TA KTHESH RUTINËN NË MUZIKË (II)

Bisedë me Ardian Vehbiun, autor i romanit “Bolero”
Bisedoi Parrulla, blogu “Zgjoje 

ZGJOJE: Ky është roman i New York-ut, më shumë se roman për New York-un. E megjithatë, ju ia keni mohuar qytetit vertikalitetin monumental, për t’i dhënë një përmasë horizontale, edhe hapësinore edhe kohore; si një varr labirintik, ku megjithatë qyteti duket ndonjëherë më i gjallë se versioni i tij i zombifikuar mbi dhé. Mund ta quanim edhe roman të pas 9-11-ës, por referencat në roman duken të një lloji tjetër. 

AV: Bolero nuk është roman për New York-un, as për metronë e New York-ut. Nëse duam vërtet t’i japim një referencë, kjo do të ishte natyra e përjetimit urban, ose jetërsimi i individit të përfshirë nga ritmet e qytetit të madh – që shprehet në kontradiktën midis linearitetit të subjektit (dhe të vetë kohës) dhe iterativitetit (përsëritshmërisë) të ritmeve urbane. Për t’iu shmangur fjalëve të mëdha: kam parasysh rutinën, e cila shprehet edhe në nevojën për të marrë të njëjtin tren të nëndheshëm, çdo mëngjes; dhe për t’u kthyer sërish pak a shumë me të njëjtin tren të nëndheshëm, çdo mbrëmje; sikurse kam parasysh teknikën e organizimit të rrjedhës së kohës, nëpërmjet orëve dhe orareve, e cila nuk përkon me pikësimin e natyrshëm të ritmeve cirkadiane, i cili ndërthur elemente ciklike (dita dhe nata, stinët) në përjetimin e botës prej subjektit. Më ka bërë përshtypje që dy kolosë intelektualë të fillimshekullit XX, Einstein-i dhe Saussure-i, të dy kanë përdorur metafora trenash, për të shpjeguar konceptet e tyre aq revolucionare; Einstein-i e ka ilustruar teorinë e relativitetit me pak eksperimente të thjeshta mendore që shtjellohen në një vagon treni me pjesëmarrjen edhe të një vrojtuesi përjashta; ndërsa Saussure-i, te kursi i vet i mirënjohur i gjuhësisë së përgjithshme, sjell shembullin e trenit nga Gjeneva në Paris, që niset çdo ditë në 8:25 të mbrëmjes, për të pyetur nëse ky tren është vërtet i njëjtë ose identik me atë të një nate më parë, ose për të reflektuar për natyrën e identitetit në shoqëritë moderne. Në fakt, treni – dhe sidomos ai i metrosë në një qytet të madh – mishëron një kombinim djallëzor midis statikes dhe dinamikes; meqë i zhvendos pasagjerët pa u kërkuar këtyre të lëvizin: ka diçka të frikshme, në imazhin e një treni që çan në errësirë, me pasagjerët të ngrirë brenda vagonave. Nga ana tjetër, në çdo qytet të madh metroja është vendi ku vetë ideja e qytetit, si bashkësi e bashkësive, realizohet më mirë se gjetiu, sepse atje çlirohet nga shtresëzimet sociale, kulturore dhe historike të qytetit sipër: është një hapësirë urbane e algjebrizuar, e shndërruar në hieroglif ose në formulë, ku qyteti riprodhohet nëpërmjet lëvizjes së trenave.

ZGJOJE: Si për t’i qëndruar besnik kanonit post-modern, edhe “Bolero” i ka disa elemente të refleksionit ndaj procesit letrar. A nuk druheni se lexuesin do ta bezdisë kjo, aq sa ta përjetojë si manierizëm?

AV: Në vitet 1980 dhe 1990 unë studiova seriozisht semiotikë dhe narratologji; dhe ashtu u mësova ta shoh letërsinë si formë, pasi më kishin imponuar, gjatë viteve të universitetit në Tiranë, një vizion të letërsisë si përmbajtje. Madje në vitet 1990, kur isha ende në Napoli, pata shkruar edhe një ese të gjatë për një histori formale të letërsisë shqipe, të cilën pastaj e kam botuar te “Fraktalet e shqipes”, por pa kurrfarë jehone nga kolegët e mi kritikë letrarë dhe historianë të letërsisë shqipe (por edhe nuk prisja; ca gjërave duhet t’ju vijë koha, dhe analizës formale të historisë së letërsisë shqipe ende nuk i ka ardhur dhe kushedi kur mund t’i vijë). Nga ana tjetër, mua më kanë tërhequr gjithnjë lidhjet midis narratologjisë dhe inteligjencës artificiale, të cilat kalojnë edhe përmes ndërtimit të personazheve dhe të rrethanave ku veprojnë personazhet; çfarë e bën tekstin letrar të ngjashëm me softuerin. Ideja e botëve narrative si versione të thjeshtuara të kësaj ku jetojmë i ka tërhequr edhe ekspertët që programojnë mendjet prej silikoni; edhe pse duket e frikshme të përfytyrosh personazhet si qenie autonome, që kërkojnë të shijojnë, me mënyrën e tyre, lirinë. Kështu, nëse një autor harron t’ia përmendë ngjyrën e syve personazhit të vet, këtij do t’i mbeten sytë pa ngjyrë, deri në fund të romanit; dhe çfarë fatkeqësie, t’i kesh sytë pa ngjyrë, pa çka se lexuesi, me imagjinatën e vet, do ta kompensojë këtë njëfarësoj, sikur të kish mëshirë për personazhin e gjymtuar… Natyrisht teksti nuk ka ekzistencë semiotike jashtë procesit të leximit, por le të themi sikur. Pa folur pastaj për video-lojërat, që ia behën në vitet 1990, me eksperienca immersive dhe ambiente që ndërveprojnë me lojtarët; dhe që përmbajnë botë të cilat, në mënyrën e tyre, janë edhe ato versione të papërsosura të kësaj tonës (jo se kjo e jona është e përsosur, por gjithsesi). Pa folur edhe për teorinë, gjithnjë e më serioze, se universi ynë mund të jetë një artefakt kompjuterik, ose një video-lojë perëndish; kanë llogaritur deri edhe probabilitetin që të jetë kështu. Të gjitha këto përthyhen në rrafshin narrativ, jo vetëm në letërsi por edhe në film dhe gFrench Hornjetiu; sepse në të gjitha ato raste evokohet një botë, por kjo botë mbetet në ekzistencë vetëm sa kohë që rrëfehet; çka do të thotë edhe se vetë koncepti i kohës që rrjedh është funksion i vullnetit për të rrëfyer. Një videolojë mund ta ruash (save), pastaj ta fikësh kompjuterin dhe ta vazhdosh lojën pas një jave ose një viti: e gjithë kjo kohë që ka kaluar për ty, për personazhet në lojë nuk ka ekzistuar. Me pak përpjekje, mund të përfytyrojmë si këta personazhe, të cilët e kanë një inteligjencë artificiale të tyren, sado rudimentare, nuk janë as të vetëdijshëm që kompjuteri është fikur ndërkohë. Gjithnjë më ka habitur mënyra si shfaqen, në rrafshin thjesht narrativ, këto probleme dhe dilema futuristike.

ZGJOJE: Para se të shkruanit letërsi, ose edhe publicistikë, ju jeni marrë me gjuhësi, madje gjuhësinë e keni edhe profesionin tuaj të parë, si të thuash. Ç’rol luan kompetenca prej gjuhëtari në procesin krijues letrar?

AV: Shumë lexues e ngatërrojnë gjuhësinë me preskriptivizmin, ose me imponimin për të shkruar “me drejtshkrim” ose për të përdorur një gramatikë “korrekte.” Nuk është faji i tyre, doemos; por i shkollës dhe i krejt kulturës që, kur vjen puna te gjuha, nuk i shmangen dot diskursit tejet ideologjik dhe preskriptiv, në mos disiplinues. Njëlloj ndodh edhe me ata të tjerët, që shqetësohen për fjalët e huaja ose e duan autorin të përdorë fjalë të rralla dhe folklorike, mundësisht të qëmtuara nga goja e popullit; të cilët ndonjëherë bëhen pedantë dhe të mërzitshëm dhe aq më tepër kështu, kur kujtojnë se kanë të drejtën me vete. Mirëpo gjuhësia e shekullit XX ka ecur në një drejtim tjetër, duke shërbyer si bazë për një vizion të ri të komunikimit dhe të vetë shoqërisë moderne të mediatizuar. Për t’u kthyer te “Boleroja”, më ka bërë gjithnjë përshtypje si metroja e New York-ut, që në fakt është një hapësirë e madhe, por edhe një jo-vend, në kuptimin që i jep këtij termi Augé-ja, u flet pa pushim të gjithë atyre që shkelin atje: u tregon se ku janë, u sugjeron se ku të shkojnë, u thotë se çfarë mund të bëjnë, çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë nuk mund të bëjnë; i porosit që të kenë kujdes për këtë ose atë; u tregon si të ruhen nga aksidentet dhe nga keqbërësit; i lajmëron për vonesat dhe për ndryshimet e orareve. Askush nuk mund t’i vidhet kësaj tiranie të komunikimit, këtij imponimi që të vjen nga një qenie impersonale, këtyre mesazheve të shkëputura nga subjektet që i shqiptojnë dhe që mbërrijnë tek ti të zhveshura, lakuriqe. E thashë edhe më lart, metroja – së paku në pjesët e hapura për publikun, ose stacionet dhe hapësirat e tjera “të shkelshme” – është edhe një hartë e stërmadhe, borges-iane, e barabartë me territorin, por e pasuruar me informacion shtesë: shkronja, ngjyra, shigjeta, ekrane, shenja, ikona, hieroglife, të cilat të gjitha së bashku e shndërrojnë edhe në një manual gjigant përdorimi ose në një festival preskriptivizmi; a thua se, që nga momenti kur hyn aty, udhëtari ka nevojë të shoqërohet për dore në labirint, në mënyrë që të mos gabojë; a thua se metroja vetë e kupton, në mendjen e saj impersonale, se nuk është mjedis i përshtatshëm për njeriun. Tani, pikërisht kjo farë metroje, pa pushim dërdëllitëse, pedagogjike dhe në konflikt dialektik, por edhe komik, me hartën e vetvetes, është në qendër të romanit; si skenë por edhe si personazh; dhe një farë nuhatjeje gjuhësore, që e kam trashëguar nga vitet kur studioja gjuhësi seriozisht, më ka ndihmuar të shkoqit skajet e marrëdhënies së subjektit me hapësirën që e përfshin dhe sidomos të kuptoj pasojat e një komunikimi, njëri skaj i të cilit praktikisht nuk arrihet dot. Si mund t’i përgjigjesh zërit, që të njofton se treni për të cilin po pret do të vonohet edhe 10 minuta? Si të komunikosh me një tabelë, që të porosit të qëndrosh larg buzës së platformës? Si të komunikosh me një eskalator, që të uron një ditë të këndshme (have a nice day!) me një zë prej kukulle? Janë situata në thelb jetërsuese, nga të cilat mund të mbrohesh vetëm duke i mbyllur dritaret e shqisave, çka është edhe ajo një farë jetërsimi. Romani im është edhe një aventurë e komunikimit me këtë metro kaq “semiotike”, sepse është në natyrën e njeriut që gjithnjë të kërkojë të merret vesh me çfarë ka përballë, qoftë edhe nëpërmjet të menduarit, ose fundja edhe veprimit magjik.

ZGJOJE: Jo shumë lexues do ta kujtojnë librin tuaj për Amerikën e fillimviteve 2000, të titulluar Midis zhgënjimit dhe mitit. Çfarë ju zhgënjeu pikërisht atëherë nga Amerika, vendi që keni zgjedhur për të jetuar? Dhe a ndikoi ky zhgënjim në konceptimin rishtas që ia bëtë romanit “Bolero”?

AV: Ka libra që kanë një efekt terapeutik, të ndihmojnë për të kapërcyer traumat, frustrimet, fobitë. Tetë vjetët e presidencës Bush në ShBA ishin të vështira për t’u përballuar, sidomos nga një qytetar i New York-ut; kaq i vështirë dhe i papranueshëm ishte ky president, të paktën për mua, sa më dukej sikur duhet ta mbaja lart vigjilencën, çdo ditë, për të qenë gati për çdo të papritur. Rezultat i këtij sintonizimi me të përditshmen politike ishte libri “Midis zhgënjimit dhe mitit,” i cili pjesërisht trashëgon një rubrikë timen në gazetën “Bota shqiptare” që botohet në Romë. Deri në fund të viteve 1990, unë e kisha përjetuar Amerikën si një kopsht mundësish, plot fruta që prisnin për mua t’i këputja nga dega; por edhe si një dyqan ku mund të provoja rroba të ndryshme dhe pastaj të largohesha me ato që më rrinin më mirë. Kjo ishte Amerika e pasurimit dhe e entuziazmit, kur të gjithë kërkonin të investonin në bursë dhe të studionin për programim kompjuteri; Amerika që gjeta unë, kur arrita atje në vitin 1996; Amerika që, për ta thënë me kalendarin e serialeve televizive, kish mbyllur kapitullin e konspiracioneve të The X Files, dhe po zbavitej me antikat e Seinfeld-it dhe të Friends. Mirëpo 11 shtatori ndryshoi shumëçka, për të mos thënë gjithçka. Mbaj mend që pak kohë pas sulmit kundër Kullave Binjake, u shfaq në kinema Minority Report, një film i Spielberg-ut, i mbështetur mbi një tregim të Philip K. Dick. Përkimi me atmosferën e paranojës në metropol ishte i rastit, me siguri filmi ishte konceptuar dhe xhiruar para 11 shtatorit; dhe Dick-u njihet si autor i paranojave gjithfarësh, ose si një Franz Kafka i të varfërve – e megjithatë, kam dalë nga filmi duke e menduar Spielberg-un si një lloj heroi të kohës sime, ose si një nga të paktët zëra që po përpiqeshin të na shpjegonin se politika e Bushit kushedi po e rrotullonte thikën në plagën e të gjithë atyre të shtrirë përdhé nga katastrofa në World Trade Center. Qëlloi që pikërisht në ato muaj t’i jepja dorën e fundit një eseje që kisha filluar ta shkruaj, shqip, në vitet 1997-1998; aso kohe përdorja akoma fletore dhe stilograf! Eseja ishte Kulla e Sahatit, që u botua pastaj në 2003; dhe që më ktheu besimin në të shkruarit në gjuhën time amtare. Dhe, në kontekstin politik të kohës, ky ndërrim gjuhe për mua si autor ishte edhe një farë mbrojtjeje, një mekanizëm kompensues, një mënyrë për të shpëtuar nga mbytja prej paranojës së përgjithshme. Vetëm se ashtu, projekti “Bolero” përfundoi në sirtarin figurativ të kompjuterit – madje ashtu e kam përcjellë nga një makinë në tjetrën, nga një laptop në tjetrin, vit pas viti, derisa m’u duk se meritonte të shpëtohej.

ZGJOJE: Ky është libri juaj i dytë fiction. Megjithatë, për shumë lexues ju do të mbeteni i njohur si shkrimtar publicist (non-fiction) dhe, më saktë, si një lloj intelektuali publik ose, për detraktorët, “analist”. A keni frikë se këto pritje mund ta dëmtojnë mënyrën si ju afrohet lexuesi tani? 

AV: E vërteta është që unë kam shkruar shumë non-fiction, edhe pse do të dëshiroja të kisha shkruar më shumë fiction. Dhe për më tepër e ndoshta për fat të keq, shumë lexues në Shqipëri dhe gjetiu më njohin nga ekspozimi i zhbalancuar që më kanë bërë mass mediat, të interesuara kryesisht për shkrimet e mia me natyrë polemike. Po të marrësh edhe blogun, Peizazhe të fjalës, ku unë shkruaj rregullisht, sërish aty shumica e shkrimeve nuk janë polemike, por më shumë refleksive. Libri im i vitit 2013, “Sende që nxirrte deti”, sërish nuk është polemik, ndryshe nga ai që i parapriu, “Kundër purizmit.” Besoj se një autor mund të angazhohet në jetën publike, madje edhe si intelektual, pa polemizuar doemos, dhe sidomos pa polemizuar në lëmin politik. Mirëpo pritjet e lexuesit i ka përçudnuar vetë atmosfera mediatike, e sunduar nga talk shows dhe debatet televizive, të cilat shpesh riprodhojnë banalitete – sepse e tillë është natyra e mediumit. Sa për vete, unë do të dëshiroja që vepra ime të shihet si një e tërë, dhe shkrimet fiction të lexohen si komplement i shkrimeve non-fiction. Kjo vlen për tregimet e MaGjes, të cilat rimarrin në formë specifike temat e “Shqipes totalitare”; dhe deri-diku edhe për romanin e tanishëm, i cili trajton, me mjete narrative, disa çështje që më kanë preokupuar prej kohësh, përfshi këtu edhe atë të kondicionit urban brenda një metropoli anonimizues, si New York-u. Pa përmendur pastaj edhe që krijimtaria është edhe pjesë e biografisë së autorit, pa çka se kjo mund të mos i interesojë fare lexuesit; por për mua, “Bolero” nuk mund të ndahet nga eksperiencat e mia me muzikën në Perëndim, veçanërisht me muzikën klasike dhe xhazin.

ZGJOJE: Falemnderit!

[fund]

Nuk ka komente

  1. I lexova edhe nje here te dy pjeset dhe gjej pyetje lartesisht profesionale nga ana e Parrullës dhe nje nivel te larte shpjegimi, deri ne perfeksion, nga ana e te intervistuarit, arrij te shoh konceptin e ri dhe motivin levizës te te gjithe pjeseve te librit, edhe pse romanin nuk e kam lexuar ende (si shume ketu besoj qe jemi ca larg librarive te Tiranes).
    Personalisht i permbahem idese se eshte tjeter gje ajo qe ka pasur ndermend te thote autori dhe tjeter gje ajo qe rezulton perfundimisht nga vepra. Pra une personalisht si lexues neser kam marzhet e mia te gjykimit (mund të përftoj një ide tjetër që autorit as që i ka shkuar ndërmend, sikunder mund te mos e shoh shume qarte nje tjeter) por shpjegimi perfekt i autorit, druaj se kufizon kritiken në teresi, diskutimin debatin, në kuptimin që tashme ekziston nje model shpjegimi dhe ky i fundit ben thirrje qe gjithkush ta shohë interpretimin e tij ne lidhje me atë që ka thënë i zoti i punes. Se, ne parim, kush me mire se ai e di kete pune ?
    Në këtë vështrim, kjo interviste e nje niveli te rrallë, më ngjall edhe nje lloj, te themi shqetesimi, te cilin (per debat) dua ta paraqes ne trajten : A duhet autori te shpjegoje deri ne fund idete dhe motivet organizues (mitet themelues) te vepres se tij ?

    1. Lyss, të falemnderit për sa shkruan. Në fakt, Parrulla nguli këmbë për këtë intervistë dhe unë rashë dakord, ngaqë doja t’i thoja disa gjëra vërtet, dhe sidomos ngaqë këto ditë në Tiranë mund të më qëllojë të më afrohen “publikisht” njerëz të mediave që duan të flasin për librin, por që nuk e kanë lexuar (ende). Desha t’u jap të paktën një spunto – edhe pse jo duke u vënë fjalë në gojë, por vetëm sa për t’i orientuar. Më tepër si një bisedë që do ta kisha bërë edhe gjatë prezantimit, po të kisha pasur kohë të mjaftueshme. Ose një paratexte, në kuptimin që i jep termit Gérard Genette. Por e kuptoj që çdo lexues gjen në libër atë që i thotë libri dhe atë tjetrën që e shton ai vetë, jo çfarë i sugjeron autori – sepse synimet e autorit, ose edhe burimet e frymëzimit, nuk janë vendimtare në interpretim. E megjithatë them se lexuesi ndihmohet po t’i thuash, bie fjala, se struktura e kapitujve i ngjan asaj të një vepre muzikore – temës dhe variacioneve. Ndihmohet për ta ndjekur librin më mirë, por edhe për ta dëgjuar më ndryshe temën dhe variacionet, kur t’i qëllojë nesër. E così via…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: