Është kur ndihet e rrezikuar në themelet e veta, që çdo shoqëri merr edhe vendimet më karakteristike për thelbin dhe fizionominë e saj: kështu, të vënë me shpatulla për muri përballë Europës, grekët ia dhanë votëbesimin një force politike të së majtës së majtë, duke parapëlqyer të rebelohen ndaj një autoriteti të jashtëm, sa hipokrit aq edhe burokratik, si BE-ja.
Ndërkohë Italia, një tjetër vend fqinjë me Shqipërinë, dhe me peshë shumë më të madhe se Greqia në Europë, u ndodh para një momenti të ngjashëm të vështirë, gjatë zgjedhjeve të fundit për Presidentin e Republikës; figurë që, për nga funksionet dhe statusi, i afrohet mjaft atij tonit, duke përfaqësuar unitetin politik të vendit dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës, mes të tjerash.
Ndryshe nga Greqia, e cila e ktheu timonin me forcë majtas duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e krejt anijes politike, në Itali palët arritën një marrëveshje mes tyre, kryesisht falë këmbënguljes së kryeministrit Renzi, për të zgjedhur president Sergio Mattarella-n, një politikan demokristian të majtë. Numri i votave që mori Mattarella e tejkaloi ndjeshëm fuqinë reale të Partisë Demokratike të Renzi-t në Parlament.
Një numër komentatorësh, pas përpjekjeve të Renzi-t dhe vetë përzgjedhjes së Mattarella-s si President, panë kështu një ringjallje të “balenës së bardhë”, ose të demokristianëve, të cilët patën qenë në pushtet për gati gjysmë shekulli në Itali, ose gjatë krejt periudhës së Luftës së Ftohtë; dhe që më pas u shpërbënë si forcë politike, pas skandaleve financiare të fillimviteve 1990 dhe sidomos për shkak të ristrukturimit të skenës politike në Itali gjatë atyre viteve.
Edhe pse kjo hipotezë mund të jetë e ekzagjeruar, tërheq vëmendjen fakti që, në momente vështirësie dhe krize, italianët arritën të përfitojnë duke rrëshqitur në thellësi të shoqërisë së tyre; ose duke shfrytëzuar rezervat e shoqërisë civile; dhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile në Itali ka lidhje me rolin e Kishës Katolike si institucion jo aq fetar, sa social dhe kulturor të mirëfilltë, në ngjizjen e identitetit qytetar të individit social.
(Edhe Mattarella në të ri ka qenë anëtar i Azione Cattolica.)
Eugenio Scalfari, i La Repubblica-s, theksonte tani në një editorial të vetin se te zgjedhja e Mattarella-s president kish parë jehonën e mirëpritur të dëshirës së dikurshme për marrëveshje politike strategjike midis Aldo Moros, demokristian i majtë, dhe euro-komunistit Enrico Berlinguer.
Përtej traditës politike italiane të marrëveshjeve dhe kompromiseve, them se Mattarella president duhet parë, nga përtej Adriatikut, si shembull i marrëdhënieve të frytshme midis politikës dhe shoqërisë civile, në një moment krize; por edhe si provë se politika italiane, tek e fundit, nuk mund të kuptohet pa rrënjët e saj në shoqërinë civile dhe marrëdhëniet me institucione të tilla si kisha katolike dhe organizatat satelite, Confindustria, sindikatat, universitetet e kështu me radhë.
Që Italia ishte në krizë, dhe jo vetëm financiare, këtë e tregoi, mes të tjerash, edhe një sondazh i paradokohshëm i ndërmarrë nga Demos, ku të intervistuarit shprehën 3% besim të madh ose shumë të madh te partitë politike, 7% besim të madh ose shumë të madh te Parlamenti, 15% besim të madh ose shumë të madh te shteti, 27% besim të madh ose shumë të madh te Bashkimi Europian, 33% besim të madh ose shumë të madh te gjyqësori; 44% besim të madh ose shumë të madh te Presidenti i Republikës: të gjitha shifra tepër alarmante, për një vend demokratik.
Përkundrazi, të njëjtit të intervistuar shprehën besim të madh ose shumë të madh te Papa (87%), te forcat e ruajtjes së rendit (67%), te shkolla (53%) dhe te Kisha (49%).
Nga pyetje të tjera të sondazhit, rezultoi se gjysma (50%) e të pyeturve besojnë se demokracia mund të funksionojë edhe pa partitë politike; krahasuar me 38% në vitin 2008.
Ka shumë mënyra si mund të interpretohen këto rezultate; për mua, edhe nën dritën e votimit të tanishëm që solli një demokristian të majtë, si Mattarella, në postin e lartë dhe simbolikisht të pasur të Presidentit të Republikës, ato tregojnë se italianët në kohë krize dhe diskreditimi të politikës partiake po tërhiqen ose barrikadohen në vlera dhe institucione sociale të qëndrueshme, si Papa (që përfaqëson Kishën Katolike si institucion edhe abstrakt edhe intim) dhe – jashtë kontekstit presidencial – forcat e rendit (policia, doganierët, rojet pyjore dhe veçanërisht karabinierët).
Papa përfaqëson edhe një drejtim të pakontestueshëm të busullës së vlerave morale – ndryshe nga kisha si institucion kapilar i ritit fetar, e cila në Itali gjithnjë shihet në lidhje me klerikët, provincën dhe politikat konservatore; ndërsa besimi në forcat e rendit flet tërthorazi për një shoqëri të sfilitur nga kriminaliteti, sikurse edhe konfirmon simpatinë e qytetarit për institucione relativisht të papolitizuara.
Gjithsesi, nëse deri në fund të viteve 1980 ishte Partia Demokristiane ajo që e tejçonte në politikë frymën katolike të shoqërisë civile në Itali, sot që kjo parti nuk ekziston më dhe që vetë roli politik i partive është diskredituar, rolin e saj kanë marrë përsipër ta luajnë marrëveshjet dhe kompromiset transversale midis forcave politike ndonjëherë të kundërta; të cilat marrëveshje vërtet bëhen për objektiva konkrete, praktike dhe të momentit, por i kanë rrënjët në perceptimet unike, ose unifikuese të shoqërisë, në kundërvënie me dasitë politike.
Dhe kjo do të shërbente si një spunto refleksioni edhe për shqiptarët përtej Adriatikut. Në rast të një krize të ngjashme, në shoqërinë shqiptare, cilat do të ishin ato burime të shoqërisë civile në Shqipëri, nga ku do të ushqehej dhe do të frymëzohej politika, për të arritur marrëveshjet dhe mirëkuptimin e nevojshëm?
Kur pashë pyetjet e sondazhit të cituar më lart, e pata të vështirë të përfytyroja se cili institucion do të rezultonte si më i besuari prej qytetarëve shqiptarë – kushedi Bashkimi Europian dhe me siguri edhe Papa (nëse do të ishte përfshirë në pyetjet); por nga institucionet e mirëfillta në Shqipëri, as partitë politike, as parlamenti, as gjyqësori, as forcat e rendit, as mass mediat nuk kanë gjasa që të marrin pëlqime në masë.
Atëherë, përveç autoriteteve që qëndrojnë jashtë shoqërisë shqiptare, si organizmat ndërkombëtarë dhe, ma merr mendja, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Tiranë, cilat institucione kombëtare do të kishin marrë më shumë pëlqime?
Vetë vështirësia për t’i dhënë një përgjigje të besueshme kësaj pyetjeje dëshmon për problemet e mëdha perspektive që përjeton politika dhe jeta sociale në Shqipëri, të cilat lidhen me mungesën e një thellësie sociale strategjike si bazë të konsensusit (çka bën edhe që palët politike tek ne të merren vesh mes tyre, atëherë kur mosmarrëveshja nuk është opsion, vetëm pas ndërhyrjes dhe presionit të së huajve).
Ndryshe nga Italia, e cila doli nga një regjim demokristian dhe megjithatë e shfrytëzon tani të kaluarën e vet demokristiane si rezervë kombëtare konsensusi, Shqipëria nuk i ka objektivisht mundësitë ta përdorë të kaluarën e vet të afërt totalitare për të njëjtin qëllim; mes të tjerash, edhe ngaqë totalitarizmi pothuajse ia arriti që ta shkatërrojë krejt besimin e qytetarit në institucionet.
Ndokush ende shpreson se si bazë e konsensusit ende mund të shërbejë kombëtarizmi, në formën e vet beninje si patriotizëm, ose dëshira për t’i shërbyer publikisht “popullit” dhe “kombit” tënd; por kombëtarizmi nuk ka arritur të artikulohet në institucione të shoqërisë civile (me përjashtim të futbollit); dhe ka përfunduar i abuzuar nga çdo forcë politike që ka kërkuar pushtetin.
Si rezultat, në Shqipëri do të ishte pothuajse e pamundur të zgjidhej president një burrë shteti që gëzon prestigjin dhe respektin e Sergio Mattarella-s sot (dhe të Napolitano-s, Ciampi-t, Scalfaro-s, Pertini-t dje); dhe kjo jo aq ngaqë burra të tillë në Shqipëri nuk ekzistojnë (këtë e kemi të rëndë t’ia pranojmë edhe vetes) sesa ngaqë palët politike në Tiranë nuk do të arrinin dot konsensus, për një figurë të atij kalibri, e cila do të kontrastonte frikshëm me standardet etike që ka adoptuar politika sot.
Mesime italiane kaq te deshirueshme per Shqiperine, por qe fatkeqesisht jane te parealizueshme ne terrenin politik shqiptar per mungese tradite konsensusi politik e kombinuar me teksturen e ndryshme te politikaneve(kastes politike) shqiptare.
Xhaxha shkrim shume i mire. Urime, dhe shpresoj qe mediat e tjera “ta vjedhin”, per ta publikuar ne faqet e tyre. 🙂
Falemnderit! Në fakt, po të dëgjoje komentet deri edhe të nivelit më të lartë ditën e zgjedhjes së Mattarella-s president, do të ndeshje në shprehje të tilla si “è nato il partito della nazione” (“u krijua partia e kombit”), për të treguar natyrën e konsensus-it të arritur; dhe kjo në një vend si Italia, në kulturën politike të së cilës nuk mund ta përmendësh dhe aq lehtë “kombin” si faktor, për arsye të trashëgimisë fashiste. E megjithatë, te kjo “partito della nazione” unë nuk shoh përvijimin e ndonjë force politike doemos kombëtariste, por vetëm një bashkim a marrëveshje politike në emër të së mirës së përbashkët të italianëve; ose të atyre qytetarëve që dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë së bashku nën një shtet të tyrin; sikurse shoh edhe konfirmimin e idesë se, në një sistem mirëfilli pluralist, lufta mes palëve nuk ka kuptim, përveçse kur pikësohet nga momente paqeje dhe kompromisi – një send ky i fundit që ende nuk e ka nxjerrë deti në brigjet tona.
Për ta çuar diskutimin më tutje: për fat të keq në Shqipëri nuk arrijmë dot të zgjedhim njerëz me integritet sepse kështu politika nuk do të mund t’u imponohej këtyre. Meqë Xhaxhai ka zgjedhur një “trojkë” greko-italiano-shqiptare për të këqyrur mënyrën se si këto komunitete menaxhojnë krizat e tyre (ose të paktën një dimension të krizave), do të përpiqesha ta përmblidhja këtë konstelacion si më poshtë (lyp me përulje ndjesë për përgjithësimin arbitrar): grekët zgjedhin me pasion, italianët me mençuri, dhe shqiptarët me pragmatizëm. Besoj se si pasioni i grekëve ashtu edhe pragmatizmi ynë shpien në situata efemere, të paparashikueshme e si të tilla potencialisht detrimentale. Besoj po ashtu se stabiliteti ndodh (jo vetëm) kur njerëzit që drejtojnë janë të parashikueshëm e ndaj të menaxhueshëm. Pragmatizmi (i fëlliqur) që tashmë duket se justifikon jetën politike shqiptare është për ne një mallkim sa kohë që jo vetëm nuk arrijmë të ndërtojmë një konsekuencë synimesh, qëndrimesh, idesh, por sidomos kur shkatërrojmë longitudinalisht e ndërbreznorisht besimin tek institucionet, tek vullneti i përbashkët, tek veprimi kolektiv drejt së mirës. S’do mend pastaj që jetojmë në një shoqëri që teoritë konspirative i ka të imprenjuara në nënvetëdijen kolektive dhe i përdor ato rëndom si qasje ndaj realitetit.
grekët zgjedhin me pasion, italianët me mençuri, dhe shqiptarët me pragmatizëm.
Greket vertet bene zgjedhje, e te mire a te keqe e zgjodhen vete ndryshimin si popull me vote te lire. Italianet jo vetem pa mencuri por NUK ZGJODHEN VETE, e zgjodhi nje kryeminister e nje qeveri qe nuk e ka zgjedhur populli italian, qe nuk kane dale nga zgjedhjet por nga kompromiset. Sa per te majte eshte e veshtire te gjesh tek Renzi ndonje vendim te majte deri tani. Qe nje qeveri me te majte e te djathte te marre hapa majtas e djathtas eshte anormale. Renzi qe me vendimet qe ka marre deri tani krahasohet me Thecerin, vazhdon injorimin e luften ndaj sindakatave qe kish nisur Berluskoni, etj.etj. Me i majte ne itali ngelet papa Francesku., me kritikat qe i ben politikes.
Renzi nxorri jo nga rradhet e para nje president, jo shume aktiv e te pakonsumuar e ndaj por edhe per arsye te tjera nuk kundershtohet.
Xha Xhai:
1,në Itali palët arritën një marrëveshje mes tyre …për të zgjedhur president Sergio Mattarella-n, një politikan demokristian të majtë.
2.italianët arritën të përfitojnë duke rrëshqitur në thellësi të shoqërisë së tyre; ose duke shfrytëzuar rezervat e shoqërisë civile;
Kam pershtypjen se pohimet kundershtojne njeri tjetrin. Nje koncept me i gjere i shoqerise civile, si hapsira midis shtetit dhe biznesit ( third sector) perfshin edhe partite politike, si organizata te bashkimit vullnetar te qytetareve.Nje koncept me i ngushte dhe me purist, me shoqeri civile nenkupton kryesisht rrjetin e NGO-ve, median, boten akademike , sindikatat dhe gjithfare organizimesh te tjera sociale, kulturore, artistike, sportive, fetare. Mattarella nuk eshte nje zgjedhje e paster nga radhet e shoqerise civile, edhe pse vitet e fundit nuk ka qene i perfshire ne ndonje force politike. Eshte nje perfaqsues i demokristianeve por qe ka punuar si minister edhe ne qeverite e drejtuara nga D’Alema,Amato.
Besoj per shkak te ketyre afiniteteve por ne radhe te pare per cilesite e tij personale (integriteti) profesionale (konstitucionalist me pervoje te gjate) dhe politike (besimi tek institucionet, demokracia por edhe si perfasues i vlerave demokristine) .Nisur nga platforma ideologjike dhe vlerat, PD e Renzit, edhe pse ne origjinen e hershme ka Partine Komuniste, aktualisht eshte nje force e qendres se majte, me orientim nga “third way” dhe ne rrenjet e saj ideologjike ruan nje vene prej nga ushqehet me vlerat e kristianizmit social , pra nje burim i perbashket me demokristianet , edhe keta te vendosur ne qendren e majte. Nga kjo pikpamje them se, edhe pse zgjedhja e tij mori mbeshtetje pertej fuqise se PD-se se Renzi-t, veshtire ta krahasosh kete zgjedhje konsesuale me “kompromisin historik” Berlingueri (PCI) -Moro (DC) kur dallimet ideologjike ishin me te thella.
Ajo qe duhet te behet mesim per politiken tone, eshte kultura e kompromisit politik nisur nga interesi kombetar/shteteror dhe ndertimi institucioneve te forta, me perfaqsues kredibel, me profil te larte profesional dhe integritet. Kur krahason Mattarella-n me Nishanin, kontrasti eshte ulerites.E mar si shembull kete te fundit nisur nga teatri qe u luajt kinse per te zgjedhur nje president konsesual dhe u permbyll me zgjedhjen e nje noteri politik te PD -se ne presidence. Shoqeria jone civile eshte , aq sa ekziston ,eshte nje shoqeri servile, e megjithate, politikanet tane kane rene ne nje konsesus per te kerkuar figurat per president “brenda politikes”, dmth ushtare te bindur te partise. Kompromisi politik ketu nenkupton ose kontrollin e barabarte te pushteteve te pavarura ,ose pazarin politik : me mirato dy kandidatura ne Gjykaten Kushtetuese, te dekretoj nje ambasador.., me lesho pe ketu, te leshoj pe atje.
Nje shoqeri e zhvilluar civile nenkupton nje kapital te pasur social, nje shoqeri qytetaresh te lire, besim tek institucionet, besim tek tjetri, angazhim komunitar, solidaritet.Komunizmi disa nga keto vlera i shperdoroi.Kujtimet e hidhura te ketyre vlerave (vullnetarizmi, solidariteti, kolektiviteti, altruizmi) nga komunizmi dhe kalimi ne individualizmin ekstrem, ne nje shoqeri ku sundon klani-klientela-korrupsioni, veshtire te ndertohet nje shoqeri e shendetshme civile , si openence e qeverisjeve dhe zone e perzgjedhjes se individeve me te vertete te lire.
Kur ende nuk kish dalë një kandidat zyrtar i Renzi-t për president të republikës, u përsiatën në media një numër emrash nga shoqëria civile: intelektualë të shquar, ekspertë në fushat e tyre, e kështu me radhë. Disa komentues e shpjeguan këtë me lodhjen e njerëzve me politikën. Por natyrisht, Mattarella nuk vjen nga shoqëria civile – dhe unë s’e kam thënë këtë gjëkundi, le të mos e prishim muhabetin pa arsye. Unë kam thënë se ishte shoqëria civile në Itali, dhe thellësia strategjike që i jep ajo politikës, e cila e ndërmjetësoi kompromisin politik në një moment krize; dhe e ndërmjetësoi jo me pësh-pëshe dhe darka gjysmë sekrete, por duke ia krijuar kushtet e nevojshme për të ardhur në jetë. Dhe këtë shoqëria civile e arriti, meqë i ka siguruar shoqërisë italiane disa vlera të përbashkuara (shared), të cilat shkojnë përtej ndarjeve politike të çastit; dhe shprehje e këtyre vlerave ishte edhe afrimi mes segmenteve të caktuara të DC-së dhe të PC-së dje, që do të kish çuar në kompromisin historik (këtë natyrisht e përmendni edhe jo). Këto vlera, që kanë shumë të përbashkët me vlerat kristiane të solidaritetit me Tjetrin dhe të respektit ndaj personit, nuk janë doemos vlera religjioze, as përçohen nëpërmjet kishës katolike si institucion.
E gjej pa vend kur aludoni se interpretimi qe i bera fjalise se cituar , nisej nga ndonje deshire per te prishur muhabetin.Ca dmth te mos prishim muhabet? Te mos shprehim mendime te ndryshme? Me mjafton argumenti kur jam gabim. Ndoshta, ne fjaline e cituar, nuk kam kuptuar nuancat dhe kontekstin kur zgjedhjen e presidentit e lidhni me “rezervat e shoqerise civile”.Ndoshta ate qe keni shkruar e kam kuptuar literalisht si zgjedhje nga radhet e shoqerise civile. Nuk jam i informuar imtesisht mbi kontekstin e zgjedhjes se presidentit atje dhe nese me presion ose “thellesi strategjike” te shoqerise civile, keni parasysh paraden e emrave te hedhur per konsum ose testim ne media, perseri mbetem konfuz. Edhe ne Tirane, ne ditet qe paraprine daten e zgjedhjes se presidentit(2012), media perfoli nje liste emrash si kandidatura per president, madje dhe emra te spikatur nga shoqeria civile, perkatesisht bota akademike. Por askush nuk i mori ne hesap.
Gjithsesi, po shtoj edhe dicka tjeter qe nuk me tingellon e sakte, brenda menyres si e shof une argumentin tuaj, pa drojen se po prish muhabetin.
Shkruani :…Italia, e cila doli nga një regjim demokristian dhe megjithatë e shfrytëzon tani të kaluarën e vet demokristiane si rezervë kombëtare konsensusi” dhe hiqni nje paralelel me te kaluaren totalitare te Shqiperise. Kam pershtypjen se Mattarella eshte perzgjedhur jo aq si trashegimtar dhe mbartes i frymes demokristiane se sa per cilesite personale qe gezon dhe per faktin se nuk i perket nje fluksi politik veprues. Demokristianet u shemben nga skandalet e korrupsionit kurse Mattarella ka dale i panjollosur nga ajo trashegimni.Vlerat kristiane nuk jane ekskluzivitet i demokristianeve. Profili tij perfaqson juristin e spikatur dhe politikanin me disponim kunder mafies dhe Berluskonit.Eshte katolik si dhe Renzi Mbase,sic kam komentuar edhe me lart, nje plus ka qene afiniteti i dikurshem me PD. Demokristianet si parti politike kane drejtuar vendin per disa dekada brenda te njetit sistem politik pluralist. Paralelia do shkonte ne rastin e Shqiperise nese PS , bie llafi, do perzgjidhte per president nje personazh qe vjen nga qendra e djathte , tradicionale ose e re dhe qe misheron ne personalitetin e tij vlerat qe i atashohen te djathtes konservatore.
OK, pa problem. Por le të mos i gjykojmë këto shkrime sikur të ishin doktoratura të menduara me vite – janë gjëra që shkruhen flakë për flakë, dhe të tjera gjëra mbeten jashtë. Diskutimet mund të plotësojnë ose të përmirësojnë çfarë është thënë tashmë.
Tani, për t’u kthyer te debati – unë mendoj se për gjysmë shekulli, demokristianët shërbyen si ajo forcë politike që i “përktheu” vlerat kristiane në politikë. Tani që DC-ja nuk ekziston më, nuk shoh ndonjë forcë politike që ta ketë zëvendësuar në këtë rol; por mund ta kem gabim.
Por ajo frymë që dje shprehej në politikë nëpërmjet DC-së, sot është pjesë e shoqërisë civile ose, po të duam, e kulturës civile në politikë; çka mundësoi zgjedhjen e Mattarella-s President. Kështu m’u duk mua të paktën.
Mendoj se shembulli i Italisë, flet më shumë për nevojën e civilizimit të partive sesa për nevojën e një shoqërie të fortë civile. Kjo e fundit jo sepse nuk ka rëndësi, por në nivelin e konsensusit politik civilizimi i partive është vital.
Problemi është se partitë shqiptare nuk funksionojnë si inkubatorë të fjalës dhe mendimit shoqëror, por si inkubator të interesave klanore. Po ashtu eksperienca ka treguar se një individi apo grup që i bashkohet një partie politike në Shqipëri ka më shumë mundësi t’i reduktojë interesat e veta në ato të klanit dhe grupit, sesa t’i zgjerojë ato drejt platformave shoqërore.
Mënyra se si mund të bëhet civilizimi i partive është e diskutueshme, dhe sigurisht do kërkonte ridimensionimin e mënyrës se si shoqëria civile dhe individët me dimension publik i përqasen partive politike dhe politikës.
Ka një bindje të përgjithshme se pushteti politik të korrupton, ç’ka e bën pothuajse të pamundur një afrim të individëve me interesa të gjëra shoqërore në politikë. Në fakt korruptimi fillon atëherë kur dominojnë interesat e grupit dhe të klanit.
Përndryshe pa pushtet politik roli i shoqërisë civile nuk ka ndonjë kuptim.
Une, Xhaxhai dhe shume te brezit(5-15 vite diference) tone jemi ne nje fare menyre produkte te RAI-it (radios dhe televizorit). Kemi nje fare afiniteti ne te kuptuarit dhe interpretuarit te polikes italiane, sic mund te jene vecanerisht te momenteve historike sic eshte “compromesso storico”.
Zgjedhja e Mattarella-s nuk eshte nje kompromis historik, por eshte sic thote Xhaxhai nje tregues i një “thellësie sociale strategjike si bazë të konsensusit”.
A ka ndonje gje te perbashket midis Renzi-t dhe Mattarella-s qe u arrit ne kete zgjidhje? Te vetmen gje qe shoh te perbashket eshte se te dy shkojne ne kishe(praktikojne fene) dhe pozicionet e tyre jane rreth qendres, centriste.
Kush ka sakrifikuar me shume ne kete zgjidhje eshte Mattarella, i cili i duhet te perballoje kulisat dhe luften per influence dhe pushtet nga palet. Renzi sic duket, eshte per “fair game”: kush eshte i zoti te drejtoje shtetin dhe politiken e vendit dhe kush mund ta garantoje kete eshte nje personalitet si Mattarella, i panjollosur, dinjitoz dhe njekohesisht ruajtes dhe garantor i kushtetutes(shto edhe eksperiencen e tij si zbatues i ligjit ne legjislativ-gjygjesor). Nje shtet i drejtesise sociale mund te rrjedhe vecse prej nje shoqerie civile te zhvilluar, pra qe ka “thellesi sociale”.
Vetem duke thene keto, mjafton per te dalluar midis nje situate politike-sociale shqiptare dhe italiane. Shqiperia e dale nga totalitarizmi i mungon thellesia sociale, shoqeria civile. Eshte shume e shpjegueshme se perse korrupsioni, mafioziteti ka kapur per fyti shtetin. Asgje nuk premton per “fair game” midis paleve, edhe sikur te ishte predispozicioni; mungon figura e “ruajtesit te kushtetushmerise”(President Nishanin nuk e njoh, keshtu qe nuk i njoh edhe meritat).
Nga te dyja krahet e politikes, Italia ka qene ne gjendje te nxjerre figura me autoritetin e mjaftueshem moral per tu konsideruar “capo di stato”, kryetar shteti, burra shteti, sidomos kjo ne momente krizash. Por kjo nuk do te thote se pushteti, shteti italian nuk eshte tentuar te kontrollohet nga segmentet mafioze te shoqerise italiane. Lufta vazhdon, por te pakten edhe kesaj rralle italianet kane arritur ne nje konsensus; Mattarella-n eshte figura qe e ka konsideruar mafian, korrupsionin e krijuar nga ajo, si armikun numer nje te tij, te shoqerise civile italiane dhe vlerave te saj demokristiane qe ai perfaqeson.
Ja e kishim edhe ne Xhezair Zaganjorin, goxha burrë, goxha jurist, i ditur, i shkolluar, i përjetuar, i balancuar, me mjaft dinjitet dhe para së gjithash njeri i ndershëm. Ju kujtohet Zaganjori? Por ja që në atë konfliktin e tmerrshëm Berisha – Rama, apo Rama – Berisha do të duhej që të shkonte dëm një kandidaturë, më e mira në llojin e vet që ka pasur Shqipëria në këto 25 vjet. De cili është rezultati? Një kapter me ose pa mustaqe. Për Zaganjorin e ka fajin PS dhe Rama, siç e kanë fajin po këta, që e cunguan kushtetutën në atë formë, duke eliminuar edhe mundësinë e vetme që përmbante ajo, për t’i bërë thirrjeve palëve kundërshtare për konsensus. E kam fjalën, kur Rama dhe Berisha ranë dakord brenda natës që të abrogonin detyrimin kushtetues të zgjedhjes së presidentit me shumicë prej 2/3.
Shkrimi, me të drejtë, e ka parë politikën dhe shoqërinë italiane nga pikëpamja strategjike. Do të ishte gabim t’u ktheheshim taktikave dhe konjukturave aktuale, të cilat kanë rëndësinë e vet, por nuk na ndihmojnë ta shohim thelbin e marrëdhënieve politikë/shoqëri civile në kuptimin më të gjerë të fjalëve.
Një nga përkufizimet më të mira që kam dëgjuar për Presidentin e ri italian është cilësori: perbene. Ja disa sinonime të tij: i ndershëm, i moralshëm, korrekt, i drejtë, i edukuar, i sjellshëm, i mirë, siç duhet, me integritet, e kështu me radhë. Tani, duhet t’ia bëjmë pyetje vetes nëse në Shqipëri mund të gjejmë njerëz të tillë. Përgjigjja është pozitive, sepse ka patjetër njerëz të tillë. Mirëpo sa e gatshme është politika shqiptarë që t’ua njohë prestigjin e t’i vërë në majat e institucioneve shtetërore?
Pishak, pyetjes tënde përmbyllëse unë do t’i shtoja edhe pyetjen tjetër: po qytetarët shqiptarë, ata të ndershmit, të moralshmit, korrektët, të drejtët, të edukuarit, të sjellshmit, të mirët, ata siç duhet, ata me integritet e kështu me radhe, sa të gatshëm janë ata të përfshihen nga politika e të vihen në majë të institutcioneve shtetërore?
Pyetja duket si retorike, po unë do ta shikoja më thellë: njerëz si këta të mësipërmit kanë mbetur të tillë sepse nuk duan të “bëhen pis”, ngase politika në Shqipëri (dhe jo vetëm) të përdor, të shpërfill, të shtyp, të përqesh, të flak, të afron, të përkëdhel, të lëndon, të kreh bishtin, të shet, e sidomos të kërkon të bësh kompromise të cilat ka gjithnjë ca njerëz që nuk duan t’I bëjnë (psh të hyjnë në koalicion “qelbësirash”).
Problem pra është se duke bërë kompromiset pragmatiste për të arritur synime gjithaq pragmatiste e jetëshkurtra, kemi ndotur kaq shumë ujët ku pluskojmë, saqë ca syresh ndër ne, tërhiqen heshturazi nëpër cepat e tyre dhe pa bujë bëjnë atë që mendojnë se bëjnë më mirë.
Ndaj edhe dëmi që i vjen Shqipërisë nga mungesa e moralit dhe integritetit në politikë shkon përtej të sotmes së molepsur; aty shtohet edhe mosbesimi I thellë ndaj çdo gjëje publike e për pasojë dekurajimi dhe apatia kolektive.
Ah, se harrova të shtoj: kjo natyrisht mund të interpretohet edhe si trajtë narcisiste personaliteti e këtyre që refuzojnë të “bëhen pis” sepse e mbajnë veten për shumë të pastër…ose e thënë ndryshe: “Une me demek jam shumë i qashtër për t’i lejuar vetes që të ndotem nga shoqërimi me ty” Po a nuk është narcisizmi një forcë e madhe shtytëse edhe për ata që e synojnë pushtetin për hir të të cilit pranojnë kompromiset?
Demokracia italiane , megjithe defektet, problemet , dobesite qe i ka te pranishme sot e gjithe diten (diku lexoja se Italia mund te quhet nje “rast devijant”, nisur nga kriza aktuale me te cilen po perballet), zhvillimin dhe perfomancen e saj , e pare ne nivel macro, e ka te lidhur ngushtesisht dhe strategjikisht me shkallen e zhvillimit te shoqerise civile. Madje per raportin demokraci-shoqeri civile R.Putnam ka realizuar studimin “Making Democracy Work: Civic Traditions in Modern Italy” ku evidentohet roli kapitalit social dhe qytetarise ne funksionimin e institucioneve demokratike. Interesante jane diferencat zhvillimore ndermjet veriut dhe jugut, te paranen optiken e kapitalit social, besimit reciprok, bashkepunimit dhe kooperimit permes rrjeteve sociale si instrumenta te shoqerise civile.
Ne veriun industrial, aty ku lulezoi Rilindja, ku linden shoqerite e kreditit, bankat , bizneset Putnam zbulon rezerva te pasura te kapitalit social krahasuar me jugun e varfer ne kapital social, ku me teper dominojne lidhjet vertikale dhe rrjetet klanore.Nje nga burimet e kapitalit social, pra te zhvillimit te shoqerise civile, eshte besimi reciprok. Itali ka gjithashtu vecorine e te qenit nje shoqeri me tradita katolike te cilat kane rolin e tyre ne ngjizjen e kapitalit social. Mjaft interesant eshte nderlidhja mes zhvillimit te bankave (crediti ) ne qytetet italiane te Rilindjes me etiken e besimit tek tjetri, qa e nevojshme ne transaksionet tregetare.
Po ta shikojme demokracine shqiptare me lentet e ketij studimi, kupton se defektet e saj strukturore reflektojne mungesen e traditave civike.Nje shoqeri me tipare tribale, e ndertuar mbi bazen e fisit, klanit dhe bajrakut, u fut ne komunizem dhe doli prej tij, duke trasheguar autoritarizmin, kultin e njeshit te forte, kulturen e mosbesimit tek shteti , predominimin e lidhjeve vertikale te patronazhit dhe klienteles ne dem te lidhjeve horizontale te aktivizmit qytetar. Ne veri te italise u krijua qytetari thote Putnam kurse ne jug njerzit mbeten subjekte.