AS TË FJETURA, AS BUKUROSHE

Te ndërhyrja e djeshme e Eriola Pirës në tryezën e rrumbullakët që mikpritëm në blog, më tërhoqi vëmendjen, mes shumë të tjerash, edhe lista e disa objekteve “magjike” në Tiranë dhe rrethina:

Bunk’art, Vila e Enverit, Piramida dhe Shtëpia e Gjetheve, të cilat, për ta thënë me fjalët e autores, “hapen dhe mbyllen po brenda natës” dhe “që realisht janë vetëm godina boshe që nuk mund të gjenerojnë asgjë më shumë sesa interes tek to si objekte.”

Kjo vërejtje u referohet politikave kulturore të qeverisë sot në Shqipëri, por lidhet edhe me vetë statusin që ka e shkuara historike në të sotmen dhe kuratimin e marrëdhënieve mes tyre, nga ana e institucioneve. Vetë objektet në fjalë nuk kanë arritur, ose nuk janë lejuar të integrohen me Tiranën e sotme; në një kohë që përdorimi i tyre si skena performancash për të zbavitur publikun ose për të tërhequr “turistët” ka qenë edhe ai më shumë për efekt.

Që politikat kulturore të administratës Rama, duke filluar nga të atij vetë, orientohen ndaj hapjes të gjithçkaje ka qenë deri dje e mbyllur, për këtë nuk kemi dyshim; edhe vetë marquée-ja e tanishme e Parreno-s, që e shndërron hyrjen e selisë së qeverisë në një derë kinemaje pa zë (sepse pa shkronja) është përtheksim, në fakt, i një dere të glorifikuar. I bindur se asnjë shtet nuk mund të funksionojë pa hapësirat e veta të mbyllura ndaj publikut, them se këto hapje janë më tepër orvatje për të shpëtuar disa kripta, ose katakombe të periudhës totalitare, nga harresa; dhe këtu nuk dua të lë jashtë as ndërtesën e “kryeministrisë”, e cila si ndërtesë është trashëguar nga një mendësi tjetër edhe për shtetin edhe për pushtetin.

Sikurse them se hapësirat e mbyllura të shtetit sot janë zhvendosur nga institucionet në tryezat e restoranteve ekskluzive dhe në zyrat e ambasadorëve të fuqive të mëdha; por kjo është çështje tjetër, për të cilën as mund të shqiptohem dot me siguri dhe që nuk më intereson në hollësi, sepse besoj që sekreti është i domosdoshëm edhe kur publiku ftohet të jetë pjesë e banalitetit të përditshëm të ushtrimit të pushtetit.

Sa për objektet vetë, ndoshta ngaqë i kam përjetuar edhe në funksionet e tyre nën totalitarizëm, unë nuk ndiej kurrfarë interesi, as magjie, as tërheqjeje; sepse regjimi totalitar sekretet e shumta që kishte ose i ka marrë me vete ose i ruan ende me efikasitet të madh; nuk ndiej interes sot, as kam trashëguar gjë nga interesi që mund të kem pasur dje. Kjo nuk e përjashton që të gjitha këto objekte, me punë kuratoriale të frymëzuar, mund të bëhen disi dhe dikur interesante për publikun, përfshi këtu edhe turistët.

Herën e fundit që isha në Tiranë, m’u dha mundësia (shansi, privilegji) që të vizitoja hapësirat, tashmë sërish të mbyllura, të bunkerit në periferi të Tiranës, në shoqëri të disa të ftuarve V.I.P. në Festivalin e Librit dhe të Arteve – mes të cilëve spikaste Roberto Savianoja; dhe ashtu përjetova kontaktin disi surreal jo vetëm me një relikt të regjimit të djeshëm, por me disa relikte shumë më të vona nga ekspozita Bunk’art, që ende nuk i kishin hequr nga hapësirat ekspozitive të nëndheshme.

Menjëherë më shkoi mendja që vetë eksperienca e aksesit në një hapësirë përndryshe të ndaluar për publikun nuk mund të jetë veçse totalitare nga natyra, në kuptimin e përjashtimit që vërteton rregullin (pa këtë lloj përjashtimi totalitarizmi nuk mund të funksionojë). Edhe shfaqja disi e papritur për mua e ministres të Mbrojtjes z. Kodheli në ato mjedise klaustrofobike, për të bërë shaka të kripura me Roberto Savianon dhe të tjerët, ma përforcoi këtë bindje dhe pikërisht se isha pjesë e një performance që i përkiste më shumë së shkuarës se të tashmes.

Përndryshe, ato që pashë nga Bunk’art-i, më mërzitën për vdekje: tabela pas tabelash me informacione të shkruara dhe fotografi për historinë e Shqipërisë, me tek-tuk ndonjë artifakt të amortizuar dhe të pluhurosur, këtu një maskë kundërgaz, atje një karabinë Simonov; e deri tek dhomat e gjumit, tmerrësisht modeste, të Enverit dhe të Mehmetit, me jorgane atllasi si të gjyshes sime të shkretë dhe disa libra të vendosura aty për butafori; por edhe një halé të përkryer për Enverin – që ishte edhe instalacioni më i bukur i krejt kompleksit – tasi i bardhë alla frënga i vendosur në një hapësirë të madhe por krejt të zbrazët, të shtruar – nëse nuk më gabon kujtesa – me një majolikë gurkali, si kristale lëndësh kimike luftarake; edhe pse unë do të kisha shtuar atje edhe dy-tre libra të tjerë, që t’i lexonte udhëheqësi gjatë kohës të çmuar që shpenzonte aty: është e mirëditur dhe e provuar me fakte që liderët totalitarë vuajnë gjithnjë nga konstipacioni.

Nuk e kuptova Bunk’art-in; sikurse nuk e kuptova pse u dashka futur nën dhé, në mjedise të errëta dhe të mbytura në spore myku, për të marrë vesh se sa divizione gjermane kish në Shqipëri gjatë Luftës II dhe të dhëna të tjera nga historia e Shqipërisë e klasës së 7-të. Ndoshta këtë e kanë përjetuar edhe të tjerë; për ç’arsye Bunkart-i është mbyllur, në pritje të ndonjë ideje më të pranueshme se ç’do të bëhet me hapësirën përkatëse të nëndheshme, përtej pak performancave dhe instalacioneve, që nuk vendosin dot lidhje organike me kontekstin, aq sa të bëhen pjesë e përheshme e sfondit. Në uebsajtin përkatës thuhet se Bunk’art – sezoni i dytë – së shpejti do të hapet përsëri, madje edhe me një spektakël të Top-Channel-it në sallën kryesore; natyrisht nuk jepet asnjë datë se kur do të ndodhë kjo. Te kjo faqe lexoj edhe që mbyllja është “e përkohshme”; ironikisht, i njëjti cilësor mund të përdorej edhe për hapjen.

Së bashku me Bunk’art-in, edhe Shtëpia e Gjetheve qëndron e mbyllur, me përjashtim të disa mbishkrimeve dhe graffiti-ve krejtësisht të vizitueshme në muret rrethuese; u lajmërua, jo pa bujën karakteristike, hapja e saj zyrtarisht në fund të janarit 2014 – por kjo rezultoi se kish qenë një lajmërim paraprak ose më mirë prezantimi i projektit; dhe se deri më tash publiku, përfshi këtu edhe turistët, duhet të mjaftohen të përfytyrojnë se çfarë do të shohin atje, kur të hapen dyert më në fund, mbase sërish me ndonjë marquée nga ndonjë startist: dy herë hapje nuk i kanë bërë keq njeriu; dhe ndërkohë shtëpinë mund ta vizitojnë të përzgjedhurit, si puna e Saviano-s dhe kushedi kush tjetër. Në murin rrethues ndërkohë gjithnjë mund të lexosh se “… Gjethet kanë kuptimin e fshehtësirës, të pyllit dhe, prandaj edhe të Bukuroshes së Fjetur të përrallave – e cila, në një farë mënyre, është kjo shtëpi, që duhet zgjuar, duhet zbuluar.”

Vetë krahasimi eksplicit, me “Bukuroshen e fjetur”, i një strukture që strehonte teknologji përgjimi të Sigurimit të Shtetit dhe kushedi ç’tjetër pisllëk tregon se kuratorët e projektit ende nuk e kanë pasur shumë të qartë se ç’të bëjnë me këtë shtëpi; pa folur pastaj për tekstin anglisht të mbishkruar në mur: “… the leaves have the meaning of things hidden, of the woods, and thereby the Dormant Beauty in the Wood – now that the house has been awakened, rediscovered.” Edhe Edgar Poe-ja nuk do ta kish thënë më mirë – pas dy-tre shishesh.

gjethet

fotoja (c) albanianblogger.com

Sikurse qëndron mbyllur Vila e Enverit, tjetër hapësirë antiklimaktike, e cila është hapur dy-tre herë, në mos gaboj; por nuk e ka përligjur dot statusin që kanë dashur t’ia japin, edhe artistik edhe historik, përveçse të konfirmojë që nga Enveri, roli i tij në historinë e Shqipërisë dhe dora e tij e hekurt në krye të shtetit totalitar, atje nuk ka mbetur asgjë dhe kushedi as ka pasur gjë ndonjëherë; dhe nëse është kështu, atëherë e gjithë kjo vjen dhe i afrohet porn-totalitarizmit, si për të konfirmuar prirjen e përgjithshme drejt pornografisë të çdo lloj gjesti spektakular masiv në Shqipërinë e sotme. Edhe pse gjendesha në Tiranë një nga netët kur u hap kjo ndërtesë për publikun, nuk pata durim të prisja në radhë për të hyrë; dhe kështu ia kurseva vetes spektaklin që, sipas shumë të tjerëve që hynë, kish qenë shpesh pa shije dhe, në çdo rast, krejt pa lidhje me idenë fillestare të atyre që e hapën “Vilën.”

Më në fund, Piramida; e cila, sa herë që shkoj në Tiranë, më sjell ndërmend me sugjestion rritës atë elefantin e Bastille-s që përshkruan Hugo-i tek Të mjerët; aq sa të më bëjë të pyes nëse ka tashmë ndonjë Gavrosh që e ka ngritur folenë atje, në pritje të barrikadave. Ndryshe nga objektet e tjera, të cilat kishin funksion utilitar të spikatur, kjo Piramidë që në fillim ishte menduar si simbol: muze i Enver Hoxhës nga brenda dhe një lloj piktogrami ose gjeoglifi nga lart – meqë kish trajtën e një shqiponje. Edhe pse pas 1990-s dhe deri më sot hapësirat e saj janë përdorur nga gjithfarë institucionesh, përfshi edhe televizionin Top Channel, Piramida – njëlloj si modelet e saj egjiptiane dhe Maja, praktikisht e ka humbur brendësinë ose tri-dimensionalitetin në sytë e publikut, për t’u kthyer në një lloj obelisku të rrjepur ose më mirë në një lloj obelisku që i kushtohet rrjepjes së historisë prej së sotmes post-totalitare; debatet e zgjatura dhe ndonjëherë të zjarrta se ç’të bëhet me të janë tashmë pjesë e shndërrimit të saj në katalizator të përjetimit që ia bën Tirana së kaluarës së vet totalitare.

Të katër këto objekte pra – Bunkeri atomik i udhëheqjes, Shtëpia e Gjetheve, Vila e Enverit dhe Piramida – sot janë off-limits për publikun; vetë mbyllja e tyre ose gardhimi i referohet dashur pa dashur, sikurse e thashë tashmë, qasjes totalitare ndaj objekteve të tilla “magjike”; të cilat mbeten njëkohësisht edhe të mbyllura edhe të hapura; të hapura thjesht ngaqë i kanë hapur, qoftë edhe simbolikisht; por të mbyllura, për shkak se atje “punohet.” Duket sikur hapësira të tilla, gjysmë të zhytura në histori, mund të hapen por nuk mund të rrinë të hapura; njëlloj si plagët, është vetë sistemi imunitar i trupit të historisë që ngutet t’i mbyllë sakaq. Pa folur pastaj që vetë hapja, si gjest publik i autoriteteve të shtetit, të pushtetit dhe të kulturës, ka një impakt të pakrahasueshëm me mbajtjen e tyre të hapura, e cila kërkon kujdes dhe planifikim të një lloji tjetër.

Një ditë, me gjasë, ky status i papërcaktuar dhe i papërcaktueshëm i katër objekteve në fjalë do t’ia lërë vendin normalizimit, ose kopeve të turistëve me shapka dhe selfie-sticks; por ky normalizim veç do t’i japë edhe më shumë kuptim, me prapavajtje, ngrirjes së tanishme, ose pezullimit të së shkuarës totalitare, në vetëdijen kolektive, ashtu siç mishërohet nga mbyllja, nëpërmjet simbolizimit. Bunk’art dhe Shtëpia e gjetheve kanë zënë vend tashmë në imagjinatën kulturore të shqiptarëve pavarësisht nga vizitueshmëria e tyre; vila e Enverit ia ka arritur të shndërrohet në një strukturë tjetër nga ajo ku jetonte dikur Enveri; Piramida është një gërdallë rënkimtare, që veç glorifikon rezistencën ndaj mendjeve praktike që deshën ta shkatërrojnë.

Tash për tash, qasja institucionale ndaj trashëgimisë kulturore post-totalitare mbetet kryesisht e projektuar në të ardhmen; një të ardhme që refuzon të aktualizohet, duke parapëlqyer imagjinimin, ose përmasën potenciale.

Shënim: ky shkrim është pronë intelektuale e autorit dhe e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat, me përjashtim të citimeve të shkurtra dhe kontekstuale, pa lejen e një administratori të blogut.

No Comments

  1. Ose ndryshe mund te konsiderohen ndertime fantazme. Dicka qe tradheton nje sere procesesh psikanalitike, midis te tjerave ate qe e shkuara deshirohet te shihet si fantazme, si dicka efemere nderkohe qe ka qene konkrete deri ne palce. E qe per rrjedhim tregon nje mungese deshire por edhe burracakeri per ta pare realitetin ne sy ashtu sic ka qene. Perkundrazi preferohet kjo loje fantazmash e tipit “ekziston?”, “nuk ekziston?”, “ishte?”, “si ishte?”, “cfare eshte?”. Nje loje qe gjeneron llafe plot por asgje konkrete. Ose te vetmen gje konkrete: Ate qe pushteti po luan kukafshehtas me shtetasit e vet, here duke i shfaqur e here duke i fshehur godina, mbi dhe nen dhe…

  2. Sinqerisht nuk kuptoj cfare ka per te hapur me: Godina e Korpusit Universitar, ka sherbyer dikur si godine pushteti ne kohen e luftes(me sa di). E hapur ka qene tere kohen. Mire do te ishte nje kend shpjegues per historikun e godines, por nuk besoj se ka gje pertej. Godina e kryeministrise nuk identifikohet mire me simbolet e diktatures, qe nuk e kuptoj pse mendojne se eshte lende per konsum dhe jo per reflektim. Godina e kryeministrise eshte djegur nja dy here, qelluar me arme e me gure ca te tjera. Ajo identifikohet me klasen qeverisese aktuale me te cilen mileti ka edhe psikologjikisht nje raport zhvates-i zhvatur. Ideja qendore eshte: aty brenda rrine hajdutet kryesore. Vec po ta mendojne si salle thesari. Shoh turiste qe vijne te vila e Enverit, foto, kureshtje etj.. Perballe nje kollone kafenesh. Po keshtu te Postblloku i Lubonjes. A thua bunkeret dhe burgjet i shpiku Shqiperia! Sepse kemi nje deshire te kultivojme idene se histori kemi patur vetem ne shekullin 20. Plus keto “monumente” perballe furise se nje shoqerie qe sheh edhe hijen e vet si mall konsumi, kane humbur e do te humbasin me tej “mistiken” e tyre qe zbulohet e ndrojtur nga keto hapje. Do te humbase vleren sepse sfidohen nga monumentet e verteta: ato te mireqenies dhe te luksit pervers qe ka nisur te krijoje kerpudhen e vertet te helmimit. Kush mund te kuptoje neser se pse Enver Hoxha e kishte dhomen aq modeste ne “Bunk’art”? Asnje. Ndoshta vetem ndonje njeri me formim fetar.

  3. Kryeministri i nje vendi i cili ne qershor kishte me shume emigrante azil-kerkues ne Gjermani se cdo vend tjeter pervec Sirise, stonon fort me obsesionet e tij per imazhin, sidomos kur kete qaset ta paraqese si substance, ne vend te punes qe duhet te bente si Kryeminister. Po ashtu dhe me manine per ta personalizuar pronen publike–deri ne institucionet e vendit–sikur keto te jene telajot e tij te piktures. Ironikisht ne lidhje me qasjen anti-moniste te Rames, mesa di une as Enver Hoxha nuk inistonte kaq shume sa Rama ne venien e firmes se tij personale ne cdo detaj te prones e ceshtjeve publike; ai te pakten ia atribuonte “Partise”, e rrezik Enveri diskutonte me Partine me shume per te tilla ndryshime sesa Rama sot me te vetet (se me publikun jo e jo).

    Pare me syrin e perendimoreve te cilet Rama kerkon te impresionoje, e gjitha eshte nje majmunllek i pashoq. Veshtire te gjesh ne Perendim nje kryeminister qe pa filluar punen e nderroi zyren sikur te ishte kemisha e tij (bile perpara kamerave i fute dhe nje te kritikuar Artan Lames per arredimin), e tani ne mes te mandatit te tij eshte i preokupuar me gjera qe jane komplet pa lidhje me nevojat dhe hallet aktuale te banoreve te atij vendi. Ne fakt keto gjera jane nje kontrast talles asisoj; ti s’ke pune e une te ofroj nje llambe ne forme strehe tek Kryeministria. Perfytyro p.sh. se cfare mund te kete menduar Merkel e cila erdhi ne Tirane me ate listen alarmante te azil-kerkuesve shqiptare ne Gjermani (te cilet jane ne fakt emigrante ekonomike qe nga deshperimi shkojne aty edhe pse e dine se azili s’miratohet) dhe insistoi qe shteti shqiptar duhet te beje dicka per kete, teksa ajo prezantohej me keto lulkat dhe llamburitjet e fundit te Rames. Eshte si te sperkatesh me parfum pacientin ne reanimacion.