Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

THE SHOW MUST GO ON

konferencën e shtypit që dha në Tiranë, pas kthimit nga Beogradi, kryeministrit shqiptar Edi Rama i drejtuan, mes të tjerash, pyetjen e mëposhtme:

Zoti Vuçiç ka deklaruar se ishte prerë në besë për deklaratën mbi Kosovën. A ia keni shprehur apo jo qëndrimet tuaja para se të dilnit në konferencë?

Së cilës pyetje Rama iu përgjigj kështu:

Besa është në dijeninë time një instrument etik i shqiptarëve, nuk e di që serbët ta kenë besën si instrument s’kemi dhënë ndonjëherë ndonjë besë që të quhemi besëshkelur. S’besoj të jetë thënë në këtë kontekst se pastaj hymë në histori.

Pyetja natyrisht i referohej një incidenti të shumë-komentuar mes dy kryeministrave, Rama dhe Vuçiç, gjatë konferencës të përbashkët të shtypit në Beograd, ku Rama e quajti pavarësinë e Kosovës “realitet i pakthyeshëm”, ndërsa Vuçiç e quajti këtë deklaratë poshtërim të Serbisë. Tani rezulton edhe se kryeministri serb është shfaqur si i zhgënjyer, ngaqë kish pasur një marrëveshje për të mos u përmendur Kosova në këtë konferencë; ose, sipas burimesh të tjera, ngaqë nuk kish pasur ndonjë marrëveshje, se si do të flitej për Kosovën. Për fat të keq, burimet këtu bien në kundërthënie dhe unë nuk i krahasoj dot burimet serbe. Sipas BBC-së, Vuçiç u shpreh kështu:

Nuk e prisja këtë provokim […] Ç’lidhje ka Shqipëria me Kosovën? Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe nuk do të jetë kurrë.

Deri këtu nuk ka gjë për t’u habitur: pozicionet e Serbisë ndaj Kosovës njihen; pavarësinë e Kosovës e kanë shpallur qytetarët e atij shteti dhe e garanton ShBA dhe Bashkimi Europian, jo Shqipëria; dhe Rama doemos që nuk shkoi në Beograd të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës së pavarur prej Serbisë. Deri më tash, kam qenë i prirur të besoj se pala shqiptare dhe pala serbe nuk ishin marrë vesh, në lidhje me atë nëse duhej përmendur apo jo Kosova në takimin e dy kryeministrave me shtypin; me ç’rast, teatri i Vuçiç-it, që hoqi kufjet në mënyrë plateale, duhej menduar si për konsum të publikut të vet nacionalist. Tani, duke marrë parasysh se në takimin kryeministror larg kamerave ose në takimet përgatitore të summit-it çështja e Kosovës është përmendur, mund të supozojmë disa skenarë:

  1. Rama ka thënë se do të flasë për pavarësinë e Kosovës dhe Vuçiç i është përgjigjur që nuk mund t’ia mbyllte dot gojën, por do të detyrohej ta kundërshtojë me forcë në publik, për arsye politike të brendshme; çka do të thotë se Vuçiç e dinte që Kosova do të përmendej prej Ramës dhe e kishte bërë gati reagimin e vet.
  2. Rama ka thënë se do të flasë për pavarësinë e Kosovës dhe Vuçiç i ka kërkuar që të mos e bëjë këtë, por nuk janë marrë dot vesh për këtë; çka do të thotë sërish se Vuçiç e dinte që Kosova do të përmendej prej Ramës dhe e kishte bërë gati reagimin e vet.
  3. Rama ka thënë se do të flasë për pavarësinë e Kosovës dhe Vuçiç i ka kërkuar që të mos flasë dhe Rama ka rënë dakord me të dhe i ka premtuar (qoftë edhe në mënyrë evazive), por pastaj ka ndërruar mendje, çka ka shkaktuar indinjimin publik të kryeministrit serb.
  4. Që Kosova nuk do të përmendej në takimet zyrtare, ishte rënë dakord në takimet përgatitore të summit-it; me ç’rast gjesti i Ramës ishte vërtet shkelje protokollare serioze.
  5. Që Kosova do të përmendej në takimet zyrtare, nga ana e palës shqiptare, për këtë ishte njoftuar pala serbe me kohë; por pa i marrë gjë leje asaj pale.

Dhe ndonjë skenar tjetër më pak i rëndësishëm. Unë i besova skenarit (1), që m’u duk edhe më i arsyeshmi; fundja edhe skenarit (2); por refuzoj të besoj që Rama i ka premtuar diçka kolegut të vet dhe pastaj nuk e ka mbajtur premtimin; sepse kjo shkelje e besimit, në nivele summit-i, mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan – pavarësisht nga entuziazmi i mendjelehtëve. Që këtej, deklarata e Ramës se:

Besa është në dijeninë time një instrument etik i shqiptarëve, nuk e di që serbët ta kenë besën si instrument s’kemi dhënë ndonjëherë ndonjë besë që të quhemi besëshkelur. S’besoj të jetë thënë në këtë kontekst se pastaj hymë në histori.

Më duket sikur i ngatërron pak punët. Së pari, besa në këtë kontekst është thjesht një sinonim për aktin e të premtuarit; dhe që premtimi duhet mbajtur, kjo është vlerë morale universale, që nuk ka lidhje as me shqiptarët, as me serbët, por me normat elementare të diplomacisë europiane dhe etiketën, njëlloj elementare, gjatë takimeve mes burrave të shtetit; në kuptimin që, po nuk funksionoi mekanizmi i premtimit, atëherë humbet vetë domethënia e diplomacisë, së paku në summit-et. Pastaj, nëse besa është “instrument etik i shqiptarëve”, atëherë prej tyre do të pritej që ta ushtrojnë dhe t’ua japin edhe të tjerëve si shembull; ose që ta performojnë në skenën publike, në atë masë që paraqiten atje si shqiptarë, ose me identitetin e tyre etnik. Më tej, edhe serbët e njohin mirë besën; kushdo që ka sado pak familjaritet me eposin serb, do ta ketë ndeshur atje konceptin e vera-s, i cili i përgjigjet përpikmërisht besës së shqiptarëve, deri edhe në nivelin diskursiv. Më tej akoma, nëse Rama i premtoi Vuçiçit që nuk do ta përmendte Kosovën dhe pastaj e përmendi, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje premtimi, e cila nuk mund të përligjet me argumente antropologjike; dhe i jep, në thelb, të drejtë kryeministrit serb.

Ballet Preljocaj

And then, one thousand years of peace

Por unë nuk besoj që Rama, dhe ekipi i tij, ta kenë bërë këtë gabim; dhe se pranimi, i tërthortë a me shkelje syri, i strategjemës ose i këtij “droni” diplomatik (ja si ia kalla shkaut), është edhe ky pjesë e spektaklit patriotik, që kryeministri shqiptar kushedi e sheh të udhës t’ua dhurojë masave flamur-dashëse, në këshillim edhe me ekspertët e PR. Fatos Lubonja, që duket sikur e merr për të mirëqenë skenarin (3), e quan deklaratën e Ramës për Kosovën e pavarur “kulmin e vizitës”, e cila i dha takimit një drejtim të padëshiruar, ose që binte ndesh deri edhe me synimet e deklaruara të palëve para takimit. Nëse është kështu, atëherë ai ka patjetër të drejtë kur thotë se, për rezultatin e kësaj ndeshjeje të re Shqipëri-Serbi, të “ndërprerë” nga droni i radhës, duhet të presim vendimin e UEFA-s; dhe se vetë summit-i duhet konsideruar, në këtë pikë, si i dështuar. Nuk duhet të presim, megjithatë, që këtë ta ndriçojnë publikisht palët e përfshira në konflikt; sepse këto duken të kapura peng nga politika e brendshme dhe shqetësimet me natyrë kombëtariste. Rezultatet do të duken në muajt që vijnë, kur të bëhen publike ato marrëveshje/ose mosmarrëveshje që kanë mbetur, deri më sot, ende të padeklaruara, për të njëjtat arsye që janë deklaruar të tjerat. Shënim: ndalohet kategorikisht marrja e këtij shkrimi nga mediat. Të interesuarit ftohen me dashamirësi që ta lexojnë te kjo faqe, e cila është e hapur për publikun dhe falas.

Pa Komente

  1. Duke pasur parasysh se është përmendur nga mediat shqiptare që serbët i kërkuan tekstin e fjalimit Ramës dhe nuk ju është dhënë, apo gjithashtu se dallohej vemendja e pazakontë e Vuçiç ndërsa Rama po fliste gjatë konferencës, ma merr mendja se pala shqiptare thjesht nuk i është përgjigjur kërkesës eventuale të serbëve për të mos folur mbi « pavarësinë e Kosovës ». Pra Rama do t’ju jetë përgjigjur fillimisht me ndonjë fjalë përgjithsuese, të tipit «nuk kam vendosur ende se çfarë do të them » dhe më pas kërkesës së dytë, thjesht « nuk e kam shkruar fjalimin », siç e dimë. Por këto detaje do të bëhen të ditura, pa dyshim, për një kohë jo të largët; ne e kemi zakon të mos i mbajmë gjatë sekrete tê tilla.
    Mbi dështimin e menduar prej z. Lubonja, – në fakt është vështirë të flasësh për dështim kur protagonisti ka arritur çka kishte synuar dhe kur, pas përfundimit të kësaj sprove, dukej mjaft i kënaqur. Gjithsesi kjo vizitë dukej mjaft e çuditshme që prej deklaratës së Vuçiç se « do të mendohej deri në fundjavë nëse do ta priste Ramën ose jo ! ». Mesa kuptohej ishte një takim i padëshiruar dhe i detyruar; suksesi më i madh aty është që në fund nuk përfunduan nga ngritja e zërit në ngritje të duarve! Përndryshe janë për tu mbajtur mend; veçanërisht një frazë kuptimplotë e fjalimit të Ramës, «armiku yne i perbashket eshte varferia » dhe më pas përgjigjja ndaj Vuçiç se « duhet t’ja themi njeri-tjetrit në sy se çfarë mendojmë ». Për këto, dhe disa të tjera, chapeau!

  2. patjeter qe kemi te bejme me nje skenar te mireshkruar dhe pergatitur nga aleatet tane (gjermania dhe usa) dhe miratuar nga serbia. Serbia duhet ngadale te mesohet (socializohet) me idene se kane nje te ardhme pa kosoven. Nuk behet fjale se c’eshte tani, por sesi do te sillet klasa politike ne serbi ne kete aktualitet. Shume nuk e kane kuptuar, kapur mire, realitetin e ri te pavaresise. Sidomos perdorimi i kosoves per politikat e brendshme – mobilizim votash e mbeshtetje politike – duhet te marre fund. E kush me mire mund ta bente se shqiperia? kur i forti te tregon te verteten, vemendja eshte tek forca. Bindes eshte modesti, i ngjashmi. Ne anen tjeter edhe siguroi Serbine se nuk do te kete bashkim me Kosoven – nje loje interesante diplomatike, se tanime vemendja dhe mekanizmi i politikes se jashtme serbe zhvendoset nga nje realitet (pavaresia e kosoves) ne nje tjeter qe i pergjigjet frikes se serbise (shqiperia e madhe). Eshte nje makine e tere administrative, me njerez qe prej kohes se Titos qe duhet aktualizuar, e perpjekjet e tyre ri-orientuar.

    Ne diplomacine e mire hartohen strategji qe i imponojne paleve konstrukte realiteti apo perspektiva te caktuara, se alternativat per zgjidhjen e problemeve kushtezohen pikerisht nga perspektiva dhe veshtrimi i ketij realiteti. Per kete strategji, merita jone eshte thjeshte percjellja, le ta leme veten te na marrin per dore.

  3. Sipas BBC-së, Vuçiç u shpreh kështu:

    Nuk e prisja këtë provokim […] Ç’lidhje ka Shqipëria me Kosovën? Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe nuk do të jetë kurrë.

    XHa xhai komenton: Deri këtu nuk ka gjë për t’u habitur: pozicionet e Serbisë ndaj Kosovës njihen; pavarësinë e Kosovës e kanë shpallur qytetarët e atij shteti dhe e garanton ShBA dhe Bashkimi Europian, jo Shqipëria; dhe Rama doemos që nuk shkoi në Beograd të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës së pavarur prej Serbisë.

    Une mendoj se ka shume per t’u habitur kur Vucic thote: C’lidhje ka Shqiperia me Kosoven? Ky ishte reagimi me absurd , me diletant i Vucic.Vazhdimi reagimit : Kosova nuk eshte pjese e Shqiperise dhe nuk do te jete kurre” artikulon qartazi makthin nacionalist per “Shqiperine e madhe”. Reagimi Vucic do te kishte kuptim nese Rama do te bente ndonje deklarate te tipit : “Kosova eshte Shqiperi” ose ” Bashkimi Kosoves me Shqiperine eshte i pashmangshem” (ky po, do te ishte akt heroik, komentoi dikush ne shypin e Tiranes).
    Nuk do te kishte asgje te habitshme e gjithcka do te ishte e perligjur ne reagimin e Vucic sikur kete pyetje ta bente ne nje konference shtypi , te themi, me kryeministrin e Mozambikut (C’lidhje ka Mozambiku me Shqiperine? !) . Eshte e vertete qe pavaresia e Kosoves nuk eshte frut i ndonje aksioni politik, ushtarak dhe diplomatik te Shqiperise. Shqiperia nuk ishte aktor ne aksionin e shkeputjes se Kosoves nga Serbia (nga Rambujeja ne sulmet e NATO-s dhe deri tek shpallja e pavaresise) por askush nuk e mohon dot se Kosova eshte pjese e kombit shqiptar, pjese e territoreve shqiptare te shkeputura padrejtesisht nga Shqiperia. Perndryshe, nga buron kjo ngrirje dhe ky tension ne marredheniet midis Serbise dhe Shqiperise? Realitet nuk ndryshohen duke mbyllur syte , as duke futur koken ne rere si struci.
    Konstituimi i Kosoves si shtet me vete dhe garantimi pavaresise se saj nga Shba dhe BE, nuk e zhvesh Shqiperine nga detyrimet kushtetuese per mbrojtjen e te drejtave te shqiptareve kudo qe jane ne trojet e tyre, qofte si minoritete, qofte si entitet shtetformues.
    Rama nuk shkoi ne Beograd te zgjidhe ceshtjen e njohjes se Kosoves se pavarur nga Serbia por nuk mund te mos e nxiste palen serbe per ta hedhur nje hap te tille ne kontekstin e krijimit te nje klime miqesore ne rajon.Njohja e pavaresise se Kosoves nga Serbia,ne mos kushtezon, pa diskutim qe ndikon ne normalizimin e marredhenieve te Shqiperise me Serbine. Ajo qe Vucic mund ti tingelloje si paternalizem i Tiranes zyrtare kundrejt Kosoves, nga perspektiva e integrimit europian dhe bashkepunimit rajonal , pra e krijimit te nje klime miqesore dhe bashkepunuese ne rajon, eshte kerkese krejt normale qe vjen prej nje shteti , pjese e ketij rajoni dhe me nje rol e peshe te paneglizhueshme ne stabilitetin e rajonit te Ballkanit.
    Rama shkoi ne Beograd per normalizimin e marredhenieve midis dy vendeve dhe hodhi ne tryzen e bisedimeve dy karta, ate te europianizmit, te bashkepunimit rajonal si parakusht per pershpejtimin e integrimit europian te rajonit dhe ate te kombetarizmit, njohjen e Kosoves nga Serbia dhe respektimin prej saj te te drejtave te shqiptareve ne Lugine.

    1. Kur them “s’ka gjë për t’u habitur”, kam parasysh atë se këto pozicione serbët i kanë mbrojtur prej kohësh, pra kanë qenë të mirëditura, edhe nga pala shqiptare; sikurse që Rama do të interesohej patjetër për Kosovën, kjo ka qenë prej kohësh përparësi në politikën e jashtme të Shqipërisë. Këto kanë qenë, pra, mes premisave të takimit.

    2. Shkruan:

      “…por askush nuk e mohon dot se Kosova eshte pjese e kombit shqiptar, pjese e territoreve shqiptare te shkeputura padrejtesisht nga Shqiperia. Perndryshe, nga buron kjo ngrirje dhe ky tension ne marredheniet midis Serbise dhe Shqiperise? Realitet nuk ndryshohen duke mbyllur syte , as duke futur koken ne rere si struci.”

      E para, Kosova nuk ka se si te jete pjese e kombit shqiptar, pjese e kombit shqiptar jane shqiptaret etnike qe banojne ne Kosove.

      E dyta, pohimi qe Kosova eshte pjese e territoreve shqiptare te shkeputura padrejtesisht nga Shqiperia, eshte i rreme thjesht per faktin qe Kosova nuk ka qene ndonjehere pjese e Shqiperise, qe pastaj eshte shkeputur nga Shqiperia (po perjashtoj ketu ato pak vjet qe ne Kosove gjate L2B u instalua administrate shqiptare me ndihmen e pushtuesve italiano-gjermane). Kur Shqiperia u konstitua si e tille ne vitin 1912 nuk e perfshinte Kosoven brenda kufijve, keshtu e shumta qe mund te thuhet per Kosoven si territor shqiptar (per ata qe e konsiderojne te tille) eshte qe “padrejtesisht nuk u perfshi brenda kufijve te Shqiperise”.

      E treta, “askush nuk e mohon dot qe Kosova eshte….”. Neqoftese me askush nenkupton asnje shqiptar, edhe mund te kesh relativisht te drejte, sepse kjo reflekton te drejten/verteten e shqiptareve. Po te pyesesh serbet, perkundrazi askush nuk e mohon dot qe “Kosova eshte Serbi”. Sigurisht ketu me askush serbet nenkuptojne asnje serb, pra kjo eshte e drejta/verteta serbe. Dhe me duket pak naive te mendojme qe edhe serbet vete e dine qe jane gabim po ashtu ua do puna te thone. Shumica dermuese e serbeve (per te mos thene te gjithe) jane te bindur e ne te drejte te Zotit te vet kur mendojne se “Kosova eshte Serbi”. Thjesht e drejta/verteta e shqiptareve eshte e kundert me te drejten/verteten serbe ne kete rast.

      E katerta, nuk me duket se dikushi po e fut koken ne rere, as Rama, as Vucici. Sejcili e ka ngritur koken aq lart sa ia lejon qafa, sejcili duke mbrojtur te verteten/drejten e vet. Historia do te tregoje se cila e drejte/vertete do te fitoje. Historia ka treguar qe shtetet formohen e prishen ku me gjate ku me shkurt. E drejta/verteta serbe qendroi afersisht per pothuaj nje shekull. Jemi ne agimin e nje te drejte/vertete te re qe he per he shihet ne shtetin e pavarur Kosovar. Ku dihet cfare do te sjelle historia? Ka patur perandori qe kane jetuar me shekuj, per t’ia lene vendin te tjerave e me rradhe, dhe kjo pavaresisht se kujt kombi i kane perkitur shtetasit e tyre,a me cfare flamuri jane perfaqesuar territoret e tyre.

      Dhe meqe ra fjala, formalisht Vucici ka te drejte kur thote c’lidhje ka Shqiperia me Kosoven, sepse keto jane dy shtete te pavarura, pavaresisht nga fakti qe popullata ne Kosove eshte ne shumice shqiptare. Rama do te kish pasur te drejte te permendte respektimin e te drejtave te shqiptareve ne Kosove, nese Kosova do te ishte end pjese e Serbise, si KM i shtetit-ame (per te perdorur kete term tashme pa kuptim). Vucici ben nje gabim ne gjykim, kur thote qe Kosova nuk ka per te qene kurre pjese e Shqiperise, thjesht sepse kete ai nuk ka si ta dije. Per te ruajtur koherencen, ai duhet te kishte thene qe Serbia do te beje cdo gje per te mos lejuar bashkimin e Kosoves me Shqiperine, por a do te ndodhe apo jo ky bashkim ai s’ka si ta dije.

      1. Komenti juaj qëndron dhe e duartrokas, por, po u tjerr argumenti, mund të thuhet se Vuçiqi nuk mund të pretendojë Kosovën më tepër se Rama, sepse Kosova kurrë nuk është inkorporuar ligjërisht në Serbi, por në Jugosllavi. Noel Malcolm e shpjegon mirë këtë punë.

        ps. “vera” është besimi teologjik, si “dini e imani”. Diçka që ngjason me besën është “zakletva” apo “zavet”.

        1. Falemnderit. Nje sqarim, argumenti sa i takon bashkimit nuk ka te beje me faktin qe Kosova nuk ka qene ndonjehere Shqiperi, pra s’ka si te jete as ne te ardhmen. Argumenti ishte thjeshte korrektim per sa thote Shpendi qe Kosova eshte shkeputur padrejtesisht nga Shqiperia. Si mund te shkeputet dicka nga nje dicka tjeter nese kurre s’ka qene me pare pjese e kesaj dickaje? Pra edhe nje here une nuk them se meqe s’ka qene, eshte gabim qe te pretendohet te behet. Une thjesht them qe nuk ka si te quhet e shkeputur, sic thote Shpendi.

          Megjithate, meqe jemi ketu, nuk me duket e sakte qe Kosova kurre nuk eshte inkorporuar ne Serbi, pavaresisht se kush e thote kete. Kosova ka qene pjese integrale e Republikes Socialiste te Serbise (ne kuader te Jugosllavise se Titos) dhe po ashtu pjese Integrale e Serbise ne Mbreterine Serbo-Kroato Sllovene. Madje, edhe pas konstituimit si Krahine Autonome, ishte pjese e RSS. Mbeti po keshtu pjese e Serbise edhe ne Federaten Serbo -Malazeze (ose ne Jugosllavine e fundit). Kjo sa per hir te argumentit historik, sepse keta precedente nuk i japin perparesi pretendimit serb mbi Kosoven, me shume se c’i jep precedenti qe Cekia ka qene pjese e perandorise Austro-Hungareze, te drejten Austrise per pretemdime teritorriale ndaj Cekise.

        2. Shkruan:

          “vera” është besimi teologjik, si “dini e imani”. Diçka që ngjason me besën është “zakletva” apo “zavet”.

          Kam frikë se jo.

          Citoj përmbledhtazi nga libri Moral Concepts in Traditional Serbian Epic Poetry, nga Jovan Brkic, Mouton & Co. The Hague 1961, f. 110 dhe vazhdim deri në faqen 137, me shembuj të panumërt nga eposi serb.

          Konceptet e “besimit”, “premtimit”, “sjelljes besnike”, “besnikërisë”, “fjalës së nderit” dhe, si personifikim, “personit besnik”, të gjitha denotohen, në poezinë epike serbe, nga emri vjera ose vera.

          Në ligjin mesjetar, koncepti vera përdorej në traktatet, për të pohuar synimin e palës ose të palëve që termat e traktatit do të zbatoheshin “në mirëbesim” dhe si premtim.

          Sërish në ligjin mesjetar, koncepti vera përdorej për të denotuar premtimin se një marrëveshje, fjalë e dhënë, paqe ose gjithçka tjetër me natyrë promisore do të zbatohej, si detyrim nga pala që e dha premtimin.

          Kështu, ka një dokument të vitit 1238, ku mbreti Stefan Vladislav i ankohet princit të Raguzës dhe qytetit-shtet të Raguzës se e kishin shkelur vera-n që i dhanë (dhe ia kishin sulmuar disa fshatra). Në këtë kuptim të dytë, koncepti përdoret shpesh me kuptimin “armëpushim” që e ka edhe në malësitë tona.

          Më tej, koncepti i vera-s përdorej në shoqëritë patriarkale në të njëjtën mënyrë si në traktatet e periudhës feudale, për të premtuar marrëveshje ndërfisnore ose midis myslimanëve dhe të krishterëve (dinarikëve në tekst).

          Mes fiseve dinarike kishte edhe dy përdorime të konceptit të vera-s që nuk gjendeshin në praktikën feudale. I pari ishte përdorimi i vera-s si premtim kolektiv që konfirmonte marrëveshje midis dy ose më shumë klaneve, ose midis një klani ose fisi dhe fqinjëve myslimanë.

          Ky premtim shpesh kish lidhje me zotimin e palëve për të mos e tradhtuar njëra-tjetrën.

          Përdorimi tjetër kish të bënte me pajtimin e gjaqeve (kjo ngjan pikë për pikë me çfarë gjendet në Kanunin tonë).

          Sipas Shuflajt, ky përdorim (i vera, besa dhe pobratimstvo) lidhet me shkërmoqjen e shteteve feudale të centralizuara serbe dhe bizantine nën trysninë e osmanëve, gjatë shekullit XV dhe përzierjen e fiseve sllave dhe shqiptare që pasoi (gjithnjë sipas atij autori).

          Më tej, në shoqëritë feudale, vera dhe nevera ishin koncepte kryesisht juridike, dhe sanksionet ndaj shkeljes së vera-s ishin kryesisht juridike gjithashtu. Në konceptimin patriarkal, përkundrazi, vera dhe nevera u bënë koncepte kryesisht morale, dhe sanksionet ndaj shkeljes së vera-s ishin kryesisht me natyrë morale.

          I nderuar Ardian, kur pohoj diçka në publik, duke e marrë për premisë të arsyetimit, zakonisht i kam bërë detyrat e shtëpisë paraprakisht, edhe për respekt ndaj lexuesit të etur për dije.

      2. Zotri, mos u kap pas fjaleve , germave por kap kuptimin e asaj qe kam shkruar.Nje debat nuk mund te ngrihet me akrobacira dhe sofizma. Po te kishin ndjekur “logjiken” tende shqiptaret, nuk do kishin themeluar Lidhjen Shqiptare ne Prizren.Dhe Isa Boletini me shoke, nuk do drejtohej prej Kosove ne Vlore per shpalljen e pavarsise.
        1.Kur them se Kosova eshte pjese e kombit shqiptar, kam parasysh jo vetem banoret e saj shqipfoles por edhe territoret ku ata banojne.Hartat politike jane teritoriale dhe jo demografike. Kombi nuk eshte vetem imagjinativ, eterik, nocion kulturor por ka edhe dimensionin territorial.
        2.Thua : “Kur Shqiperia u konstitua si e tille ne vitin 1912 nuk e perfshinte Kosoven”!! Nqs une do te pyes se ku e mbeshtet kete pohim (te pavertete) me siguri do me thuash se Ismail Qemali pavaresine e Shqiperise e konstituoi permes nje deklarate dhe nuk dizenjoi ndonje harte politike me kufijte e asaj qe quhej Shqiperi! Dhe pjesmarrjen e perfaqsise se Kosoves ne Kuvendin e Vlores do ta quash sajese te Konostudios Shqiperia e Re, me siguri!
        Fatmiresisht, nacionalistet shqiptare, qysh prej Lidhjes Shqipatre te Prizrenit , kishin krijuar vetedijen se kater vilajetet perbenin nje komb, bazuar pikerisht mbi kriterin etnografik dhe gjuhen , si shenja perbashkuese perballe diversitetit te besimit fetar.Edhe Fuqite e Medha ne Konferencen e Londres, negociatat (lexo:pazaret) mes tyre per konfigurimin e hartes politike te Shqiperise i bazuan mbi kriterin gjuhesor. Por sic deshmojne aktoret e kohes, per shkak te ruajtjes se ekuilibrit mes Fuqive te Medha, konsiderata gjeostrategjike, dominoi, ne mjaft raste, mbi ate etnike, ne konfigurimin e kufijve te Shqiperise. Mbi kete baze them se Kosovo ju shkeput Shqiperise. Kesaj Shqiperie qe tek e fundit eshte Londineze dhe jo natyrale. Kosova popullohej nga shqipfoles dhe kishte vazhdimesine teritoriale me trojet e perfshira ne Shqiperine Londineze. Nga kjo pikpamje, nuk ndryshon gje ne konceptin e te drejtes historike nese themi “ju shkeput” apo “nuk u perfshi”.”Perfshirja” dhe “shkeputja” ishin dy procese te njekoheshme dhe te bashkelidhura ne tryezen e kasapeve te Konferences se Londres.
        3. Kjo teoria e dy te vertetave eshte interesante. Te zbresesh nga shkallet , eshte e sigurt qe do dalesh ne territorin para pallatit. Edhe te kercesh nga dritarja, eshte e sigurt, para pallatit do perfundosh. Ja pra dy te verteta .Por njera perfundon me thyrje te kokes.Ka nje te vertete te bazuar ne fakte dhe nje te vertete te ngritur mbi mite te rrejshme. Serbet perhere proklamojne “te verteten ” e tyre se “Kosova eshte djepi Serbise”.Te jetuarit brenda mitit ka riskun e perplasjes me realitetein e pakendshem.
        4. Argumenti 4 eshte i stilit profetik dhe nuk ja vlen te merresh. Mund te ndodhi dhe apokalipsi.

        Dhe meqe ra fjala…Rolin e strucit e bejne te gjithe ata qe nuk pranojne te shikojne pertej statusit juridik te Kosoves, realitetin historik gjitheshqiptar dhe lidhjen natyrore te Shqiperise me Kosoven. Kosova ne raport me Shqiperine nuk eshte si raporti Shqiperise me Mongoline.(vertet, c lidhje ka Shqiperia me Mongoline??) Ata qe privojne Shqiperine te loboje per njohjen e pavaresise se Kosoves ne emer te faktit se ” Kosova eshte shtet i pavarur”, ndoshta duan te thone dicka me shume, se Kosova perfaqson nje identitet tjeter kombetar nga ai shqiptar. Gjera qe dhe jane thene xhanem. Asgje nuk habit.

        1. Zoteri, mesa di une debatet behen me fjale, fjalet kane kuptimin qe kane dhe neqoftese ato nuk i zgjedh me kujdes atehere lindin keqkuptimet. Se cfare ke dashur te thuash ti une mund ta gjej vetem duke lexuar ate qe ke shkruar ti, dhe neqoftese ti ke shkruar dicka qe nuk perputhet me ate qe ti mendon, ky nuk eshte faji im. Po te kishin ndjekur logjiken tende shqiptaret mbase do te ishin ende duke u perpjekur te canin drejt Beogradit me tanke dhe dyfegje. Pas kesaj besoj se per piken 1 dhe 2 nuk kam c’te shtoj tjeter.

          Per piken 3. Ka nje ndryshim esencial midis “dy te vertetave” sic i pershkruaj une, dhe “dy te vertetave triviale” sic i pershkruan ti me ballkone e pallate. Ka qelluar qe ato dy te vertetat qe permend ti nuk jane dy te verteta te ndryshme per te njejtin objekt. Te dyja ato jane te verteta, secila per hesap te vet, dhe ma merr mendja qe edhe serbet jane ne nje mendje me ty rreth ketyre dy te vertetave madheshtore me ballkon e pallat. Kur vjen puna tek Kosova, ti mund te thuash cfare te duash e mua mund te me vije keq sa te dua, e verteta serbe eshte e kundert me te verteten shqiptare, dhe komenti yt rreth te vertetes serbe nuk eshte gje tjeter vecse konfirmim i faktit qe ti, sikurse edhe une, pranojme te verteten shqiptare. Ndryshimi midis meje e teje eshte qe une e kuptoj qe ka edhe nje te vertete serbe rreth kesaj ceshtje, packa se nuk me pelqen, kurse ti e injoron ate, duke e interpretuar ne menyre subjektive te gjithe ceshtjen.

          Qe te merremi vesh nje here e mire, pavaresisht nga sofizmat dhe akrobacirat qe permend ti. Si e shpiegon ti qe Kosoves iu deshen thuaj 100 vjet te shpallte pavaresine, nese nuk do te kishte edhe nje te vertete serbe per kete pune? Dhe me tutje te gjithe e pame te verteten e stadiumit “Partizani”, po si dreqin qe me gjithse e verteta ben muuuu (e kam fjalen per te verteten shqiptare), per dreq UEFA shef nje te vertete tjeter atje? Ah po, atje ne UEFA te gjithe jane horra e maskarenj dhe madje shumicen e kohes jane te pire e te droguar dhe e shofin boten mbrapsht. Qe ta marresh vesh ti zoteri, neqoftese do qe ta mundesh nje armik a kundershtar, gjeja e pare qe duhet te besh eshte te kuptosh “te verteten” e tij (jo ate me ballkone) e pastaj ta godasesh atje ku “e verteta e tij” nuk eshte e vertete, dhe mos harro qe per kete duhet te bindesh edhe te tjeret qe jane relevante dhe qe kane nje fjale ne ate ceshtje. Psh, ne ne Shqiperi ne vend se te mendoheshim se si duhet ta paraqisnim te verteten tone ne UEFA ne menyre te atille qe ta benim ate te vetmen te vertete rreth ngjarjes u morem me shpallje herojsh e mbrojtes flamuresh me qytetari nderi e ku di un c’tjeter, Nejse, nuk ia vlen te zgjatem me. Ti po te duash te mos kapesh pas fjaleve e pas germave po te kapesh kuptimin e asaj qe kam shkruar une, besoj se do te kemi nje perparim te lehte drejt te kuptuarit drejt te njeri tjetrit.

          1. Dule, more nje paragraf nga komenti im i pare dhe , permes nje ushtrimi te logjikes formale, u rreke te shpjegosh paskatesite e shprehura. Pervec termit “askush” te cilin e gjej te drejte ne interpretimin tend, pjesa tjeter e paragrafit,e asaj cfare kam shkruar, shpreh ekzaktesisht ate cfare mendoj.Por pasioni per ushtrimin e logjikes formale, te nxorri zbuluar dhe te ceket ne njohurite historike, respektivisht ate qe te kam shpjeguar ne piken 1 dhe 2 te cilave u bishtenove. Edhe nje here te rikujtoj se ajo qe u quajt Shqiperi ne aktin e shpalljes se pavarsise, perfshinte territoret e kater vilajeteve te ish PO, te cilat banoheshin ne shumice nga shqipfoles. Pohimi yt se “Kosova nuk ka qene pjese e Shqiperise ne vitin 1912”, eshte i pavertete dhe kete e provon Memorandumi Qeverise se Vlores drejtuar Konferences se Ambasadoreve (1913) me harten teritoriale te Shqiperise Natyrale/Etnike ose, e thene ndryshe, harta shpirterore e nacionalizmit shqiptar.
            Keshtu pra, permes ushtrimit logjik, u prodhua e verteta se njohurite e tua rreth fakteve historike jane te paverteta. Ndoshta ti nisesh nga e “verteta serbe” per kete ceshtje dhe e terheq ate qe thashe me lart, mungesen e njohurive ne fushen e historise.
            Nga ana tjeter, jam absolutisht koshient qe ka dhe nje te “vertete” te serbeve , “doktrina e shenjte serbe” e artikuluar nga “Nacartenia” e cila ka sherbyer si platforme veprimi per shovinizmin serb.
            Pyet : Si e shpiegon ti qe Kosoves iu deshen thuaj 100 vjet te shpallte pavaresine, nese nuk do te kishte edhe nje te vertete serbe per kete pune? ”
            Pergjigjia eshte shume e thjeshte : Kur vjen fjala per te verteta te kesaj natyre, pra per pretendime territoriale, sikurse eshte rasti Kosoves, realitet gjeopolitike jane produkt i raportit te forcave (shteterore, politike dhe ushtarake) dhe jo thjesht rezultat i paster i arsyetimeve dhe ushtrimeve te logjikes ne auditore dhe rrjete sociale.Doktrinat ku sintetizohen te vertetat per secilen pale jane dije te prodhuara nga pushteti dhe per legjitimimin e atij pushteti dhe si te tilla, behen realitet permes forces. Kosova fitoi pavaresine, fale doktrines se saj,( te vertetat e saj historike, si pjese e kombit shqiptar ) por ishte nderhyrja ushtarake e NATO-s e cila bazuar ne kete te drejte, ne kete te vertete dhe ne realitetin e genocidit serb kunder popullsise shqiptare ne Kosove, legjitimoi nderhyrjen dhe jetersoi te verteten e shqiptareve ne Kosove. Edhe Shqiperia Londineze ose ajo e kufijve shteterore qe kemi sot nuk u prodhua thjesht nga ballafaqimi te vertetave mes shqiptareve dhe fqinjeve por si rezultat i raportit te forcave dhe interesave te paleve te perfshira ne konflikt. Ne kete rast te vertetat jane te molepsura nga interesat e paleve. Prandaj nuk ka dy matematika ose dy fizika, nje per serbet e nje per shqiptaret.
            Dhe, me tej, kjo shpjegon se perse kemi dy variante te eposit te kreshikeve, te atij folklorik dhe te ketij te fundit, te folkpolitikes.Ngjarja e stadiumit, dronit dhe takimit te Beogradit eshte nje kurse interpretimet jane dy. Eposi shqiptar per guximin e Rames perballe Vucic dhe eposi serb per kurajon e Vucic perballe Rames. Nuk ka fakte, ka vetem interpretime, tha.

          2. Eh, mor Shpend, une asnjehere nuk pretendova se jam historian, rrjedhimisht as nuk pretendoj se njohurite e mija historike jane pa cen. Ne kete lumin e fjaleve qe shkruan me poshte ka plot inkoherence, nga pikpamja e logjikes formale sic thua ti, edhe po te pranojme qe njohurite e tua historike jane te thella (ndryshe nga te mijat qe u demostruan te ceketa). Gjithesesi ti e kupton dallimin midis njohurive dhe logjikes qe perdoret per t’i trajtuar keto njohuri. Mua do te me duhej te shkruaja edhe nje here me shume per t’i nxjerre ne inkoherencen logjike qe pershkon zellin tend. Me thene te drejten, nuk po kam interes me per kete diskutim, aq me shume qe me ne fund edhe ti e kuptove qe ka dy “te verteta” ne kete mes, vetem se ti i quan dy “interpretime” ne fund te komentit tend. Dhe keshtu une po largohem i lumtur qe me ne fund, se paku edhe ne konvergjuam ne nje te vertete te vetme, packa se me terminologji te ndryshme. Shendet!

  4. I nderuar Ardian, aspak nuk dyshoj në përgatitjen tënde dhe, si lexues, të falenderoj për respektin që ja bën lexuesit.

    Por, edhe për një moment do të ngul këmbë në timen, edhepse e vetmja gjë që më vjen në ndihmë janë kujtimet nga ora e serbishtes e para 30 vjete. Sot, mezi që e gjej një rresht në Internet prej Gorski Vijenac të Njegoshit:
    Бјежи, грдна клетво, с рода – завјет Срби испунише!
    Ik, mallkim i fëlliqtë, prej fisit – e plotësuan zavjetin (mbajtën fjalën, besën) Serbët! — (“puniti” është folja për “mbush”, sikurse “fulfill” e anglishtes.)

    Fjala “vera” shërben si rrënjë për shumë fjalë me kuptime të ndryshme, si besa në shqip, nga e cila dalin besniku, besimtari, besueshmëria, besimi, e të tjera që i di më mirë se unë. Besimtarit serbisht i thuhet “vernik”, besnikut “veran”, por akti i betimit është “zakletva”. Vera është diçka që e ke në raport me të përtejmen, Zotin, transcendentalen, kurse zakletva është shumë konkrete, si besa e burrit. Disi si dallimi në mes të të bërit be dhe të dhënit e besës.

    1. Nuk e di serbishten – por librin e Brkic e pata lexuar me shumë kujdes, kur po studioja disa aspekte të Ciklit tonë të Kreshnikëve. Ai e ka trajtuar shumë gjerë atje konceptin e vera-s në këngët e ciklit serb; dhe pa dyshim që përkimet me besën tonë janë pothuajse sistematike. Ka sjellë si shembull një numër të madh këngësh dhe vargjesh – meqë tezat e tij për vera-n serbe janë në qendër të studimit vetë. Të gjitha kuptimet që i solla unë, duke cituar përmbledhtazi, ai i ilustron me vargje nga kënga ose dokumente historike. Përndryshe, edhe ne në shqip kemi, sikurse e thua edhe ti, fjalë si besim, zotim, premtim, etj. pa përmendur besnikëri, me kuptim të përafërt; sikurse e përdorim fjalën besë me kuptimin fe, religjion (në sharje, p.sh.; por edhe te Samiu: “ku është kordha, atje edhe besa”). Janë gjëra që nuk i ndan dot me thikë. Megjithatë, në burim besa shqipe dhe vera serbe (dinarike) nuk më duket se mund të ndahen; janë po aq të afërta mes tyre, sa edhe vetë epet përkatëse.

  5. Ne intervisten dhene Sokol Balles, Rama prononcohet perseri per besen. Me duket shume kontradiktor ne dy pohimet me poshte:

    “Do te ishte prerje ne bese shqiptareve, qe une ne Beograd te mos thosa ate qe thashe per Kosoven.”

    dhe

    “Une nuk i kisha dhene besen askujt, pasi serbet nuk e kane traditen e tyre besen, ndryshe nga shqiptaret.”

    Me tej ne interviste thote se per shqiptarin te shkelesh besen eshte te shkelesh mbi veten. Nese pala tjeter (Vucic ne kete rast) ndjen se nje premtim nuk eshte mbajtur atehere perseri ke shkelur mbi veten. Vetem se ne kete rast ke shkelur mbi te gjithe popullin shqiptar qe tani paraqitet si i pabese!

    http://www.gazetatema.net/web/2014/11/13/lajm-i-fundit-rama-do-ishte-prerje-ne-bese-per-shqiptaret-te-mos-flisja-per-kosoven-ne-beograd/

  6. Për mendimin tim vizita e Ramës në Beograd mund të quhet historike vetëm po ti referohet faktit, se ka qenë vizita me e panevojshme që kanë bërë fqinjët ballkanikë ndonjëherë tek njëri – tjetri. Edhe pa vajtur Rama në Beograd dihej botërisht se serbët dhe shqiptarët nuk kanë se çfarë t’i thonë asgjë njëri – tjetrit. Normalisht palë në një konflikt kur kërkojnë t’i rishikojnë gjërat vihen në lëvizje nga impulse të brendshme. Shqiptarët dhe serbët u takuan këtë herë, si edhe në dhjetëvjeçarët e fundit të detyruar nga fuqitë e mëdha. Në këtë kuptim, ta quash një vizitë të tillë historike, kur ajo ka qenë krejtësisht e telekomanduar, është një lajthim jo i lehtë.
    Rama dështoi në rolin e diplomatit. Ajo që u kuptua dhe do të mbahet mend nga kjo vizitë ishte se ai shkoi në Beograd dhe u foli të vetëve e jo serbëve. Në këtë kuptim zhgënjimi i serbëve është logjik. Nëse Rama kishte nevojë të shprehej botërisht për Kosovën e çështjen e shqiptarëve në Beograd në mënyrë të tillë që fjalët të mos i binin në vesh të shurdhër në Beograd, ka për këtë mënyra të tjera, ato diplomatike. Rama nuk e bëri këtë sepse ndoshta nuk e ka atë dhunti për të qenë diplomat, apo e ka humbur në përleshjet verbale në politikën e brendshme, ose edhe nuk ka dashur, ngaqë për të më e rëndësishme në atë vizitë ishte t’i rreshtonte shqiptarët e ish-Jugosllavisë pas vetes e jo të gjente të gjuhën e përbashkët me serbët.
    Dhe e fundit. Kur do ta kuptojnë ata njerëz që metaforat sportive janë vërtetë jashtëzakonisht banale në politikë. Natyrisht që shumëkush i bën, por kjo ndodh kur të ka mbaruar fantazia. Pastaj edhe ky muhabeti i besës së fundit ishte vërtetë i panevojshëm. Çdo të thotë “besa shqiptare” e “besa serbe”? Ta thjeshtosh çështjen kështu është njësoj sikur t’i perceptosh dëgjuesit e tu si të ishin të mangët.
    Artikulli i Lubonjës ishte një reflektim esëll i asaj vrime gjigante në ujë që hapi Rama në Beograd.

  7. Mendoj se Rama tha ate çka do degjohej edhe prej gojes se kryeministrit te Republikes se Ishujve Fixhi,qe rezulton si vendi i 94, i cili ka njohur pavaresine e Kosoves.
    Nuk rezulton qe Rama te kete folur per çeshtjen e Kosoves ne takimin me Vuçiçin, thjesht iu pergjigj pyetjes se nje gazetari. Per kete arsye, dmth qe Kosova nuk ka qene çeshtje e diskutimeve dypaleshe, nuk qendron asnje akuze per mosrespektim te protokollit, maksimumi mund te akuzohet se nuk ka respektuar ndjeshmerine serbe.
    Rama i eshte pergjigjur nje pyetjeje per te cilen nuk mund te deklaronte se s’kishte ndonje koment, dmth nuk u soll si i zgerlaqur. Zgerlaqja do te kishte kosto politike, ndoshta te papranueshme ne keto kohe kur pakenaqesia ndaj rritjes se taksave,akcizave e kesisojlleqeve, po arrin ne nivele shqetesuese per çdo pushtetar.

    Serbet uleriten per skandal, çka e beri te rendesishme pergjigjen vertet dinjitoze,por perndryshe, mese normale, pa asnje risi politike, te Rames.

  8. Dule….:
    – E dyta, pohimi qe Kosova eshte pjese e territoreve shqiptare te shkeputura padrejtesisht nga Shqiperia, eshte i rreme thjesht per faktin qe Kosova nuk ka qene ndonjehere pjese e Shqiperise, qe pastaj eshte shkeputur nga Shqiperia (po perjashtoj ketu ato pak vjet qe ne Kosove gjate L2B u instalua administrate shqiptare me ndihmen e pushtuesve italiano-gjermane). Kur Shqiperia u konstitua si e tille ne vitin 1912 nuk e perfshinte Kosoven brenda kufijve, keshtu e shumta qe mund te thuhet per Kosoven si territor shqiptar (per ata qe e konsiderojne te tille) eshte qe “padrejtesisht nuk u perfshi brenda kufijve te Shqiperise”.

    Ketu ka nje gabim, Shqiperia si shtet me kete emer u themelua ne 28 Nentor 1912, duke pretenduar edhe Kosoven ( Amerika u themelua ne 4 Korrik 1776, por pushtetin real ne 13 kolonite e arriten vetem ne 1783)e cila kishte caktuar delegate si çdo krahine. Gjithsesi, tek shkeputja nga Shqiperia, nuk kemi shkeputjen nga shteti i Shqiperise, por nga Shqiperia si koncept burimor i Shqiperise shteterore.
    Shqiperia shteterore eshte nje paraqitje e gjymtuar e Shqiperise burimore apo Idese se Shqiperise. Gjithe shqiptaret kur flasin per Shqiperine ne kohen para shtetit te Shqiperise, kane parasysh Idene e Shqiperise, ku padyshin qe Kosova eshte pjese integrale, keshtu qe shprehja eshte plotesisht legjitime.

    E njejta gje mund te thuhet per serbet(qe ta lidhim me temen), edhe per ta Kosova eshte pjese integrale e Idese se Serbise, pavaresisht se eshte shkeputur, pra se nuk ushtrojne me pushtet ne territor prej 15 vjetesh. As pas 500 vjetesh nuk mund te pretendosh qe serbet ne Idene e Serbise te mos e perfshijne Kosoven. Sigurisht qe koha do te mund te krijoje njefare ideje te re te Serbise apo Shqiperise e me radhe, por druaj se sapo popujt te kene mundesine do te shpalosin Idene zanafillore te Serbise, Shqiperise e me radhe. Mundesia ne fjale mund te lexohet edhe si domosdoshmeri historike, meqenese ligji i domosdoshmerise sjell edhe mundesine.

    Qofsha i gabuar, por Rama mu duk se kembenguli ne konference, jo pse pati ndonje dell patriotizmi, por sepse u irritua qe kryeministri serb nuk donte te shihte realitetin, dmth si njefare irritimi i tipit e verteta eshte sheshit , pse s’do ta shikosh o kokemushke, pra çeshtje krejt personale. Kjo sepse Rama nuk arrin te pranoje Idene e Serbise (apo edhe Shqiperise) apo qe robi tjeter te udhehiqet nga Ideja (gje qe ne politike eshte here e gabuar e here jo). Nuk kishte pra dell patriotizmi, apo patriotizma te kundert ne veprim, por thjesht qasje te kunderta.

    1. Ne komentin tim une i jam referuar konceptit te “Shqiperise shteterore”. Nese i referohemi ideve qe paten patriotet shqiptare qe shpallen pavaresine e Shqiperise me 1912 sigurisht qe ti (e me pare Shpendi) keni te drejte. Puna eshte se ne varesi nga patrioti, apo historiani shqiptar ndryshon edhe koncepti se cfare ishte, apo cfare duhet te kishte qene Shqiperia. Ka nga ata qe perfshine edhe plot toka te tjera vec Kosoves ne te ashtuquajturen SHQIPERI, prej nga edhe koncepti i Shqiperise se Madhe. Tani me duket se kerkush nuk operon me me kete koncept pa rrezikuar te cilesohet si “i padesheruar” ne rastin me te mire.

      Sa i takon qendrimit te Rames jam krejtesisht ne nje mendje me ty dhe madje mund te thosha shume me teper lidhur me diletantizmin politik e me patriotizmin e shtire po nuk po zgjatem se jam i vetdijshem qe nuk kisha per te shtuar ndonje gje per te qene. Nje gje vetem dua te shtoj, kam pare e degjuar shume qe e konsiderojne viziten si nje sukses te madh personal per Ramen e per Shqiperine. Qe mund te jete sukses per Ramen, me shume sepse keshtu perceptohet nga vulgu patriotist (me fal per termin) dhe thjesht nga pikpamja pragmatiste e politikes se dites ne Shqiperi kete edhe mund ta pranoj. Nuk shof cfare suksesi perben kjo vizite per Shqiperine dhe te ardhmen si te saj ashtu edhe te Kosoves.

      Sepse me kujton ngjarje nga vegjelia kur duke luajtur futboll me top gome 50ç e kembezbathur, ndonje shok qe inatosej shante nga nona shokun tjeter dhe pastaj ia mbathte me vrap.

    2. H: “…jo pse pati ndonje dell patriotizmi, por sepse u irritua qe kryeministri serb nuk donte te shihte realitetin, dmth si njefare irritimi i tipit e verteta eshte sheshit , pse s’do ta shikosh o kokemushke, pra çeshtje krejt personale. Kjo sepse Rama nuk arrin te pranoje Idene e Serbise (apo edhe Shqiperise) apo qe robi tjeter te udhehiqet nga Ideja (gje qe ne politike eshte here e gabuar e here jo).”

      O Hyllin, nuk mendoj se jemi ne nje bisede(e kam fjalen per takimin Rama-Vucic) opinionistash shqiptare, qe irritohen nga “miopia e te mos shikuarit te vertetes” qe e sheh njera pale, por nuk e sheh tjetra, 🙂 dhe i thone njeri-tjetrit “pse s’do ta shikosh, o kokemushke”.

      E shoh qe i perdore prane-prane si percaktime “realitetin” dhe “te verteten”. Besoj se e merr me mend se nuk jane e njejta gje.

      E verteta ime, nuk eshte e jotja, realiteti im nuk eshte ai i joti, sepse une jetoj ne te timin, jo ne te tendin. Prandaj ka ndodhur qe serbet kane mbajtur zap Kosoven per aq kohe sa munden. Prandaj ndodhi qe Kosova sot eshte me vete…por nuk ka nevoje t’ia mesoj Rama te vertetat apo realitetet serbeve.

      Rama, pervecse ka fituar ne me te shumten, lavderimet e Qoses, si zor se mund t’i jete rritur statura si stateman, pas kesaj vizite. Do te kishte bere mire qe pasi leshoi “bomben” apo “dronin” ne Beograd(sipas tij), te kishte vazhduar “business as usual”, pa qene nevoja per te dhene sqarime te tjera dhe per te komplikuar pozicionin e tij pertej atij momenti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin