar ushtarak që është hequr prej vitesh, me synimin e krijimit të ushtrisë profesioniste. I kundërshtova menjëherë, por kisha në duar vetëm kartën e “nuk e kam dëgjuar”, ose “do ta kisha marrë vesh”, çka nuk duket bindëse, sidomos kur ke përballë njerëz që flasin njëzëri e me bindje të jashtëzakonshme.
Personalisht, lajmi m’u duk i habitshëm, për faktin se nuk u parapri nga ndonjë debat në opinionin publik siç ndodh zakonisht. Pastaj punimet parlamentare përgjithësisht i ndjek me vëmendje, të paktën ligjet më të rëndësishme. Megjithatë u lëkunda, sepse përveç internetit të pashmangshëm, më cituan edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Mirëpo, sapo u ktheva në shtëpi më mjaftuan tre minuta lundrim për të kuptuar që kishim të bënim me një hoax të vërtetë. E thoshte vetë Interneti…
Edhe në Shqipëri ndodhin gjëra të tilla. Gjepura që hapen me forcën e virusit. A e mbani mend fotografinë e Grida Dumës, gjatë fushatës elektorale? E botuan edhe gazetat. U bënë edhe komente të diskutueshme për të, por më pas u zbulua se ishte gënjeshtër e pastër. Fotografi e një femre tjetër. Edhe në këtë hapësirë kemi folur për gjepura të ndryshme që mbushin faqet e gazetave shqiptare dhe ato të internetit.
Në revistën italiane L’Espresso (nr. 29, 23 korrik 2015, ff. 89-91) gazetari Fabio Chiusi ka pyetur ekspertë të shumtë për idenë e Umberto Eco-s. Studiuesi i Harvardit, David Weinberger, e paska vlerësuar idenë, duke shtuar se shtypi nuk do të kishte shumë vlerë sikur të mbeste vetëm në letër. Pra vlerësimet duhet të botohen edhe në internet, mundësisht në bashkëpunim me gazeta të ndryshme e me lexues të shumtë.
Mirëpo, Walter Quattrociocchi (Institute for Advanced Studies) shpjegon se ata që besojnë tek informacioni alternativ, konspiracionistët për shembull, janë shumë të polarizuar dhe i besojnë vetëm bashkësisë ku bëjnë pjesë. Janë ata persona që kërkojnë vetëm atë lloj informacioni që ua konfirmon mendimet që kanë. Pra nisma e shtypit, në kontrollin e gjepurave, gënjeshtrave, trillimeve, sajesave, mund të ishte krejt i paefektshëm.
Në shkrimin e L’Espresso citohen edhe nismat e ndryshme për t’i vlerësuar faqet e internetit jo vetëm nga pëlqimet e klikimet, por edhe nga besueshmëria e tyre. Studiues të tjerë mendojnë se duhet aplikuar një lloj filtri kolektiv ndaj internetit. Kjo ide mbështetet nga fakti se faqet e internetit që kanë autoritet, ndiqen edhe sot me shumë vëmendje nga publiku. Megjithatë, përcaktimi i qartë i roleve në internet e media ka rëndësinë e vet. Por duhet të kujtojmë se mediat tradicionale botohen si në letër ashtu edhe në internet, pra nuk mund të konsiderohen si jashtë tregut virtual, por si operatorë brenda tij.
Po në Shqipëri? Operacioni është edhe më i vështirë, sepse gjendja e mediave të kumtimit masiv është e mjerueshme. Një nga problemet më serioze të tyre është mungesa e objektivitetit. Në fakt, mediat shqiptare janë shpeshherë qendra propagande të kësaj apo asaj force (nuk po e shtoj “politike”, sepse nuk dihet me siguri). E atje ku ka propagandë nuk ka objektivitet. E si rrjedhim nuk ka besueshmëri.
Edhe nga ana profesionale ka probleme të rënda. Lajmi ka rregullat e veta për t’u ndjekur, kërkon lodhje e profesionalizëm, nuk shpiket nga zëdhënësit e partive që flasin si aktorë recitues në salla me ajër të kondicionuar. Dembelizmi i ka çuar mediat shqiptare të luajnë rolin e kopjo/ngjit-ësit ose të regjizorit të pamjeve të zëdhënëses fotozhenike të radhës.
Në këto kushte, edhe pse përmendëm vetëm pak pika kritike, nuk mund të mendohet që rrjeti të monitorohet nga shtypi tradicional. Nëse ky i fundit ka një farë autoriteti në vendet me demokraci të konsoliduar, kjo nuk ka gjasa për Shqipërinë, ku shtypi ka ende rrugë për të bërë drejt fitimit të besimit të publikut.
Që situata bëhet çdo ditë më e ndërlikuar e dëshmojnë edhe botimet e shumta që bëjnë politikanët nëpër profile e statuse në rrjete sociale. Parapëlqejnë ndonjëherë t’i japin lajmet nga ai podium virtual e jo në parlament, duke treguar se nuk respektojnë institucionet e rolet siç duhet. Kurse mediat i konsiderojnë sikur të ishin konferenca për shtyp, duke harruar se një deklaratë ose cicërimë në internet është kanal i njëdrejtimshëm, ku mungon pyetja e gazetarit.
Kjo do të thotë se sfida në Shqipëri është e dyanshme dhe më e vështirë, sepse frontit të rrjeteve sociale nuk mund t’i kundërvësh mediat tradicionale. Ndërkohë politika e spektakolarizuar bën ç’është e mundur për të tërhequr vëmendjen dhe përdor çdo mjet për ta bërë publikun për vete. E vetmja rrugë është rritja e sensit kritik, por që duhet të fillojë edhe brenda operatorëve të mediave, sikurse atyre që shkruajnë e botojnë në ueb. Institucionet mund të ndihmojnë duke financuar praktikat e mira, meqë shembujt pozitivë nuk mungojnë, veçse përbëjnë ende pakicën.
Me shumë vend Pishak. Në lidhje me rritjen shqetësuese të prurjeve mediatike që burojnë nga statuset e politikanëve (dhe jo vetëm) nëpër media sociale, besoj se kjo dëshmon jo vetëm për një media dembele dhe jo profesionale, por gjithashtu edhe për infrastrukturë njerëzore mediatike të keqpaguar. Është shumë e thjeshtë dhe pa kosto fare që të ndërtosh lajmin mbi statusin në facebook të filan politikani. Mos vallë kjo kërkon të marrësh kameramanin me vete, të përballësh trafikun e rënduar të rrugëve me pluhur të Tiranës në 40 gradë, t’i trokasësh derës së fistek partie apo kompanie duke rrezikuar të të lënë te pragu përjashtë, e të lypësh komentet e tyre mbi çështjen në fjalë? A ja vlen rroga capak qindra dollarëshe (po ta kesh marrë këta muajt e fundit) që ta bësh këtë? Apo ja vlen perspektiva e të bërit karrierë mediatike?
Po ashtu, komoditeti tjetër i “shitjes” së statusit në facebook si lajm është se statusi në fjalë është miratuar déjà nga personi që e ka lëshuar atë. Duke publikuar atë status nuk rrezikon asfare të konfliktohesh me subjektin e lajmit sa kohë që vetë subjekti e ka gjeneruar “lajmin” sipas preferencave, konveniencës dhe axhendës së vet politike (apo artistike, etj. etj.) Në këtë mënyrë, reporteri (ndjesë që nuk e quaj dot gazetar) me një gurë ka vrarë dy zogj: ka publikuar një “lajm” dhe ka promovuar, pa asnjë rezervë apo vështrim kritik, axhendën e subjektit të zgjedhur. Kësisoj media kthehet në telefon të prishur* të një tregu po aq kaotik vlerash, idesh e qëndrimesh, sa ç’është edhe tregu i rrangullave të përdorura në rrugën ish-të bukur “Qemal Stafa” në Tiranë.
*fjala “megafon” do të qëndronte po aq rehat këtu, por sepse m’u duk se krahasimi me telefonin e prishur, lojën e dashur të kalamajve të viteve ’70, e nxjerr më në pah stadin foshnjor të zhvillimit të medias shqiptare dhe marrëdhënieve të saj me klientin e vet: publikun.