Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

TEATRI I NJË FESTIVALI

U krijua përshtypja, për Festivalin Tirana Open, se dështoi si event – meqë nuk arriti të tërheqë publikun.

Në fakt nuk pati vizitorë të mjaftueshëm as në sallën e stendave të librit, as në sallën e video-artit një kat më poshtë; dëgjova edhe se disa nga filmat dokumentarë në DocuTiff ishin shfaqur me sallën bosh.

Megjithatë nuk kam në dorë të dhëna të plota për Festivalin, as për shitjen e librave; dhe e kuptoj që mund të ketë njerëz që suksesin e këtij eventi nuk do ta matnin me numrin dhe interesin e vizitorëve.

Duke qenë se unë vetë kisha sjellë një libër të ri, dua ta shpall menjëherë se jam palë e interesuar, sidomos në sa do të parashtroj më poshtë.

Dhe që ka të bëjë me mënyrën si u trajtuan, në Festival, autorët shqiptarë.

IMG_20150508_192500Në hyrje të Pallatit të Kongreseve kishin afishuar posterin gjigant që po sjell në fotografinë përbri.

Aty lajmërohen, pa frikë dhe me shkronja të mëdha, emrat e disa shkrimtarëve të ftuar: Roberto Saviano, Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar, Gerrard Williams.

Sikurse lajmërohet edhe çmimi Ardian Klosi.

Sapo e pashë këtë poster, më bëri përshtypje që aty nuk përmendej asnjë autor shqiptar – pa çka se në Festival merrnin pjesë, me libra të rinj, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Mustafa Nano, Nasi Lera, Servet Pëllumbi, Albatros Rexhaj, Virgjil Muçi dhe të tjerë (për të cilët të tjerë, për fat të keq, nuk kam informacion).

Nuk dua të lë jashtë kësaj liste as veten, në mos për romanin e ri Bolero, të paktën si fitues i vjetshëm i çmimit Ardian Klosi.

Prej shkrimtarëve, të paktën Bashkim Shehu dhe unë kishim ardhur në Festival nga jashtë Shqipërisë; nuk di për Bashkimin ose për të tjerët, por unë udhëtova me shpenzimet e mia, pa çka se më kishin caktuar edhe anëtar të jurisë së çmimit Klosi (por duhet të them edhe se nuk i kërkova kujt që të më paguajë gjë, veç honorarit modest që më kanë premtuar, për impenjimin serioz si anëtar i jurisë).

Nga emrat e përmendur në posterin gjigant të festivalit, kisha dëgjuar vetëm Savianon; me siguri është mangësia ime që nuk dija gjë për të tjerët – por mund të them se asnjë prej tyre, përfshi këtu edhe vetë Savianon, nuk ka përmasa kulturore dhe artistike të tilla që ta përjashtojnë pranëvënien me emra shkrimtarësh shqiptarë bashkëkohorë.

Për këta të fundit, Festivali do të shërbente si rast unik dhe i pazëvendësueshëm për t’u takuar me lexuesit dhe promovuar librat e tyre; dhe ata kanë nevojë për këtë shërbim ekspozimi më shumë se ç’ka Saviano-ja dhe të tjerët mysafirë të huaj.

Botuesit ankohen, me siguri me argumentet e tyre, se librat e autorëve shqiptarë nuk u shiten; por kushedi shkak për këtë është edhe që vëmendja institucionale dhe mediatike në evente të tilla shkon e tëra drejt të ftuarve të huaj; sikurse mund të jetë edhe reklama më e madhe që i bëhet librit të përkthyer.

Nuk e them këtë nga pozita kombëtariste dhe aq më pak personale; por ngaqë më dhimbset letërsia shqipe bashkëkohore, krizën e së cilës nuk mund ta kompensojnë katër-pesë mysafirë të thirrur nga lëndina letrare më të gjelbra rreth e rrotull.

Edhe për vetë të ftuarit në Festival, mungesa e emrave të kolegëve të tyre vendës do të ketë krijuar përshtypjen se kanë shkelur në një shkretëtirë letrare.

Ato pak herë kur autorët e huaj u vunë të bashkëbisedojnë me kolegët e tyre vendës, si në rastin e Jancar-it (me B. Shehun) ose Catozzella-s (librin e të cilit e prezantova unë), nuk më rezulton të jenë lajmëruar as në program, as në raportet e mediave.

Shto këtu që shtëpia botuese Onufri, e cila kërren libra të Ismail Kadaresë, kish vendosur ta bojkotonte Festivalin, për arsye që nuk i mora vesh (nuk është se pyeta).

Vetë ceremonia e dhënies së çmimit Ardian Klosi për librin më të mirë publicistik, me sponsorizim nga fondacioni Traduki, nuk shkoi si duhet: që nga pjesëmarrja e varfër deri në ulërimë, deri te certifikata që duhej t’i dorëzohej fituesit të çmimit, por që nuk ishte gati dhe në fakt nuk u dorëzua.

Menjëherë më pas Saviano-ja mbajti një ‘lectio magistralis’ që u ndoq me interes të madh nga një sallë e mbushur paq, dhe me praninë e plotë e të hareshme të mediave.

Kësisoj, do të kish qenë mbase më logjike që çmimin Ardian Klosi t’ia kishin akorduar Saviano-s thjesht për praninë e tij në Festival, dhe të na e kishin kursyer ne të tjerëve poshtërimin e një ceremonie çmimi të trishtuar, ku i vetmi publik ishin një grusht studentësh që i kishin futur aty gati forcërisht.

Nuk di si shkuan punët me veprimtaritë e tjera të Tirana Open – pashë vetëm që salla e videove, në katin e nëndheshëm të Pallatit të Kongreseve, ishte krejtësisht bosh, aq sa të zinte frika.

Festivali pati edhe momente të shkëlqyera – si opera “Il Naufragio” e sjellë nga Italia; por edhe kjo u shfaq në një sallë gjysmë bosh dhe shumë vetë që do të kishin ardhur, nuk kishin marrë dot vesh që do të shfaqej.

Tirana Open do t’u ketë kushtuar mjaft shtrenjtë taksapaguesve; dhe gjasat janë që vitin tjetër të mos mbahet më – të paktën kështu dëgjova në korridoret.

Të tjerë do të analizojnë, më mirë e më me kompetencë se unë, shkaqet e këtij dështimi; nëse dështim ka pasur. Po mjaftohem të them këtu se, sa i takon librit shqip, nuk mund të vazhdohet më kështu, duke i lënë në plan të dytë autorët shqiptarë.

Atyre që të shpjegojnë se “të paktën po mundohemi të bëjmë diçka” do t’u thoja: më mirë mos e bëni fare, sepse kështu siç e bëtë sivjet, më shumë e keni dëmtuar kulturën se e keni ndihmuar.

Mbetet për t’u zbuluar se kush përfitoi vërtet, kulturorisht, nga kjo komedi.

P.S. Për arsye të miat, nuk do t’i përgjigjem dot asnjë pyetjeje për sa më lart. Është detyrë dhe privilegj i mediave, që të informojnë në lidhje me Tirana Open.

Shënim: ky shkrim është pronë e blogut Peizazhe të Fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

Pa Komente

  1. Fatkeqesia, sipas mendimit tim, eshte se Kryeministri (qe ishte perkujdesur per kete event) e risolli ne jete kete event (duke perdorur artin) per te financuar nje fushate te lodhur, te nje kandidati qe duhet medoemos te fitoje Bashkine. Qe ne kete moment une refuzoj te vazhdoj me tej te merrem me nje festival te tille elektoral.

    Me vjen keq, qe letersia shqiptare dhe lexuesi shqiptar ka arritur deri aty sa ta prese Savianon si nje Bolano, Kundera, Borges, Sabato e keshtu me radhe. Eshte per te ardhur keq qe shijet tona letrare vazhdojne trendin komercializues, e akoma me keq kur ky trend vjen nga dora mjeshterore dhe aq estetike e kryeministrit!

    1. Mendoj se nese flitet per deshtim, ne rastin e ketij aktiviteti, faktor me peshe mbetet perceptimi i njerezve qe paten rreth tij. Nje aspekt ishte ai qe sjell Xhabyni. Nuk e di sa sa e mundur do te ishte per autore me peshe, vecanerisht shqiptare, te marrin pjese ne dy panaire qe i ndajne vecse gjashte muaj prej njeri-tjetrit. Duke e menduar keshtu kete pune, autoreve i duhet te kapercejne njerin prej eventeve qe te marrin pjese te pakten nje here ne vit.

      Nuk jam autor, por priteshmeria qe autoret te jene te pervitshem ne panaire me duket si nje renditje drejt sasise dhe jo cilesise. Ndoshta ne Shqiperi ekziston me teper se ne cdo vend tjeter ajo frika e harreses, pra qe lexuesit presin qe te dalesh me nje liber te ri pervit. Perderisa botimi i librave ne Shqiperi nuk ndjek ndoshta akoma logjiken e konkurences se tregut, – pra autoret botojne per te pare emrin dhe librin ne stenda – por jo per te bere e fituar buken e gojes, cilesia nuk duket se eshte problem per ta. Botuesin i bejne llogarite e tyre mire; pas kostos se botimit, do te dale dicka per ta, nje lloj e ardhure vjetore. Per autoret nuk e besoj. Nodshta lexuesit e ndjejne dhe e dine me mire se kushdo tjeter se sa qef kane shqiptaret te behen te gjithe autore, keshtu qe nuk e kane problem se mbeten pa to, bile edhe per te ndare shpenzimet e botimit.

      Nuk e njoh dinamizmin e botuesve, por shpesh kur dikush tenton te cele nje avenju te re me idene se do te sjelle nje perfaqesim te ri, me te sofistikuar e dinjitoz, mundet fare mire te konsiderohet si karshillek nga pala tjeter qe ka krijuar tashme nje tradite cmimesh dhe pjesmarrje autoresh qe i japin tonin nje panairi dhe sjellin shitjet qe presin botuesit dhe autoret. Kjo situate i transmetohet lexuesit, i cili eshte ai qe ne fund te fundit do te hapi kuleten. Autoret, pjesmarresit, emrat me peshe, bejne edhe ata llogarite e tyre, se ku perfaqesohen me mire, ku ndihen me rehat dhe ku reputacioni nuk do t’i cenohet sado pak nga asocimet e pakendeshme nga me te ndryshmet.

      Personalisht kam nje dyshim te madh se autoret shqiptare do te mund te jene kaq kreative e te sjellin botime ne nje cikel te shkurtuar panairesh, bythe me bythe me njeri tjetrin, prej vetem gjashte muajsh diference kohore. Atehere fjala “konkurence” do te bente qe autoret te ndaheshin me dysh, gje qe duket e pamundur. Me mire do t’i duket te rrine atje ku turma e lexuesve/autoreve, ku pritshmeria dhe cilesia eshte me e madhe.

      Ne fund kam nje pyetje retorike: Sa autore dhe perkthyes mund te jene prodhimtare te pervitshem ne nje popullate prej me pak se 3 milione frymesh, apo ne te shumten, me Kosoven, Maqedonine, Malin e Zi, etj. 5-6 milione?

      1. Une jam i mendimit qe nje qytet si Tirana, arrin t’i perballoje dy apo me shume panaire. E kjo, nuk ka pse te thote qe autoret shqiptare duhet te paraqiten aty sa here qe ka panair me nga nje veper te re. Secili autor e di vete “manaxhimin” e muzes se tij.

        Ajo qe nuk me pelqeu tek ky panair do ta rreshtoja ne pikat e meposhteme (duke qene dakord me Xha Xhain ne disa te tilla nuk po i permend).

        Nuk u percua nje mesazh i qarte ne publik se kemi panair, nuk pati zhurme askund qe kemi nje panair. Fakti qe Rama apo Veliaj e vizituan ate nuk ka ndonje ndryshim sepse keto te fundit edhe nje librari e re te hapej do ta vizitonin.
        Menyra se si qe paraqitur ky Panair ishte tejet i cuditshem. Terheq vemendjen ketu per te rikujtuar bashke te metat e panairit te vjetshem i cili qe shume i rremujshem dhe pa nje thelb. Ore cfare behet ne kete panair?
        Mungesa e shtepive botuese dhe librave serioze. Perpos nja dy tre titujve te rinj qe ishin; Juan Rulfo, Kundera me Pavdeksine apo ndonje tjeter (te me ndjejne ato qe i kam harruar pa dashje) nuk kishim larmishmeri. Po pse vjen kjo mungese perkthimi dhe botimi? Une nuk gjykoj se vjen se nuk ka leke, por une gjykoj se vjen ngaqe Ministria nuk zuri mend nga gabimet e vjetshme.
        Ky panair, per fatin e keq te tij, u kthye ne nje fushate elektorale te kandidatit te mazhorances. Ai e shfrytezoi kete panair qe ne katin e siperm te tij te zhvillonte nje takim elektoral….kjo me duket e tepert dhe kjo mbase shpjegon se perse ishte “nen kujdesin e Kryeministrit”.

  2. Ishte nje deshtim i paralajmeruar.

    Cilat jane arsyet?

    Xha Xhai i di mire, por per arsyet e veta, thote se ka arsye te mos arsyetoje gjate mbi to. (Tek e fundit edhe Don Kishoti kishte arsyet e veta te deklaronte me arsye se “arsyeja e mosarsyes që i behet arsyes sime, ma dobeson aq shume arsyen, sa me arsye vajtoj…”.)

    Per t’i rene shkurt, ja cilat jane arsyet:

    Fryma sektare (ca te nenes e ca te njerkes), karakteri klientelist (njera dore lan tjetren, te dyja lajne fytyren), perzgjedhja thellesisht ideologjike e autoreve kryesore, qe jo vetem duhej te ishin rigorozisht te majte (Saviano, Catozzella, Leogrande etj.), por duhej te kishin zbatuar me fanatizem parimet e realizmit socialist (personazhi kryesor ne qender te vepres, karaktere tipike ne rrethana tipike, partishmeria proletare etj.).

    Mbi te gjitha duhej te ishin botuar nga shtepia botuese “Dudaj”. Jo me kot u zgjodh pikerisht Arlinda Dudaj si drejtore e gjithe aktivitetit, qe pati prane doren e ngrohte edhe financiare te qeverise.

    Fakti qe shqiptaret e injoruan apo e bojkotuan ne mase kete aktivitet eshte shenje e pjekurise se tyre. Kesaj here nuk i hoqen dot per hundesh. S’na mbetet tjeter veçse te shpresojme se ky deshtim do t’u sherbeje si mesim per te ardhmen. Kush mbjell perçarjen ne fund mbetet vetem.

  3. “…shtëpia botuese Onufri, e cila kërren libra të Ismail Kadaresë,..”
    Me intrigon teper perdorimi i “kërren” , nje fjale nendialektore, pothuaj e harruar ne qytet, ne vend te ‘boton, nxjerr’ sic e kerkon rregjistri i perdorur ne kete rast. Ne nje kerkim ne google me rezultoi e perdorur tek Cajupi, Muhamet Cami dhe nja dy tre autore te panjohur lokale. Nuk e di, po me duket sikur edhe Kadareja ka diku nje shprehje te tille : Selfo ziu( apo qorri) qe kerrente vjersha..
    Fjalori i Gjuhes Shqipe online nuk e kishte fare.
    Kam pershtypjen se “kërren” , ashtu si turqizmat sic eshte diskutuar ketu, ka marre nje kuptim perkeqesues, çvleresues ; psh kur thuhet “kerrente vjersha” nenkuptohen vargje pa vlere,te rendomta, si bejte. Ne menyre me te pergjithshme perdorimi i “kërren” sugjeron nje produkt apo veprim te vjeteruar, te dale kohe, qe ka humbur vleren.
    Po nuk e di sa kam te drejte, ndoshta gabohem.

    1. Në fakt e kam përdorur qëllimisht. Do të doja t’i shihja librat e I.K. në Festival – dhe gjesti i një enti botues që më privon mua dhe publikun nga ky gëzim, nuk mund të jetë veçse për t’u qortuar. Edhe ky gjest, siç thotë Relapsoja gjetiu, ka arsyet e veta me të cilat unë nuk do të merrem, pikërisht ngaqë janë meskine (po të mos ishin meskine, do të ishin bërë publike). Përdorimi i një foljeje nën-dialektore me referenca intertekstuale ishte një mënyrë e butë e imja për ta vënë këtë në dukje.

    1. Kudo që fut hundët qeveria ka dështim dhe mizerje, edhe intelektuale.RS

      Qeveria – per te qeshur e per te qare; eshte nje klike klienteliste, vetem qeveri dhe qeverisje nuk eshte. Menaxhon llogarite, duke bere nje rishpendarje klienteliste te asaj paraje te paket qe mblidhet nga i ashtuquajturi buxhet shteti, nga dogana, grantet ose kredite e huaja.

      Per mizerjen intelektuale eshte thjesht pamundesia per te dale nga tradita. Nese mund te shprehesha me terma biologjike eshte trashegimi(genetic inheritance) aseksuale. Pra te njejtat tipare gjenetike me vobektesine intelektuale te baballareve.

      Intelektualizmi postkomunist ka vecse teknologjine moderne, qe sot quhet kllonim, pra materiali gjenetik nga i paraardhesve por i rritur nga nje veze tjeter qe i kane hequr berthamen gjenetike dhe mundesine per tu kulturuar nga nje fekondim i larmishem.

      Kjo eshte edhe dizavantazhi i klonimit joseksual, nuk jep mundesi per pasurim, larmi sic eshte rasti i kryqezimeve seksuale per te krijuar varietete te reja, larmishmeri, permiresuar cilesine, ne rastin tone, nivelin intelektual te parise(shqiptare).

      ps. Te gjithe besoj e kujtojne, Dolly, delja e pare e klonuar; ishte jeteshkurter, raketike, duke trasheguar te gjitha te metat gjenetike te “mother sheep”. Nuk vinte nga riprodhim seksual.

  4. Edhe për mua, idealisht, politika nuk duhej të përzihej shumë në fushë të kulturës: e shumta të mbështeste disa evente të rëndësishme me fonde, por jo t’i përdorte këto evente.

    Në Shqipëri tradita e marrëdhënieve mes politikës dhe jetës kulturore mund të jetë vërtet perverse, por tradita tjetër, ajo e një jete kulturore të pavarur nga shteti pothuajse nuk ekziston.

    Sa u përket fondeve, ne ende nuk e kemi arritur pjekurinë e nevojshme për të financuar ngjarje dhe veprimtari kulturore pa u kërkuar para institucioneve publike ose ambasadave dhe fondacioneve të huaja.

    Çështja nuk është, mendoj, si ta mbajmë politikën larg kulturës; por si të gjejmë mënyra për ta vënë atë – politikën – në shërbim të kulturës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin