ORA E SMIRËZINJVE

Mediat e huaja kanë filluar një fushatë shpifjesh kundër këngëtareve dhe vipave shqiptare në rang botëror. Kjo nuk është e rastit. Mirë kanë bërë mediat shqiptare që u janë përgjigjur dhëmb për dhëmb, duke përdorur me inteligjencë herë heshtjen, herë saktësimet, herë paraqitjen objektive. Mësim i shumëfishtë për mediat anembanë rruzullit.

Le të marrim dy shembuj të thjeshtë që kanë ndodhur së fundi. Në një kohë kur, me të drejtë, gazetat dhe televizionet shqiptare flasin çdo ditë dhe japin lajme të vyeshme për artistët shqiptarë që shkëlqejnë edhe në star system-in botëror, dalin disa gazeta që i kritikojnë për çikërrima, siç është puna e veshjes.

Një gazetë italiane, andej nga fundi i vitit të kaluar, bëri me demek një klasifikim të femrave të njohura që janë veshur më keq gjatë vitit 2014. Nuk mund ta quajmë shkrim, sepse më shumë se shkrim ishin disa fotografi që tregonin veshjet e artisteve botërore, nga bota e kinemasë deri tek bota e këngës. Ishin bota fare. Aty thuhej se divet gjatë 2014-s mund të visheshin ose me veshje të gjata, ose të shkurtra. Disa syresh e kanë tepruar me metra pafund taftaje e mëndafshi, të tjerat e kanë ekzagjeruar me shkurtime, transparenca, prerje pa hesap, duke nxjerrë në pah edhe lakuriqësitë.

Dukej që në fillim se shkrimi i tillë ka qenë tendencioz e sipërfaqësor. Pse nuk e dimë ne që veshjet mund të jenë të gjata ose të shkurtra? Mos duhet vallë ndonjë filozofi e madhe? Edhe burrat veshin pantallona të gjata, ose pantallona të shkurtra. Pastaj, fakti më i rëndë është se shkojnë e citohen dy artiste të mëdha shqiptare: Rita Ora dhe Bleona Qereti.

Të dyja janë veshur sipas shijeve të tyre. Po kush ka guximin t’ua thotë gazetarëve se De gustibus non est disputandum, pra që shijet nuk diskutohen? Ne e kemi guximin. Madje po u themi që le t’i gjykojnë vajzat shqiptare së pari nga aftësitë artistike, së dyti nga veshjet në përgjithësi, jo vetëm nga një veshje. Se ti mund të veshësh njëqind veshje të bukura dhe një veshje pak të bukur. Përse duhet të dalë nami për atë që është më pak e bukur?

Së treti, le t’ua themi pa doreza të bardha, ka nga ato femra (se meshkuj vështirë të gjenden) që janë ziliqare ndaj trupit të mrekullueshëm të një femre tjetër. E pastaj komentojnë kot na së koti, sa për inat dhe shkojnë e gjejnë defekte edhe atje ku defekte s’ka. Siç thotë një humoriste: në plazh femrat me kostum plazhi shikohen nga meshkujt e nga femrat, të parët rrinë me gojë hapur të shastisur, të dytat ua bëjnë radiografinë e flasin keq. Në rastin e burrave të martuar e të fejuarve, sakën se nuk konfirmojnë me kokë e gojë atë që thonë bashkëshortet për celulitin fantazmë.

Nejse, është e qartë që ka tendenciozitet. Edhe ata që shikojnë një farë zilie kombëtare, nuk e kanë keq. Sapo imazhi i shqiptarëve në botë rregullohet pak, del dikush dhe ia plas me polemika për veshje, sa për të folur keq. Mediat shqiptare bënë shumë mirë që nuk e dhanë fare atë lajm absurd, ku në 20 femra të cituara si të veshura keq dy ishin shqiptare, praktikisht 10% e të kritikuarave. Fjalët këtu janë të tepërta.

Shembulli i dytë. Para ca ditësh e famshmja Rita Ora doli në ekranin e BBC-së për emisionin The One Show. Gazetat britanike shkruan se pati shumë ankesa për veshjen e saj dhe se kishte nxjerrë jashtë më shumë seç duhej. Dailymail ishte njëra prej tyre. Tani, jemi prapë në fushën e shijeve dhe ajo që më pëlqen mua, nuk të pëlqen ty, ose ajo që të pëlqen mua dhe ty, nuk i pëlqen atij tjetrit, ose ajo që nuk i pëlqen atij tjetrit nuk më pëlqen mua e ty të pëlqen pak, ose ajo që atij i pëlqen shumë, mua më pëlqen pak, ose ajo pjesë që më pëlqen mua, ty nuk të pëlqen fare… Nejse, besoj se u kuptuam.

Shumë mirë u sollën mediat shqiptare. Disa prej tyre verifikuan, të tjerat e dhanë lajmin me objektivitet, të tjerat vunë pikat mbi “e”. “Gjoksi i Ritës zemëron fansat” thoshte një televizion e shkruante: “Ajo u shfaq në program me një kostum të bardhë, xhaketa e së cilit ishte vërtetë e hapur, ndërsa poshtë saj nuk mbante veshur asgjë.”. Këtu mbetet debati i hapur nëse janë zemëruar fansat apo telespektatorët. Sidoqoftë vështirë të jenë meshkuj ata që zemërohen, thoshte një koment që u fshi menjëherë nga rrjetet sociale.

Më shkoqur ka folur një gazetë tjetër, që i ka vënë shkrimit këtë titull: “Qindra ankesa për gjoksin e varur të Rita Orës“. Në vartësi të debatit, të gjithë e kuptojnë se ai varej nga gjoksi i varur jo nga të tjera çështje të varura. Që kjo përplasje përmban nën rrogoz edhe arsye etnogjeostrategjike e shpjegon më së miri një televizion tjetër shqiptar: “Rita Ora me dekolte të ekzagjeruar indinjon britanikët“, nënvizon me të drejtë media e cituar. Pra britanikët tani janë të indinjuar e të zemëruar me artisten shqiptare. Nuk ia priste kot gazeta tjetër: “Ekspozoi gjoksin Live britanikët sulmojnë Rita Orën“, ku duket haptazi se lufta mediatike sapo ka filluar. Live.

Kush i fryn këtij zjarri? Kush i paguan ata që vjellin vrer kundër artisteve shqiptare? Kush prek pa kujdes këto tema jetike? Apo janë shprehje zilie të armiqve të zakonshëm? Ne propozojmë një sondazh mbarëkombëtar: “Artistet shqiptare vishen mirë, shumë mirë, apo në mënyrë fantastike?” Keni për ta parë që do të fitojë e treta. Për inat të atyre që na duan të keqen…

Nuk ka komente

  1. Hahaha! Kush i fryn ketij zjarri kot na se koti/kotna si koti/kotnaskoti? Tinzaret e poshter! Une s’e diskutoj qe mbrapa kesaj jane greket patjeter! Ata kontrollojne EU (jo Eurozonen) dhe prishin imazhin shqiptar! Ata ta fusin kalin (e Trojes) pa e pas mendjen.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: