FUN OF A GUN: DHUNË & MUZIKË

Ky vit nisi kërcënueshëm: Charlie Hebdo ndezi diskutime mbi fuqinë simbolike të lapsit, pafuqinë e simbolikës përball ftohtësisë së dyfekut, dhe mbi përcaktimin e kufinjve të lapsit dhe dyfekut. Rreshtat që vijojnë marrin shkas veç indirekt nga masakra në Paris, e cila nxori në pah konflikte në mentalitetin shqiptar.

Çka indinjoi rëndshëm lexues atdhedashës të PTF-së ishte lapsi i Krypës. U përfol me mllef vizatimi Gun Quartet, i cili s’qe as i ri e as i mbajtur en cachette për momentin e gjëmës parisiane.

Ndonëse i gjetshëm prej vitesh te faqja “Krypa’s Game”, Gun Quartet mblodhi interpretime të reja rreth vetes, në kontekstin e kuartetit klerikal në Paris. Nuk është e vështirë të hamenden sentimentet e lënduara nga skica e muzikantëve shqiptarë që iu fryjnë armëve, jo sazeve. Mund të spekulohet se përdhosja e muzikës, pushkës apo burrërisë kombëtare kanë qenë gjemba për krenarinë të irritueshme lehtë.

Reagime si këto të bëjnë të meditosh se si mund t’i afrohesh një vizatimi të tillë parodik, pa rënë prehë as e irritimit as e hilaritetit visceral, pa çka se të dy përgjigjet janë reagime të pafiltruara të kuptueshme. Mënyra më e thjeshtë për ta përqasur në kuadrin e një tradite perëndimore është ajo e ripërvetësimit, term i njohur si (re)appropriation, një nga metodat e preferuara e lojëcake të (post)modernizmit. Ripërvetësimi nënkupton përsëritjen e një motivi të njohur në një kontest të ri ose në ndërthurje me elemente të reja, shpesh të papritura ose të kundërta me ato të pritshmet. Ajo çka mbars përmbajtje eksplozive është përsëritja në formën e një riprodhimi jobesnik, por të modifikuar, domethënë me karakter parodik, ku parodia nuk nënkupton detyrimisht humor apo përqeshje. Përgjithësisht, ripërvetësimet kanë histori kontroverse, sepse shpesh modifikimi i një motivi të caktuar shenjon distancim dhe emancipim nga një model prevalent.

Pa gabuar fort, mund të thuhet se ripërvetësimi paradigmatik i shekullit të XX ka qenë ai i komuniteteve gay dhe lesbike, të cilët deri përtej mes-shekullit të kaluar adresoheshin nga shumica heteroseksuale anglofone me epitetin përçmues queer. Me rrënjë të hershme në shekullin e XVI, queer ka akumuluar kuptime që nga i çuditshëm, i veçantë, i çoroditur, ekscentrik, i fikët, i dobët, e deri tek i dehur.

Queer konotonte një gjendje jo vetëm jashtë normalitetit, por një anormaliteti negativ që kulminonte në perversitet seksual. Kjo deri rreth viteve 1970, kur nis të përvetësohet nga subkultura gay, e cila në vend që ta luftojë stigmën e fjalës, identifikohet me të si me një etiketë, që e veçon këtë subkulturë nga të tjerat. Tashmë e përvetësuar pikërisht nga grupi që margjinalizon, queer humbet forcën diskriminuese dhe kthehet në bletë pa thumb.

Në New York Gay Parade në 1990, një pamflet solli në jetë këtë degëzim të ri të fjalës: “We’ve chosen to call ourselves queer. Using ‘queer’ is a way of reminding us how we are perceived by the rest of the world” (“Ne kemi vendosur te quhemi queer. E përdorim ‘queer’ për t’i kujtuar vetes se si na percepton pjesa tjetër e botës”). Pa vonuar, epiteti shfaqet në revista akademike me frekuencë kaq insistuese sa lind një fushë e re e mendimit analitik: Queer Studies.

Queer Michelangelo

Influenca e këtij modeli ripërvetësimi është e përhapur. Në imazhin e mësipërm sjell një shembull aq të dallueshëm sa edhe humoristik: Adami dhe Hyji i Michelangelo-s të metamorfozuar në një çift djemsh, zbritur nga lartësitë qiellore në rrafshtësinë spartane të një dhome gjumi djaloshare, nga prania e qënieve ëngjëllore tek kapicat me kanoçe birrash, me sy e gishta të përgjëruar që kërkojnë ata të tjetrit, kontakti primordial mes krijuesit dhe krijesës reduktuar në duart e zgjatura që lypin kanoçen e rradhës. Eksperiment kontrovers, sigurisht, me nuanca homoerotike, të cilat, po t’i kthehemi një tjetër shembulli përvetësimi queer, kuptohet që nuk janë domsdoshmërisht humoristike.

Manet & Dior

Fotografia në pyll paraqet një inskenim të pikturës së Édouard Manet (1832-1883), por në këtë rast ngacmimi heteroerotik abandonohet për t’i lënë vend atij homoerotik. Veç një femër me kostum mbart elementin mashkullor mes lëkurave të ekspozuara e të mbështjella në zi e kuq pasional, në një treshe tip ménage à trois exclusivement au féminin – çiftëzim lamtumirë!

Këto dy shembuj ku përvetësimi shfrytëzon kontekst homoerotik kanë për qëllim të ilustrojnë variacionet që mbart një përvetësim si ajo queer, por jo të sugjerojnë se çdo përvetësim ndjek një orientim të tillë. Për kontrast  mund të shohim dy imazhe, pa elemente homoerotike, ku s’mund të flitet më as për përvetësim direkt, pra të qëllimshëm, si në rastin e inskenimeve të pikturave të mësimpërme.

Bunker & Balona

Këtu fushat dhe kodrat shqiptare imagjinohen në shoqërinë e bunkerëve komunistë, të cilët të pezulluar në ajër si balona, sfidojnë jo vetëm materien prej betoni dhe tërheqjen gravitacionale, por edhe peshën ideologjike të trashëgimisë ende reale për popullin shqiptar. Shpresa pas përfytyrimit të bunkerit balon, një lëvizje e dëshiruar nga rëndesa në lehtësi, nga ngulja në tokë drejt fluturimit, i ngjan asaj të përvetësimit të fyerjes queer. Shndërrimi i bunkerit në balon funksionon si një art ekzorcizmi. Duke shpikur në një tjetër kontekst bunkerin, një damkë dhe plagë që s’mund të shlyhet as me shkulje as me injorim, shqiptari mëson të jetoj me të kaluarën, e ta ndryshojë në një formë që i rikthen epërsinë, aq sa madje t’ia marrë valles mbi bunkerat fluturues. Nuk jemi larg nga Aladini, por kush është në gjendje të thotë, në do të kishte avionë sot pa përfytyrimin e qilimit të Një Mijë e Një Netëve?

E ç’ka kjo të bëjë me Gun Quartet-in e përfolur? Reagimi violent që ndeshëm tradhëton keqndjerje, madje një llojë stigme (si queerness apo bunkeri), mbi të cilën me sa duket vizatimi vuri gishtin. Elementet që bashkohen janë armët (dhuna), muzika (aftësia dhe kënaqësia estetike), karakteri kombëtar (veshja, tiparet, fizionomia), dhe loja në grup. E papritura është se aty ku duhet të jenë instrumentat etnike kërcasin armët. Mirëpo, nëse e gjykojmë nga fytyrat e muzikantëve të përpirë në veprën e duarve të tyre, prej armëve nuk duket se kërcasin plumba, por nota muzike. Armët janë objekti pivot në diskursin e qëndresës kombëtare, ose dëshirës për liri, por edhe të dhunës. Tek kjo e fundit, mund të lokalizohet revolta ndaj Gun Quartet-it. Paragjykimet, sa edhe faktet reale, që e lidhin shqiptarin me armët, duke u nisur që nga gjakmarrja e kanunit, te Gërdeci qeveritar, e deri tek orkestrimet Lazaratiane, janë të këqija që lypin ekzorcizëm, plagë që presin kurim. Kështu i kundruar, kuarteti i muzikantëve-luftëtarë kritikon pandërgjegjshmërinë e një populli që e merr dyfekun për klarinetë dhe luan me jetën sikur të ishte vegël. Nga ana tjetër, llogjika e përvetësimit si ajo e bunkerëve të çon edhe tek një interpretim tjetër: vizatimi identifikon plagën apo damkën shoqërore të një populli, qoftë ajo arma apo dhuna në përgjithësi, dhe për ta shfuqizuar e shdërron nga një objekt kërcënues në një objekt aq të dashur sa muzika, me të cilën, po të kujtojmë luftëtarët-vallëtarë që çuditën Çajld Haroldi-in, kemi lënë gjurma në histori.

Punch & Krypa

Dhe po ta krahasojmë atë të Krypës me një skicim të ngjashëm që luan me kufinjtë ndarës mes artit dhe luftës, muzikës dhe dhunës, duke ngatërruar armët me vegla muzikore, burrat e Krypës, duket se kanë zgjedhur përvetësimin më paqësor. Ndryshe nga kolegët e tyre britanikë, të cilët i kanë kthyer instrumentat në armë, këta tanët kanë shndërruar armët në instrumenta. Skicimi më kujton batutën e një kompozitori francez, të cituar nga Jorge L. Borges në leksionet e tij, që thoshte se i mjaftonin tre orkestra ushtarake për ta përcjellë heshtjen në muzikë (44). Në karikaturën e Punch-it mjafton një për të përcjellur dhunë.

Çifti muzikë-dhunë ka histori aq të gjatë sa edhe vetë lufta, që nga trompetat e Jerikut, tek tamburxhiu i Çajld Harold-it, apo këngët e marshet nazi-fashiste e më pas komuniste, serume sonore për moralin e masave ushtarake dhe popullore. I gjatë është edhe flirti mes muzikës dhe armëve jo në fushën e betejës, por në studiot dhe jetët e rock-ut: emërtime si Guns’n Roses dhe Sex Pistols përftojnë dhe përfitojnë, ndër të tjera, nga fantazia se muzika kur përzihet me simbole të dhunës e ripërvetëson këtë, duke e transformuar në art dhe artin në luftë të paqtë, oksimoron ky i përqafuar me entuziazëm fëminor nga gjenerata flower-power kundër dhunës reale të luftës së Vietnamit.

Flower gun & Ghettoblaster

Tek hulumtoja studime të reja rreth ndërthurjes muzikë-dhunë, hasa në dokumentarin “Musik als Waffe” (Muzika si Armë) të Tristan Chytroschek, vlerësuar në 2012 me çmimin Emmy.

Pilulë e hidhur ky dokumentar për kompozitorë e aficionados të muzikës, e cila falë teknologjisë së përparuar na del me një mision të ri: nga instrument qëndrese dhe përforcimi psikologjik kolektiv kthehet në mjet torture, që synon izolimin, dobësimin dhe thyerjen e individit. Të tillë e rishpikin virtytin muzikor burgjet amerikane në Moazzam-Begg dhe Guantánamo. Sipas dëshmive okulare, deri në 12 orë, i burgosuri i mbyllur në qeli, me kokë në thes, i nënshtrohet trajtimit jo-estetik të muzikës, në decibele e formacione torturuese, çorientuese e jetërsuese, këngësh e melodish. Deri edhe të pafajshmet këngë të emisionit për fëmijë “The Sesame Street” ripërvetësohen për qëllimin e ri: torturë që ia zgjidh gjuhën individit pa lënë gjurma dhune të vërtetueshme. Efikasiteti s’ka të sharë, madje në luftën e Irakut u vu në përdorim për çorientim masiv me altoparlant high-tech, prodhime specifike ushtarake, të cilat po të besosh Vahan Simidan II, zëdhënësin e firmës HPV Technologies, një ditë të afërt do të zëvendësojnë armët e bombat – lufta e ardhshme do të jetë artileri akustike.

Violence Violin

Në këtë kontekst, Gun Quartet i Krypës kumton ripërvetësime humoristike dhe politike përtej kornizës shqiptare, sepse prek pikën nevralgjike ku vullneti politik apo ekonomik për-dhunon estetikën. Me të drejtë mund të pyesni po ti ç’mendon: a ndjek Gun Quartet-i axhendë anti-kombëtariste, duke konfirmuar dhunën që iu faturohet shqiptarëve (të cilët, sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, jo rrallë Europa i ka konceptuar si keqbërës)? A nuk kanë të drejtë të revoltuarit, ata që mendojnë se vizatimi shpërndan stereotipe të dëmshme për krenarinë kolektive?

Ndoshta tani në mbyllje të këtyre rradhëve është momenti i duhur për të sjellë përshtypjen time të parë kur e pashë dhe pëlqeva vizatimin (i kam zbuluar vizatimet e Krypës para se të njihja autorin pas pseudonimit). M’u kujtua Jinx, figura luftëdashëse e lojës Leagues of Legends, e cila pyet e përgjigjet flakë për flakë: “Çfarë kam në këllëfin e violinës? Dhunë!” E imagjinoj vizatimin e Krypës në një situatë të kundërt. Pyetjes: “Çfarë keni në armët tuaja?” katër burrat i përgjigjen: “Muzikë”. Për fat të keq, as muzika nuk i shpëton dot hijeve të imagjinatës njerëzore; është si ato dhuratat hyjnore ku edhe djalli e dha kontributin e vet. Muzika mund të kthehet në instrument dhune, por ngushëllimi im është se metodat high-tech të luftës akustike zor se kanë mbërritur te katër shqiptarët me gunë e qeleshe.

Referenca

Arias, Martin, M. Hadis. Professor Borges: A Course on English Literature. New York: New Direction Books, 2000.

“Queers Read This”: http://www.qrd.org/qrd/misc/text/queers.read.this

Musik als Waffe: https://www.youtube.com/watch?v=t7T0oH6PWLU

No Comments

  1. Mua me pelqeu shume karikatura Gun Quartet, po aq sa me pelqeu edhe parakalimi i klerikeve tane ne Paris. Duhet te filloj te shqetesohem qe i pelqej te dyja?

    1. Pyetja jote nënkupton që duhet të ketë ndonjë lidhje midis Gun Quartet dhe parakalimit. Nësë vërtet ti sheh ndonjë lidhje, them se vërtet duhet të shqetësohesh.

      1. Edhe ti duhet te shqetesohesh ujku i zi meqe nuk e ke kuptuar fare komentin tim retorik, i cili nuk kishte fare nevoje per pergjigje…. Nejse mjedis shume i semure ketu, cdo here qe hyj njerezit kapen me komentet e mia dhe harrojne temen.

        1. Flo,
          ndoshta ka te bej me faktin se nderhyrjet e tua te fundit kane qene si ta them…. egocentrike. Ironia ketu qendron se e kuptova kete vetem pasi lexova nje interviste tenden per njerez qe kur takohen me nje mik gjithe kohes flasin per veten.

          Si tek kjo teme edhe tek ajo me pare per Ministrine komentet i ke ndertuar rreth vetes. E mirepres komentin qe bazohet tek nje eksperience e perjetuar dhe e perdor anekdoden personale per te ndricuar dicka ne debat: ne mbeshtetje ose ne kundershtim. Ti terheq vemendjen tek vetja dhe si rrjedhoje behesh objekt diskutimi ti e jo tema. Dhe ne asnje menyre nuk dua te perligj komentin e Risus.Sardonicus qe te beri objekt diskutimi pa te drejte. Ta them shume miqesisht kete meqe e shoh se dhe ti e ke kuptuar se keto nderhyrje nuk po i bejne nder askujt.

          Militschi lodhet e ben gjithe ate pune analitike per te shpjeguar nje karikature ne nje nivel qe rralle here e sheh ne shqip – me beso eshte analize e perkryer – dhe qe vetem merr shkas nga konteksti ku u paraqit ajo karikature ne debatin e meparshem.

          1. Ndjese per nderhyrjen, por perse mendoni se duhet t’ju besojme apriori (“me beso eshte analize e perkryer”) kur nuk sillni asnje argument?

            Une e pata te veshtire jo vetem ta kuptoj por edhe ta lexoj parashtrimin e militschi , megjithe respektin per erudicionin dhe referencat me buri, per shkak te nje gjuhe qe tenton te imponoje argumentin nepermjet efekteve te formes, ne kontrast me analizen bindese te thelbit te ceshtjes prej debatuesit tjeter.

            Sigurisht secili do te shprehet ashtu sic i pelqen dhe mundet por terheqja e vemendjes mbi veten, sic besoni ju kur flisni per flokenajen, nuk eshte vetem eksplicite. Megjithese kjo ka te beje edhe me cilesine e debatit ne blog, nuk eshte arsyeja e nderhyrjes.

            Ceshtja eshte se pozicionime te tilla cojne ne fenomenin e “klikes” ,per te cilen ka terhequr vemendjen moderatori para pak kohesh.
            flokenaja mund te kritikohet per cfare thote , jo per cfare mendoni ju se eshte, (egocentrike, snobe, et,..) perndryshe eshte si t’i thoni te mbylle gojen.

            Persa i perket Gun Quartet , mund te behen plot interpretime ,akademike apo vulgare, por eshte me shume rendesi per te kuptuar qellimin ,situata kur sillet apo risillet per te dhene mesazhin e vet. Te ishte per mua do t’i vija dicituren : Sazet e kombetaristeve

            1. ‘Me beso’ ishte vleresim per llojin e analizes (critical visual theory) dhe aspak vleresim autoritar per te krijuar klike. ‘Me beso’ ishte nje pergjerim qe te perqendrohemi tek analiza qe na ofrohej pa e paragjykuar ate me mbingarkesa emocionale nga debate te meparshme. Nuk besoj se i kerkohet shume nje lexuesi qe t’i qaset nje shkrimi me mendje te hapur (dhe blogu nuk ka ndonje detyrim qe ta ule nivelin per te maksimalizuar numrin e atyre qe mund te kuptojne se cfare thuhet aty). Pergjigja qe me erdhi ne maje te gjuhes kur lexova komentin e Flokenajes ishte “who the fuck cares” qe te pelqyen e nuk di si t’i pajtosh keto se shkrimi eshte i nje niveli tjeter qe e tejkalon kontekstin ku Gun Quartet fillimisht u permend. Gun Quartet u soll si shembull i nje reagimi te shemtuar pikerisht ate dite kur te gjithe po deklaronim me te madhe se JE SUIS CHARLIE. Qe karikatura e Krypes ka 4 persona eshte krejt pa lidhje me ato 4 karikaturat qe parakaluan ne emer te tolerances fetare. Ju qe e keni profesion te ofendoheni vec nje dell mazohist ju risjell ketu. Pastaj ata kater fshataret ne karikaturen e Krypes fare mire mund te ishin folklor arketipal i Ballkanit: u permend gje shqiptari qe u ofenduat keshtu?

              Nuk eshte cudi qe nuk e ke kuptuar Militschin. Por nuk e di mire nuk e kuptove para apo pas nderhyrjes sime qe te paska shqetesuar aq shume sa te vish ketu e te me qortosh per klime klikash. Leximi i militschit eshte vetem nje nga leximet e mundshme te karikatures. Meqe kam qene rrotull kur keto karikatura jane hedhur ne publik per here te pare, po te them se kam nje lexim ndryshe te tyre, qe deri diku perkom me dicituren tende.

          2. Mua me duket se ajo qe lodhet ketu je ti parrulla… me pret ne pusi me pushke ne dore sapo hyj ketu…te duket sikur te kam rrembyer skenen… sikur te kam marrr lodren, pastaj lodhesh edhe duke me gjurmuar mua, njehere lodhesh te me permendesh romanin, njehere lodhesh te nxjerresh jashte kontekstit intervistat e mia qe i paske lexuar me laps ne dore… duhet te jesh femer ti parrulla… se ngjan shume e parashikueshme dhe shpesh reagimet naive mbi ruajtjen e dominances se trrritorit te nxjerrin zbuluar. E vetmja arsye qe kam hyre ketu ka qene mikpritja dhe mirekuptimi i xhaxhait te cilin e respektoj edhe pse shpesh ndaj mendim te kundert me te. Une kam sjelle shembuj nga vetja kurrsesi per te terhequr vemendje…nuk me duhet ajo… por per te shtjelluar me tej argumentin per te cilin eshte folur ne shkrim. Mbaje skenen parrulla…merr dhe ndonje pasqyre e pastaj fol me vete.

            1. Flokenaja,
              Ndoshta nuk e ke te qarte por cdo nderhyrje e jotja kohet e fundit vetem nxjerr ne pah paragjykime te shumta qe ke per te tjeret dhe sensin e viktimizimit qe ke per veten. Me vjen keq aq me teper qe po detyrohem te te jap nje pergjigje per gjera kaq banale qe nuk do te kisha parashikuar se do te te nervoznin kaq shume dhe I kerkoj ndjese Militschit. Por ja qe vetem tek ne ndodh qe te perdoret rregullisht arysetimi i femrave dominante (xheloze) si argument per ti treguar vendin njera tjetres. Nuk mundem te marr seriozisht dike qe nje sjellje te caktuar ja faturon gjinise femrore.
              Si administratore e blogut ndihem territoriale qe cke me te kur thua se ka nje “klime te semure” pa e peshuar mire fjalen. Nuk duhet te habitesh fort kur te them se fryma e semure vjen nga komentuesit: ne rastin e fundit erdhi nga nje pergjigje (e perseris e ndyre dhe aspak me vend) e Sardonicus i cili vetem vrer sjell sa here shkel ketu. Do mund te ta kisha kursyer ate pergjigje duke e fshire ate menjehere por meqe asnje nga autoret nuk pretendon se duhet te duartrokitet sa here qe hap gojen e njejta vlen edhe per komentuesit. Pra ne momentin qe ndave dicka personale besoj se e kishe te qarte qe dikush do te te pergjigjej tete a tete! Ndryshe nga ai, ti gezon nje simpati, te pakten nga une, dhe nderhyrjet e mia, ndyshe nga ci ke perceptuar, kane qene per te te treguar se po ngutesh!
              Ke mbi 65 komente nder vite ne kete blog. U hodha nje sy se fillova te dyshoj se mos realisht te kam rene ne qafe. E vetmja here qe kemi patur shkembime ka qene ne temen e Kabase ku fillimisht te vura ne dukje se NUK e kishe lexuar drejt shkrimin e XhaXhait: pervec XhaXhait te jane pergjigjur dhe shume te tjere me pak a shume te njejten verejtje- jo te gjitha femra. Po ne kete teme, nderhyra te te vija ne dukje nje paragjykim te rende qe kishe per cilesine e komenteve dhe kjo vetem ngaqe e kishe shprehur kete si replike ndaj nje komenti tim. Dhe atehere, si ne kete rast te fundit vjen me nje mbingarkese paragjykimesh per cilesine e komenteve qe jo vetem i imagjinon si denigruese por te drejtuara vetem ty. Uroj gjithsesi qe ky shpjegim te te bej te qarte se nuk kam asgje me ty personalisht por vetem me cilesine e nderhyrjeve ne kete blog. Dhe me kete rast dua te sqaroj dicka, se jo cdo koment i imi ketu eshte ne kuadrin e moderimit dhe ne rastet kur nderhyj si e tille pyes veten nese kete verejtje do ta kisha bere edhe ne rolin e cdo komentuesi tjeter.

              flokënaja: Ju kerkoj ndjese komentuesve te tjere qe mund te mos kene lene gje pa thene ne adrese time
              Parrulla: Sa keq me vjen qe paragjykimi te ndalon te lexosh komente vertete me vlere dhe qe, me vjen keq te ta them, nuk merren fare me ty! Jo ashtu sic pandeh ti. Nuk ke faj ti sepse realisht keshtu ndodh ne cdo cep (hale) te internetit.

        2. Flokënaja,
          Nuk hedh dot në një ambient publik një tymnajë dhe më pas të thuash se ambienti është i ndotur. Në shkrim nuk përmendet parakalimi, ndaj edhe keqkuptimi!

          Pasi u qetësova, them se arrita të kuptoj se ju i referoheni një komenti të dikujt tjetër në një shkrim të mëparshem që bëri lidhjen midis parakalimit dhe Gun Quartet, me emocione të kundërta ndaj tuajave. Kjo ndoshta shpjegon ironinë dhe pyetjen retorike. Nëse është kështu ju kërkoj të falur!

  2. Karikatura sic jemi mesuar ta quajme, nuk duhet te lere vend per keqinterpretime dhe keqkuptime. Jam familjar me Krypen dhe karikaturen qe titullohet Gun Quartet. Me sa kuptoj (edhe nga shkrimi i milischi-it), rikonstektualizimi eshte celsi per te interpretuar dhe idene e punimit te Krypes.

    Cdo njeri, mendoj une, mund edhe ta keqinterpretoje lehtesisht domethenien e Gun Quartet. Duke patur parasysh idene e shkrimit mbi (re)appropriation ne nje kontekst te ri, eshte me e lehte, per dike, duke perfshire edhe veten, qe te kuptoje ta zeme nje (re)appropriation te Pikasos :), se temen e Gun Quartet qe shtjellon milischi ne shkrimin siper.

    Une po mjaftohem me nje shembull nga Pikaso, ku ai ka marre(appropriated) timonin dhe shalen e bicikletes, i ka salduar se bashku duke na ka rikontekstualizuar funksionin e tyre te meparshem ne nje veper arti tredimensionale, – nje dem me brire(…), – e priteshme per nje aficionado si Pikaso pas torreadoreve dhe demave.

    Shiko linkun: http://sfcitizen.com/blog/wp-content/uploads/2010/10/pbh-copy.jpg

    U bera kurioz per cartoon-in e Punch Magazine dhe gjeta origjinalin(qe me sa kuptohet eshte nje ilustrim komik i nje citimi te marre nga Daily Paper). Titulli i cartoon-it eshte “Facing the Music” dhe me nje sqarim poshte:It is proposed, to the view of economy, that military bandsmen should become combatant.

    Shiko linkun: https://archive.org/stream/punchvol130a131lemouoft#page/n429/mode/2up

    Tani imagjino diciturat e dy karikaturave perbri njera-tjetres: Facing the Music versus Gun Quartet.

    A arrihet nga cfare percillet nga te dy karikaturat te interpretohet drejt ideja: “që luan me kufinjtë ndarës mes artit dhe luftës, muzikës dhe dhunës, duke ngatërruar armët me vegla muzikore, burrat e Krypës, duket se kanë zgjedhur përvetësimin më paqësor. Ndryshe nga kolegët e tyre britanikë, të cilët i kanë kthyer instrumentat në armë, këta tanët kanë shndërruar armët në instrumenta.” ?

    Nje britanik, te paren – Facing the Music – si zor se do te mund ta interpretonte, ta merrte si milischi; po te ishte shqiptar, – Gun Quartet – si zor se qe do t’i shkonte ndermend ta lidhte transformimin e armeve (si ne karikature) ne rolin paqesor, qyteterues, zbutes te shpirtrave, qe e ben vecse muzika.

    Duke (re)appropriated dhe rikontekstualizuar fjalet e vete militchi-it, ne zoterim te nje gershere, ngjitese dhe letre(apo thjesht duke ri-edituar tekstin e shkrimit) mund edhe te dilej ne nje rezultat tjeter.

    Pyetjes: “Çfarë keni në armët tuaja?” katër burrat i përgjigjen: “Muzikë”. Por kujdes te lutet, duhet qe me pare, armet fizikisht t’i modifikojne ne instrumente te mirefillte muzikore, qe muzika e tyre te mos kthehet ne instrument dhune.

    Per te ilustruar idene e paragrafit siper shiko linkun:

    http://www.designboom.com/weblog/images/images_2/andrea/istanbul_design_biennial/imagine11.jpg

    http://www.toxel.com/wp-content/uploads/2009/03/gungadgets16.jpg

    Kjo do te ndihmonte te pergjigjej sic duhej pyetjes te shkrimit: A nuk kanë të drejtë të revoltuarit, ata që mendojnë se vizatimi shpërndan stereotipe të dëmshme për krenarinë kolektive?

  3. Read Me,

    Në një pikë na puqen mendimet, në një na ndahen. Kur thua se Gun Quartet mund të keqkuptohet, jam dakort. Mund të keqkuptohet si çdo vepër që s’ta jep mesazhin llokum. Na ndryshon mendimi përsa i përket karikaturës, e cila lëvron zhanrin e satirës. Ato më të arriturat nuk kanë një kuptim, them se zor se ka me një kuptim. Po të jap një shembull të James Gillray në 1804 bazuar mbi Gulliver-in e Swift-it. Janë manifolde interpretimet e tij (sidomos, kur shkëputen nga diçitura e Gillray dhe ripërvetësohen jashtë kontekstit të luftave napoleonike, gjenerojnë interpretime të reja).
    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/02/gillray_gulliver-adn-brobdingnag.jpg

    Arti vizual është nga ata që luan më sistematikisht me ambiguitetin, të tillë e kuptoj unë Gun Quartetin, dhe e ftoj lexuesin t’i afrohet jo me përgjigje finale. A luan me stereotipe? Po luan. Por mund të lexohet fare mirë si kritikë ndaj papërgjegjshmërisë së dhunës, por edhe si një lloj eksorcizmi të stereotipit, por edhe si kontribut në mpleksjet e muzikës dhe dhunës — problem tepër aktual sot siç argumentoj në shkrim — ose në një kontekst izolimi politik si ai komunist, mund të demaskoj delirin kombëtar ndërtuar mbi fuqinë e armëve, në një kontekst tjetër mund të sugjerojë imagjinatën ontologjike të një populli që do të bëj muzikë edhe kur i jepen armë në dorë, etj. etj.

    Ajo që them në fund si përshtypje, se në armët e Krypës ka muzikë, është reagimi im fillestar, i nxitur nga një shprehje e qarkulluar në pop-culture, të cilën Krypa e kthen me kokë poshtë. Dhe për një reagim të tillë, nuk janë të nevojshëm hibridët armë-instrument, si këta që poston ti. Madje kam përshtypjen, se shumë trima do indinjoheshin edhe më keq me feminizimin e dyfekut. Në fakt, mua prandaj më pëlqejnë dhe më vjen mbarë që i solle.

  4. Kur shikon Gun Quartet, gjeja e pare qe te vjen ne mendje eshte raporti tradicional i shqiptarit me armet dhe luften. Jeta e shqiptarit, si rrjedhe historike eshte kombinim i periudhave te luftes dhe pauzave te paqes. Ndersa ne lufte shqiptari nisej me ate lehtesi e entusiazem teatral sikur ajo te ishte aheng, ne pauzat e paqes, ne ahengje (dasma e sebepe te tjera) atmosfera e hareshme dominohet prej notave te perzishme qe mbartin kenget e luftes.Epika heroike shqiptare, e tejmbushur me kreshnike, heronj, trima te cartur, barut, plage, plumba, pikellim, eshte deshmi e ketij konstitucioni shpirteror. Armet per shqiptarin mbartin simboliken e luftes per liri, qendrese, trimeri dhe kete realitet i cili ne retoriken politike dhe epiken heroike shpesh merr permasa butaforike, Gun Quartet e satirizon, e ridikulizon. Ne kete kendveshtrim, nje nga leximet e karikatures do te ishte ajo qe Militschi thote me lart: në një kontekst izolimi politik si ai komunist, (Gun Quartet) mund të demaskoj delirin kombëtar ndërtuar mbi fuqinë e armëve “.
    Nje lexim tjeter do te ishte satirizimi marrezise/papergjegjshmerise se perdorimit te armeve nga shqiptaret (viti 97 psh) si lodra ahengu. Shqiptaret jane te miqesuar me zhurmen e armeve, me “muziken” e plumbave dhe “kengen” e kallashit dhe kete e deshmon perdorimi i tyre rendom ne dasma, ahengje, ne kremtimin e fitoreve elektorale ose festen e nderrimit te viteve. Nga kjo pikpamje, karikatura satirizon kete realitet dhe ridikulozon raportin e stereotipizuar te shqiptarit me armen.
    Nese leximin e Gun Quartet do ta vendosnim ne kontekstet e reja te periudhes postkomuniste, kur narrativa kombetariste e carjes se historise me shpate/arme ne dore eshte bere objekt cmitizimi, kur siguria dhe ceshtja kombetare (per cfare tjeter duhen armet? ) garantohen permes NATO-s dhe ideologjise se integrimit europian, karikatura ridikulizon folk patriotizmin i cili ushqehet e rigjallerohet prej retorikave atavike nacionaliste.Situata eshte perqeshese dhe percjell frustim sepse instrumentat e muzikanteve popullore te kuartetit jane mirefilli arme dhe afermendsh qe prej tyre nuk pritet te prodhojne muzike.Ndryshe do te ishte situata nese armet do te vizatoheshin te stilizuara/modifikuara ne instrumenta muzikore ( ilustrimet e sjella nga Read Me). Karikatura satirizon situaten e frustimit te krahut nacionalist, i cili ne situatat e reja kerkon te imponohet me avaze te vjetra , duke u rene burive te luftes. Kjo eshte meno-pauza e nje tradite, ku lufta nuk eshte opsion dhe ku epika heroike eshte nje stonature me mjedisin e ri te tallavase dhe turbofolkut. Nje kuartet me veshje tradicionale, i cili armet i perdor te pamodifikuara si instrument muzikor , tregon vetem kapsllek mental dhe behet kesisoj nje stonature qesharake.
    Raportet e muzikes me dhunen, te muzikes te perdorur si instrument dhune ne luftrat moderne e shikoj larg domethenieve qe mbart Gun Quartet.

  5. “Situata eshte perqeshese dhe percjell frustim sepse instrumentat e muzikanteve popullore te kuartetit jane mirefilli arme dhe afermendsh qe prej tyre nuk pritet te prodhojne muzike.Ndryshe do te ishte situata nese armet do te vizatoheshin te stilizuara/modifikuara ne instrumenta muzikore ( ilustrimet e sjella nga Read Me).”–Shpend Bytyçi

    Diçka që përcjell frustrim nuk është doemos përqeshëse, njëra nuk nënkupton tjetrën. Të gjesh qimen tek mosqënia armë e modifikuar, do të thotë të injorosh një nga figurat më të rëndësishme retorike pathetic fallacy, e cila e vesh mjedisin me emocionet, perceptimin, dëshirat, përfytyrimin e egos. Është njësoj si të gjesh qimen tek “Korbi” i Poe, e të hedhësh poshtë gjithë narrativën sepse Korbi nuk ka se si të flasë, lëre më të flas në rimë “nevermore” për “Lenore”. Nuk di në ju ka bërë vaki, por mua kur më vinin të mblidhja me fshesë gjethet e oborrit, në intermezzo, e merrja fshesën e mbaja si kitarë, ia fusja dhe një “Nothing else Matters” dhe isha në dikurtëquajturin botë të dollarit. Sigurisht nuk prisja nga fshesa të më shoqëronte me tinguj. Përfytyrimi ishte i paçmueshëm and nothing else mattered.

    1. Kam pershtypjen se perqasja e rastit qe po diskutojme (modifikimi armeve si instrumenta muzikore ) me pathetic fallacy ne letersi nuk qendron.Nqs pathetic fallacy konsiston ne veshjen me atribute humane te kafsheve apo dukurive natyrore , ne rastin tone armet , edhe nese do modifikoheshin si instrumenta muzikore, nuk fitojne ndonje cilesi njerzore. Kur perdorim fshesen si kitare, ne imitojme pa qene aq te marrre sa te preesim tinguj ngaa fshesa.Ndryshe do te cvendoseshim ne e mbreterine e Mbretit Gafur (skec).Parodia i referohet nje objekti, nje situate te caktuar te cilin e imiton me nota humori (Mona Liza me mustaqe) , e perqesh , e tall ne funksion te argetimit.Kurse satira mund te ndertohet edhe pa ju referuar nje pune origjinale .Kesisoj , Gun Quartet satirizon me sakte, se sa perqesh, nje mendesi , nje situate sikurse eshte retorika nacionaliste, sazet e folknacionalizmit ne eren e integrimit europian.Por edhe frustimit nacionalist per “Shqiperine e Madhe”.Edhe frustacionet mund te satirizohen, pse jo.

  6. Pathetic fallacy nuk është identike me personifikimin, dmth personifikimi nuk është gjithnjë i nevojshëm. Termi ka ardhur nga John Ruskin, shkrimtar victorian, që thotë se termi i referohet “the extraordinary, or false appearances, when we are under the influence of emotion, or contemplative fancy; false appearances, I say, as being entirely unconnected with any real power or character in the object, and only imputed to it by us.” Citoj nga M. H. Abram, A Glossary of Literary Terms (1981: 129). “Contemplative fancy” është fjala operative (fancy në shek. 18 e 19 ka qënë sinonimia disi derogative e “imagination”, por kjo është temë tjetër). Në rastin e fshesës, nuk ka ndryshim të madh në fshesa merr vendin e kitarës së imagjinuar apo të dashurës sime. Në të dyja rastet forca krijuese është “contemplative fancy”, ajo që krijon pathetic fallacy, pa çka se vetëm fshesa-e dashura është personifikim. Edhe në vargun “dy pika shiu ranë mbi qelq dhe unë për ty seç ndjeva mall” ka pathetic fallacy, po ashtu në furtunat aq amplifikuese të Shekspirit (Mbreti Lir, Otello).

    Për parodinë, nuk jam dakort se “parodia i referohet nje objekti, nje situate te caktuar te cilin e imiton me nota humori (Mona Liza me mustaqe) , e perqesh , e tall ne funksion te argetimit.” Linda Hutcheon në A Theory of Parody (1985) ngul këmbë se nuk është e domosdoshme, sidomos në (post)modernizëm. Kuptimi tradicional i parodisë, ajo e përqeshjes, shpesh ngecet në rrugë qorre dhe interpretime të mbyllura. Alternativë shumë interesante, të cilën e kisha inkluduar në shkrim po e hoqa nga frika se s’i mbante faqja tekst e imazhe) është ajo e Pierre Bourdieu në The Field of Cultural Production: ato që “‘get beyond’ [dépassent] the dominant thought and expression not by explicitly denouncing it but by repeating and reproducing it in a sociologically non-congruent context, which has the effect of rendering it incongruous or even absurd, simply by making it perceptible as the arbitrary convention of it. This form of favourite break is particularly favoured by ex-believers, who use pastiche or parody as the indispensable means of objectifying, and thereby appropriating, the form of thought and expression by which they were formerly possessed.”

  7. Shpend Bytyçi: Situata eshte perqeshese dhe percjell frustim sepse instrumentat e muzikanteve popullore te kuartetit jane mirefilli arme dhe afermendsh qe prej tyre nuk pritet te prodhojne muzike.

    Do ta lexoja mesazhin e Gun Quartet jo si pamundësi e instrumentave për të prodhuar muzikë por si pamundësi e njerëzve për të zgjedhur mënyrat / çelësat drejt diçkaje. Simbolikisht më duket shumë si situata kur dikush bën diçka shkel e shko për t’i hedhur hi syve dikujt…psh le të hiqemi si artistë kur në të vërtetë jemi po aq të pagdhendur sa ç’kemi qenë ditën e krijimit…Ripaketimi i ideve apo mënyrave në ambalazh të modernizuar (armët që paraqiten si instrumenta muzikore) nuk i bën ato ide apo mënyra më moderne.

    Ndaj edhe Gun Quartet-in tentoj ta shoh jo si pamundësi të instrumentave por si pafuqi, pamundësi, shterpësi mendore, shkujdesje prej dembeli, apo dinakëri manipulative të atyre që duhet t’i përdorin këto instrumenta.

    1. sophieshqip: Do ta lexoja mesazhin e Gun Quartet jo si pamundësi e instrumentave për të prodhuar muzikë por si pamundësi e njerëzve për të zgjedhur mënyrat / çelësat drejt diçkaje. Ndaj edhe Gun Quartet-in tentoj ta shoh jo si pamundësi të instrumentave por si pafuqi, pamundësi, shterpësi mendore, shkujdesje prej dembeli, apo dinakëri manipulative të atyre që duhet t’i përdorin këto instrumenta.”
      E drejte, ky eshte nje lexim me i plote i asaj cfare kam nisur te them. Satira ngrihet mbi situaten paradoksale te perdorimit te armeve si instrumenta muzikore . Simbolikisht shprehet mosperputhja e qellimeve (supozuar te mira) me mjetet e zgjedhura.Eshte interesant leximi i tablos si “dinakeri manipulatve” E lexuar keshtu, duket sikur nga casti ne cast, instrumentat do te rikthehen ne poziicon luftarak, sapo kater “aktoret muzikante” do te pikasin armikun imagjinar tek shikuesi perballe tablos. Ideja e manipulimit na con tek kundrimi gjuhes se tablos si shenja te nje diskursi demagogjik .

  8. Fatma,

    Nëse s’e kuptove shkrimin mund të më pyesje. E konsideroj detyrë në momentin që dal këtu të bëj maksimumin për të kultivuar diskutimin me komentuesit. Ndërsjelltazi, kur jam në anën tjetër të linjës, pra vetë komentues, pyes shpesh, sepse më ndodh që nuk i kuptoj kthesat e argumentit, madje druaj se edhe mund t’i keqkuptoj a paragjykoj autorët. Pyetja është pjesë e çdo tubimi akademik apo jo akademik. Por në një format si bloget e forumet, ku çdo gjë varet nga shenjat zi në të bardhë, ku s’kemi as mimikë as gjestikulim të na ndihmoj për çkodimin e fjalës, pyetja është më shumë se kurrë çelësi që hap kanale komunikimi e eviton fërkime të kota si pyetjet retorike të Floknajës, që kërkon nga unë si autor të hedh fall për të kuptuar qëllimin e saj, dmth që ajo nuk do përgjigje. Por unë do i isha përgjigjur, nëse s’e kishte bërë Ujku i Zi, sepse siç thashë është pjesë e impenjimit tim si autor. O e bëj tamam, o lë.

    Sa për diçiturën, edhe unë e kisha një, atë me të cilën e mbyll shkrimin, por tani pasi u ula t’i mendoja gjërat më thellë e pas komenteve në blog kam nja pesë a gjashtë diçitura, njëra më stimuluese se tjetra. Kjo është vlera e shkëmbimit, i cili arrihet vetëm po ta lëshosh diçiturën totalizuese e t’i hapësh portat për zbulime të reja. Në fakt, kjo për mua është edhe kënaqësia e pjesëmarrjes në këtë blog.

  9. Mendoj se duke njohur Krypen, kontributin, temat me karikaturen e tij prej shume vitesh Shpend Bytyçi, i perqaset me afer domethenies te Gun Quartet-it, e shtrezezuar ne disa lexime.

    Dicitura ndoshta do te ishte sqaruar me shume ne se do te shtohej ky shenim: Karikatura satirizon situaten e frustimit duke u rene burive te luftes. Versioni i dicitures se Fatmas, po ashtu transmeton kete situate.

    Nje vezhgim tjeter i Gun Quartet, eshte rreth vete natyres se armeve, qe per shkak te tytave, mund te tjetersohen ne imagjinate, vecse si instrumenta frymore, trombone.

    Pra Gun Quartet nese do te behej metamorfoza e pershkrimit te dicitures “duke u rene burive te luftes” eshte nje Trombone Quartet(si Trombones(calls for) of War).

    Por Krypa e ka vendosur fatin e titullit te decitures dhjete vjet me pare. Te tjerat me pas jane vecse persiatjet e shijuesve apo soditesve te karikatures, nderkohe qe shpjegimin(shpjegimet) artisti/autori e/i ben me heshtjen e tij.