TA MBATHËSH KRIMIN

Shpresoj që kjo “affaire Doshi” të mos jetë kaq e rëndësishme, sa ç’duket nga faqet e gazetave të Tiranës online. E megjithatë, zhvillimet e përditshme janë të tilla, që ftojnë për disa refleksione sado anësore.

Për shembull, që për disa protagonistë të çështjes, “vrasja” trajtohet tani sikur të kishte ndodhur; në kuptimin që ata dëshirojnë të përfitojnë gjithçka që munden nga statusi prej viktimash të një krimi politik, pa çka se kjo vrasje nuk ka ndodhur, madje as janë gjendur akoma prova që të ketë qenë planifikuar. Për shembull, lexova që vetë Doshi, ose i vrari, paska kërkuar që në hetimet të ftohen edhe specialistë ndërkombëtarë, “siç u veprua për rastin e Hajdarit.”

Ose, pamundësia për t’i gjetur dhe specifikuar një arsye, një motiv, një movente “vrasjes” politike: pse vallë do të dëshironte ta vriste deputetin Doshi kryetari i Kuvendit Meta ose babai i tij? Edhe mes kriminelëve më shpirtkazëm, vrasja s’është veçse zgjidhja më e skajshme; pa përmendur pastaj që mes kriminelëve më shpirtkazëm (siç nuk besoj të jetë rasti në fjalë), vrasja implikon rreziqe të papara.

Vërej, bie fjala, një mungesë përmbajtjeje politike të kësaj lufte në krejt frontin; e cila nuk kompensohet, por megjithatë merr kuptim të ri, nga përmbajtja e diskursit të palëve të përfshira në konflikt, të cilat flasin haptazi për vrasje, vrasje me pagesë, killerë, hitmen, hakmarrje dhe gjakmarrje dhe snajperë të sjellë qëllimisht nga përtej gan015_3detit. Nga njëra anë, ky lloj diskursi do t’u shkonte për shtat kriminelëve ose mafiozëve, jo politikanëve të nivelit të lartë; nga ana tjetër, këta të fundit jo vetëm që po e praktikojnë lirisht, por edhe po e bëjnë këtë në publik; çka do të thotë se o nuk e kanë të qartë se si i profilizon kjo, o e kanë të qartë dhe nuk pyesin, madje duan që pikërisht të duken kështu, në sy të armiqve të tyre, palëve të treta, publikut ose zgjedhësve. Të gjitha këto përbëjnë arsye më vete për t’u alarmuar.

Koluzionin midis diskursit mirëfilli politik dhe atij mafioz e dëshmojnë edhe kërcënimet: çdo provë që sillet, tërheq me vete “premtimin” për diçka tjetër, shumë më të madhe, ngjethëse dhe tronditëse, të tipit prisni se nuk keni parë gjë akoma; dhe shkëmbime të tilla shantazhesh tregojnë se diçka është prishur në statu quo-në e pushtetit, politik dhe kriminal; pa çka se, në të gjitha rrethanat, provat do të jenë gjithnjë e me përkufizim vetëm maja e ajsbergut. Gati-gati, të duket sikur palëve u dhemb pa masë, që t’i sjellin këto prova që kanë; njëlloj siç i dhemb pa masë zorra atij që kërkon të dalë jashtë gjatë një ataku majasëlli akut. Në fakt, i gjithë ky siklet shpjegohet më lehtë me tabunë e shkeljes së omertà-së.

Dhe meqë jemi në temë – në temën e jashtëqitjes e kam fjalën – tërheq vëmendjen edhe lehtësia me të cilën janë lakuar e sjellë, në qendër të vëmendjes, emra kriminelësh të njohur, të cilët tani marrim vesh se kanë dhënë e kanë marrë me politikanët; sikurse janë lakuar e sjellë, sërish në qendër të vëmendjes, emra personash me probleme me ligjin, të cilët tani rezulton se kanë qenë të afërt me politikanë të sferave nga më të lartat.

Do të dëshironim që kjo të ishte vetëm një përjashtim; por pastaj shohim të bëhen publike foto ku gjithfarë personalitetesh shtetërore, përfshi këtu edhe deputetë, ministra, gjykatës dhe prokurorë, i sheh të ulur në tryeza me figura të diskredituara të botës së krimit; ose të paktën me figura që kanë bërë emër vetëm e vetëm ngaqë janë përplasur me ligjin.

Dhe këtu nuk po ndalem në faktin tjetër, që këta politikanë, deputetë, gjykatës, ministra dhe prokurorë i tregohen publikut pak si tepër shpesh në këto tryeza, të rrethuar me gjithfarë pjatash, pjatancash, shishesh dhe gaforresh: Le charme discret de la bourgeoisie albanaise?

Pak vëzhgime kështu për së largu; të cilat së bashku i japin mozaikut pamjen e një beteje epike mes klanesh mafioze – e cila nuk bëhet për ide politike, as në emër të ndonjë ideali; por thjesht për të marrë në dorë ose ri-konsoliduar kontrollin ndaj territorit, kushedi ngaqë disa prej vatrave të informalitetit, të pasurimit të paligjshëm dhe të pastrimit të parave tashmë janë shuar. Dhe të mendosh që, paradoksalisht, mund të jetë pikërisht suksesi i antikrimit shtetëror, shkaku fillestar i përndezjes së tanishme!

Nuk ka komente

  1. Panorama: zbardhet deshmia e Monika Kryemadhit 120 min. Ne lajm jane vetem 5 rreshta fjale qe nuk ndalojne mbi cka thene deshmitarja.

    Vasili do te na trondise, Braho valevit canten e zeze, Meta flet me kode, Berisha pergjigjet me kode (Profarma i thote, e drejton me gisht nga kryetari i parlamentit). Nese ka nje vrasje ne kete ngjarje, kjo eshte besueshmeria ne median e sotme dhe klasen politike. Shpresoj qe edhe ta kallin ne dhe’, e te merremi me variabla te tjere.

  2. Xha Xhai thotë
    “Dhe të mendosh që, paradoksalisht, mund të jetë pikërisht suksesi i antikrimit shtetëror, shkaku fillestar i përndezjes së tanishme!”

    Thashethem kundërshtues: Thuhet se është prishur monopoli i farmaceutikeve që mban Doshi. Dhe jo prej Metës por prej Ministrit të Brendshëm aktual, ose më skatë familjes së tij me biznes të ri.

    Nëse e marrim për të vërtet, shantazhi politik është i tërthortë, kurse tritoli i farmacive i drejtëpërdrejt.

  3. Ju keni shkruar diçka fort të rrjedhshme në letër, por që s’thotë kurrgjë në ide – hiq ankesat e komshiut tim (që vuan nga kanceri terminal në mushkëri) kur ngjit shkallët dhe që unë i them se njësoj më merret fryma edhe mua shkallëve ngaqë edhe unë jam duhanxhi.

    1. Gjithnjë më kapin në befasi komente si ky – sepse nuk e gjej dot se çfarë mund ta shtyjë dikë që ka dhënë prova se mund të flasë e të shkruajë ndryshe, që të ndërhyjë me kaq negativizëm.

      Thua se teksti im “s’thotë kurrgjë në ide” – akuzë e hidhur, të cilën e kam të vështirë ta shpërfill.

      Sidomos ngaqë ca ide më sipër unë i kam rreshtuar, prandaj kështu si reagim të parë kam që kushedi je ti që nuk e ke kapacitetin e duhur, ose predisponimin e nevojshëm për t’i lidhur fjalët e mia në ide.

      Ka edhe një mundësi të dytë – që ti të jesh intelektualisht superior ndaj meje dhe vërtet tekstet e mia të mos të thonë kurrgjë; por edhe në këtë rast kjo nuk mund të përkthehet se këto tekste “nuk thonë kurrgjë.” Superioritetin intelektual njeriu duhet ta vuajë si barrë me të cilën e ka dënuar Zoti ose natyra, se përndryshe u bie kot të tjerëve më qafë.

      Një mundësi e tretë: që ti i ke më të larta se ç’duhet pritjet ndaj meje – por a mjafton kjo, për të më poshtëruar fjalën në publik, kur kjo nuk t’i përmbush pritjet?

      Me këtë të tretën lidhet edhe një mundësi e katërt: që ti të presësh prej meje të shkruaj në një mënyrë të caktuar, ashtu siç të pëlqen ty, ose siç do të doje të shkruaje ti, ose siç mendon ti se unë duhet të shkruaj; dhe kur kjo nuk ndodh, teksti im të duket “pa ide”, sepse nuk i ka idetë që prisje të gjeje ti. Në këtë rast, qasja jote do të ishte e gabuar, sepse qëllimi i atyre që shkruaj unë nuk është që t’ia konfirmoj lexuesit tim idetë që ai i ka tashmë, përfshi këtu edhe ty, që mbase nuk më lexon gjithnjë.

      Problemi që kam me ty, është se ti shkruan edhe vetë, madje shumë mirë dhe jo vetëm në rrjedhë por edhe në cilësinë e ideve; dhe do të isha kurioz të lexoja se çfarë ke pasur ti të thuash në lidhje me këto punë; në mënyrë që të konfrontoja mungesën e ideve të mia me ato që ke sjellë ose je përpjekur të sjellësh ti. Dhe mos m’u përgjigj, të lutem, se ke parapëlqyer të heshtësh, ose se për disa gjëra është më mirë të heshtësh sesa të bësh llogje siç kam bërë unë – sepse jemi duke folur për banalitete, si kjo historia me vrasës të paguar; të cilat as Eskili nuk do t’i shndërronte dot në përplasje sublime mes së mirës dhe të keqes.

      E kam fjalën që epikë për nevojtoret nuk ka shkruar kush deri më sot; dhe këtë nuk e ndryshon fakti që ti mund të jesh nga ata që, i ndodhur përpara kakës, preferon dezinfektimin, shpëlarjen ose djegien, ndaj një diskursi pak a shumë refleksiv.

      Përndryshe, do të isha shumë mirënjohës sikur të më sillje shembuj tekstesh dhe komentesh të pasura me ide, në lidhje me këto që po ndodhin; sepse edhe tekstet e mia nuk lindin as shtjellohen në boshllëk, por janë gjithnjë pjesë e një diskursi të përgjithshëm. Mbase më kanë shpëtuar këta shembuj, aq më tepër që unë nuk i ndjek debatet televizive dhe as i njoh idetë që përftohen atje, përveçse kur më vijnë të rimarra dhe të cituara.

      Nuk po dua të bëhem patetik dhe të shtoj tani se idetë që më mungonin mua mund t’i shtoje ti në këtë hapësirë që je i lirë të përdorësh; ose edhe me një shkrim a një seri shkrimesh më vete, të cilat do të dilnin në PTF sikurse të kanë dalë shkrime të tjera në të shkruarën; pa çka se kjo do të ishte qasja miqësore a dashamirëse që edhe prisja prej teje; por jetojmë në kohë të mbrapshta, kur të presësh miqësi a dashamirësi prej tjetrit qenka vërtet patetike.

  4. Sugjestiv ky shkrim, sidomos, për pikëvështrimin eklektik të spektatorit që i vëzhgon derrat të përleshen në llucë, po s’u afrohet për të mos u qelbur vetë.

    Mbase Xha Xha edhe të kanë shpëtuar ca shembuj (shyqyr), po në këto pakqind fjalë më transmetove, fillimisht sensacionin e një déjà-vu të metamorfozuar. Nëse deri në dekadën e kaluar, i mjeri publik shqiptar hante si bukën e përditshme sharjet e trompetuara nga parlamenti me regjistrin e motrës dhe nënës, tani po fryhet me gjuhën e thrillerave të bodrumeve dalë nga shpella e politikës. Kolapsi linguistik mes mafias dhe politikës, kurrë kaq i kristalizuar, veç ia trashë më shumë lëkurën publikut shqiptar gjer në anastezi morale.

    E më tutje, kjo histori me prova të përditshme që premtojnë prova të tjera, po merr trajta Borges-iane, çdo rresht pjell një kthinë të re në labirintë, kthinë pas kthinë, turbullohet rruga që na çoi aty jemi, por rreshti i ardhshëm premton zbardhim, derisa na fut në kthinën e radhës. Si t’ia vësh titullin këtij ficción? Hëpërhë, propozoj “There Will be Blood”, meqë akoma s’është vrarë njeri, por premtimet janë se vrasjet do dalin.

    E gjithë kjo, në sfond të tavolinave të “les nouveaux riches” ose “les bourgeois gentilhommes”, siç do t’i quante Molieri.

  5. Sean Connery do e kishte shkruar Dossier por do e kishte shqiptuar Doshier! 🙂

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: