Dy ishin lajmet kryesore që kapën vëmendjen e mediave të Tiranës gjatë fundjavës: nga njëra anë hapja për publikun e oborrit të “Shtëpisë së Gjetheve” – një ndërtesë në Tiranë që ka shërbyer si zyra qendrore e përgjimeve për Sigurimin e Shtetit gjatë periudhës komuniste dhe që, në një të ardhme të afërt, do të funksionojë si “Muzeu i Përgjimeve”; nga ana tjetër ndërhyrjet e forcave të rendit në laboratorin e kokainës në Xibrakë, arrestimet e bujshme dhe, dulcis in fundo, bisedat e përgjuara midis të dyshuarve të arrestuar.
Nuk di kujt tjetër nuk i shpëtoi lidhja, sado ironike, midis këtyre dy eventeve. Nëse shtëpia e përgjimeve, në qendër të Tiranës, i serviret tani publikut si një skelet tiranosauri prej Jurasikut totalitar, tashmë i zhgroposur dhe i restauruar me shije në një bahçe urbane për t’u kundruar nga rruga, ngjarjet në Xibrakë, të propaganduara njëlloj me bujë si sukses i forcave të rendit, u mbështetën edhe ato në përgjimet përkatëse; të cilat u mbajtën aq të fshehta, sa u siguruan deri edhe nga gazeta “Panorama.”
Përgjime andej, përgjime këndej. Për kë beson, se jam duke i relativizuar punët dhe po homologoj dy regjime tërësisht të ndryshme për nga mënyra si i qaseshin kontrollit të krimit, kam vetëm këtë përgjigje: relativizimin nuk e solla unë, por e gjeta te vetë teknika; sepse përgjimi është mjet dhe teknologji, që mund të përdoret për qëllime nga më të ndryshmet. Ndryshe nga tortura, e cila sot ndalohet me ligj dhe është tipar që e dallon cilësisht hetuesinë e regjimit të djeshëm me hetuesinë e të sotmit, përgjimi është mënyrë e ligjëruar që përdor shteti, nëpërmjet agjencive të veta të specializuara, për t’u mbrojtur ndaj rreziqeve dhe për të marrë informacion.
Tashmë nuk ka mbetur njeri pa marrë vesh shkallën planetare në të cilën agjencitë perëndimore të spiunazhit, duke filluar nga amerikania NSA, përgjojnë shkëmbimet private dhe konfidenciale të qytetarëve, institucioneve dhe deri edhe qeverive dhe institucioneve sovrane anembanë botës. Sa herë që e ngre telefonin, edhe unë jam i sigurt se biseda që do të bëj do të regjistrohet diku. Sa herë që dërgoj një e-mail, jam i vetëdijshëm që një softuer diku do ta skanojë tekstin tim për fjalëkyçe. Çështja nuk është, në fakt, te përgjimi si i tillë, i cili sot mund të kryhet fare lehtë pa ndërmjetësimin e njeriut; por te përdorimi që u bëhet materialeve të përgjuara.
Regjimi totalitar përgjonte për shumë arsye – për të mbledhur informacion rreth elementit “armik”; për të mbledhur informacion rreth elementit të shënjestruar për eliminim, pavarësisht nga arsyeja; për të kuptuar se çfarë mendonte “populli”; dhe për të dëgjuar se çfarë thonin të huajt në Shqipëri, përfshi këtu edhe ambasadat dhe gjithfarë agjentësh të huaj dhe spiunësh që ia arrinin të merrnin vizën. Kjo veprimtari, e cila kushedi bashkërendohej dhe ekzekutohej teknikisht edhe te “shtëpia e gjethit”, kish për synim mbrojtjen e pushtetit të Hoxhës; dhe një nga mënyrat si e realizonte këtë mbrojtje regjimi, ishte duke terrorizuar popullsinë. Kjo do të thotë se, kur ishte puna për të mbajtur qytetarët të nënshtruar, ideja që “një në çdo tre vetë është spiun i Sigurimit” i shërbente pushtetit më shumë e më mirë sesa Sigurimi vetë.
Regjimi i sotëm në Shqipëri i identifikon rreziqet me mënyra të tjera dhe mënyra të tjera përdor edhe për t’u mbrojtur; por kjo nuk e zhvlerëson gjë përgjimin, si mënyrë themelore për mbledhjen e informacionit; as e bën gjë më (pak) imoral se ç’ishte dje. Nuk kam dyshim se shërbimet e fshehta, në Tiranë, kanë në dispozicion mjete dhe teknologji përgjimi shumë më të sofistikuara se ish-kolegët e tyre të “gjethit”, gjatë periudhës komuniste; dhe se nuk ka ndonjë garanci implicite, që shërbimet e fshehta në bashkëpunim me padronët e tyre politikë dhe palë të tjera të interesuara nuk do t’i përdorin këto përgjime për të kryer shantazhe gjithfarësh ndaj jo vetëm “armikut të identifikuar”, por edhe kundërshtarëve dhe rivalëve politikë, sikurse ka ndodhur më se një herë në vende me traditë demokratike më të pasur e të vjetër se Shqipëria.
Teksa një nga sallat e muzeut të ri do t’u kushtohet mikrofonëve të fshehur dhe mikrofonëve “të gjallë” (informatorëve), nuk do të harrojmë se ishin pikërisht mikrofonët – në forma teknologjikisht më të sofistikuara – që lejuan zbulimin e laboratorit të drogës dhe që kushedi nesër do të ndihmojnë për të dënuar trafikantët. Në fakt, teknologjia e sotme mundëson një shkallë përgjimi të pakrahasueshme për nga shtrirja, me aparaturat e vëllimshme dhe të ngathëta, që ishin të detyruar të përdornin sigurimsat e djeshëm.
Deri edhe vetë roli i informatorëve vjen e bëhet i tepërt, në rrethanat kur mund të përgjohet drejtpërdrejt celulari i një të dyshuari. Pa folur pastaj se një dhomë plot bobina shiritësh magnetikë që rrotullohen duket mjaft më kërcënuese, në sytë e të paditurve, se disku i ngurtë i një kompjuteri, që mund të nxërë, të dokumentuara, të gjitha krimet politike të komunizmit, që prej Revolucionit të Tetorit e këtej.
Madje as paradigma e ksenofobisë së regjimit totalitar dhe vëmendjes së tepruar ndaj “të huajve” nuk e përligj dot veten; sa kohë që edhe sot përgjimi i të huajve që vijnë në Shqipëri dhe që merren me Shqipërinë mbetet – besoj – objektiv parësor i shërbimeve informative të shtetit; që nga terroristët fundamentalistë islamikë dhe mbështetësit e tyre financiarë, rekrutuesit e tyre shëtitës dhe deri te përgjimi i shtetasve kolombianë Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, në kuadrin e operacionit anti-drogë të Divjakës.
Çfarë duhej t’i dallonte përgjimet e djeshme nga këto të sotmet, por që nuk është e qartë nëse funksionon si duhet apo jo, është pikërisht mbikëqyrja e këtij procesi nga ana e legjislativit dhe gjyqësorit. Tek e fundit, shteti totalitar nuk e mbante për sekret të madh mos-respektimin e ndarjes së pushteteve; por ky i sotmi ka përgjegjshmëri totale, para qytetarëve, që të sigurojë ligjshmërinë jo vetëm të përgjimeve të kryera me mjetet dhe nëpërmjet agjencive të tij; por edhe të përgjimeve të kryera prej palëve të treta, përfshi këtu edhe aleatët dhe tutorët ndërkombëtarë. Kështu edhe do të zotërohej e plotë e drejta morale për të denoncuar dhe dënuar, me forcë dhe pa kompromis, përgjimet e periudhës Jurasike.
Përndryshe, le të mos e mbivlerësojmë rolin dhe funksionin e përgjimit, në regjimin e shkuar komunist; sepse informacioni i mbledhur, sado inkriminues, do të hynte në punë për t’u përdorur kundër dikujt zakonisht në momentin kur vendosej, për arsye të tjera, që personi në fjalë të përndiqej nga organet e rendit. Tek e fundit, institucionet që merreshin me zbatimin e ligjit, burgosjet dhe internimet, nuk kishin nevojë jetike që akuzat kundër viktimave të provoheshin deri në fund, nëpërmjet informacionit të mbledhur nga përgjimet. Në pjesën më të madhe të rastit, ky informacion ka luajtur veç rol dytësor – ose si kozmetikë për vendime me karakter politik, të marra tjetërkund.
pas teatrit me pergjimet per shantazhe politike qe iu aluduan Berishes, me nje komision parlamentar hetimor qe duhet te ruante sekretin shteteror dhe e nxorri i pari ne nje emison televiziv te posacem per te diskretituar dilentatizmin e qeverise dhe protagonizmin e disave, vjen perpara jush shtepia me gjethe.
Mire qe e kane me gjethe, nje atribut qe mbulon estetikisht idiotizmin per te sulmuar sherbimet sekrete, qe edhe pse 20 vjet nen hyqem te CIA-s nuk kane mundur ende te fitojne profesionalizmin, paranojen e instrumentalizmin e viteve te KGB-se. Mjafton te permendet se jane vrare nepunes te SHIK, jane marre peng femijet e tyre, kane dale urdheresa sekrete ne publik (jo nga whistleblower te llojit Snowden apo znj. Manning ne Wikileaks, por me motive te qarta politike).
keshtu qe te shpresojme qe ajo shtepi gjethet ti mbaje ngrehur per te perceptuar cdo sinjal e mbuluar te tjera, por do Zoti nuk i bien veshet, kur ja shkulin idiotet e parlamentit apo ja hane krymbat e sherbimeve te tjera qe jane ulur kembkryq ne shtepine tone me gjethe.