Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Media

FSHATI NË FESTË

Është përcjellë këto ditë, nga një faqe online në tjetrën dora-dorës, siç e ka bërë tashmë zakon media në Tiranë, një njoftim i cungët, sipas të cilit një gazetar gjerman paska thënë se “grekët e sotëm janë shqiptarë, sllavë dhe bizantinë.”

Gazetari në fjalë është Berthold Seewald, redaktor (Leitender Redakteur) i gazetës “Die Welt” dhe artikulli në fjalë është Griechenland zerstörte schon einmal Europas Ordnung (“Greqia e ka shkatërruar një herë më parë rendin në Europë”).

Po e sjell paragrafin origjinal më poshtë:

Die Vorstellung, dass es sich bei den Griechen der Neuzeit um Nachfahren eines Perikles oder Sokrates handeln würde und nicht um eine Mischung aus Slawen, Byzantinern und Albanern, wurde für das gebildete Europa zu einem Glaubenssatz. Dem konnten sich auch die Architekten der EU nicht entziehen.*

Dhe me përkthimin tim:

Ideja se grekët e Kohës së Re ishin pasardhës të Perikliut a të Sokratit dhe jo një përzierje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh, merrej si e mirëqenë nga europianët e kulturuar. As arkitektët e BE-së nuk mundën t’i shpëtojnë kësaj ideje.

Sipas materialit të shpërndarë në mediat shqip dhe të ilustruar me të njëjtën hartë shumëngjyrëshe të Greqisë së lashtë, Seewald e mbështet këtë pikëpamje në veprën e Jakob Philipp Fallmerayer, i cili formuloi i pari hipotezën se grekët e sotëm nuk rrjedhin biologjikisht prej grekëve të vjetër.

Mund të jetë fare mirë kështu. Çfarë më duket e çuditshme, në këtë mesele, është se mediat shqiptare i dhanë rëndësi të madhe këtij artikulli, megjithëse Seewald përbërësen racore shqiptare e sjell si argument përgënjeshtrues të fisnikërisë dhe europianitetit të supozuar të grekëve modernë.

Asnjë lidhje nuk kanë këta të sotmit me Perikliun dhe Sokratin, shpjegon Seewald-i. Janë thjesht një përzierje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh.

Në vetë tekstin e lajmit të përcjellë nga mediat shqip thuhet sa më poshtë:

Sipas gazetarit, Greqia “prishi” rendin e paqes të vendosur në Evropë në Kongresin e Vjenës në vitin 1815 pas rrëzimit të Napoleonit dhe e la kontinentin të çapitej [sic]. Seewald thotë se, një nga arsyet e kësaj sjelljeje nga grekët është se ata nuk janë evropianë në të vërtetë.

I hodha një sy artikullit origjinal në gjermanisht, por nuk gjeta dot se ku e ka thënë autori këtë që “grekët nuk janë evropianë në të vërtetë” – por mbase nuk e kam parë mirë (mos më lini të gaboj, pra). Kam frikë, megjithatë, se këtë extra e kanë shtuar nga xhepi vetë përpunuesit e lajmit.

rivera

Diego Rivera, Día de los Muertos (detaj)

Dhe në çdo rast, nëse “grekët nuk janë europianë të vërtetë”, kjo do të vinte, sipas logjikës së Seewald-it, pikërisht ngaqë ata nuk rrjedhin prej grekëve të lashtë, por janë pjella të kësaj përzierjeje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh!

Por nëse grekët u përjashtokan nga anëtarësia në Europa-Club për shkak të kësaj kleçke në biografi, atëherë ç’duhet të themi për shqiptarët vetë? Apo të ngushëllohemi me atë se na kishte në zemër Hitleri?

Ndonjëherë e kam të pamundur të kuptoj logjikën e zgjedhjes së lajmit, nga mediat në Tiranë. Një artikull i një gazete gjermane, ku përdoret një argument i dyshimtë dhe racial, që denigron grekët – edhe pse duke denigruar edhe më keq shqiptarët, sllavët dhe një specie racialisht enigmatike, “bizantinët” – menjëherë i jepet lexuesit me të madhe. Mjaft që t’ua kenë futur fqinjëve, tha. For everything else, there’s Mastercard.

(*)  Çuditërisht, shumë burime në Internet e japin kështu paragrafin e artikullit të Seewald-it:

Die Vorstellung, dass es sich bei den Griechen der Neuzeit um Nachfahren eines Perikles oder Sokrates handeln würde und nicht um eine türkisch überformte Mischung aus Slawen, Byzantinern und Albanern, wurde für das gebildete Europa zu einem Glaubenssatz. Dem konnten sich auch die Architekten der EU nicht entziehen.

Ka të ngjarë që Die Welt ta ketë ndryshuar versionin fillestar, duke hequr cilësorin “të formësuar prej turqve”, kushedi për të shmangur Luftën III Botërore.

Pa Komente

  1. greket te tronditur s’lane gje pa germuar dhe i drejtuan te gjitha shkencat qe te vertetonin se ka pasur vazhdimesi. Si mund te jetojne greket e sotem pa qene gjaku dhe pjella intelektuale e antikeve?! Po neve ama nuk na del e keqja po s’i beme piedestal atij qe thote se ata s’kane vazhdimesi, edhe sikur ai te mos kete asnje baze, edhe sikur tezat te jene hedhur para mbi 200 vjetesh dhe te jene krejt pa vlere sot. I kemi punet keq, edhe ne edhe greket. Zoti na dhente pune!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin