NGA KËNDVËSHTRIMI I BRESHKËS

një intervistë që i ka dhënë Aleksandër Furrxhiut, në emisionin “Kapital” (Vizion Plus), ekonomisti dhe intelektuali i shquar frëng Jacques Attali ka shprehur një koncept bizar për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

I pyetur për shanset e një integrimi të shpejtë të Shqipërisë në Europë dhe për rrezikun hipotetik se mos “kur Shqipëria të integrohet në Europë, BE nuk do të ekzistojë më”, Attali shpjegon:

Shqipëria nuk është akoma gati që të jetë pjesë e BE. Duhet të realizohen një sërë reformash, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit; Shembuj si Greqia tregojnë se çfarë ndodh kur i bëjmë gjërat shpejt e në mënyrë të nxituar. Por, mos u shqetësoni, BE do të jetë akoma më e fortë. Duhet pasur një frikë e kundërt, sepse Shqipëria vjen drejt BE-së por, në njëfarë mënyre, BE avancon dhe nëse avancon më shpejt se Shqipëria, ajo do ta ketë gjithmonë e më e vështirë të arrijë BE-në.

Këtu ka shumëçka për të diskutuar – duke filluar që nga ky optimizëm për “avancimin e BE-së”; por mua më turbulloi veçanërisht imazhi i Shqipërisë, aq të dëshiruar për integrim, por që nuk mund t’i afrohet Europës veçse në mënyrë asimptotike.

Madje edhe më keq akoma. Dy entitete që “avancojnë”, njëri më shpejt se tjetri, nuk mund të mos të sjellin ndërmend paradoksin e Zenonit, për breshkën dhe Akilin.

AchillesNëse Akili bën garë vrapi me breshkën dhe e lë këtë të niset përpara, duke i dhënë një avantazh prej – të themi – 10 m, para se ky të nisë gjithashtu garën, atëherë Akili nuk do ta arrijë kurrë kundërshtaren e vet; sepse kur të mbërrijë atje ku ishte breshka në fillim të garës, breshka do të ketë shkuar pak më tutje; dhe kështu me radhë.

Paradoksi është i mirënjohur: distanca mes këtyre dy vrapuesve olimpikë do të vijë gjithnjë duke u shkurtuar, por nuk mund të arrijë kurrë zeron.

Aq më tepër që, në parashtrimin e Attali-së, është Akili ai që ka avantazhin fillestar ndaj breshkës; prandaj, pamundësia e kësaj për ta arritur heroin dhe atletin homerik nuk përbën paradoks fare.

Përveçse në rastin kur Shqipëria gdhihet një ditë anëtare e Bashkimit Europian, dhe pastaj të gjithë fillojnë të flasin gjithashtu për paradokse, Akilë dhe breshka.

Përtej referencave në mit dhe filozofi, metafora e Attali-së më tingëllon cinike; Shqipëria e varfër dhe e prapambetur nuk ka ndonjë shans për ta “arritur” Bashkimin Europian, siç mund të arrinte Akili breshkën në botën reale, ose fundja edhe breshka Akilin (nëse ky mërzitet duke bërë garë kundër vetes dhe ulet të pushojë pak në lëndinë dhe ashtu edhe e zë Hypnos-i).

Dhe aq më e vështirë bëhet kjo, në rrethanat kur vetë Bashkimi, sipas vizionit të bankierit dhe mandarinit frëng, vazhdon të çajë përpara, në rrugën e historisë, me euro në dorë.

Që Shqipëria ta kapë, pra, këtë tren madhështor, duhet ose që ky të ngadalësojë pak shpejtësinë, për ta ndihmuar udhëtarin e vonuar dhe të rënduar me hejbe, që të hipë në vagon; ose që ky të mos ecë dot më, për shkak se hekurudhës i mungojnë shinat, ose lokomotivës qymyri, ose edhe ngaqë ka plasur sherri mes makinistëve.

Pse e quaj cinike metaforën e Attali-së? Sepse ajo i kërkon breshkës diçka të pamundur: që të vrapojë më shpejt se Akili!

Sepse, e lënë në mëshirën e vet, breshka ka shumë gjasë që ta humbë interesin për garën dhe, teksa silueta e Akilit sa vjen dhe i largohet në horizont, derisa i zhduket krejt, ajo mund të ndërrojë rrugë dhe të kuturiset kushedi ku tjetër – pista e vrapimit nuk është e vetmja rrugë e mundshme.

Dhe, për të mbetur në lëmin metaforik të pistave, garave dhe vrapimeve; por edhe të paradokseve të Zenonit dhe torturës së asimptotave, dua të sjell këtu edhe përvojën e kujt ka pasë luajtur, dikur, gara me makina në kompjuterët e hershëm. Softueri i këtyre lojërave nuk i lejonte makinat e pilotuara nga kompjuteri vetë dhe që të kishin parakaluar, në pistën e garës, që të largoheshin shumë; sepse nuk “donte” që ti ta humbje krejt interesin për lojën.

Le të përfytyrojmë pra, një Europë, si objektiv të dukshëm por të paarritshëm për Shqipërinë, që është diku para nesh, aq sa ne ta shohim dhe ta lakmojmë dhe të përpiqemi t’i ngjitemi pas, por pa e arritur dot kurrë; sepse synimi i këtij mirazhi nuk është aq që ne të futemi përnjëmend në BE, por vetëm që të vazhdojmë të zhvendosemi në drejtimin e duhur.

Kësisoj, objektivi strategjik shndërrohet në kah të thjeshtë të lëvizjes ose të “progresit.”

Çka don të thotë edhe se qëllimi i këtij Akili të rremë (pseudo-Akili), në këtë garë vrapi që vazhdon prej më shumë se dy mijëvjeçarësh, nuk është që të fitojë, por vetëm që ta ndihmojë breshkën të ecë drejt.

Dhe ashtu nuk mbetet veç që t’ia mbushim mendjen breshkës për këtë: Attali-ja ka meritën që e bëri të vetën.

Nuk ka komente

  1. Attali eshte para se gjithash ekonomist, ose me sakt, eshte intelektual qe udhehiqet nga idea se ekonomia eshte arti i vetem i qeverisjes. Eshte e vertete se bota ka mbi 5 shekuj qe udhehiqet nga Ekonomia, e cila eshte shpikje e shek XVI dhe aplikuar per here te pare ne Itali (http://www.persee.fr/web/revues/home/prescript/article/rhren_0181-6799_2003_num_56_1_2551).

    Por kriza qe po jeton bota aktuale provon se, me teper se per krize ekonomike, behet fjale per Ekonomi te Krizes: Ekonomia (gjithmone si art qeverisjeje -kujtoni si tha Bill Clintoni “it´s the economy, stupid” ) shenjat e deshtimit i ka dhene qe ne fund te shek XIX; shek XX konfirmoi deshtimin e “Planifikimit ekonomik socialist” dhe ai i XXI, po konfirmon deshtimin e “ekonomise se tregut”.

    Per sa kohe qe Attali & co. nuk heqin dore nga ekonomia si art qeverisjeje (sepse ekonomi ka patur e do te kete gjithmone), per aq kohe do te vazhdojne edhe paradokset e e tyre te cilat, sigurisht qe tingellojne edhe cinike.

  2. Lokomotiva e financave shqiptare jane te ardhurat nga emigrimi, prandaj shqiptaret duhet te braktisin Greqine e Italine per t’u zhvendosur ne Gjermani, Angli e Skandinavi. Bletet punetore duhet te largohen nga kullotat italiane e greke drejt atyre gjermanike. Kosheren/Shqiperine s’ e levizim dot e t’i zeme vendin Belgjikes. Meqe Zhaku eshte financier duhet te na rrefente ndonje menyre si te dalim nga kriza financiare (ne vend te menyres se sotme, merr borxhe per te paguar borxhet), se me keto keshillat per shtetin ligjor e korrupsionin jemi deri ne fyt. Ne vend te vramendjeve rreth BE-se na duhet te dalim nga kriza financiare brenda 2-3 vjeteve se marrja e borxheve per te shlyer borxhet ka marre fund si teori e praktike afatgjate.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: