Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kulturë

KALENDARI I MAJMUNËVE

Javën që shkoi, na u komunikua se “linguistika” shqiptare ishte në ditë zie dhe se gjuha shqipe kish humbur “dashnorin” e vet të fundit.

Këto fjalë u shqiptuan në rrethana që kërkojnë, për momentin, heshtje në shenjë respekti; por ndërkohë nuk mund të mos lajmëroj lexuesin se ka ende shpresë; dhe se shqipja nuk ka mbetur, tek e fundit, pa dashnorë; dhe as do të mbetet kurrë.

Nëna e albanologëve alternativë është gjithnjë me barrë.

Një person i quajtur Sazan Guri, dhe që besoj se është i njëjti me një figurë publike zakonisht të identifikuar si ing. Sazan Guri, shkruan në Java për “ditën e verës” dhe demonstron, në ngazëllim festiv e sipër, aftësitë e veta etimologjike të pashembullta.

Ashtu mësojmë se, para edhe shumerëve, egjiptianëve dhe babilonasve, gjendej në botë një popull – pellazgët – që i thërriste muajt me emra që jetojnë sot e kësaj dite.

farehedhesiKështu, frori (emri i vjetër i shkurtit) vjen nga “faruari ose muaji kur hidhej fara”; marsi vjen nga “mbarë”; prilli nga “prin”, si muaji që prin vitin; maji nga “i majmur, i madh”; qershori jo vetëm nga qershitë, por edhe nga “kur-shi”, ose “muaji kur bie shi”; gushti ngaqë ngushtohet dita dhe guna.

Guri përfiton nga rasti për të sjellë edhe disa etimologji të tjera – p.sh. dimën nga “ditë të mënuara”; vetë pellazg nga “prej larg” (d.m.th. “prej Atlantidës).

E kështu me radhë. Deri edhe fjala primavera përmban rrënjën shqipe (pellazgjike) “vera” – si stina që i paraprin verës.

Inxhinier Guri – sepse po e marr të mirëqenë që autori i këtyre etimologjive është i njëjti me specialistin e mjedisit – e nxjerr kështu linguistikën shqipe nga zia ku kish rënë.

Ai i thotë të gjitha këto në kontekstin e një artikulli për ditën e verës (“dita më e lashtë e motmotit shqiptar”), të cilën e quan “festë e primatëve europianë paganë”, i pavetëdijshëm se kështu i ka nxjerrë pellazgët jo vetëm të parët, por edhe më të afërt me majmunin se vëllezërit e tyre.

Do të pyesim këtu se ç’e shtyn këtë zotëri të merret me gjëra për të cilat nuk e ka haberin; dhe jo me gjëra të tjera, ku duket se nuk i mungon formimi, si p.sh. çështjet e mbrojtjes së mjedisit.

Vetëm dje lexuam, në mediat, për një plan – për mua katastrofik – për ta shndërruar Pasha Limanin në një kantier të skrapimit të anijeve të vjetra.

Me logjikë do të priteshin protesta prej veprimtarëve të mjedisit, OJQ-ve, banorëve të zonës. Në një botë të arsyeshme, në krye të këtyre protestave do të ishte ing. Sazan Guri, i cili të shpjegonte pse ky kantier i skrapit dhe kjo varrezë anijesh në Mesdhe do ta qelbte krejt Gjirin e Vlorës.

Mirëpo jetojmë në një botë të kthyer kokëposhtë, ku inxhinierët merren me etimologji të shqipes dhe zbulojnë se qershori është muaji kur bie shumë shi.

Ing. Guri nuk është i vetmi që e provon dorën me paleolinguistikë; por vetëm i fundmi në një radhë dijetarësh që e kanë kompletuar tashmë kalimin nga racionalizmi në misticizëm, në emër të “shqiptarisë.”

Çfarë duhet të shqetësojë, nuk është një hobby e mendjeve të papërgatitura ose irracionale, por fakti që linguistika shqipe, albanologjia dhe në përgjithësi dija tek ne duhej ta kishin kapërcyer tashmë këtë stad foshnjor.

Një kulturë që ka arritur t’i japë vetes dhe botës historianë të gjuhës si Çabej, Demiraj, Domi, Ajeti dhe të tjerë, tani ende pranon në krye të vendit fantazmagoritë e Gurit dhe të ca të tjerëve, që do t’u kthehemi në kohë më të përshtatshme.

Ky është kalim brutal nga drita në errësirë. Një inxhinieri mund t’i falet që nuk e njeh Çabeun dhe nuk arrin të kuptojë parimet elementare të gjuhësisë historike; por nuk mund t’i falet gatishmëria me të cilën ai shpërfill faktin që linguistika shqipe ka edhe ajo arritjet e saj – të cilat duhen respektuar.

Gjithçka dimë, për historinë e shqipes, e dimë falë përpjekjeve të atyre dijetarëve që iu qasën këtij argumenti me mjete racionale; dhe duke i bashkërenduar përpjekjet e tyre me dijen europiane të fushës dhe më gjerë.

Nuk duhet qortuar pra, ing. Guri për etimologjizimet e tij alternative; por duhet qortuar ajo kulturë, si kjo e tanishmja, e cila e konsideron normale që këto fantazmagori të qëndrojnë krah për krah, ndonjëherë edhe në të njëjtin raft të librarisë dhe të bibliotekës, me veprat që ia kanë dhënë tashmë dinjitetin dijes shqip anembanë botës.

Ironia në këtë mes është që kombëtarizmi shqip ka nevojë për albanologjinë, për të përligjur ideologjinë e vet dhe për ta rrënjosur historinë e shqiptarëve në historinë e botës antike; por pastaj ideologjia kombëtariste ka natyrë të tillë, që vetvetiu do t’ua japë të gatshme alibitë të gjithë atyre që duan të shkojnë “më tej” se dija racionale dhe, tek e fundit, t’i japin kësaj dërrmën duke e zëvendësuar me misticizëm ekstrem.

Ndoshta prandaj edhe, kur të shkatërrohet krejt mjedisi në Shqipëri dhe shqiptarët do të futen të jetojnë në shpella për t’u mbrojtur nga pluhurat dhe helmet, fëmijët do t’i ngushëllojmë me përrallat se pellazgët ua dhanë emrat e muajve gjithë botës, meqë e hidhnin farën edhe në kohët kur shumerët dhe egjiptianët e lashtë jetonin në shpella.

Pa Komente

  1. Inxhinier Gurit i paska shpëtuar edhe spjegimi tjetër shkencor që lidhet me emrin e kontinentit që zbuloi Kolombi. Ky na paskësh qenë rritur me ca arbëreshë atyre viseve e kësisoj kur zbuloi Amerikën e lume e të begatë, në letrën që i shkroi Madhërisë së Saj Katolike, me përunjësi i propozoi ta quante tokën e re si vendi ku njeriu Ha, Merr dhe Ikën. Me kalimin e kohës dialekti sicilian e shkurtoi në Amerikë.

  2. Gjuha shqipe ndonjëherë trajtohet si futbolli nga tifozët. Pa pritur pa kujtuar të gjithë bëhen trajnerë klasi me përvojë ndërkombëtare, madje edhe me anshmërinë e deklaruar të tifozit. Kur shikoj në librari se vëllimet e historiografisë bashkëjetojnë me librat pseudohistorike me kuriozitete gjithfarësh, nga komplotet tek ndërhyrjet e alienëve, gjithnjë mendoj se ka diçka që nuk shkon, sidomos kur vërej se kategoria e dytë gati e mbyt të parën. Por në rastin e shqipes nuk ka krahasim: albanologjia alternative ka më shumë zë e hapësirë se sa ajo profesioniste. Kjo është edhe ftesë për të gjithë ata që ia lejojnë vetes të shkruajnë për gjuhën pa asnjë njohuri elementare linguistike. Tek e fundit e kërkon ideologjia, por edhe tregu kultutor.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin