UEFA JEMI NE

UEFA, DON’T F*CK WITH ALBANIANS, shkruhej në një banderolë të shpalosur gjatë një prej protestave të ditëve të fundit, kundër vendimit të UEFA-s për të penalizuar Shqipërinë me humbje 0-3 në tavolinë, pas incidenteve të ndeshjes në Beograd.

Dhe kjo ishte vetëm një nga parullat e hedhura këtë javë kundër Bashkimit Europian të Federatave të Futbollit – në rrugë, në TV, në gazeta dhe në Internet; nga turma, nga anonimë, nga politikanë gjahtarë votash dhe nga opinion-makers të ekranit dhe të shkronjës.

Edhe pse i referohet, pas gjase, një kënge të grupit rock Jericho të drejtuar kundër shovinizmit serb në Kosovën ende të paçliruar, toni i saj sot, i nxjerrë nga ai kontekst, tingëllon kërcënues deri në hilaritet. Pa folur pastaj pankarta e shkruar në anglisht në mënyrë që ta lexojë vetë UEFA, por edhe mediat “ndërkombëtare” vetvetiu e shndërron çdo protestë në event televiziv, dyfish të inskenuar.

Edhe fjala obscene f*ck, në kuptim jo-obscen, është vënë aty për të shokuar (por jo Platini-në fytyrë momentale e së keqes); bartëse e një egërsie të kalkuluar, prej mafiozi që ende nuk ka vendosur nëse do të godasë apo jo për vdekje; jo aq shembëlltyrë e egërsisë vrastare, sesa tapë e një vullkani që qenka në interes të Europës vetë të lihet i pashpërthyer.

Pa çka se tingëllon më tepër si një nënprodukt i kulturës së muzikës underground, ose i një teknike ritualizuese të impulseve të dhunshme, e cila i shërben më tepër përftimit të subjektit, si entitet të pranishëm dhe faktor kërcënues për Tjetrit; diçka si kërcënoj, ergo sum.

Gjëra që dihen. Çfarë më ngacmoi, te kjo parullë mes shumë të tjerash, ishte konstituimi i befasishëm i UEFA-s si autoritet i jashtëm, me pushtet ndaj nesh dhe fuqi për të ushtruar arbitraritet – ose me petkat e master-it, të padronit, të fuqisë së huaj, të Evropit kurva e motit: e cila nuk i do shqiptarët, i ka gjymtuar, i ka sfilitur, nuk i lë të jetojnë në paqe, i nëpërkëmb teksa ua miklon armiqtë e ua mban me pekule.

Kjo UEFA e mnershme, që hakërrehet mu në horizontin tonë, s’është gjë tjetër veç prozopopesë së nevojshme të radhës, që e ndihmon një lloj mendësie të caktuar mes nesh të rigrupohet në rolin e preferuar të viktimës mundësisht të tradhtuar, sikurse ia kërkon paranoja e narrativës kombëtariste.

I rindërtuar kësisoj, ky farë dordoleci (apo nuk jemi as në kohë Halloween-i) vjen e zë vend përbri dordolecëve të vjetër të superfuqive, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës në kohën e Luftës së Ftohtë e më tej, fuqive të mëdha që e copëtuan dikur “Shqipërinë” për hir të interesave të tyre gjeopolitike.

Ata andej, ne këndej dhe konflikti në mes, me shqiptarët historikisht të dënuar nëmos të destinuar të luajnë rolin e “të voglit” përballë “të madhit.”

Vetë narrativa kombëtariste e persekutimit kombinon elemente të vërteta dhe të sajuara; problemi me të nuk janë aq rrënjët që i shkojnë thellë në histori, sesa modeli që ofron, me kokëfortësi, për të shpjeguar të sotmen.

Sepse ja, ia beh një vendim i UEFA-s, i cili shumëve nuk u pëlqen dhe u duket i padrejtë; dhe menjëherë nis të lëvizë mekanizmi i atribuimit të roleve primordiale: UEFA, DON’T F*CK WITH ALBANIANS.

Dhe kështu lejojmë të vihet një shenjë barazimi ose ekuivalence, sado dinakërisht, midis masakrave të shovinizmit serb dje në Kosovë (kënga e Jericho-s), dhe një ndeshjeje futbolli, e cila ka për synim të zbavitë publikun e ngeshëm.

Leksiku i një konflikti etnik për jetë a vdekje rekrutohet tani si zhargon i bajatshëm tifozerish: dhe këtë duan ta shesin për “nacionalizëm.”

Në fakt, UEFA është një bashkim federatash ku edhe FSHF-ja merr pjesë me të drejta të plota; nuk është fuqi e jashtme ndaj “nesh”, por institucion ku kemi aderuar me dëshirë të madhe dhe entuziazëm, në mënyrë që të jemi pjesë e Europës në futboll.

Të gjitha ndeshjet e kombëtares sonë, pas së cilave po humbim arsyen, mundësohen pikërisht nga UEFA; e cila mes të tjerash i jep edhe fonde futbollit në Shqipëri – nëse nuk gabohem.

Njëlloj siç nuk është UEFA e jashtme ndaj nesh, edhe krahu juridik i UEFA-s nuk mëton të jetë burim drejtësie dhe paanshmërie supreme; por vetëm të arbitrojë, me aq sa mundet, për ngjarje dhe incidente të kontestuara nga palët.

Dhe a nuk është vallë pas-ndeshja, në futboll, hapësira gjeometrike e kontestimit të përgjithshëm ose nëna e të gjitha debateve juvenile?

Duke e sendërtuar UEFA-n si ndonjë gjigand që hakërrehet në horizont të punëve tona kombëtare, turma dhe tribunët e saj i jep kësaj shoqate atributet e një hyu xhuxh – mërinë dhe arbitraritetin; teksa ia shndërron magjishëm autoritetin formal në pushtet sa hyjnor, aq edhe të pamerituar.

UEFA e pankartës së shpalosur në protestë është hyu-padron i një turme e cila nuk e gjen dot vetveten, përtej logjikës së marrëdhënies prej skllavi.

Sikurse është hyu-padron brenda një mendësie të mbijetesës që i kërkon shqiptarët në rolin e çakallit a të hijenës kockë e lëkurë, gjithnjë duke iu ardhur rrotull zjarreve dhe vatrave të mbrothësisë dhe të qytetërimit, në pritje për të goditur dhe për t’u goditur.

Një mendësi që dikur ka pasur arsyet e veta historike për t’u mbajtur gjallë; por që sot veç ushqehet nga kompleksi i inferioritetit dhe nxitet nga forca të caktuara, të cilat veç brenda kësaj atmosfere toksike viktimizimi mund ta ruajnë pushtetin e tyre, real a imagjinar qoftë.

Nuk ka komente

  1. Sa vjen e po largohet prirja për zgjidhjen e problemeve me kompromis, inteligjencë e punë nga kultura shqiptare. Forca e mikut, e lekut e dhunës ka zëvendësuar mirëkuptimin, zhbirimin intelektual, punën. Shiko çfarë dhune ka në stadiume, parlament, gjuhën e folur. Edhe ajo parullë pasqyrë e kulturës sonë të re është.

  2. Mua me ngjan me e thjeshte sesa tek shkrimi, ku mungon veç trajtimi per bajlozin.
    Drejtesia e Uefes, eshte e tipit une jam i forti, i kam gjerat ne dore, e jap drejtesi si ma do qejfi. Nje nga pergjigjet eshte edhe ”je i forte por don’t f.ck with albanians”.
    Ne kemi ne dore bojkotin, si akt force dhe duhet ta perdorim, qe ngjarja te marre dhene e te mos shuhet lehte. E hame edhe ne nga bojkoti, padyshim, por ama a ka vlere te luash ne nje kompeticion sportiv ku e kane ndare mendjen qe te te mos lene te fitosh ?
    Bojkoti eshte don’t f.ck with albanians, se gje tjeter ne dore s’kemi. Duhet te pergatitemi si opinion publik qe ta shtrengojme Duken per bojkot, nqs apeli vazhdon me skandalin.

    1. Por kjo nuk ka kuptim, sepse “Albanians” nuk janë jashtë UEFA-s, por janë pjesë e UEFA-s. Ndarja që bëhet, Albanians nga njëra anë, UEFA nga tjetra, është aq infantile, sa të vjen të fshihesh, kur e dëgjon që e bëjnë.

      1. Ka kuptim posi, Uefa ekziston pavaresisht albanians, dmth nqs bejme bojkot gjithe ndeshjet e tjera te grupit, Uefa vazhdon te funksionoje per bukuri.
        Por, me e rendesishme eshte se UEFA demostron se eshte kunder shqiptareve, dmth ekziston kunder shqiptareve, se po te na shihte ajo e para si pjese integrale nuk do kishim skandalin ne fjale.
        Nga ana tjeter, kur flitet per Uefen, flitet per institucionet drejtuese te saj, keshtu qe nuk besoj se ka vend te zgjatemi shume ne kete pike.
        Aty ku mendoj se duhet te zgjatemi eshte se çfare duhet te bejme ne rast se skandali vazhdon, nga çfare duhet te udhehiqemi, nga dinjiteti apo leverdia ekonomike ?

        1. Institucionet drejtuese të UEFA-s kanë dalë nga zgjedhje ku ka marrë pjesë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, me të drejta të plota. UEFA nuk merret me “shqiptarët”, si kategori etnike – por me futbollin e organizuar në Shqipëri, të përfaqësuar nga Federata përkatëse. Si mund të jetë UEFA “kundër shqiptarëve”, kur FShF-ja është e përfaqësuar në UEFA në të gjitha instancat; dhe ku UEFA vetë nuk është gjë tjetër përpos një bashkimi të federatave të futbollit në Europë?

  3. Po t’i biem nga Kina, edhe ne te dy jemi shteti, mirepo formalizmi ne kesi rastesh sherben per t’i krehur bishtin vetes ose per te mashtruar kend. Meqe nuk jemi ketu as per t’i krehur bishtin kujt e as per te mashtruar kend, le te themi qe intitucionet drejtuese te Uefes jane kunder shqiptareve, gje e demostruar, duke filluar qe nga racizmi i Platiniut kur tha se tek fluturakja mund te kishte bombe. Racizmi i Platiniut lidhet me shqiptaret si kategori etnike e sipas gjasave fetare, medemek ne terroriste.
    Nuk e di se kush e ka mundesine legale, po Platiniu duhet te hidhet ne gjyqin e Hages per racizem, fyerje te nderit e prishje te imazhit te shqiptareve.

    1. FShF-ja ka hyrë në UEFA dhe ashtu i ka marrë përsipër edhe përgjegjësitë që vijnë me këtë rast. Platini-ja është zgjedhur edhe me votën e Shqipërisë, bie fjala. Unë s’kam ndonjë iluzion për UEFA-n, por s’kam ndonjë iluzion as për futbollin në Shqipëri. Them se gjykimi për ndeshjen u vendos mbi një teknikalitet (dhe kushedi edhe një gabim përkthimi: we can’t go back/we don’t want to go back), por s’kish si të ndodhte ndryshe në atë instancë. Jam dakord për hedhjen në gjyq, madje e kam kërkuar edhe vetë këtu në blog më parë, por kjo s’ka të bëjë me futbollin dhe me UEFA-n.

  4. Vendimi i Komisionit Disiplinor te UEFA-s ishte i padrejte dhe si i tille u perceptua edhe nga mediat e huaja te cilat, e konsideruan si “legjitimim te racizmit dhe dhunes” te pales serbe. Ndeshkim disiplinor perpjestimor ku viktima u barazua me agresorin. Reagimi i shoqerise shqiptare u reflektua ne tre nivele: ne ate institucional me nje gjuhe te moderuar por ne thelb me theks politik (Presidenti, Km-FSHF ), ne nivelin mediatik , ku krahas qasjes realiste , u riaktivizua retorika nacionaliste dhe ne nivelin shoqeror, reagim i manifestuar me ndonje proteste brenda vendit e gjetiu dhe , sidomos, u artikulua ne median sociale me nje gjuhe ku gjeje zemerimin legjitim, dhunen verbale kunder Platinise, viktimizimin dhe paranojen si nje nga klishete e narratives nacionaliste.
    Futbolli ne shoqerite postnacionale eshte bere streha e fundit e dufeve dhe kremtimeve nacionaliste, sidomos kur perballen skuadrat kombetare te vendeve me nje histori konfliktuale. Eshte interesant se te dy vendet, incidentin e dronit dhe perleshjen e lojtareve per banderolen e percollen permes mekanizmave te vjeter te epikes nacionaliste , e heroizuan dhe secila pale, ashtu si tek Eposi Kreshnikeve, krijoi versionin e saj.Mistifikimi i ngjarjes u be mu perballe kamerave dhe miliona syve. Paversisht nga dallimet mes nacionalizmit agresiv, shoven serb dhe nacionalizmit pasiv, mbrojtes dhe .verbal shqiptar, te dy popujt kane perballe , secili , pasqyren me imazhin imagjinar, ideal , te kombit.Keto imazhe imagjinare, ideale dhe te ngrira jane burimi narcizizmit dhe , njekohesisht, i agresivitetit kolektiv kundrejt Tjetrit qe cenon kete imazh. Tashme te dy popujt jetojne ne kufij shteteror te cilet nuk perputhen me harten etnike te imazhit te ngurosur.Te dy pasqyrat e imazhve respektive jane te thyera dhe kjo situate gjeneron frustacionet dhe histerite nacionaliste.

  5. Shfryrja “don’t f… with Albanians” nuk çon në vend asnjë mesazh. Seriozisht s’e merr dot, po ta kuptosh si auto-ironik – rasti më i mirë – është veç autogol në portën e protestës.
    Platini për mprehtësinë dhe ndjeshmërinë që tregoi, meritonte diçka kontinentale: një banderolë që tregon një stadium, një drone që mbart një bombë dhe një fjongo ku shkruhet:
    “CECI N’EST PAS UNE BOMBE”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin