Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

PENGESAT E HISTORISË NGA PUSHTIMI NË ÇLIRIM

Ndryshe nga periudha të tjera të historisë shqiptare, ajo e Luftës së Dytë botërore na duket e njohur historikisht, si faqet e lexuara e të mësuara të një libri të vjetër. Kjo bën që vëmendja jonë kolektive të eksitohet më shumë përballë historisë së hershme, pra shekujve të mëparshëm, ose dhjetëvjeçarëve të shkuar të totalitarizmit, periudha që për arsye të ndryshme na duken gjithsesi më tërheqëse.

Pavarësisht nga niveli i vëmendjes dhe arsyet që e shtyjnë atë të përqendrohet në disa kohë të caktuara, nuk mund të mohohet se historia shqiptare gjatë viteve të pushtimit e të çlirimit përmban aspekte shumë interesante, në mos për tjetër gjë, të paktën për faktin se në një periudhë të shkurtër pasuan njëra pas tjetrës tre diktatura: fashizmi, nazizmi dhe komunizmi. Ishin vite tragjike, sepse pushtimet të tilla janë, por në atë kohë u hodhën gjithashtu themelet e së ardhmes, që për fat të keq në Shqipëri, ndryshe nga vendet perëndimore, mori rrugë tjetër. Mungesa e kureshtjes për ato vite duhet parë edhe si reagim ndaj mbiekspozimit të propagandës totalitare, përveçse si efekt i kohës relativisht të vonë të luftës së dytë botërore dhe i prodhimtarisë së madhe historike e kulturore që i referohet asaj periudhe.

Mbi pushtimin e luftën nacionalçlirimtare projektorët studimorë duhet të mbahen ndezur për dy arsye kryesore: nga ajo luftë varen shumë nga vlerat e shoqërive demokratike evropiane; rreziku i komprometimit të kujtesës kolektive është gjithnjë prapa derës, ngaqë shumë aspekte të Luftës së Dytë botërore në Shqipëri na vijnë ende të filtruara ideologjikisht.

Rrëfimet e gjyshit

Mbaj mend që gjyshi im më tregonte se si kishte strehuar një ushtar italian menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator të 1943-it. Kur isha i vogël i lutesha shpesh të më fliste për atë periudhë. Me sa më kujtohet nga rrëfimet e tij, ushtari italian që kishte bujtur në shtëpinë e vet ishte shumë i ri në moshë. Ngaqë nuk dinte ku të shkonte, i ishte përgjëruar t’i jepte strehim e bukë. Dukej pa përvojë dhe djalë shumë i mirë. Gjyshit i erdhi keq dhe e mori në shtëpi si të ishte nipi i vet.

Gjatë kohës që ndenji tek gjyshërit, ushtari i ri italian ndihmoi në punët e shtëpisë dhe ndihmoi në aktivitetin familjar, si të ishte tamam pjesë e familjes. Edhe kur erdhën gjermanët në Berat, të cilët kishin marrë urdhër për reprezalje ndaj ushtarëve “dezertorë” italianë, ai u deklarua si kushëri nga fshati, çka i shpëtoi edhe jetën.

Atëherë gjyshi ma shpjegonte historinë në mënyrë të thjeshtë, siç mund të tregojnë filmat multiplikativë ose librat me vizatime për fëmijë. Për shembull, më thoshte se ushtarët italianë nuk ishin të gjithë të këqij. Ata të veshur me të zeza ishin shumë të rreptë e të rrezikshëm. Ata të veshur si ushtarë normalë ishin më të butë. Vetë gjyshja kujtonte me dëshirë se kishte mësuar edhe pak italisht kur shkonte në kampin italian për të kërkuar makarona.

Djaloshi italian ndenji në Mangalem të Beratit deri në fund të luftës. Pastaj u kthye në vend të vet. Për fat të keq nuk komunikoi kurrë më me familjen time, megjithëse përmendej shpesh nën zë. Pas restaurimit të regjimit totalitar ishte me rrezik të komunikoje me jashtë shtetit, sepse mjaftonte një fjalë e gabuar e mund të përfundoje në burg ose në internim për arsye politike.

Për ta rifreskuar më mirë historinë e italianit mora në telefon hallën time, meqë gjyshi im i mirë nuk jeton më. Halla pasi dëgjoi me interes kujtimet e mia prej vogëlushi, u habit pa masë për kujtesën dhe interesin tim. E dija që për arsye moshe nuk mund të kujtonte asgjë, por shpresoja se mos kishte dëgjuar diçka më të hollësishme nga goja e gjyshit e të gjyshes. Më falënderoi me një ndjenjë të vogël faji, jo aq për rrëfimet e gjyshit, se sa për faktin që unë e kisha dëgjuar me ëndje babanë e saj. Aty preku si pa dashur edhe një pikë të rëndësishme të marrëdhënieve njerëzore siç janë marrëdhëniet gjysh / nip dhe prind / bir, që kanë shumë rëndësi në përcjelljen e traditës dhe të narrativave nëpërmjet oralitetit nga brezi në brez.

Përplasje narrativash

Si rrëfimet e gjyshit tim, po të heqësh disa detaje vendore e familjare, gjen me mijëra në Shqipëri. Megjithatë, vlera e historive që më tregonte kur isha i vogël nuk qëndronin vetëm tek përmbajtja e tyre, por tek mënyra se si m’i rrëfente ato.

I rritur në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë unë isha destinatar, e në një farë mënyre produkt, i politikës autarkike të regjimit totalitar, i cili e kishte ndërtuar narrativën e vet mbi pushtimin fashist e nazist, fitoren e partisë komuniste dhe “ndërtimin e socializmit”, që më pas u bë “me forcat tona”, pra në izolim pak a shumë të plotë. Pushtimi fashist përcillej në mënyrë totalisht ideologjike dhe gjithnjë në funksion të pushtetit totalitar. Jo vetëm mediat, por edhe prodhimi kulturor i realizmit socialist ishte brenda këtij vizioni, ku edhe vetë historiografia konceptohej si mjet për konsolidimin e ideologjisë totalitare.

Kishte diçka thelbësore në tregimet e gjyshit tim, që binin ndesh me narrativën dominante të asaj kohe. Së pari rrafshi njerëzor, ku shtriheshin e merrnin jetë rrëfimet gojore. Edhe pse i vogël e kuptoja – pjesërisht në mënyrë të pavetëdijshme – se historitë që më vinin nga larg ishin në thelb njerëzore. Njerëz që tregonin për njerëz. Të zhveshura siç ishin nga propaganda e qëllimet politike, ato më shfaqeshin me brishtësinë e natyrshmërinë njerëzore, me peripecitë e një familjeje të thjeshtë që ndihmonte një person në nevojë. Nuk duhet të harrojmë se tregimet përcilleshin në një mjedis që nuk i pranonte kontaktet fizike me të huajt, çka e rriste kërshërinë fëmijërore, por nga ana tjetër binte ndesh me rrëfimtarinë zyrtare, për pushtuesit në veçanti, që kishte diçka ideologjike, distancuese, përdoruese, në thelb artificiale.

Përkundrazi, italiani i treguar nga gjyshi im ishte shumë “njeri”, i kapshëm, i prekshëm, i natyrshëm. Së dyti, plani real i historisë. Tregimet për italianin në shtëpinë e gjyshit më vinin herë herë të veshura me një tis mitik, kryesisht për faj të mjedisit septik ku jetoja, ku kontaktet me Tjetrin ishin më shumë imagjinare se sa reale, përderisa Shqipëria e asaj kohe ishte (vetë)izoluar tërësisht nga bota perëndimore. Kishte një farë zilie në shikimin tim, tek dëgjoja historitë e gjyshit, që kishte pasur fatin të njihte italianë e të huaj të tjerë, që kishte bredhur Europën anembanë, ndërkohë që unë mund t’i shikoja në rastin më fatlum vetëm përtej xhamave të ndonjë autobusi me turistë të survejuar.

Velloja e hollë përrallore që shoqëronte rrëfimet e gjyshit, por që në fakt ia veshte pjesa ime fëmijërore, çahej përfundimisht nga besueshmëria e gojëdhënave të tij, si dhe nga përditshmëria që tregonte. Punët që bënte ish ushtari italian, si sillej në shtëpi, ato pak fjalë që thoshte. Tregimet më vinin në veshë me jehonën e përrallës, e cila shuhej nga realiteti i historisë dhe sidomos nga natyrshmëria njerëzore, në kufi të indiferencës, me të cilën gjyshi më tregonte historinë e italianit që jetoi në shtëpinë e tij. Edhe kur më tregonte se si transportonte me kamion ushqime e kurora për partizanët, për kontrollet e befasishme të pushtuesve, për rreziqet që i kanoseshin kur ndihmonte luftëtarët, nuk kishte asnjë nuancë heroike në fjalët e tij. Ndërkohë që unë ëndërroja të isha partizan e t’i korrja armiqtë me mitralozin tim si nëpër filma.

Kishte në rrëfimet e gjyshit përvojë dhe jetë njëkohësisht. E këtu shfaqej rrafshi i komunikimit me Tjetrin. Atë që unë e ëndërroja që kur isha lindur, atë çka më vinte rrallë herë nëpërmjet zërit të radios dhe ekranit të televizorit, prindërit e prindërve të mi e kishin realizuar prej kohësh në realitet. Modelet e leximit dhe këndvështrimet që më ofroheshin nga historia dhe kultura, që i nënshtroheshin ideologjisë totalitare, për fat të keq nuk kishin tek unë filtrin dhe barrierën e përvojës personale.

Narrativa e ndërtuar nga regjimi hyri në lojë pikërisht pas eliminimit të kontaktit me Tjetrin. Mbetet ende për t’u studiuar thellësisht, por historia me të cilën ushqehej publiku gjatë regjimit ishte plot paragjykime, gjithsesi kaluar fillimisht në sitën ideologjike. Çuditërisht, imazhi që më përcillej gojarisht nga familja ime, më vinte disi ndryshe nga letërsia e kinematografia e asaj kohe, ku herë pas here nxirrte kokë personazhi i italianit të strehuar në shtëpinë e fshatarit, ose “breshkaxhinjtë” që na kishin pushtuar. Mund të kujtohen edhe vepra artistike si “Njeriu me top” i Dritëro Agollit, ose filmi me të njëjtin titull me regjisor Viktor Gjikën, apo filmi tjetër për fëmijë “Tomka dhe shokët e tij”, të cilat gjithsesi kanë vlerat e veta të padiskutueshme.

Megjithatë, ideologjia zyrtare e detyronte publikun ta shikonte historinë në mënyrë të pjesshme e të deformuar, të zhveshur nga ana njerëzore, përgjithësisht me synimin e konfirmimit të pushtetit dhe në përputhje me vizionin politik të regjimit.

Në dritën e të sotmes

Aktualisht, pas rënies së regjimit totalitar dhe të perdes së hekurt, periudha e pushtimi nazifashist në Shqipëri nuk ka mbi vete asnjë nga projektorët e djeshëm. Brezi që e jetoi pak nga pak po shuhet për arsye moshe, kurse vizioni ideologjik u fik së bashku me regjimin, pavarësisht se produktet e tij kulturore vijojnë ta bombardojnë publikun shqiptar. Në ç’mënyrë lexohet sot historia italo-shqiptare e atyre viteve? Ose vetë historia e pushtimit dhe e çlirimit?

Në qoftë se është e vërtetë se historia po i ofrohet publikut shqiptar në trajtën e një spektakli nëpërmjet skenës mediatike, atëherë kjo vlen edhe për periudhën e pushtimit. Këtu mund të përmendim mënyrën se si po serviret sot historia e totalitarizmit.

Të rinjve të sotëm, imazhet e asaj kohe u vijnë në trajtë anekdotike. Thashethemet, kujtimet, sensacionet, nostalgjitë, ditarët, komplotet, dorëshkrimet, krijojnë një atmosferë kulturore ku mitet bashkëjetojnë me realitetin, ku paragjykimet shartohen me kujtimet, ku perceptimet ndërthuren me provat, ku dritat alternohen me hijet. […] Mediat e trajtojnë atë periudhë si thesar informacionesh, nga ku nxjerrin rregullisht scoop-e për të zbavitur vëmendjen e lexuesve, duke i joshur me të famshmen “vijon nesër”, ose “ndiqeni në numrin e ardhshëm”. Historia kthehet kështu në telenovelë, me seri të pafundme, me “colpi di scena” e surpriza nga më të papriturat, brenda e jashtë oborrit të mbretërve, pa ia kapur dot kurrë thelbin. Kjo e shndërron atë kohë në një periudhë tejet interesante, misterioze, intriguese, sa e brendshme aq edhe e jashtme, sa e afërt aq edhe e largët. (1)

Në këtë kuadër na duhet të përmendim botimin nga shtypi shqiptar i fotografisë së Musolinit tek shtynte makinën e ngecur në baltë në hyrje të Beratit, kur erdhi në Shqipëri për të inspektuar trupat italiane që sulmuan Greqinë. Fotoja shoqërohet nga një lajm kryesisht kurioz, pa asnjë kontekstualizim historik, thjesht për të tërhequr vëmendjen e lexuesit pa e shtyrë atë të mendojë ose të njohë periudhën për të cilën po flasim. (2)

Që periudha e pushtimit fashist dhe lufta nacionalçlirimtare janë ende objekt polemike në Shqipëri e vërtetojnë përplasjet e vazhdueshme politike. Vështrimi ideologjik ka lënë pasojat e veta edhe sot, për sa kohë denoncimet për përdorimin dhe instrumentalizimin e historisë për arsye politike janë në rend të ditës, sa herë paraqiten raste përkujtimore. Për ta vërtetuar këtë përplasje që vazhdon në ditët e sotme po citojmë fjalët e Kryeministrit shqiptar, gjatë takimit me veteranët e luftës antifashiste, ku denoncoi përpjekjet për ta përdorur luftën për të përfituar kapital politik:

Ende pas 70 vitesh nga përfundimi i luftës, në Shqipëri diskutimi për luftën vazhdon të jetë i nxehtë dhe guximi për ta parë luftën realisht, ashtu siç ajo ishte dhe për të lexuar në faqet e asaj lufte jo të shkuarën, por të ardhmen e shoqërisë sonë dhe të shoqërisë së përbashkët europiane, nuk është ai i dëshiruari për një shoqëri të lirë. […] Gjatë dekadave që pasuan fundin e luftës, shumë gjëra, ne e dimë morën një drejtim tjetër nga ai që kishin ndjekur ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre gjatë luftës. Jo shumë nga pjesëmarrësit e luftës arritën t’i gëzohen fitores, pasi çmimi i saj ishte shumë i lartë. Një pjesë e paguan çmimin me jetën e tyre. Të mbijetuarit patën fate të ndryshme. Jo pak prej tyre u harruan. Të tjerë u burgosën, u internuan, u pushkatuan me apo pa gjyq. Disa të tjerë u ngjitën lart në qeverisjen e vendit, ndanë mes tyre merita dhe përgjegjësi, por lanë pas edhe akte të pashembullta mizorie mes vedi. (3)

Kryeministri shqiptar Edi Rama e vlerësoi me të drejtë luftën antifashiste, duke e quajtur si “një nga faqet më të shkëlqyera që ky popull ka shkruar”. Nga ana tjetër nuk hezitoi të akuzojë hapur, por pa përmendur emra, njerëz e grupime të caktuara, që sipas tij sot e kësaj dite përpiqen t’i mbajnë gjallë konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë dhe të ushqyera në vitet e pasçlirimit, në funksion vetëm të pushtetit. Me atë fjalim Rama vërtetoi katërçipërisht se historia jo vetëm lexohet ndryshe, por edhe përdoret politikisht nga palët në lojë.

Më i prerë është treguar në gjykimin e vet publicisti Fatos Lubonja në shkrimin me titullin domethënës ”Pse Lufta duhet studiuar dhe jo festuar”, ku përmend nderimin me grusht tek varret e dëshmorëve, nderim që nga një palë u pa si simbol i regjimit, ndërsa nga pala tjetër si simbol i Luftës nacionalçlirimtare. Në këtë shkrim Lubonja u kërkon partive në pushtet ta ulin zhurmën për festimin e 70 vjetorit të çlirimit dhe t’i kushtohen studimit të asaj periudhe, për ta njohur më mirë kompleksitetin e saj dhe për arritur “dekonstruktimin e mitit të Luftës si mit themeltar i pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës”.

Truku qëndron në përdorimin e dy ideologjive që ka përdorur pushteti i Enver Hoxhës si instrumente të pushtetit: asaj nacionaliste dhe asaj komuniste dhe në moskthjellimin si duhet të këtij fakti. Këta fitimtarë ndërtuan pastaj dhe historinë, dhe mitin e Luftës, duke instrumentalizuar edhe gjakun e idealistëve të rënë, në funksion të pushtetit të tyre. Nëpërmjet një loje propagandistike, për të cilën vunë në shërbim propagandën e mirënjohur të masave, shtypin, sistemin arsimor, shkrimtarë, artistë, muzikantë regjisorë etj., ata e paraqitën luftën si një vepër ekskluzivisht të tyren dhe po ashtu, sipas kësaj propagande, që zgjati 45 vjet, shqiptarëve u thuhej përditë se Lufta u kishte sjellë dy çlirime të mëdha të pandashme nga njëri-tjetri: nga pushtuesi dhe nga klasat shfrytëzuese. (4)

Me fjalë të thjeshta, kërkohet që lufta çlirimtare të konsiderohet thjesht si e tillë, pra si luftë kundër pushtuesve nazifashistë e të mos ngatërrohet me regjimin që erdhi më pas. Për hir të së vërtetës, thirrja për ta “çliruar” çlirimin nga ngarkesa ideologjike vjen nga disa anë, por përpjekjet për ta bërë atë sinqerisht duket se janë plot ambiguitet. Rrjedha e historisë shqiptare, ndryshe nga vende të tjera ku çlirimi u perceptua si fitore e gjithë frontit antifashist, mori degëzime të tjera dhe u ndot pashmangshmërisht nga propaganda totalitare. Kjo ndotje ideologjike vihet re edhe sot, për sa kohë publiku nuk e shikon dot periudhën e pushtimit e atë të çlirimit larg ndikimeve politike, duke asistuar i shastisur nga polemikat tashmë të përvitshme gjatë muajit nëntor.

Nga diktatura tek kujtesa

Nëse është e vërtetë që e sotmja është produkt i së djeshmes, është po aq e vërtetë se në perceptimin e së kaluarës ndikon edhe e tashmja. Ndërthurja mund të na duket paradoksale, por duhet ta pranojmë të gjithë se kultura postmoderne në të cilën jetojmë na e kushtëzon leximin e historisë.

Këtu mund të na vijnë në ndihmë dy kolosë të mendimit modern. Nga njëra anë antropologu Marc Augé, që me studimet i tij të njeriut modern na ofron një këndvështrim të dobishëm për analizën e situatës shqiptare. Augé ka vënë re me mprehtësi se aktualisht jemi të zhytur në një të tanishme oprimuese:

Efektivisht jetojmë në një lloj hipertrofie të së tashmes. Kjo amplifikohet nga mediat, e vjetra e të reja. Në një farë kuptimi, koha jonë nuk është më e njëtrajtshme por rrethore. Si ajo e shoqërive primitive, si ajo e botës së fshatit. Të themeluara në alternimin e stinëve. Edhe ne, tek e fundit, jetojmë sipas stinëve: sportive, shkollore, politike. (5)

Antropologu francez e koncepton njeriun e sotëm si skllav të së tanishmes, e një kohe të përjetshme ku në vend të kambanave bien e dëgjohen instrumentet e emisioneve televizive dhe ritmet e financës globale.

A mund ta përvetësojmë këtë çelës leximi për realitetin shqiptar? Pjesërisht po, sidomos po të mendojmë se Shqipëria ka kohë që kërkon me ngulm të kridhet në kohën e sotme moderne, shpeshherë në mënyrë të ngathët e qesharake nëpërmjet imitimeve, klisheve dhe kulteve të kargove. Madje ka qenë kjo orvatje që e ka hedhur në krahët e diktaturës së të tashmes, ku veprojnë vetëm ligjet e materializmit, konsumizmit e të egoizmit. Pohimi duket disi i tepruar, por jo edhe aq po të kujtojmë se shoqëria shqiptare ka kohë që rri pezull në kohën e tashme, ndërkohë që si e kaluara ashtu edhe e ardhmja, nyjëtohen më shumë në funksion të së tashmes e gjithsesi me paradigmat e retorikës.

Një mendimtar tjetër, Umberto Eco, gjatë prezantimit të projektit Encyclopedia në selinë e Kombeve të bashkuara, i kujtoi komunitetit ndërkombëtar se kultura ndërtohet nëpërmjet kujtimit, por edhe nëpërmjet seleksionimit të kujtimeve.

Shumë kombe europiane për të paktën njëzet vjet i kanë fshirë kujtimet e Luftës së dytë botërore e të nazizmit. Kulturat kanë aftësinë t’i vendosin lajmet në një lloj frigoriferi, që në një farë pike mund të hapet. […] Në Itali shumë studentë nuk e njohin Badoljon ose Çërçillin, nuk kujtojnë as kush është Aldo Moro […] Ka rezistencë në qasjen ndaj historisë dhe kjo është e rrezikshme. Në qoftë se Hitleri do ta kishte njohur pak Napolonin, ose thjesht të kishte lexuar librin “Lufta dhe paqja’, sipas gjasës nuk do ta kishte pushtuar Rusinë. Shpesh historia mund të na ndihmojë t’i kuptojmë e t’u japim përgjigje problemeve të sotme. (6)

Leximi i historisë është diçka serioze, që fillon me qasjen ndaj saj dhe metodologjinë që duhet të ndiqet. Ka nga ata që e lexojnë historinë me pasionin e kronikës politike, ka të tjerë që e shohin në mënyrë deterministe, ndërsa të tjerë akoma si të ishte përmbledhje mitesh, thjesht për të treguar se sa të mirë jemi sot. Më keq kur historia përdoret si depozitë argumentesh për t’u gjuajtur në arenën e sotme politike.

E megjithatë leximi i historisë është tejet i rëndësishëm për njeriun, sidomos kur ky e bën pa syze ideologjike që vetëm ia shtrembërojnë perceptimin. Në një letër publike që i dërgon nipit të vet, intelektuali i porsacituar italian përmend kujtesën historike, ose më saktë faktet që nuk kanë të bëjnë me gjërat e jetës personale, por ato që kanë ndodhur më parë. Dikur – i tregon Umberto Eco nipit të vet – mund të hyje në kinema në mes të filmit e mundoheshe të imagjinoje çfarë kishte ndodhur më parë. Kjo ndodh edhe në jetë, ngaqë ne lindim ndërkohë që kanë ngjarë shumë gjëra, madje prej mijëra vjetësh. Ka shumë rëndësi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur më parë, pra para se të vinim në këtë jetë, vlen për të kuptuar më mirë se përse ndodhin sot shumë gjëra të reja.

Gjithçka duhet kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh i moshuar e do ta ndjesh veten sikur ke jetuar mijëra jetë, sepse do të jetë sikur të kishe qenë në betejën e Vaterlosë, sikur të kesh asistuar në vrasjen e Cezarit e sikur të kesh qenë afër vendit ku Bertoldo i Ziu, duke përzier lëndë në një havan për të prodhuar ar, zbuloi gabimisht barutin dhe hodhi veten në erë (e mirë iu bë). Të tjerë shokë të tu, që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën e vet, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të vetën, që duhet të ketë qenë mjaft melankolike dhe e varfër për nga emocionet e mëdha. (7)

Këtu hyjnë detyrimisht në ligjëratë dy elemente të rëndësishme. Nga një anë rëndësia e historisë për njeriun, për të njohur e për të jetuar njëkohësisht. Pra mjet i domosdoshëm njohjeje e jetese. Por ajo që nuk thuhet në letrën e shkrimtarit italian, por që nënkuptohet qartë, është se leximi i historisë kërkon objektivitet, përndryshe jo vetëm njohja, por edhe jeta që ti (për)jeton, janë në thelb të rreme. Nga ana tjetër kemi vlerën e dëshmisë, një lloj historie që na vjen gojarisht, larg përpunimeve e instrumentalizimeve gjithfarësh, që shkon e plotëson, në mos e pasuron, historinë e studiuar.

Tani më rivijnë ndër mend rrëfimet e gjyshit tim për periudhën e Luftës së dytë botërore. Nëpërmjet fjalëve të tij plot humanizëm, objektivitet e sinqeritet, unë (për)jetoja një jetë tjetër, bëja takime të tjera, njihja botë të ndryshme, shkoja jashtë shtetit, udhëtoja në kohë, kaloja telat me gjemba të ideologjisë. Ndoshta ishte një mënyrë për t’iu hapur Tjetrit, për t’u ballafaquar nëpërmjet përvojës njerëzore, pa u ngurtësuar e gjithsesi pa e humbur identitetin e pa harruar vlerat. Shikim naiv, ndryshe, apo subversiv për kohërat e atëhershme? Sidoqoftë, shikim i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

 

Bibliografi

1) Pishak Zhgaba, Historia e roleve të ngatërruara, “Peizazhe të fjalës”, 20 shkurt 2013.

2) Fotoja e Benito Musolinit duke shtyrë makinën në Berat, “Shekulli”, 9 maj 2014.

3) Rama: Lufta, një nga faqet më të shkëlqyera që ky popull ka shkruar, “Mapo” 10 maj 2014.

4) Fatos Lubonja, Pse Lufta duhet studiuar dhe jo festuar, “Panorama”, 10 maj 2014.

5) Marc Augé, Intervista a Marc Augé, “La Repubblica”, 19 mars 2012.

6) Usa, Umberto Eco presenta Encyclomedia alle Nazioni Unite, “Tg Sky24”, 22 tetor 2013.

7) Umberto Eco, Caro nipote, studia a memoria, “Espresso”, 3 janar 2014.

 

P.S. Ky shkrim bazohet në kumtesën time të mbajtur me rastin e konferencës “1943 – 1945: Italia, Albania. Memorie, scritture, immagini, canti della Resistenza”. Një nga arsyet që më shtynë ta botoj ishte edhe shkrimi Aneja i Xhaxhait, që flet për një epokë tjetër, po diku ndërpriten gjeometrikisht me njëri tjetrin.

 

Pa Komente

  1. bukur.. kam idene se nepermjet historise ne zbulojme njerzoren, me shume e me mire se ne letersi – historia eshte vete art (kontributi i miliona njerezve, gjenive, teknicieneve, krimineleve, bujareve etj. ne nje narrative). Ne nje histori te ngjashme qe kam lexuar para ca kohesh dezertori italian i angazhuar ne pune te ngjashme vritet per nje pale kepuce nga nje partizan – kjo eshte lufta, ne tjeter dimension i (c)njerezores [David Smajli (2012) Vitet shqiptare ’43-’45. Kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore. UET Press: Tirane (perkthyer nga Aleksander Dako)]

  2. E kaluara “e vdekur” mbahet gjalle, ruhet dhe transmentohet permes kujteses indivdivale dhe kujteses kolektive ku, kjo e fundit, shperfaqet si kujtese institucionale (arkivat, muzete,munumentet , festat etj), kujtese akademike (historiografia, studimet) dhe kujtese popullore (konglomerat i gojdhenave, deshmive, rrefimeve, imazheve). Historiani i qaset te shkuares me ftohtesine e logjikes analitike dhe e kqyr ate si arene te perplasjes se forcave, aktoreve dhe faktoreve politiko-ushtarak, bazuar ne fakte, arkiva dhe deshmi. Jashte korrnizes konceptuale te narratives historike, humbasin mijra ngjarje te vogla te njerzve reale, ndodhi dhe veprime humane ( si mbajtja ne shtepi e nje ish ushtari te ushtrise pushtuese, nje dasem, nje histori dashurie ) ne sfondin e nje konflikti tragjik, antihuman, ne thelb. Kete vakum te historise se shkruar e mbush letersia dhe kinematografia permes narrativave emocionale.
    Nqs historia e pershkruan fatin e qindra ushtareve italiane te strehuar ne familjet shqiptare thjesht si nje fakt,filmi (Njeriu me top ose I dashur armik-Gj.Xhuvani )e percejll kete realitet permes ngjarjesh jetesore te individulizuara.
    Ne dallim nga narrativa historike,kujtesa indviduale permes tregimeve gojore ose deshmive te shkruara, e gjalleron te kaluaren , e restauron ate si nje pervoje jetesore te subjektit narrator i cili, bashke me riprodhimin e ngjarjes, fakteve, ndodhive, riprodhon dhe perjetimet e tij emocionale. Si e tille, kujtesa individuale eshte e rrezikuar te zhytet ne egocentrizem dhe subjektivizem (si ilustrim skeci A doni me per Belulin?).Objektivteti tregimeve te gjyshit eshte i kercenuar nga subjektivizmi .Sikurse duhet thene se kujtesa eshte manipuluese, ne kuptimin e seleksionimit te fakteve dhe eshte e prirur te regjistroje ngjarje atipike, jo rutinore, mbreselenese etj. Dhe ketu shtrohet pyetja: a eshte e vlefshme per historianin deshmia e gjyshes time e cila me tregonte se si ushtaret italiane gjate luftes u jepnin femijeve makarona dhe galeta? Dhe, a e ndryshon thelbin e diktatures , deshmia e nje ish te burgosuri poliltik per nje gardian i cili sillej butesisht me te burgosurit dhe shpesh u jepte atyre pako me ushqime?
    Historia e shkruar me stiiln akademik eshte e denuar te jete e merzitshme per gjeneratat e sotme “pa kujtese” historike dhe te udhehequra nga deviza “Carpe diem”. Qasjet ndaj te shkuares me nje stil me te lirshem publicistik , e kur ngjarjet nakatosen me ereza erotike ,duket se jane nje nga arsyet pse “Zogu” i gazetarit Fevziu pati aq shume shitje kurse “Zogu” i akademikut Frasherit mbeti jashte vemendjes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin