KUR TË VIJË SAHATI

sahat elektrikËshtë e habitshme se si i njëjti lajm lexohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Si u prit vendimi i qeverisë shqiptare për instalimin e 1.1 milion matësve inteligjentë për energjinë elektrike? Duke brohoritur njëzëri? Aspak.

Ai ka gjithnjë të drejtë. Ata që janë me qeverinë e konsideruan këtë hap si vendimtar për zgjidhjen e çështjes energjetike. Në konferencën “Rimëkëmbja energjitike” u tha se nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës. Mbështetësit e qeverisë janë të bindur se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Matësit do të masin, njerëzit do të paguajnë, prodhuesit do të prodhojnë, konsumatorët do të konsumojnë. Edhe çiftet nuk do të ndahen më për shkak të faturës së dritave, por mund të bëjnë dashuri në dritën romantike të qiriut.

Rrushi rrushin. Analistët me prirje psiko-sociologjike shikojnë tek operacioni i matësve simulimin shoqëror. Për ta vala e arrestimeve në shumë rrethe të vendit, për borxhlinjtë e energjisë, i ka mbushur sportelet plot me qytetarë në radhë për të paguar. Edhe ata që nuk janë në radhë duan të futen në radhë, pak nga frika e pak nga nostalgjia se u kujtohet radha në komunizëm për qumësht në të gdhirë: vërtet nuk kishe për të ngrënë por muhabet bëje rehat ama nën poçin zverdhak të dyqanit. Pra ekonomia funksionon si rrushi, që shikon tjetrin dhe piqet, ose mbetet aguridh. Por rëndësi ka modeli.

Çfarë fshihet pas sahateve? Shpallja e vendimit për vendosjen e sahateve inteligjentë shkaktoi një valë teorish konspirative. Dikush tha se sahatet quheshin inteligjente jo sepse masnin mirë, por sepse ishin me shumë funksione: punojnë si magnetofona, si telekamera dhe si transmetues njëkohësisht. Qëllimi, sipas dyshuesve, është që qeveria të kontrollojë lëvizjet dhe mendimin e qytetarëve, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje. Më fantaziozët thanë se edhe Kulla e Sahatit do të shndërrohet në matës gjigant për energjinë që konsumon kryeqyteti, por do të monitorojë gjithashtu edhe lëvizjet në Tiranë. U përfol se matës modernë elektrikë “super-inteligjentë” do të vendosen edhe në kutitë e votimit.

Fjalë për fjalë. Nuk munguan natyrisht edhe analistët e tekstit, të cilët ia bëjnë radiografinë çdo deklarate apo batute që u del nga goja njerëzve publikë. Togfjalëshi “matës inteligjentë” nuk u pëlqeu shumë. Në qoftë se ka matës inteligjentë, thanë, ka edhe matës budallenj. Atëherë ku janë budallenjtë që i kanë vënë këta matës? As fjalët e Kryeministrit se “Ne do të fusim teknologjinë më të avancuar që të mos humbë asnjë pikë drite” sikur nuk patën sukses. A thuhet “pikë drite”? Pse drita me pika matet, si në basketboll koshat? Apo duhet të përdorim si njësi matëse metrat e kilogramët? Nga ana tjetër, revizionistët e gjuhës, antipuristët e të gjitha ngjyrave, u shprehën në favor të rehabilitimit të termit “sahat” edhe pse ka prejardhje turke.

Dhëmbë për dhëmbë. Operacionet e aksionet që ka ndërmarrë qeveria për pagesat e energjisë elektrike, është perceptuar si sfidë nga disa qytetarë, të cilët formuan menjëherë Shoqatën e të Persekutuarve Energjitikë. Kjo shoqatë, nëpërmjet një deklarate, kërkoi që të hapen dosjet e dritave të të gjithë pushtetarëve dhe kërkoi dëmshpërblim për dëmet morale që kanë pësuar. Ata kërkuan gjithashtu edhe emrat e pronarëve të hidrocentraleve, sepse “atje fle lepuri” nuk fle prapa shkurreve.

Po ne fitojmë gjë? Sapo dëgjoi deklaratën për sahatet e reja që do të vendosin së shpejti në Shqipëri, Kryetari i Unionit të Sahatçinjve doli me kërkesën për zhvillimin e tenderit. “Kush do t’i ndreqë sahatet kur të prishen?”, pyeti direkt autoritet përkatëse kryetari i porsazgjedhur Akrep Zembereku. Mirëpo, kërkesa e tij u bllokua nga Shoqata e Elektricistëve, e cila me një komunikatë për shtyp, nëpërmjet zëdhënëses fotomodele Drita Kabina, tha kategorikisht se drita u takon atyre që e punojnë.

Peshku në det. Ftohtë u prit deklarata e matësve inteligjentë nga skeptikët e ndryshëm. Nëpër kafene proverbat më të cituar kanë qenë: “Peshku në det tigani në zjarr” dhe “Prit gomar të mbijë bar”, çka u deformua pa qëllim të keq, nga një farë Maks Gjerazi, në format “Prit gomar tiganin në zjarr”, “Peshku në det e gomari mbi bar”, “Prit tigan të mbijë bar”. Pra këta njerëz nuk besojnë se çështja e energjisë do të zgjidhet nëpërmjet instalimit të matësve, kryesisht për faj të kohës dhe të zakonit të keq të politikanëve që premtojnë njëkohësisht detin, peshkun, tiganin e ndonjëherë edhe gomarin për transport. Sidomos para telekamerave.

Nuk ka komente

  1. Ai ka gjithnjë të drejtë → familja është boshti i shoqërisë sonë, ndaj seksi nën qiri na intereson të gjithëve

    Rrushi rrushin → pikërisht çiftet që s’ndahen prodhojnë rrush të ri, rëndësi ka produktiviteti

    Sahatkonspirat → debati ka gjasë të sjellë rehabilitimin e të përndjekurit oriental: SAHAT; pra me sahat
    pa sahat, inteligjent a budalla, debati ka vlerë, por sado me vlerë KULLA e SAHATIT nuk do të preket

    Dhëmbë për dhëmbë → dosje për dosje, të shihet kjo punë dhe të kërkohen edhe shkurret e vogla, se nga to del politikan i madh

    Po ne fitojmë gjë? → Akrep Zemberukun! Ç’doni më?!

    Peshku në det (tigani, një Zot e di) → Me Maksin në tavolinë, who needs the fish!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: